Lajmet nga UBT

Profesori i UBT-së, Çadraku bashkëautor në “Hartën e Vulnerabilitetit të Ujërave Nëntokësorë të Shqipërisë”

Published

on

Në një përpjekje për të adresuar dhe parandaluar ndotjen e ujërave nëntokësore në Shqipëri, një grup kërkimor nga Universiteti Politeknik i Tiranës, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Teknologjisë dhe Inovacionit, ka zhvilluar Hartën e Vulnerabilitetit të Ujërave Nëntokësorë. Kjo hartë, e ndërtuar në bazë të Metodës DRASTIC, është rezultat i një angazhimi të përbashkët dhe një përpjekje të vazhdueshme për të mbrojtur burimet e çmuara ujore të vendit.

Vulnerabiliteti i ujërave nëntokësorë është një sfidë thelbësore për shëndetin publik dhe ruajtjen e mjedisit. Ndërhyrja e ndotjeve sipërfaqësore në sipërfaqen e tokës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në këtë resurs të çmuar. Për të vlerësuar këtë rrezik, grupi i punës ka zgjedhur të përdorë metodën e DRASTIC, duke e konsideruar atë si një mjet të përballueshëm dhe efikas për të adresuar këtë çështje.

Në këtë hartë, janë përfshirë të dhënat dhe vlerësimet e shumta nga një sërë burimesh shkencore, duke përfshirë informacione nga departamentet e Gjeologjisë dhe Energjisë në Universitetin Politeknik të Tiranës, si dhe kontributin nga institucionet e tjera shkencore në vend, përfshirë Profesorin Hazir Çadraku nga UBT si bashkëautor. Kjo hartë paraqet një mjet të rëndësishëm për planifikimin dhe menaxhimin e burimeve ujore nëntokësore.

Projekti ka qenë i mundur falë mbështetjes së Universitetit Politeknik të Tiranës, Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, si dhe Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit për financimin e tij fillestar. Përvoja dhe ekspertiza e përbashkët e këtyre institucioneve kanë bërë të mundur zhvillimin e një mjeti aq të rëndësishëm për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik në Shqipëri.

Ky projekt është një dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta të shoqërisë shkencore dhe institucioneve qeveritare për të adresuar sfidat komplekse mjedisore që përballon vendi ynë. Harta e Vulnerabilitetit të Ujërave Nëntokësorë do të shërbejë si një mjet i rëndësishëm për politikat dhe programet e ardhshme të mjedisit dhe ujërave në vend. /UBTNews/

D.E.

 

Fletepalosja_Harta-e-vulnerabilitetit (1)

Vendi

Podcasti me Musa Sabedini: Sfida e mediave përballë perceptimit negativ publik

Published

on

By

Pjesa e dytë e podcastit me gazetarin, profesorin dhe publicistin Musa Sabedini, ku vazhdon diskutimi mbi sfidat reale të gazetarisë hulumtuese dhe rolin e mediave në shoqërinë bashkëkohore.

Në këtë episod, biseda thellohet në çështje si kërcënimet ndaj gazetarëve, mungesa e unitetit në media, raporti me institucionet dhe perceptimi i publikut ndaj gazetarisë. Përmes përvojës së tij shumëvjeçare, profesori Sabedini ndan këshilla konkrete për gazetarët e rinj dhe rrëfen realitetin e profesionit në terren.

Podcasti i plotë:

Driton Hyseni: Të fokusohemi te gazetaria hulumtuese dhe të bërit e gazetarisë sot. Të rinjtë i shohim se po përdorin edhe mekanizma të tjerë, ndoshta më relaksuese dhe më të lehtë, për shembull si inteligjenca artificiale, diçka që ka ardhur me kohën dhe është më e lehtë për të bërë gazetari. Sa ka qenë e vështirë në kohën kur e keni bërë ju?

Prof. Musa Sabedini: Dallimi ka qenë shumë i madh, si nata me ditën, por aty është ideja se kjo inteligjencë artificiale ka shumë dobësi dhe mangësi, por ka edhe anë pozitive. Për shembull, në kohën time kur kam punuar, ke pasur kohë me bërë temën nga dy ditë deri në dhjetë ditë, sepse tema hulumtuese, tema e mirë, nuk bëhet për një orë.

Nuk të ka penguar askush, pengesa e vetme kanë qenë njerëzit që i ke takuar, mandej kanë gjetur lidhje dhe të kanë kërcënuar, të kanë shantazhuar, por te unë e kanë pasur problem.

Por pjesa e rrjeteve sociale i ka dhënë dimension tjetër gazetarisë, dhe jo vetëm asaj hulumtuese.

Vërejtja ime kryesore është që po i shoh portalet dhe gazetarët, dhe e keqja më e madhe e këtyre është që po bien rob të Facebook-ut dhe rrjeteve tjera.

Nëse një temë e mirë hulumtuese e ke publikuar në portal, nuk ka nevojë ta vendosësh në Facebook personal dhe të merresh me temën. Kjo për mua është neveritëse, e ul totalisht vlerën që e ka gazetaria hulumtuese.

Kjo ndodh sepse njerëzit duan të bëhen faktor për like dhe klikime, por kjo e ul shumë nivelin e gazetarit.

Njoh gazetarë që për diçka të vogël e vendosin në rrjetin e tyre Facebook dhe lexuesi nuk e di, pastaj edhe kërcënimet e kanë një rend dhe rregull.

Kur kërcënon pala, urdhëro dhe paraqite në polici, është prokuroria edhe gjykata. Unë nuk i lodh lexuesit dhe familjen pa nevojë.

Driton Hyseni: Kërcënimet, si duhet t’i përballojmë kërcënimet? Ndoshta gazetarët e rinj, me një përvojë shumë të vogël në gazetarinë hulumtuese, hyjnë në këtë treg dhe kanë frikë ndaj kërcënimeve, dhe ndoshta tërhiqen e nuk merren më me këtë industri. Si të përballohet kërcënimi?

Prof. Musa Sabedini: E keqja më e madhe do të ishte nëse ata tërhiqen, pra tërheqje kjo punë nuk ka. Esenca kryesore këtu është që çdo gazetar hulumtues, në përgjithësi, duhet të ketë durim. Pra arma ime kryesore ka qenë durimi.

Unë kam duruar shumë. Më kanë kërcënuar njerëzit dymbëdhjetë herë brenda ditës dhe më thoshin: “ora 12:10 kam me ardhë me të vra në zyrë”. Unë isha i qetë dhe i thosha: “le shtyje për 12:30”. Pra i kam marrë me sportivitet. Nuk do të thotë që kjo nuk ka ndikuar në shëndetin tim, të merremi vesh.

Por nëse do të merresha më seriozisht me njerëz kriminelë, duhet ta lësh gazetarinë. Unë kam fituar në raport me ata. Ata kanë humbur.

Unë kam rreth dymbëdhjetë raste që i kam futur në burg. Janë arrestuar, e kanë mbajtur dënimin ose më kanë kërkuar falje dhe e kanë parë që kanë gabuar, sepse nuk mund të shpikësh diçka kur unë kisha tema hulumtuese të mira. Dhe njerëzit që janë të pakënaqur gjejnë lloj-lloj alibish.

Kurrë mos harro, është një porosi e imja: kur shkruan për korrupsion, ryshfet, për krim të organizuar, mos prit që ai ka me të dhënë lule. Ata janë të revoltuar dhe janë njerëz të ndjeshëm. Kini kujdes, mos u dilni përballë. Ditën e parë të botimit të teksteve, gjithmonë gazetarët duhet të kenë kujdes, duhet të ruhen, të mos dalin në vende publike nëse të fyejnë ose të kërcënojnë.

Tash është bërë problem Facebook-u për t’u menaxhuar, por edhe në Facebook kurrë mos u shtyni me ta, kurrë mos u ktheni përgjigje. Le të fyejnë, le të shajnë. Ti, me maturi, me urtësi, me dinjitet duhet ta kalosh këtë problem.

Përndryshe, edhe e shkatërron veten, edhe mbetesh pa e realizuar temën hulumtuese.

Driton Hyseni: Tash, nëse e marrim parasysh, një gazetar hulumtues mund të ketë edhe pasoja individuale. Ndoshta kërcënimet mund të jenë individuale. A mendoni që këtu mund të ketë rol edhe redaksia, ndoshta tërësia e mediave ku punon gazetari? A duhet ta mbrojë, a ka mekanizma mbrojtës?

Prof. Musa Sabedini: Ka mekanizma mbrojtës. Në çdo prokurori është një prokuror që merret veç me gazetarë, por kjo është e pamjaftueshme. Elementi më kryesor për mua është uniteti mes gazetarëve.

Kërcënohet një gazetar, të gjithë gazetarët duhet ta shohin si kërcënim. Është Këshilli i Mediave të Shkruara, është Komisioni i Pavarur për Media që reagojnë nëse është një gazetar profesionist. Kjo është e mirë kur reagojnë, por ka shumë raste që fare nuk reagojnë, pra nuk ka unitet.

Ti kërcënohesh, ai çohet e gjen një portal dhe shkruan kundër teje, e kështu me radhë.

Media dhe as gazetari nuk duhet ta kenë prokurorin si çelës.

Unë kurrë nuk kam dëshirë ta çoj palën në gjykatë. Gjykatën e shoh si mjetin e fundit dhe kurrë nuk kam frikë pse më kërcënon dikush.

Por kur më padit në Këshill ose bën një ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara, atëherë kam nevojë të ndihem keq, kur e di që nuk të kanë paditur lehtë. Edhe pse edhe kjo është çështje diskutabile.

Por është shumë me rëndësi që gazetarët të kenë bashkëpunim mes veti, të jenë unifikues, të jenë solidarë. Kjo neve na shpëton, na jep motiv, na jep frymë të re, na jep energji dhe ne fitojmë. Pra humbin gjithmonë ata që konsiderojnë se e kanë shtetin afër vetes.

Driton Hyseni: A shihni sot që gazetarët kanë unitet mes veti?

Prof. Musa Sabedini: Jo, siç thashë, nuk ka absolutisht. Mund të ketë deri diku, por nuk është siç kam unë dëshirë. Jo të gjitha portalet janë në Këshill, Këshilli është i kufizuar.

Këshilli mund të reagojë, është mirë dhe po them që në çdo rast, nuk ka lidhje, mund të jetë në Han të Elezit ai djali gazetar i ri, ne duhet ta mbrojmë.

Në redaksi, përpara kur kam punuar online, ka qenë Faton Osmani, ai kolegu që vdiq dhe më ka thirrur në Gjilan i pari. Tha: “Unë vij në Gjilan për ty.”

Fatonin e kam pasur redaktor, ai ka qenë për mua si me ma dhënë krejt Gjilanin, sepse ishte një motiv shumë i madh kur më tha redaktori: “Unë vij për ty.” Tha që ti s’ke nevojë të shtyhesh me njerëz e të kërcënohesh.

Edhe kjo është me rëndësi, domethënë redaksia me të mbrojtur, por edhe institucionet, edhe policia duhet të reagojnë, edhe policia duhet të reagojë me kohë, sepse ndonjëherë vonohet.

Driton Hyseni: Po ndalem te kjo pjesë, meqë thamë që mungon uniteti i gazetarëve. A ka faj ndoshta gazetari? A duhet gazetari të fajësojë institucionet publike ose institucionet tjera nëse ato nuk japin fakte ose qasje në dokumente gazetarëve? A duhet t’i fajësojë institucionet gazetari?

Prof. Musa Sabedini: Patjetër, gazetari ka gjithmonë të drejtë, vetëm duhet ta ndjekë në rrugë ligjore. Mos harroni, kjo më shumë është punë teknike, çështja e email-eve.

Unë e kam provuar vetë, u kam shkruar tri deri në katër ministrive email-e, kurrë një përgjigje nuk kam marrë. Pastaj kam filluar me telefona, as telefonat nuk i hapin, sepse nuk ta njohin gazetarin, ikin.

Është me rëndësi që gazetari të jetë insistues, të mos dorëzohet, gjithmonë insistues, sidomos për tema hulumtuese.

Ne e thamë që kemi problem me qeveri, kemi problem me kryetarë komunash, me ministra, kemi problem me njerëz në sistemin e drejtësisë, njerëz që janë të korruptuar.

Ata kanë njerëz, kanë një garniturë aq të thellë sa që ti as ide nuk ke. Është problem me hyrë në mesin e kësaj strukture.

Por gazetari i mirë, gazetari që ka intuitë dhe shije profesionale, ai kurrë nuk dështon. Siç thashë më herët, beso në atë që ke hulumtuar, që e ke verifikuar.

Pra bëj material, grumbullo material, verifiko, verifiko, verifiko, që kur të shkosh të telefonosh, ti të flasësh me fakte, jo të thuash “kam dëgjuar”. Nuk ka nga gazetari “kam dëgjuar”, ajo vdes. Ajo është jo serioze.

Në gazetarinë hulumtuese mjafton t’i thuash: në filan datë ke vjedhur, kjo faturë është rritur, kjo e ka çmimin dhe kaq e ke dëmtuar buxhetin.

Driton Hyseni: Cili mendoni që është opinioni publik ndaj gazetarëve hulumtues, por edhe gazetarëve në përgjithësi?

Prof. Musa Sabedini: Kjo është pyetja ndoshta më e mirë, sepse lidhet me etikë. Fatkeqësisht, shoqëria në Kosovë nuk i do gazetarët, nuk po them e gjithë shoqëria, por i shohin mediat si armiq, i shohin gazetarët si rivalë.

Gazetarët nuk janë rivalë, mediat as të qeverisë, as të institucioneve, as të njerëzve të fushave të ndryshme. Gazetarët janë partnerë të mirë, por gazetaria hulumtuese dallon, nuk e njeh këtë orientim, e anashkalon, është në vete.

Por në përgjithësi, mediat kanë filluar… është ky pushtet i tanishëm që ka instaluar një gjuhë të urrejtjes të rrezikshme në raport me gazetarët. Nuk po them gjithmonë, sepse edhe gazetarët kanë të drejtë, ndonjëherë edhe e teprojnë.

Për shembull, i kam parë mediat si vrapojnë pas Albin Kurtit. Po pse po vrapon, nuk ka nevojë. Ai nuk po thotë asgjë. Injoroje, mos ia vendos mikrofonin përpara. Kjo është për mua gazetari i mirë.

Nuk është gazetari ajo që pret tri orë me mikrofon një kryeministër. Nuk ka rëndësi kush është. Ai të injoron, pse po shkon? Tregoje veten.

Gazetari duhet të ketë ego të shëndoshë, të ketë kredibilitet, ndershmëri, integritet në punë, që kur del një kryeministër, të frikësohet para teje.

Jo 15 gazetarë që ai i bën pesë pare, nuk ju jep përgjigje, ikën dhe e kryen punën e vet, ndërsa ti del keq.

Driton Hyseni: A po mendoni që kanë më tepër përgjegjësi institucionet ndaj këtij opinioni publik?

Prof. Musa Sabedini: Jo, institucionet janë përgjegjëse. Gazetarët kanë raste kur e teprojnë, por institucionet kanë më shumë përgjegjësi. Institucionet duhet ta ndërtojnë një raport të shëndoshë komunikimi.

Driton Hyseni: Sepse, me thënë drejt, po shohim që dalin edhe persona që ndoshta nuk janë gazetarë të mirëfilltë, por më tepër krijojnë show ose mekanizma të tjerë për të tërhequr vëmendjen e publikut.

Sidomos në rrjetet sociale shohim figura të reja që dalin dhe japin opinionin e tyre për tema të caktuara.

Prof. Musa Sabedini: Ato shumë rrallë i përcjell. Këta që dalin me mikrofon, edhe unë i urrej. Ato raste janë të tepruara, por nuk kanë lidhje me gazetarinë, janë pjesë e showbiz-it.

Ne po flasim për institucione. Një zëdhënës i qeverisë, ose zëvendësi i komunës, ose një drejtor duhet të krijojë raporte të shëndosha me media.

Kohëve të fundit, mediat po shihen si armiqësore dhe kjo ndikon edhe në publik. Kot thua unë jam portal serioz institucional kur publiku thotë: ti je portal i krimit, sepse dikush lart e ka thënë.

Kjo nuk më pëlqen. Institucionet duhet të kuptojnë që demokratizimi i tyre në raport me media duhet të jetë parimor. Gazetari është partner i mirë nëse di ta shfrytëzosh, media është partnere e shkëlqyeshme nëse di ta shfrytëzosh.

Pra nuk ka media që del e mirë, thuhet se të gjitha janë të korruptuara, të gjitha janë të Serbisë. Kjo është e tmerrshme, standard shumë i ulët dhe i pavërtetë.

Unë thashë në fillim, mund të ketë media dhe gazetarë që paguhen në forma të ndryshme, por nuk janë shumicë.

Shumica e mediave në Kosovë janë profesionale, janë gazetarë të vjetër, që e dinë çfarë është gazetaria. Ata sulmojnë, por kjo është puna e gazetarit hulumtues.

Driton Hyseni: A mendoni që kjo ka ndodhur ndër vite?

Prof. Musa Sabedini: Jo, ka pasur edhe më herët, por shumë më pak. Për shembull në kohën e Thaçit, Ramushit dhe Isës ka pasur fërkime, por jo në këtë mënyrë masive.

Tani mediat shpesh paragjykohen menjëherë. Nëse nuk shkon fare, ata automatikisht të etiketojnë: je i këtij klani apo atij klani.

Nuk është media e asnjë klani. Unë nuk kam klan, kam portal, jam gazetar profesional, 35 vite i kam bërë, i kam shërbyer qytetarëve dhe interesit publik.

Unë nuk punoj për para në portal, të tjerët mund të punojnë, por unë jo.

Nuk mund të jetoj pa këtë profesion. E kam dashur gjithmonë dhe prapë e dua, pavarësisht disa problemeve shëndetësore, të cilat i kam tejkaluar.

Driton Hyseni: E kemi edhe një pyetje të fundit, që lidhet me profesionin tuaj si profesor. Sa interes kanë të rinjtë për të studiuar gazetari dhe sa janë të aftë studentët t’i përballojnë këto sfida?

Prof. Musa Sabedini: Studentët sot kanë mundësinë ta përzgjedhin këtë profesion, këtë profil ose këtë fushë të medias dhe komunikimit.

UBT-ja ka një ekip të jashtëzakonshëm profesorësh. Unë kam bërë 15 vite aty dhe ka studentë të jashtëzakonshëm.

Çdo student në UBT nuk mbetet pa punë. Ai që është në Media dhe Komunikim bëhet gazetar. Ka studentë të mi që kanë portale, janë gazetarë të mirë, studiues dhe ekspertë të mirë.

Ata po vazhdojnë dhe madje po na kalojnë edhe neve, që tregon fuqinë dhe përvojën që kemi ndërtuar.

Unë do t’i sugjeroja të rinjve ta zgjedhin këtë drejtim, jo vetëm në UBT, por kudo, sepse është një profesion fisnik.

Është profesion që të mban gjithmonë aktiv. Autoriteti krijohet me punë, ndikimi krijohet me angazhim, me djersë.

Nuk ka më mirë se një gazetar të jetë i përpiktë dhe të edukohet mirë.

E kam thënë edhe në promovimin e librit: gjithmonë i pyes studentët në orën e parë çfarë duan – televizion, moderim, media të shkruara apo sport.

Por shumë rrallë dikush thotë gazetari hulumtuese, sepse është e vështirë dhe sfiduese, por jo e papërballueshme.

Një gazetar, pa bërë të paktën pesë ose gjashtë vite aktive, nuk mund të arrijë këtu.

Nuk janë të gjithë Messi. Dikush arrin më shpejt, dikush më ngadalë.

Por është shumë me rëndësi që të rinjtë të mos largohen nga ky profesion, sepse ka vlera të jashtëzakonshme.

Të jesh gazetar është punë e madhe. Je i pavarur, krijon vetë audiencë, hulumton vetë.

Ky profesion kërkon angazhim, nuk është për rehati.

Këshilla ime është: duajeni gazetarinë, të gjitha zhanret e saj.

UBT ka kuadër të jashtëzakonshëm dhe besoj që nuk gabon askush nëse zgjedh Media dhe Komunikim.

Driton Hyseni: Faleminderit shumë profesor. Po e përfundojmë këtë podcast me këto këshilla, duke shpresuar që do të trajtojmë tema të tjera në episodet e ardhshme.

Prof. Musa Sabedini: Faleminderit, Driton. Dua të të jap një falënderim, sepse për ty kam pasur gjithmonë qasje pozitive. Ke qenë student i zoti dhe e ke dashur këtë profesion, dhe po e shoh që e bën me shpirt.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Bëhu lider në sektorin e energjisë: Studime me standarde ndërkombëtare në UBT

Published

on

By

Programi Bachelor në Inxhinieri të EnergjisëUBT është hartuar si një rrugëtim profesional për të gjithë ata që synojnë një karrierë të sigurt dhe me ndikim në industrinë e të ardhmes.

Ky drejtim fokusohet në përgatitjen e ekspertëve të rinj që do të merren me prodhimin, shpërndarjen dhe përdorimin efikas të energjisë, duke kombinuar metodat tradicionale me ato moderne dhe miqësore me mjedisin.

Nevoja për inxhinierë të rinj në Kosovë është mjaft e lartë, sidomos kur merret parasysh se në institucionet tona si KEK-u, mosha mesatare e punonjësve është rreth 60 vjeç. Kjo tregon se tregu i punës ka një kërkesë të madhe për kuadro të reja që zotërojnë njohuri kreative dhe teknike për të zgjidhur sfidat e sotme të sistemit energjetik.

Gjatë tri viteve të studimit, studentët fitojnë njohuri të plota që nga bazat e fizikës dhe matematikës e deri te teknologjitë më të avancuara si energjia solare, ajo e erës dhe sistemet e ruajtjes së energjisë përmes baterive.

Ky program është i harmonizuar plotësisht me Strategjinë e Energjisë së Kosovës 2022-2031, e cila parasheh investime të mëdha në burime të rinovueshme dhe në rrjete inteligjente të njohura si “Smart Grid”. Kjo u mundëson të diplomuarve që të jenë të gatshëm për t’u përfshirë në projekte të rëndësishme, qofshin ato shtetërore apo private, duke menaxhuar sisteme komplekse dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit.

Si një risi e rëndësishme për këtë vit, të gjithë studentët që bëhen pjesë e këtij programi do të kenë mundësi të përfitojnë një bursë prej 20% për të tri vitet e studimeve.

Ky është një lehtësim i konsiderueshëm që u mundëson studentëve të përkushtohen maksimalisht në ngritjen e tyre profesionale. Në përfundim të studimeve, ata do të jenë të aftë të projektojnë sisteme energjetike, të analizojnë faktorët ekonomikë dhe të udhëheqin ekipe multidisiplinare.

Ky program në UBT mbetet një pikë referimi për krijimin e liderëve të nesërm në njërin prej sektorëve më strategjikë të vendit dhe rajonit.

Continue Reading

lajme

Karrierë në diplomaci: Pse Shkencat Politike në UBT janë zgjedhja e parë e të rinjve?

Published

on

By

Në një epokë të ndryshimeve të mëdha gjeopolitike, nevoja për profesionistë të pajisur me kompetenca të larta në fushën e shkencave politike është bërë jetike për zhvillimin e shoqërisë.

Fakulteti i Shkencave PolitikeUBT është pozicionuar si një qendër e ekselencës akademike, ku ndërthuren stafi i kualifikuar, kurrikulat bashkëkohore dhe mundësitë e pashtershme për studentët që synojnë të ndërtojnë një karrierë të suksesshme brenda dhe jashtë vendit.

Ky program është projektuar mbi standardet më të larta evropiane, duke ofruar një qasje të baraspeshuar mes teorive politike dhe zhvillimeve praktike, gjë që mundëson përgatitjen e kuadrove që zotërojnë aftësi të thella analitike dhe kritike për dukuritë bashkëkohore.

Një prej shtyllave kryesore që e dallon këtë program është bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar, i cili u mundëson studentëve përfitimin e shkëmbimeve studentore dhe përvojave të ndryshme akademike përmes partneritetit me institucione prestigjioze.

Kjo qasje ndërkombëtare siguron që diploma e fituar në UBT të jetë e njohur dhe e konkurrueshme në të gjithë Bashkimin Evropian, duke u dhënë studentëve një avantazh të pakrahasueshëm në tregun e punës.

Përveç ngritjes akademike, UBT ka krijuar një ekosistem mbështetës për studentët, duke përfshirë edhe lehtësime të ndjeshme financiare. Aktualisht, studentët që vendosin të bëhen pjesë e këtij rrugëtimi në Shkenca Politike përfitojnë një bursë prej 20% gjatë të tri viteve të studimit, duke e bërë arsimin cilësor.

Kjo mbështetje reflektohet edhe në suksesin e të diplomuarve, ku rreth 98% e tyre janë tashmë të punësuar në sektorë kyçë, duke dëshmuar se aftësitë në hartimin e dokumenteve politike, kërkimin shkencor dhe analizën e rrethanave rajonale e ndërkombëtare janë kompetenca që tregu i vlerëson maksimalisht.

Përmes pjesëmarrjes në konferenca e gara ndërkombëtare, studentët e Shkencave Politike në UBT nuk marrin vetëm një diplomë, por transformohen në profesionistë të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre në politikat publike dhe diplomacinë moderne.

Nëse dëshironi të siguroni vendin tuaj nga tani, mund të aplikoni online përmes linkut: APLIKIMI ONLINE

Continue Reading

Lajmet

Prof. Dr. Marigona Bekteshi Ferati, recensuese e 20 punimeve shkencore në revista ndërkombëtare të indeksuara në Web of Science dhe Scopus (Q1)

Published

on

By

Prof. Dr. Marigona Bekteshi Ferati, profesoreshë dhe studiuese e njohur në fushën e arteve dramatike dhe studimeve të teatrit, ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në angazhimin e saj akademik ndërkombëtar. Brenda një periudhe të shkurtër kohore, ajo ka realizuar recensimin (peer review) e 20 punimeve shkencore për revista dhe konferenca prestigjioze ndërkombëtare të indeksuara në databazat më të rëndësishme akademike si Web of Science dhe Scopus (Q1).

Ky angazhim dëshmon për besimin dhe vlerësimin që komuniteti shkencor ndërkombëtar ka ndaj ekspertizës së saj akademike, pasi procesi i recensimit për revista të nivelit Q1 kërkon standarde të larta profesionale, integritet shkencor dhe përvojë të thellë në kërkim.

Puna e saj si recensuese kontribuon drejtpërdrejt në ruajtjen e cilësisë dhe standardeve të larta të publikimeve shkencore ndërkombëtare, duke ndihmuar në vlerësimin kritik dhe përmirësimin e studimeve të reja në fushën e arteve dhe kulturës.

Ky aktivitet akademik është gjithashtu një promovim i rëndësishëm i universiteteve dhe institucioneve akademike nga Kosova në arenën ndërkombëtare, duke dëshmuar se studiuesit nga vendi ynë janë pjesë aktive e rrjeteve globale të kërkimit shkencor.

Angazhimi i Prof. Dr. Marigona Bekteshi Ferati në recensimin e punimeve shkencore për revista elitare ndërkombëtare është një tjetër dëshmi e rolit të saj në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në forcimin e bashkëpunimeve akademike ndërkombëtare.

Continue Reading

Të kërkuara