Lajmet

Pse breshkat jetojnë kaq gjatë?

Për këtë ka një përgjigje evolucionare dhe një tjetër biologjike.

Published

on

Nga Joanna Wendel

Në ishullin e Shën Helenës në Atlantikun Jugor, jeton një krijesë që libri i rekordeve Gines e ka quajtur “kafshën më tëmoshuar në Tokë”. Emri i saj është Xhonatan dhe është një breshkë gjigante. Sipas Gines, Xhonatan ishte 187 vjeç në vitin 2019.

E lindur në vitin e largët 1832, gjatë sundimit të mbretëreshës britanike Viktoria, breshka ishte 80 vjeç kur u fundos Titaniku në ujërat e ftohtë të Atlantikut Verior. Por Xhonatan dhe breshkat e tjera gjigante nuk janë të vetmet specie të këtij lloji që jetojnë kaq shumë, thotë Xhordan Donini, profesor i biologjisë në Kolegjin Shtetëror të Floridës Jugperëndimore.

Breshkat e detit mund të jetojnë zakonisht 50 deri 100 vjet, ndërsa breshkat-kuti mund të jetojnë më shumë se një shekull, thotë ai për Live Science. Në fakt, shkencëtarët nuk e dinë kufirin e sipërm të jetëgjatësisë së shumë llojeve të breshkave, kjo pasi njerëzit nuk jetojnë aq gjatë sa ta zbulojnë këtë.

Po pse breshkat jetojnë kaq gjatë? Lori Njuman-Li, asistent/profesore e fiziologjisë në Universitetin Shtetëror të Arkansasit, SHBA, e cila studion breshkat dhe zvarranikët e tjerë, thotë se për këtë ka një përgjigje evolucionare dhe një tjetër biologjike.

Përgjigja evolucionare është relativisht e drejtpërdrejtë:Kafshët si gjarpërinjtë dhe rakunët, duan të hanë vezët e breshkave. Ndërkohë për të trashëguar gjenet e tyre, breshkat duhet të jetojnë gjatë dhe të shumohen shpesh, ndonjëherë disa herë në vit, dhe të pjellin shumë vezë. “Duke pasur parasysh se sa pasardhës kanë është e habitshme që bota nuk po pushtohet nga breshkat”-thotë Njuman-Li për Live Science.

Mekanizmi biologjik që fshihet pas jetëgjatësisë së pazakontë të breshkave, është më i ndërlikuar. Një nga aspektet më thelbësore për jetëgjatësinë e breshkave ka të bëjë me  telomeret e tyre, që janë struktura të përbëra nga fillesa jo të koduara të ADN-së që mbulojnë skajet e kromozomeve, thekson Njuman-Li.

Këto struktura ndihmojnë në mbrojtjen e kromozomeve kur ndahen qelizat. Me kalimin e kohës, telomeret bëhen më të shkurtra ose degradojnë, gjë që do të thotë se ato nuk mund t’i mbrojnë më kromozomet e tyre. Kjo shkakton probleme me shumëfishimin e ADN -së. Dhe gabimet në këtë proces mund të shkaktojnë probleme të tilla shëndetësore si tumoret dhe vdekjen e qelizave.

Por Njuman-Li thotë se breshkat shfaqin një shkallë më të ulët të shkurtimit të telomereve në krahasim me kafshët e tjera që kanë jetëgjatësi më të vogël. Dhe kjo do të thotë se ato janë më rezistente ndaj llojeve të caktuara të dëmtimeve që mund të lindin nga gabimet e shumimit të ADN-së.

Shkencëtarët nuk kanë zbuluar ende të gjithë faktorët që kontribuojnë në jetën e gjatë të breshkave, por ata kanë propozuar disa ide. Në një studim të publikuar më 8 korrik në bazën e të dhënave bioRxiv, një ekip shkencëtarësh eksploruan një numër mekanizmash dhe substancash që çojnë në dëmtimin dhe vdekjen e qelizave, dhe vëzhguan sesi reagonin qelizat nga disa lloje breshkash, përfshirë nga një breshkë gjigante (si Xhonatan).

Sipas studimit, breshkat gjigante dhe disa lloje të tjera breshkash duket se janë në gjendje të mbrojnë veten nga efektet afatgjata të dëmtimit të qelizave. Ato e bëjnë këtë duke i vrarë shpejt qelizat e dëmtuara, përmes një procesi të quajtur apoptozë, ose vdekja e programuar e qelizave të dëmtuara thekson Njuman-Li.

Një trajtim shkaktoi stres oksidativ, pra një lloj stresi që shfaqet natyrshëm në qelizat e gjalla. Stresi oksidativ shkaktohet nga radikalet e lira, të cilat janë molekula shumë reaktive të formuara natyrshëm nga proceset metabolike. Kur trajtohen, qelizat e breshkave iu nënshtruan me shpejtësi apoptozës.

“Një nga gjërat që nënvizon ky studim është se apoptoza e kontrolluar është një procedurë shumë e vlefshme për ndaljen e plakjes, pasi nëse ka një qelizë që ka dëmtime të caktuara, dhe nëse një organizëm ka mundësi ta zhdukë me shpejtësi, atëherë kjo mund të shmangë dukuri të tilla negative si kanceri”- shprehet Njuman-Li.

Në fakt, qelizat në të gjitha speciet, përveç njërës, nuk iu përgjigjën një trajtimi që supozohej të prishte një enzimë të quajtur ligazë, e cila është thelbësore për procesin e kopjimit të ADN -së. Pra me fjalë të tjera, ligaza e breshkave vazhdoi të funksiononte siç duhet.

Nëse kjo do të thotë se këto breshka janë plotësisht rezistente ndaj procesit të kopjimit të ADN-së, kjo nuk është përcaktuar ende, thotë Njuman-Li. Por mund të jetë një përgjigje e mundshme pse breshkat jetojnë kaq gjatë në krahasim me speciet e tjera. / “Live Science” – Bota.al

Lajmet

Studentët e Mekatronikës në UBT përfitojnë përvojë praktike në teknologjitë më të avancuara në ITP Prizren

Published

on

By

Fakulteti i Inxhinierisë së Mekatronikës në UBT vazhdon të dëshmojë qasjen e tij moderne dhe të orientuar drejt praktikës, duke organizuar aktivitete që i lidhin studentët drejtpërdrejt me industrinë dhe teknologjitë më të avancuara.

Në këtë kuadër, studentët e vitit të tretë realizuan një vizitë studimore në qendrën ITP në Prizren, të udhëhequr nga Prof. Ass. Dr. Betim Shabani dhe Ass. Ylli Rexhaj, MSc Cand., ku patën mundësinë të njihen nga afër me proceset më të reja të prodhimit dhe inovacionit teknologjik.

Gjatë vizitës, studentët u njohën në mënyrë të detajuar me teknologjinë e printimit 3D, duke ndjekur të gjithë ciklin e zhvillimit, nga skanimi dhe modelimi digjital i objekteve, deri te realizimi i tyre fizik dhe procesi i post-procesimit si fazë përfundimtare.

Kjo eksperiencë praktike përfaqëson një nga elementet kyçe të programit të Mekatronikës në UBT, i cili është i ndërtuar mbi ndërthurjen e teorisë me praktikën, duke përgatitur studentët për sfidat reale të industrisë moderne.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT synon të zhvillojë te studentët aftësi konkrete profesionale, mendim inovativ dhe gatishmëri për tregun e punës, duke e bërë programin e Mekatronikës një nga drejtimet më atraktive dhe të kërkuara për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierë në teknologji, automatizim dhe industri të avancuara.

Vizita në ITP Prizren është vetëm një nga shumë aktivitetet praktike që organizohen në kuadër të këtij programi, duke e pozicionuar UBT-në si një institucion lider në përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes në fushën e mekatronikës dhe teknologjisë.

Continue Reading

Vendi

Gjermania ndan 3 milionë euro donacion për FSK-në

Published

on

By

Gjermania ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e saj të palëkundur për transformimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes një donacioni të ri prej 3 milionë eurosh.

Ministri i Mbrojtjës Ejup Maqedonci, ka njoftuar se ky donacion vjen në kuadër të programit gjerman “Enable and Enhance”, i cili do të fokusohet në pesë projekte jetike, me synim kryesor fuqizimin e flotës së transportit ushtarak dhe ngritjen e kapaciteteve për mbështetje mjekësore brenda forcës.

Gjatë ceremonisë së zyrtarizimit të kësaj mbështetjeje, Ministri Maqedonci, priti ambasadorin gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin diskutoi mbi ecurinë e reformave në mbrojtje dhe nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.

Ministri Maqedonci e vlerësoi lart kontributin e qeverisë gjermane, duke theksuar se ky investim ndikon drejtpërdrejt në gatishmërinë operacionale të FSK-së.

“Republika Federale e Gjermanisë po vazhdon të mbështesë zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës,” u shpreh ministri Maqedonci, duke shtuar se ky donacion është i dedikuar për projekte konkrete që përmbushin standardet më të larta ushtarake.

Sipas krerëve të mbrojtjes, bashkëpunimi mes dy vendeve pritet të thellohet edhe më tej në të ardhmen, duke u fokusuar në trajnime të përbashkëta dhe asistencë teknike për të siguruar një forcë moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët ndërkombëtarë.

Continue Reading

Aktualitet

Studentet e masterit në Psikologji në UBT, Shqipe Shala dhe Drenusha Krasniqi mbajnë ligjëratë mbi autizmin

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe ndërgjegjësuese, studentet e programit master në psikologji, Shqipe Shala dhe Drenusha Krasniqi, mbajtën një ligjëratë tematike mbi çrregullimin e spektrit të autizmit.

Ligjërata u fokusua në prezantimin e koncepteve bazë mbi autizmin, duke përfshirë karakteristikat kryesore, shenjat e hershme të identifikimit dhe sfidat që shoqërojnë këtë çrregullim në aspektin e zhvillimit dhe ndërveprimit social. Një rëndësi e veçantë iu kushtua ndërhyrjes së hershme dhe rolit të saj në përmirësimin e cilësisë së jetës për personat në spektrin e autizmit.

Gjatë prezantimit u trajtuan gjithashtu aspektet praktike të mbështetjes, duke përfshirë qasjet bashkëkohore në punën me fëmijët me autizëm, si dhe roli i familjes, institucioneve arsimore dhe profesionistëve në krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës.

Ky aktivitet synoi të kontribuojë në rritjen e vetëdijes dhe njohurive profesionale mbi autizmin, si dhe të nxisë një qasje më të ndjeshme dhe mbështetëse ndaj personave me këtë çrregullim në shoqëri.

Ligjërata u vlerësua pozitivisht nga pjesëmarrësit, duke reflektuar interesin dhe rëndësinë e trajtimit të temave të tilla në kuadër të formimit akademik dhe profesional.

Continue Reading

Lajmet

UBT ofron bursë për maturantët nga Shqipëria në Inxhinieri të Energjisë dhe programe të tjera inovative

Published

on

By

UBT po vazhdon të forcojë rolin e tij si institucioni kryesor i arsimit të lartë në rajon, duke hapur mundësi të reja për maturantët nga Shqipëria që dëshirojnë të studiojnë në Kosovë dhe të ndërtojnë një karrierë profesionale në fusha strategjike dhe moderne.

Në kuadër të ofertës së re akademike, UBT ka hapur regjistrimet e hershme në programin Inxhinieri e Energjisë, një drejtim që fokusohet në zhvillimin e njohurive dhe aftësive praktike në fushën e energjisë së ripërtëritshme, sistemeve energjetike efikase dhe teknologjive të avancuara që po formësojnë të ardhmen globale të industrisë së energjisë.

Për të mbështetur të rinjtë nga Shqipëria, UBT ka vendosur bursë 20 për qind për të gjithë maturantët që aplikojnë në këtë program, duke lehtësuar qasjen në studime cilësore dhe duke krijuar mundësi më të gjera për zhvillim profesional dhe akademik.

Programi i Inxhinierisë së Energjisë në UBT karakterizohet nga një qasje bashkëkohore e mësimdhënies, ku teoria ndërthuret me praktikën në laboratorë modernë, projekte kërkimore dhe bashkëpunim me industrinë. Studentët përgatiten për tregun e punës jo vetëm në nivel vendor, por edhe në atë ndërkombëtar, në një sektor që po përjeton rritje të shpejtë dhe kërkesë të vazhdueshme për ekspertë të kualifikuar.

Oferta akademike e UBT-së nuk kufizohet vetëm në një drejtim. Institucioni ofron një gamë të gjerë programesh inovative që përfshijnë Inxhinieri të Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Agrikulturë dhe Shkenca të Ushqimit (Nutricion), Turizëm, Mekatronikë dhe Robotikë, Media dhe Komunikim, Shkenca Politike dhe Juridik, Studime të Sigurisë si dhe Sisteme të Informacionit.

Këto programe synojnë të përgatisin profesionistë të aftë për tregun e punës të së ardhmes, duke integruar teknologjinë, inovacionin dhe aftësitë praktike në çdo fushë studimi.

UBT është shndërruar në një qendër akademike që bashkon studentë nga të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë, duke krijuar një ambient ndërkombëtar studimi dhe bashkëpunimi. Institucioni është vlerësuar për rolin e tij në zhvillimin e arsimit cilësor, inovacionit, teknologjisë dhe kërkimit shkencor, duke u pozicionuar si lider rajonal në fusha si inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital.

UBT fton të gjithë maturantët nga Shqipëria që të bëhen pjesë e një institucioni ku arsimi, inovacioni dhe e ardhmja takohen në një pikë të vetme zhvillimi.

Linku për aplikim online!

Continue Reading

Të kërkuara