Aktualitet

Promovohen mbi 180 vende pune për të rinjtë

Hamza gjatë fjalimit të tij ka potencuar se pa biznese të zhvilluara nuk mund të ketë shtet dhe as ekonomi të zhvilluar.

Published

on

Mbi 180 vende pune për të rinjtë në sektorët e gastronomisë, prodhimtarisë së drurit dhe prodhimtarisë ushqimore, janë shpallur gjatë ceremonisë së hapjes të Panairit të Punës 2022 që u mbajt sot në Mitrovicë.

Në këtë Panair u promovuan edhe mundësitë për praktikë, këshillim në karrierë dhe trajnime nga kompanitë lidere të qytetit të Mitrovicës.

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, gjatë fjalimit të tij ka potencuar se pa biznese të zhvilluara nuk mund të ketë shtet dhe as ekonomi të zhvilluar.

Sipas tij, bizneset meritojnë respekt të veçantë sepse veç tjerash kontribuojnë në mbushjen e arkës së shtetit dhe punësimin e qytetarëve, andaj siç tha ai, komuna do të bëjë maksimumin për t’i thjeshtëzuar procedurat për bizneset.

“Diçka që jam i sigurt dhe e them me siguri të plotë është se pa biznese të forta, pa biznese të zhvilluara, nuk ka shtet dhe ekonomi të zhvilluar. Flas me respektin maksimal për sektorin privat, sepse ju kontribuoni për vete, familjet e juaja, kontribuoni në mbushjen e arkës së shtetit dhe ju punësoni njerëz. Prandaj ne sot jemi këtu për të qenë bashkë me juve dhe për t’ju siguruar edhe nga këtu se ne do ta bëjmë maksimumin me procedura të thjeshtëzuara”, ka thënë Hamza.

Jehona Rexha, zëvendësdrejtoreshë e Agjencionit për Punësim në Republikën e Kosovë (APRK), tha se institucioni të cilin ajo e udhëheqë ka në mandatin e saj veç tjerash promovimin e bashkëpunimit që nxitë ofertën për punësim.

“Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës si ofrues publik i shërbimeve të punësimit ka në mandat të vetin administrimin e tregut në fushën e punësimit dhe aftësimit professional, si dhe për të promovuar sa më shumë bashkëpunimin të cilat e nxisin ofertën për punësim në frymën në të cilin është organizuar edhe ky panair”, theksoi Rexha.

Vjosa Mullatahiri, nga organizata gjermane GIZ, ka bërë të ditur se panairet e punës janë bërë platforma unike ku kompanitë e bizneseve dhe ata që kërkojnë punë, krijojnë marrëveshje të bashkëpunimit.

“Nga përvoja shtatëvjeçare në organizimin e panaireve në komuna të ndryshme kemi parë që panairet e punës janë bërë si platforma unike ku bizneset dhe punëkërkuesit krijojnë një marrëveshje të bashkëpunimit”, u shpreh ajo.

Ky panair i cili do të zgjasë deri në orët e mbrëmjes, u mbështet nga Komuna e Mitrovicës, APRK-ja dhe organizata GIZ.

Vendi

Kurti takon kryeministrin britanik Burnham në Dublin: Thellojmë partneritetin dhe bashkëpunimin

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, në përmbyllje të punimeve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Dublin.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Kurti e ka vlerësuar Mbretërinë e Bashkuar si një partnere dhe aleate të posaçme të Republikës së Kosovës, duke shprehur synimin e Qeverisë për të avancuar më tej raportet bilaterale.

“Jemi mirënjohës e falënderues për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të saj, teksa synojmë e angazhohemi për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit”, ka deklaruar kryeministri Kurti. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Shawn Mendes reagon ashpër për situatën në Gaza: “Po ndodh një gjenocid para syve tanë, artistët të flasin”

Published

on

By

Këngëtari i njohur kanadez, Shawn Mendes, ka publikuar një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale në mbështetje të Palestinës, duke bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të vrasjeve në Gaza dhe duke u kërkuar kolegëve të tij artistë që të mos heshtin.

Përmes një deklarate të shkruar, artisti 28-vjeçar e ka cilësuar situatën aktuale si gjenocid, duke theksuar se fëmijët dhe familjet palestineze kanë vuajtur tepër gjatë dhe kanë nevojë urgjente për ndihmë. Mendes ka bërë të ditur se është duke u informuar vazhdimisht për të kuptuar se si mund të kontribuojë dhe se tashmë ka dhuruar donacione për disa organizata humanitare, duke ftuar edhe ndjekësit e tij të veprojnë njëjtë.

“Miqtë e mi dhe kolegë artistë, e di që mund të duket e frikshme të flasësh hapur; e ndiej edhe unë tani teksa e shkruaj këtë… Por ndiej nevojën të bëj diçka për të ndihmuar. Sa më shumë prej nesh ta përdorin zërin, aq më afër ndryshimit jemi. Këta fëmijë në Palestinë janë detyruar të jenë trima për një kohë të gjatë. Tani është radha jonë të bëjmë të njëjtën gjë”, ka shkruar Mendes.

Në mbyllje të reagimit të tij, këngëtari ka bërë thirrje që të normalizohet ngritja e zërit në mbrojtje të atyre që vuajnë nga shtypja, duke listuar gjashtë hapa konkretë veprimi: dhuroni, edukohuni, inkurajoni, sfidoni, mbani përgjegjës ata që janë në pushtet dhe votoni. /E.A/

Continue Reading

lajme

Rrëfimi për luftën e UÇK-së mbush sallat me filmin “Sakrifica”

Published

on

By

Filmi vendor “Sakrifica”, me regji të Halil dhe Merita Budakovës, po vazhdon të tërheqë vëmendje të madhe dhe fluks të lartë shikuesish në Cineplexx Prishtina, pas premierës së tij të mbajtur dy ditë më parë.

Duke trajtuar një temë të ndjeshme të historisë së Kosovës, realizimi kinematografik ka arritur të prekë publikun që nga nata e parë e shfaqjes, ku biletat u shitën me ritme të jashtëzakonshme.

“Sakrifica” sjell në ekranin e madh historinë e pesë vëllezërve, të cilët gjatë viteve 1997–1999 marrin vendimin t’i bashkohen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë pas familjen dhe gjithçka që kanë për të luftuar për lirinë e vendit.

Për shkak të kërkesave të vazhdueshme dhe interesimit të lartë për ta parë këtë histori të guximit dhe atdhedashurisë, adhuruesit e filmit ftohen t’i sigurojnë me kohë biletat përmes platformës zyrtare të Cineplexx-it ose në arkat e kinemasë në Albi Mall. /E.A/

Continue Reading

Sport

Anglia triumfon ndaj Kroacisë dhe mban hapin me Spanjën

Published

on

By

Anglia ka regjistruar një fitore të rëndësishme me rezultat 2-1 kundër Kroacisë, në një ndeshje të mbushur me emocione dhe ndërhyrje të sistemit VAR.

Anglezët kaluan të parët në epërsi në minutën e 24-të me anë të Morgan Rogers.

Kroacia u kundërpërgjigj në pjesën e dytë, duke barazuar shifrat në 1-1 në minutën e 59-të përmes Petar Sucic.

Megjithatë, Anglia fitoi një penallti pas rishikimit me VAR, të cilën kapiteni Harry Kane e shndërroi në gol në minutën e 64-t për 2-1. Në fund, anglezëve iu anulua edhe një gol i James Garner për pozicion jashtë loje.

Pas kësaj fitoreje, Anglia renditet në vendin e dytë të Grupit 3 me 12 pikë, duke ndjekur nga afër lideren Spanja. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara