Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 22 maj – 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 (Foto: Prishtina e viteve nëntëdhjetë)

 22 maj 1993

 Fatmir Makolli kampion evropian në full-kontakt

Dje, në Tetovë u organizua një turne evropian i kategorisë së parë në full-kontakt. Fatmir Makolli, sportist nga Kosova, i cili para do kohësh fitoi titullin e kampionit të Evropës në këtë sport në turneun e mbajtur në Varne të Bullgarisë, dje e mbrojti këtë titull në kategorinë deri në 71 kg. Fatmir Makolli u ndesh me Andria Dimitrovin, sportist nga Bullgaria. Pas një lufte të fortë, Fatmir Makolli fitoi këtë duel duke e nokautuar kundërshtarin në rundin e pestë. Dueli duhej të zgjaste shtatë runde. Ndërkaq, Fatmir Sopi, në kategorinë deri në 60 kg., fitoi titullin e kampionit ballkanik në rundin e pestë në ndeshjen që pati me Petrov Petrovin.

Krahas këtyre dueleve, në turnirin e djeshëm në Tetovë u mbajtën edhe disa takime përcjellëse. Fidair Berisha pësoi humbje nga Geogir Haçkovi, kurse Bashkim Berisha nga Mirosllav Georgievi. Esat Grajçevci (amator) mundi Dejan Dimitrovin.

Duelet i përcolli një numër i madh shikuesish.

 

 22 maj 1995

 Dhuna e përditshme në Kosovë

 Kaçanik: – Pas bastisjeve dhe arrestimeve që ndodhën në fshatin Dobravë të Kaçanikut në orët e hershme të mëngjesit më 15 maj, të njëjtën ditë rreth mesditës në Prishtinë, policia arrestoi Sami H. Vishin nga fshati Dubravë, i cili gjendet në studime. Polica arrestoi edhe Nijazi B. Vishin nga i njëjti fshat, i cili po ashtu është student në Prishtinë. Ai pasi u mor në pyetje njoftohet se është keqtrajtuar brutalisht dhe është urdhëruar që të paraqitet të nesërmen në stacionin e policisë në Ferizaj. Të nesërmen Samiu i shoqëruar me 6 policë serbë arriti në fshatin e tij në Dubravë me ç’rast iu bastis shtëpia. Sami Vishit, policia pas bastisjes ia mori pasaportën, si dhe vazhdon ta mbajë në arrest.

Më 18 maj, policia bastisi shtëpinë e Mustaf Malësiut në fshatin Dubravë të Kaçanikut. Shtëpia e tij u bastis me pretetekst të kërkimit të armëve, ndërsa policia pas bastisjes mori me vete djalin e tij Veli Malësiun, i cili u dërgua në stacionin e policisë në Ferizaj dhe u keqtrajtua rëndë.

Më 20 maj, gjashtë policë serbë bastisën shtëpinë e Hamit Vishit në fshatin Dubravë, i cili tash një kohë gjendet në botën e jashtme. Në mugesë të tij policia mori Asllan Vishin, vëllain e Hamitit, të cilit po ashtu iu bastis shtëpia. Pas bastisjes, policia mori një makinë shkrimi dhe një kompjutor me disa disketa.

Malishevë: – Edhe më tej në shënjestër të policisë serbe janë fshatrat Mirushë, Gurbardh, Damanek e Çupevë të Malishevës, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Malishevë.

Të premten pasdite, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Degës së LDK-së në Malishevë, derisa po ecnin rrugës, kuislingu Shukri Krasniqi nga Ostrozubi dhe një person tjetër i paidentifikuar me veturën e markës “Askona”, tentoi t’i shkelë Hysni Kilajn, kryetar, Cen Deskun, nënkryetar, Sokol Kryeziun, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Malishevë dhe Isuf Bytyçin, kryetar i KI të Degës së LDK-së në Malishevë.

Podujevë: – Më 19 maj, me arsyetimin se nuk është marrë leja përkatëse, policët ndërprenë një turnir në futboll të vogël në fshatin Gllamnik.

Suharekë: – Më 19 maj, me pretekst të kërkimit të një revoleje, u mor në pyetje dhe u rrah dy herë brenda ditës Sherif Veli Muharremaj (38).

Po këtë ditë u mor në polici dhe u rrah Xhelal Muharremaj (26). Prej tij kërkohej një pushkë gjuetie.

Më 20 maj, në bazë të thirrjes, u paraqit në polici Nuhi Asllanaj (61). Ai e dorëzoi vërtetimin se kishte dorëzuar një pushkë të gjuetisë dhe një revole. Duke kërkuar edhe armë të tjera prej tij, Nuhiu u rrah nga policia.

Ndërsa dje në polici u paraqit edhe djali i Nuhiut, Brahimi, i cili u keqtrajtua me pretekst se babai i tij nuk i ka dorëzuar armët e kërkuara prej tij.

Më 20 maj u mor në polici Milaim Sallahaj nga Gjinoci. Ai u mbajt në stacion tërë ditën. Prej tij është kërkuar të paraqitet sërish në polici.

21 maj 1997

 

Të akuzuarit në procesin e montuar mohuan aktakuzën

Procesi gjyqësor kundër njëzet shqitparëve, gjashtë të parët prej të cilëve akuzohen edhe për “terrorizëm”, vazhdoi edhe dje në gjykatën e instaluar serbe të qarkut në Prishtinë. Dje, para trupit gjykues të të treve, kryeson Dragolub Zdravkoviq, u morën në pyetje edhe nëntë të akuzuar të tjerë, kështu që përfundoi marrja në pyetje e “grupit” të parë që përfshihen sipas aktakuzës së parë të prokurorit Jovica Jovanoviq. Sot do të merren në pyetje edhe dy të akuzuarit e tjerë, Arsim e Beton Ratkoceri, të cilët përfshihen në aktakuzë të veçantë, aktakuzë kjo, siç dihet, që u bashkua, u “shkri” me të parën.

Gjatë seancës së djeshme, të dytës me radhë u morën në pyetje Hajzer Bejtullahu, Enver Dugolli, Emin Sallahu, Shukrie Rexha, Naser Tahiri, Dulah Sallahu, Ragip Berisha, Burhan Hasani dhe Majlinda Sinani.

Po kështu edhe dje ndërtesa ku po u bëhet gjyq këtyre të akuzuarve ishte e bllokuar nga masat e jashtëzakonshme të sigurisë policore. Përreth kësaj “shtëpie të drejtësisë” binin në sy shiritat me etiketën “stop-milicia”. Në çastin kur përfundoi marrja në pyetje e të akuzuarve, kur ata duarlidhur e lëshuan gjykatoren, ngjau një “incident”. Ata që bënin sigurimin brenda në sallë të gjykimit disa minuta i lanë brenda gazetarët, nuk i lejuan ata që të dalin menjëherë edhe pse doli trupi gjykues. Bile, njëri nga ta reagoi për këtë sjellje të pamirë.

Jashtë ndërtesës së kësaj gjykate pritnin shumë anëtarë të familjeve të të akuzaurve, të afërmit, por edhe shumë kurreshtarë që prisnin së paku t’i shohin të dashurit e tyre duarlidhur kur i hypën në një autobus me targë të milicisë për t’i transferuar në burg. Qytetarët e tubuar, nja 1. 000 sish, përshpërisnin se ç’dëshiron regjimi serb me këtë “spektakël”, të bëjë farë “efekti” për t’i treguar botës se ja këtu, në Prishtinë, po u bëka gjyq “terroristëve” shqiptarë.

Gjatë rrjedhës së këtij procesi askush nga të akuzuarit nuk tha se është marrë me këtë apo atë “akt terrorist”, siç bie fjala, ngarkohen gjashtë të parët, dy prej të cilëve, siç dihet, “gjenden në arrati”. Të gjithë të pandehurit i mohuan veprimet inkriminuese sipas neneve 136, 116 e 125 të ligjit penal të “federatës” serbe-malazeze. Askush nga ta nuk tha se i është gjetur ndonjë armë. Bile, që në fillim të seancës së djeshme, i akuzuari i parë Avni Klinaku reagoi zëshëm në shtypin e huaj, se si për këtë “grup” është shkruar se janë furnizuar me 55 mijë armë. Prej nga kjo gënjeshtër, a i përmbahen ata gazetarë kodit gazetar, përse orvaten ta mashtrojnë botën, ç’ju duhet të veprojnë kësisoj. Përkitazi me këtë gjykatësi Zdravkoviq tha: “Mos u bazoni në ato çka shkruan shtypi, por ç’thuhet në aktakuzë”.

Shumica e të akuzuarve edhe gjatë ditës së djeshme pohuan se inspektorët e të ashtuquajturit sigurim shtetëror serb ua kanë nxjerrë deklaratat me dhunë. Ndaj tyre, siç tha njëri nga të akuzuarit, Emin Sallahu, është përdorur edhe elektroshoku. Prandaj, thanë të akuzuarit, kemi qenë të detyruar ta akuzojmë vetveten, të bëjmë deklarata vetakuzuese, metodë kjo e njohur e atyre që i inskenojnë proceset policoro-gjyqësore, pavarësisht nga fakti se madje edhe vetë ligji serb i procedurës penale, ndalon përdorimin e dhunës apo kërcënimit për të nxjerrë deklaratë nga i pandehuri. Por, kjo shkelje “në flagrancë” e nenit 218 nuk ka rëndësi për ata që i bënë hetimet, nuk ka rëndësi as për prokurorin Jovica Jovanoviq që i ngarkoi të pandehurit për veprën më të rëndë penale – “terrorizmin”.

Edhe dje në sallën e gjykimit ishte i pranishëm Nikollas Hill, sekretar i dytë i Ambasadës amerikane në Beograd, si dhe Yvonne Terlingen, komisare e lartë e OKB-së për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe Ivanka Kostiq, përfaqësuese e Fondit për të drejtat humanitare në Beograd.

Për dallim nga dita e parë, kur thuaja të gjithë të akuzuarit refuzuan të përgjigjen në pyetjet e parashtruara, gjatë ditës së djeshme nnë pjesë e mirë e tyre pranoi të përgjigjen. I akuzuari Hajzer Bejtullahu tha se aktiviteti i tij ishte i përqendruar vetëm në shpërndarjen e disa numrave të revistës “Çlirimi”, se këtë revistë nuk e ka lexuar me përjashtim të numrit të dytë të saj. Për organizatën Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës ai thekson se ka qenë anëtar i saj prej periudhës së viteve 1993-1995, dhe se që atëherë i ka braktisur radhët e saj.

I akuzuari Enver Dugolli nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet e trupit gjykues. Ndërkaq në fjalën e tij mbrojtëse ai theksoi se disa ditë rresht e torturuan në lokalet e sigurimit shtetëror vetëm e vetëm që t’i pranojë gjërat që me çdo kusht u duheshin skenaristëve. Ai përmendi se i qe ndaluar të komunikojë me avokatin përkitazi me veprën për të cilën ngarkohej dhe tha se roli i mbrojtësve në këtë proces sipas të gjitha gjasëve ishte vetëm një rol i pranisë formale të tyre. “Unë jam anëtar i Partisë Parlamentare dhe atë i Kryesisë së Degës në Gllogoc. Nuk kam qenë anëtar i LKÇK-ë. Unë vetëm ndava disa numra të revistës “Çlirimi”, dhe atë e bëra ngase e pashë se përmbajtja e saj nuk ishte aspak më e rrezikshme se përmbajtja e asaj që shkruanin gazetat e tjera.

Emin Sallahu theksoi se nuk dëshiron të paraqesë mbrojtjen për arsye se gjykata mori parasysh deklaratën e tij të dhënë para organeve të sigurimit shtetëror, dhe se deklaratat e dhëna para këtij organi dihet se ishin deklarata të dhunës, e cila ndaj tij është përdorur që nga momenti i parë i arrestimit. Ai përkujtoi se nga torturat pësoi dëmtime shëndetësore, se ndaj tij qe përdorur edhe shufra elektrike, dhe se përkundër kësaj, atij nuk i qe ofruar ndihma mjekësore.

Shukrie Rexha, ndërkaq, dha mbrojtjen dhe iu përgjigj pyetjeve të shumta. Ajo tha se ndaj saj u aplikua terror i paparë fizik e psikik, se edhe pas marrjes në pyetje tek gjyqtari hetues, ajo sërish u mor në pyetje nga punëtorët e sigurimit shtetëror, dhe atë tri herë rresht. Sa i përket aktakuzës, ajo përgënjeshtroi pjesët dërrmuese të saj. “Mohoj pjesën e cila thotë se jam anëtarësuar më 1994 dhe se jam anëtare e LKÇK-së. Unë isha vetëm bashkëpunëtore e redaksisë së “Çlirimit”, kurse bashkëpunimin me këtë revistë e fillova në mars të vitit 1996 e jo më 1993 si qëndron në aktakuzë. Nuk është e vërtetë se kam shkruar vazhdimisht dhe se kam marrë pjesë në përpunimin e konceptit të revistës. Unë kam shkruar gjithsej tre artikuj, prej të cilëve njëri mbante titullin “Të gjithë për liri”, tjetri “Ndërrim vitesh, vazhdimishtnë robëri”, ndërkaq titulli i të tretit nuk më kujtohet. Përndryshe jam anëtare e LDK-së, ku dy herë radhazi isha nënkryetare e Degës së parë në Prishtinë, kurse prej vitit 1994 jam edhe anëtare e këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, tha ajo. Në vazhdim Shukrie Rexha iu përgjigj pyetjeve të shumta provokative. Me një rast ajo luti prokurorin Jovica Jovanoviq që të jetë më korrekt në pyetje dhe njoftoi trupin gjykues se “prokurori ishte po kaq i papërgjegjshëm dhe jokorrekt edhe gjatë dhënies së deklaratës së saj para gjyqtarit hetues”.

– Mbetem pranë asaj që kam pohuar në hetuesi, këmbënguli i akuzuari Naser Tahiri, i cili para gjykatëses hetuese Danica Marinkoviq ka pohuar se nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e organizatës Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Dulah Sallahu mohoi pjesën e parë të aktakuzës, e cila, siç tha ai, ka të bëjë me të. Unë, tha ai, jam anëtar i LDK-së që prej themelimit të saj, ndërsa prej vitit 1993 kryetar i nëndegës së kësaj partie politike në fshatin Orlloviq.

Nuk kam pranuar, vazhdoi ai, të bëhem anëtar i LKÇK-së. Ai shpjegoi se gjatë marrjes në pyetje para gjykatëses Danica Marinkoviq ishte i dërmuar nga plagët në kokë dhe fytyrë, të cilat ia shkaktuan në hetuesi.

– Nuk bëra atë që më mvishet në aktakuzë. Jam i pafajshëm, tha Dulahu Kryetari i trupit gjykues këtij të akuzuari i tha se në fçarë afërsie të gjakut është me Emin Sallahun. Pasi u mor vesh se këta janë djem të axhallarëve, u shtrua edhe pyetja tjetër: “Ç’deklaroi në hetuesi Emini”. Duke e kuptuar këtë pyetje Dulahu menjëherë u përgjigj: “Eminin e kanë detyruar të trillojë. . . ”

Për shpërndarje të revistës “Çlirimi” akuzohet edhe Ragip Berisha. Ky pasi i njoftoi të pranishmit se është anëtar i LDK-së që nga viti 1995, tha se e ka shpërndarë revistën “Çlirimi”.

I pyetur për Avni Klinakun, Ragipi tha se e njeh por me të nuk ka biseduar asgjë për atë çfarë e ngarkon gjykata. Ai gjithashtu mohoi të ketë dhënë betimin sikundër e ngarkon aktakuza. I pyetur nga gjykatësi përse ka deklaruar ndryshe në hetuesi, ai tha: “Veprova kësisoj për shkak se më janë kërcënuar ata të sigurimit”.

Pas një “intermeco” të shkurtër gjykatësi prapë iu drejtua avokatit dr. Hysni Bytyçi me fjalët “pse po heshtni, nuk po u dëgjohet zëri”. Ky avokat me ironi ia ktheu: “Pikërisht tash po e lexoj revistën “Çlirimi”.

Unë e kam shpërndarë revistën, por nuk e dija se çfarë është ajo, tha i akuzuari Burhan Hasani. Në pyetjen se kush ia ka dhënë këtë revistë (“Çlirimi”) ky i akuzuar tha se atë ia ka dhënë Qemal Hasani dhe atë bashkë me Hajzerin e ka shpërndarë në fshatin Dobërllukë. Më vonë, tha ky i akuzuar, nuk kam dashur ta shpërndajë këtë revistë dhe për këtë e kam njoftuar Hajzerin (nuk u tha mbiemri i tij).

Në vazhdim u mor në pyetje Majlinda Sinani, absolvente e gjuhës dhe e letërsisë shqipe, e cila që në start të mbrojtjes së vet tha se nuk e ndien veten fajtore për veprën penale që i vehet në barrë. Në aktakuzë, për mua thuhet, vazhdoi ajo, se kam shpërndarë revistën “Çlirimi”. Këtë e kam thënë edhe para gjykatëses hetuese (Danica Marinkoviq) dhe nuk do ta shihja të udhës “as të shtoj diçka tjetër, e as të plotësoj atë çka kam pohuar më herët”. Por, nëse ju insistoni të “përsëris” deklaratën, atëherë këtë mund ta bëjë, tha Majlinda.

Në pyetjen e prokurorit se kush ia ka dhënë revistën “Çlirimi”, Majlinda tha se e njeh atë person. Dhe, duke u kthyer kah të akuzuarit, bëri me dorë kah i akuzuari Avni Klinaku. Majlinda e tha troç se nuk është anëtare e LKÇK. Majlinda theksoi edhe këtë hollësi: “Pas deklaratës para gjykatëses hetuese, inspektorët sërish më morën në pyetje 12 herë”.

Gjykatësi Dragolub Zdravkoviq tha se ky proces “ishte i shpejtuar”. Sot pas dy të akuzuarve të fundit që do të merren në pyetje, do të shqyrtohen provat, të prokurorit dhe ato të mbrojtësve, thuhet në njoftimin e gazetës “Bujku”.

 

 

22 maj 1997

Vazhdoi gjykimi kundër 20 shqiptarëve në gjyqin serb të qarkut në Prishtinë

Pas tri ditësh të gjykimit, dje në Prishtinë përfundoi marrja në pyetje e të gjithë të akuzuarve, pos dy vetave, të cilët “gjenden në arrati”. Edhe senaca e djeshme rrodhi sipas dinamikës së “shpejtuar”. Gjatë seancës së djeshme u morën në pyetje dy të akuzuarit e fundit, Arsim e Beton Retkoceri, që të dy njëzetetrevjeçar nga Prishtina, studentë të fakultetit ekonomik, të cilët i mbrojnë avokatët Aziz Rexha e mr. Hazër Susuri. Emrat e këtyre dy të akuzuarve figurojnë në një aktakuzë të veçantë, e cila është “shkrirë” në aktakuzën e “grupit” të parë të 18-ve.

Që në fillim të mbrojtjes së vet i akuzuari Arsim Retkoceri rrëfeu para trupit gjykues se ka shpërndarë revistën “Çlirimi” gjatë verës së vitit 1995 dhe gjatë vitit të kaluar. E, pastaj foli për “trajtmin” policor që i është bërë. “Më arrestuan në një minimarket, këtu në Prishtinë më 23 prill, rreth ors 8 e 30 minuta. Në stacionin policor menjëherë më rrahën me kërbaç, më qëlluan duarve, në kokë, më grushtuan dhe shqelmuan edhe në organet gjenitale. Kisha trauma të mëdha, 48 orë nuk ngrëna e nuk piva asgjë. Kisha shtrëngime të mëdha psikike. Nuk mund ta përshkruaj maltretimin që m’u bë”, tha Arsim Retkoceri.

Kryetari i trupit gjykues Dragolub Zdravkovqi të akuzuarit Arsim i shtroi një sërë pyetjesh. E pyeti se prej kujt i ka marrë revistat, ku i ka shpërndarë, me kë etj. Përgjigjja ishte: “Revista i mora nga Liburn Aliu (absolvent i arkitekturës). Liburnin, tha ai, e njoh më herët, ngase me të njihem nga shkolla e mesme. Po ashtu Arsimi tregoi se me Liburnin nuk kanë biseduar për kurrfarë organizate”.

– Unë pranova të shpërndaj revistën “Çlirimi”. Me Arsim Retkocerin shpërndave këtë revistë njëherë në lagjen Dardania të Prishtinës. Jam takuar edhe me Agim Kuletën dhe me të kemi biseduar për fizionominë dhe përmbajtjen e kësaj reviste. Për shpërndarjen e “Çlirimit” kam biseduar edhe me dy shokët e mi Bujar Gashin dhe Burim Prestreshin. Kështu pohoi i akuzuari Beton Retkoceri i cili Arsimin e ka djalë axhe.

Gjatë procedurs së provave gjykatësi Dragolub Zdravkovqi i lexoi një sërë vërejtjesh të lëshuara nga organet policore përkitazi me bastisjen e shtëpive të të akuzuarve. Nga tërë ajo që u dërgjua u konfiskua vetëm një mitraloz dhe një revole. Të pranishmit u bënë me dije se si janë marrë nga të akuzuarit shumë libra, dorëshkrime të ndryshme (poezi), videokaseta, indeksa e pasaporta, madje edhe të anëtarëve të familjeve të tyre, makina të shkrimit, albume fotografish, aparate fotografike etj. etj.

I akuzuari i parë përkitazi me këtë dje disa herë reagoi para këtij trupi gjykues, shprehu habinë e vet se si prokurori i konsideron gjërat e këtilla prova, “argumente” për të na ngarkuar edhe për veprën penale të “terrorizmit”. Kërkoi nga gjykatësi që kjo vërejtje e tij të hyjë në procesverbal të seancës kryesore. Mbrojtësit përgënjeshtruan tezën e prokurorit, thanë se dihet çka është provë në kuptimin juridik. “Provat” e prokurorit janë memece, ato nuk flasin asgjë, e aq më pak kur është fjala për akuzën e rëndë që u vishen klientëve të tyre, akuzën se qenkan marrë edhe me “terrorizëm”!

Një kapitull i posaçëm iu kushtua edhe leximit, siç tha gjykatësi, të Programit dhe Statutit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. “Programi” ishte i përkthyer në serbisht. Dhe, në çastin kur gjykatësi Dragolub Zdravkoviq lexoi ca fjali, kontekstin e fjalëve “shiptarski narod”, avokatët reaguan zëshëm; pyetën se kush është përkthyes, përse nuk thuhet “albanci” duke tërhequr vëmendjen se kemi të bëjmë me një zhargon të rrugës, zhargon të rrugaçëve etj. Shprehja “shiptar” nuk figuron as në kushtetutën më të re serbe. Pas një të ashtuquajture polemike, gjykatësi tha se kjo është “njësoj”, deshi të thoshte se është sinonim, të përdoret kjo apo ajo shprehje, e që nuk është kështu.

Avokatja Nekibe Kelmendi insistoi që të lexohet pikë për pikë njëri nga artikujt e klienntes së saj Shukrie Rexha, anëtare e KP të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Fjala është për artikullin “Të gjithë për liri” të botuar në njërin nga numrat e revistës “Çlirimi”. Autorja e këtij artikulli, siç u dëgjua, flet për gjendjen e rëndë në Kosovë, terrorin institucional seb mbi popullin shqiptar, traumat e të tjerëve që i përjetuan me rastin e vrasjeve, plagosjeve, burgosjeve të më të dashurve të tyre. Një po këtë artikull autorja Shukrie Rexha përmendi edhe vrasjen e arsimtarit prishtinas Feriz Blakçori, krim këtë, siç është kumtuar më herët, që e bëri policia serbe. Askund në artkullin e diskutueshëm nuk u dëgjua ndonjë fjalë, nxitje për ndonjë kryengritje të armatosur.

“Unë nuk e përkrahu terrorizmin”, tha Liburn Aliu, i cili bëri vërejtje se përse akuzohen ky dhe të tjerët për veprën penale të terrorizmit. Mbrojtësi i Luburnit, avokati Fazli Balaj tërhoqi vëmendjen se si në vërtetimin përkatës shkruan se klinetit të tij iu mor një makinë shkrimi, një negativ i filmit dhe ca fotografi për të cilat shpreh dyshimin. Më pastaj, ky mbrojtës shpjegoi se marrja e pasaprotave, fotografive etj. nuk është material deponues, e që kjo, tha ai, ka të bëjë edhe me marrjen e gjësendeve nga klienti tjetër i tij Dulah Sallah.

Avokati Destan Rukiqi (mbron Enver Dugollin dhe Emin Sallahun) pasi tregoi se gjësendet e përmendura nuk janë prova, kërkoi që ato t’u kthehen të akuzuarve.

“Përse këtu u lexua fotokopja e Programit të LKÇK. Unë nuk e pashë këtë dokument në origjinal”, tha avokati Hysni Bytyçi. Në vërejtjen e këtij mbrojtëis ndërhyri prokurori Jovica Jovanoviq duke thënë “Të gjihta materialet, pra edhe revista “Çlirimi” janë fotokopje”. Ndërkaq pas insistimit të këtij mbrojtësi ky konstatim i prokurorit hyri në procesverbal. Më tej, përkitazi me këtë avokati Mahmut Halimi vuri në pah se në këtë Program përshkruhet gjendja e përgjithshme në Kosovë.

Nekibe Kelmendi, e cila mbron Shukrie Rexhën, bëri vërejtjen se a janë shikuar videokasetat e diskutueshme, çfarë janë ato, a mos është fjala për ndonjë incizim gazmendi familjar etj. Avokati Xhafer Maliqi kërkoi që trupi gjykues të mos e mbështesë aktgjykimin e vet pikërisht në këto “prova” të prokurorit.

Së këtejmi u bë fjalë edhe për ca raprote mjekësore përkitazi me gjendjen shëndetësore të të akuzuarëve Gani Baliu, Enver Dugoli, Dulah Sallahu dhe të tjerëve. Vërtetimet përkatëse, madje edhe raport mjekësor i mjekut të burgut flet për torturën fizike që u bë mbi të akuzuarit, nxjerrjen me dhunë të deklaratave të tyre në fazën e hetuesisë.

Kryetari i trupit Gjykues në procesverbal konstatoi edhe parashtresat e avokatëve drejtuar kësaj gjykate dhe organeve të tjera, telegramet, në të cilat bëhet me dije që gjykatësja hetuese Danica Marinkoviq të urdhërojë që të ndërpriten torturat fizike mbi të pandehurit. Këto janë dëshmi, thanë avokatët për përdorimin e dhuëns mbi klientët e tyre.

Prokurori Jovica Jovanoviq tha se është i gatshëm ta paraqesë fjalën e vet menjëherë nesër (22 maj), por dha një arsyetim se ditën e premte është i zënë me ca “punë familjare”!

Gjykatësi kumtoi se faza e procedurës do të shtyhet për ca ditë, me qëllim, siç tha ai, që të përgatiten prokurori dhe të tjerët. Pra, fjala përfundimtare do të jepet të hënën, më 26 maj, shkruan “Bujku”.

 

 

22 maj 1998

Një i vdekur në rrugë në afërsi të Duhlës

Qytetarët që kanë udhëtuar sot në mëngjes në rrugën Prizren-Prishtinë kanë parë në afërsi të fshatit Duhël trupin e pajetë të një personi.

KI i Degës së LDK-së në Suharekë njofton se i vdekuri ndodhet në anën e majtë të rrugës, ka të veshura pantollona xhins.

Identiteti dhe rrethanat e vdekjes së tij nuk dihen.

 

 

Në Grabanicë të Klinës serbët vendës po djegin shtëpitë e shqiptarëve

Sipas një burimi të FR të LDK-së në Klinë, që u paraqit nga afërsia e fshatit Grabanicë serbët lokalë po i djegin shtëpitë e shqiptarëve që janë larguar nga shtëpitë e veta. Deri tash flaka dhe tymi po duken në shtatë shtëpi.

Gjendja në komunën e Klinës po bëhet më dramatike. Qe disa ditë forcat serbe kanë sulmuar fshatrat Grabanicë, Çeskovë, Këpuz, Dellovë e Volljakë.

Gjatë një sulmi që u bë parmbrëmë në Grabanicë, një shqiptar u vra kurse katër u plagosën.

Një sulm i ri filloi dje rreth orës 18:30. Sulmi ka vazhduar deri kah mesnata. Këto fshatra po mbahen edhe nën bllokadë të plotë nga forcat e shumta ushtarako-policore serbe.

KI i Degës së LDK-së në Klinë njofton se forca të mëdha serbe janë stacionuar në afërsi të fshatit Grabanicë, buzë magjistrales Prishtinë-Pejë.

Për shkak të gjendjes së rëndë në këtë komunë, KKA i Klinës mori vendim që në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme mësimi të ndërpritet përkohësisht, derisa të krijohen kushtet për vazhdimin e mësimit.

 

 

 

Forcat serbe vranë dje Arben Halilajn nga Jashanica e Epërme e Klinës

 Arben Aziz Halilaj (22) nga Jashanica e Epërme e Klinës u vra dje gjatë sulmit serb kundër fshatrave të Klinës.

KI i Degës së LDK-së në Klinë njofton se Arbeni u vra në mes fshatrave Budisalc e Krushevë e Madhe.

Varrimi i tij do të bëhet sot.

 

 

Forca serbe po vazhdojnë të shtijnë me armë drejt shtëpive të Llaushës

Sot rreth orës 11. 30 forcat serbe kanë filluar një sulm kundër fshatit Llaushë në Skënderaj.

Forcat serbe po qëllojnë pandërprerë në drejtim të shtëpive të lagjes Gecaj. Është qëlluar disa herë e Halil Gecit, anëtar i KP të LDK-së. I vëllai i tij, Fadil Geci, kryetar i Nëndegës së LDK-së në LLaushë tha në orën 15:00 se sulmi i forcave serbe po vazhdonte ende.

Llausha mbahet e rrethuar nga forca të mëdha serbe që nga 5 marsi. Që nga kjo kohë, në Llaushë janë vrarë gjashtë veta, disa banorë të moshuar kanë vdekur për mungesë ilaçesh e ushqimesh. Nga sulmet e parreshtura janë dëmtuar shumë shtëpi.

 

Forcat serbe po djegin shtëpitë e shqiptarëve në Zajm të Klinës

Pas orës 15 forcat serbe filluan sulmin mbi fshatin Zajm të Klinës.

KI i Degës së LDK-së në Klinë njofton se forcat serbe kanë hyrë në fshat dhe po i djegin shtëpitë nga të cilat po del tym e flakë.

Banorët e fshatit, kryesisht gra, fëmijë dhe pleq kanë ikur nga fshati dhe nëpër shi e kohë të keqe kanë arritur në Klinë.

Njëkohësisht rreth fshatit Zajm janë vendosur snajperë të shumtë serbë.

Është e pamundur të mësohet për pasojat e sulmit, pasi Zajmi dhe fshatrat tjera vazhdojnë të mbahen në rrethim të plotë nga forcat ushtarako-policore serbe.

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Çitaku prezanton draftin e ri për Specialen, synon miratimin në Kuvend gjatë dhjetorit

Published

on

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se ka pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilin ua ka prezantuar edhe anëtarëve të Grupit Strategjik për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

Në një konferencë për media, Çitaku tha se drafti është hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë, ndërsa theksoi se synimi i iniciativës është garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor, respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe krijimi i mekanizmave të mbikëqyrjes institucionale, duke ruajtur pavarësinë e gjyqësorit.

Ajo bëri të ditur se iniciativa do të procedohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës, me synimin që të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor.

Para se drafti të dërgohet në Kuvend, Çitaku paralajmëroi takime me drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, organizatat e dala nga lufta, përfaqësues të OVL-UÇK-së, shoqërinë civile, ekspertë juridikë, akademikë, diplomatë dhe përfaqësues të vendeve partnere perëndimore.

Çitaku njoftoi gjithashtu se në mbledhjen e Grupit Strategjik është miratuar strategjia për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në instancën e Apelit. Sipas saj, dokumenti është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të partive parlamentare shqiptare.

Ajo bëri të ditur se për draftin e ri ka njoftuar edhe shefin e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë për të nisur konsultimet me BE-në lidhur me ndryshimet e propozuara ligjore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Fondacioni “Shqipe Luzha Heroi” dhe UBT shpallin konkurs për tre bursa Bachelor në Inxhinieri

Published

on

By

Fondacioni Shqipe Luzha Heroi, në bashkëpunim me Kolegjin UBT, në vazhdën e bashkëpunimit të suksesshëm të vitit të kaluar, shpall konkursin për ndarjen e tri  bursave për studente të nivelit Bachelor në programet e Inxhinierisë në UBT, për vitin akademik 2026/2027.

Pas ndarjes së dy bursave gjatë vitit të kaluar, Fondacioni Shqipe Luzha Heroi ka vendosur të vazhdojë mbështetjen për studentet e UBT-së, duke rritur numrin e bursave në tri . Ky bashkëpunim pasqyron përkushtimin e Fondacionit për mbështetjen dhe fuqizimin e vajzave dhe grave të reja në fushat inxhinierike, si dhe angazhimin e UBT-së për ofrimin e arsimit cilësor dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e tyre akademik e profesional.

Qëllimi i këtij konkursi është mbështetja e studenteve me rezultate të larta akademike dhe potencial për zhvillim profesional, si dhe nxitja e pjesëmarrjes dhe kontributit të tyre në zhvillimin shkencor, kërkimor dhe teknologjik.

Të drejtën e aplikimit e kanë studentet që kanë të regjistruar vitin e dytë ose të tretë të studimeve në vitin akademik 2026/2027, në programet e Inxhinierisë në UBT.

Kandidatet duhet të plotësojnë këto kritere:

  • Të kenë notë mesatare mbi 7.5, të dëshmuar përmes pasqyrës së notave;
  • Të mos jenë përfituese të ndonjë burse tjetër;
  • Të jenë studente të rregullta;
  • Të jenë shtetase të Republikës së Kosovës.

Konkursi do të jetë i hapur nga data 25 nëntor 2026 deri më 15 dhjetor 2026. 

Studentet që plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të aplikojnë përmes linkut të mëposhtëm:

Linku për aplikim: www.shqipeluzhaheroi.com

Dokumentacioni i pakompletuar, i pasaktë ose i dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar nuk do të merret në shqyrtim nga komisioni vlerësues.

Lista e studenteve përfituese do të shpallet në ambientet e UBT-së, në Kampusin Inovativ.

Kandidatet që kanë aplikuar kanë të drejtë ankese brenda shtatë (7) ditësh nga data e publikimit të rezultateve. Ankesat dorëzohen në arkivin e Fondacionit dhe shqyrtohen nga komisioni për ankesa.

Përmes vazhdimit të këtij bashkëpunimi, Fondacioni Shqipe Luzha Heroi dhe Kolegji UBT dëshmojnë përkushtimin e përbashkët për mbështetjen e studenteve të dalluara dhe fuqizimin e rolit të grave në fushat e inxhinierisë. Rritja e numrit të bursave përbën një hap të rëndësishëm në këtë partneritet, duke krijuar më shumë mundësi për arsimim, zhvillim profesional dhe avancimin e vajzave të reja në shkencë dhe teknologji.

Continue Reading

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 26 nëntor 1992-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1992-1998.

26 nëntor 1992

“Newsweek”: Mundësia e krijimit të zonës mbrojtëse në Kosovë

Magazini politik amerikan “Newsweek”, në numrin më të ri, paraqet planin për Ballkanin në pika të përgjithshme. Në këtë plan një vëmendje e veçantë i kushtohet Kosovës dhe rrezikut të përhapjes së konfliktit apo, siç thotë gazeta, të një kaosi të ri në Kosovë, që do të kishte pasoja për tërë rajonin.

Plani amerikan, siç vë re magazini amerikan, nuk parasheh “masa tepër të ashpra”, mirëpo ato duhet të përcillen me kërcënim me përdorimin e forcës, duke përfëshirë këtu edhe mbrojtjen e Kosovës. Më tej, “Newsweek” thekson se Shtëpia e Bardhë para dy javësh ka vendosur të vëzhgojë nga afër çdo veprim serb ndaj Kosovës, e cila shenjohet si vend i ri potencial i një lufte të re në Ballkan.

Si edhe gazeta amerikane “Nju Jork Tajms”, e cila këto ditë flet për verzionet e mundshme të veprimave amerikane në hapësirën e ishJugosllavisë, ashtu edhe “Newsweek” përmend tri opsone të pranisë amerikane. I fundit prej tyre, parasheh prani ushtarake dhe përfshin heqjen e embargos në furnizimet me armë të Kroacisë dhe Bosnjës, dhënien e armëve Shqipërisë, dhe, si masë e fundit, krijimin e “zonës mbrojtëse në Kosovë”.

 

 

26 nëntor 1993

Po varrosen kufomat e fatkeqësisë ajrore të Ohrit

Varrimi i viktimave të fatkeqësisë ajrore në afërsi të Ohrit, filloi pardje, ndërsa vazhdoi dje dhe sot.

Nga Ohri, dje bëhej me dije se pas fatkeqësisë ajrore në Ohër, nga gjithsejt 115 viktima, ishin gjetur 109 kufoma, pra 6 kufoma mungonin.

Deri dje ishin identifikuar 93 kufoma, ndërsa të paidentifikuara kishin mbetur 16 kufoma.

Bashkjëpunëtori i Qendrës sonë na njoftoi se Gjyqi i Ohrit vendosi që këto kufoma të dërgoheshin në Shkup, me propozim që ato të varroseshin në një varrezë kolektive, pasi, identifikimi i kufomave mund të zgjasë deri në janar të vitit 1994 nga Instituti i Gjyqësisë në Shkup.

Pas këtij vendimi, një pjesë e të afërmëve të disa viktimave u nis për në Kosovë, por një pjesë tjetër e kaloi edhe natën e mbrëmshme në Strugë e në Ohër.

Në një korrespondencë që u transmetua mbrëmë në Radio Tiranë, thuhej se nga Kosova ka të interesuar edhe për 9 kufoma të paidentifikuara.

Gjatë ditës së djeshme në shumë vende të Kosovës pati varrime. Kështu në fshatin Tankosiq të Ferizajit u varros çifti i posamartuar Selim Kamberi dhe Lule Gashi-Kamberi, ndërsa në Derizaj u varros Xhemajl Uka, në fshatin Rakaj u varros Hajredin Haziri, në Viti Naser Bajrami e Ragip Shaqiri, në Okllap të Lipjanit u varros Milazim Sinani, në Gllogovc Naser Mehmeti, në Llashticë të Gjilanit u varrosën Ilaz e Hanumshahe Fazliu.

Ndërsa në fshatin Ramjan të Vitisë, dje u varrosën Izedin (1964), Havushe (1968), Marigonë (1992) dhe Besianë (1993) Hyseni.

Në këtë dhembje e pikëllim të thellë, familjes Hyseni i shprehën ngushllime mijëra vetë. Në varrim morën pjesë edhe dr. Ali Aliu e Skënder Blakaj, anëtarë të Kryesisë së LDK-së, dr. Zekeria Cana, veprimtar për të drejtat e njeriut, e të tjerë.

 

 

26 nëntor 1994

Në Prishtinë u promovua botim shqip i Biblës

Në Kishën Katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, sot u bë promovimi i botimit integral të Biblës, në përkthim të dom Simon Filipajt.

Pas meshës që mbajti imzot Nikë Prela, punonjës shkencorë e studiues folën për rëndësinë e botimit shqip të Librit të Shenjtë.

Prof.Anton Çetta e prof.Gani Luboteni theksuan se teksti shqip në përkthimin e Biblës është është i një niveli të lartë gjuhësor, kurse dr.dom Shan Zefi dha një historik të shkurtër të të gjitha librave që përbëjnë Biblën, përkthimet e deritashme në gjuhë të ndryshme, si dhe sqarime për disa nga nocionet themelore të Biblës.

Dom Lush Gjergji tha se botimi i parë komplet i Biblës në gjuhën shqipe është një ngjarje e dorës së parë në kuptimin fetar e kulturor, ndërsa për shqiptarët edhe ngjarje historike, sepse dy përkthimet e mëparshme nga Gregori i Durrësit dhe më vonë nga Theodor Haxhifilipi, duke përjetuar fatin historik të kombit, nuk e panë asnjëherë dritën e botimit. Ai theksoi se Simon Filipaj ka punuar pesëdhjetë vjet për këtë botim dhe falënderoi të gjithë ata që kontrbuan për botimin e Biblës, veçmas ndihmesën e madhe të imzot Nikë Prelës.

Dom Lush Gjergji i njoftoi të pranishmit se ky botim i Biblësu botua në 35 mijë kopje dhe se vetëm gjatë këtyre dy muajve u shpërnda pothuajse në tërësi.

Në këtë manifestim u bë edhe promovimi i Fjalorit biblik, hartuar nga imzot Nikë Prela, që u cilësua ndihmesë e pazëvendësueshme për leximin dhe kuptimin e Biblës.

Personaliteteve të rëndësishme nga skena poltike e shkencore të Kosovës, disa institucioneve dhe individëve që në mënyra të ndryshme morën pjesë për të ndihmuar botimin, iu dhurua nga një kopje e Biblës.

Manifestimi i promovimit të Biblës shqip u mbyll me deklamimin e një fragmenti të Biblës nga aktori Dibran Tahiri dhe një pike muzikore që e ekzekutoi Kori i Kishës Katolike në Prishtinë.

 

26 nëntor 1995

Ndërhyrje e policisë në Skënderaj dhe në Mitrovicë në manfestimet për 28 Nëntorin

Policia serbe ndërhzri dje kundër pjesëmarrësve të manifestimit për nder të 28 Nëntorit, që u mbajt në Klinë të Epërme, u mor në polici Ragip Imeri, pedagog në shkollën fillore “Petro Marko”.

Janë maltretuar fizikisht edhe Sabit Istogu, gazetar, Ahmet Tahiri, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK në Skënderaj; Zojnije Rreci, profesore e Bali Behrami, punëtor në Shtëpinë e kulturës në Skënderaj. Ata janë mbajtur në polici deri në orën 15:00 dhe janë ofenduar.

Para se të lirohen, janë urdhëruar të paraqiten në polici të hënën Xhafer Murtezaj, Zojnije Rrecaj dhe Ahmet Tahiri, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Skënderaj.

Policia ka ndërhyrë sot edhe në shumë shkolla te Mitrovicës ku po mbaheshin manifestime për nder të 28 Nëntorit.

Njoftohet se policia ndërpreu manifestimin në lagjen Tavniku dhe në prani të nxënësve e arsimtarëve rrahu drejtorin e shkollës Bedri Rushitin (50), të cilin më vonë e arrestuan. Policia ndërpreu programin edhe në shkollën e Kqiqit të Madh dhe arrestoi drejtorin e shkollës fillore “Hivzi Sylejmani” Januz Fejzën (56). Ky drejtor është dërguar në gjyqin serb dhe është dënuar me procedurë të shpejtë me 30 ditë burg. Z. Fejza është dërguar në vuajtje të dënimit, kështu që festën do ta kalojë në burg.

 

26 nëntor 1996

Sërish u plaçkitën lokalet e shkollës së vetme shqipe në komunën e Rozhajës

Këto ditë, për herë të pestë nga persona të paidentifikuar u thyen lokalet e shkollës fillore në Dacaj të Rozhajës, njofton Shërbimi për Informim i LD në Mal të Zi.

Vandalistët kanë thyer dyert e dritaret e kësaj shkolle fillore të vetme shqipe në komunën e Rozhajës, kanë plaçkitur inventarin dhe gjëra të tjera.

Organet kompetente të kësaj shkolle i kanë paraqitur të gjitha rastet në organet e sigurimit shtetëror me kërkesën që të ndërmirren masat e duhura, mirëpo deri tash asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.

Shpresojmë se organet e rendit do t’i ndërmarrin të gjitha masat për ndriçimin e këtij akti vandal, thuhet në komunikatën e Degës së LD të Rozhajën të nëshkruar nga kryetari Ali Daci, ndërsa Lidhja Demokratike në Mal të Zi, si forcë kryesore politike shqiptare, e dënon ashpër këtë akt vandal dhe kërkon që ekzekutuesit të arrestohen dhe të dalin para organeve të drejtësisë, në mënyrë që nxënësit shqiptarë në këto hapësira të jenë të lirë dhe të mësojnë në gjuhën amtare.

 

26 nëntor 1997

Së paku tre shqiptarë të plagosur nga ndërhyrja e forcave serbe në tri fshatra të Skenderaj

Një ekspeditë e madhe e forcave serbe rrethoi mbrëmë e sot fshatrat Llaushë, Turiçec e Vojnikë të Skenderajt, duke plagosur së paku tre veta. Janë plagosur arsimtarët Halit Geci e Shaban Rreci nga Llausha dhe fëmija 11-vjeçar Bahri Krasniqi nga Vojniku.

Policia me dy autoblinda dhe një automjet të tipit “niva” kishte hyrë në fshatin Vojnikë duke shtënë me armë mbi një orë e gjysmë. Nga të shtënat është plagosur fëmija 11-vjeçar Bahri Q. Krasniqi. Ai u qëllua në këmbë derisa po luante në oborrin e shtëpisë së tij. Bahriu është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin e Mitrovicës.

Dëshmitarët thanë se policia ishte tërhequr nga fshati rreth orës 18.

Thuhet se gjatë ndërhyrjes së policisë e të shtënave me armë janë bërë dëmtime të shumta.

Ndërsa sot rreth orës 9,30 forca të mëdha të policisë serbe, të shoqëruara nga 6 tanke, disa picguaerë e 2 helikopterë, ndërhynë në fshatrat Llaushë, Turiçec e Vojnikë. Gjatë ndërhyrjes ka pasur të shtëna të pandërprera. Fshatrat ishin të bllokuara. Thuhet se në rrethim kanë marrë pjesë edhe forca ushtarake, që kanë hyrë në rajon kah ana e Klinës.

Në mesditë gjendja ishte shumë e rëndë në fshatin Llaushë. Forca të mëdha të policisë e të ushtrisë e mbanin të bllokuar fshatin. Nga një autobilindë është gjuajtur në shkollën e fshatit dhe me këtë rast në orë të mësimit është plagosur rëndë arsimtari Halit Geci, ndërsa më lehtë është plagosur arsimtari Shaban Rreci.

Burimet e LDK-së nga Skenderaj njoftuan në orën 13, forcat serbe po tërhiqeshin nga Llausha. Mirëpo helikopterët vazhdonin edhe më tej fluturimin dhe nuk kishte njoftime nëse forcat policore po tërhiqeshin edhe nga fshatrat tjera. Në orën 15,00 një dëshmitar nga Skënderaj tha se mbi fshatra më nuk kishte fluturime të helikopterëve. Ai tha se gjatë tërheqjes nga fshati Llaushë, policia kishte shkrehurbershëri armësh drejt shtëpive të fshatit.

Po ky dëshmitar tha se qarkullojnë fjalë se gjatë aksionit janë lënduar dy policë serbë.

Nga Mitrovica njoftohet se forcat serbe po e mbajnë të rrethuar spitalin e qytetit.

 

26 nëntor 1998

Kushte më të mira për gazetarë

Enver Maloku, shef i QIK-ut i dha një intervistë emisionit shqip të “Zërit të Amerikës” lidhur me hapjen e Press Qendrës. Ai theksoi se Press Qendra u hap me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për gazetarët dhe të krijimit të një mundësie të re për politikanë dhe ekspertët e fushave të ndryshme të jetës për t’i shfaqur pikëpamjet e tyre para gazetarëve të vendit dhe gazetarëve të huaj. Kemi qenë dëshmitarë të skenave që krijuan përshtypje të keqe të organizimit tonë në Kosovë, pasi që gazetarët e huaj, duke përfshirë ata më të njohurit në botë, janë detyruar dhe detyrohen ende të presin shpesh para dyerve të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës me orë të tëra në borë e në shi ose verës në vapë, për të marrë një deklaratë të zyrtarëve tanë apo për të marrë pjesë në konferencat e tyre për gazetarë. Me një fjalë qëllimi ynë, ose një prej qëllimeve kryesore, ka qenë që të krijojmë kushte normale që gazetarët ta kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe ta kenë thjesht një tretman njerëzor.

Me krijimin e Pres Qendrës, në restorantin më të njohur “Dora”, për gazetarët do të ketë kushte më të mira edhe për të pritur edhe për transmetimin e lajmeve e dërgimin e tyre, qoftë në radiostacione, në gazeta e tjerë, tha z. Maloku.

Ai tha se parashihet që në konferencat e rregullta për gazetarë të cilat do të organizohen të mërkurave, të ketë politikanë dhe zyrtarë, për të cilët opinioni dhe gazetarët kanë një kurreshtje të posaqme. Mirëpo, do të përpiqemi që para gazetarëve dhe para opinionit tonë e të huaj të sjellim edhe figura të reja politike dhe eksepertë nga fusha të ndryshme të jetës.

  1. Maloku tha se fitohet përshtypja që një numër i vogël i figuareve politike ose parapolitike të Kosovës e kanë vendosur praktikisht një monopol në skenën publike të Kosovës qe disa vite. Unë besoj bashkë me të tjerët se kjo është një skenë politike dhe publike mjaft e varfër. Duke sjellë figura të reja besojmë se do ta pasurojmë këtë skenë dhe do të përpiqemi të luajmë rolin tonë primar që opinionit t’i krijojmë mundësi që të njoftohet me qëndrime zyrtare por edhe me qëndrime të ekseprtëve të ndryshëm për probleme aktuale.

Duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me vështirësitë financiare të, z. Maloku, pasi përkujtoi problemet e shumta financiare të viteve të fundit, tha se edhe këtë vit QIK-un e kanë përcjellë probleme të shumta. Mjafton të them se edhe pse kemi punuar në një gjendje lufte, edhe pse kemi punuar praktikisht ditë e natë, gjatë gjithë këtij viti nuk është bërë asnjë financim në Qendrën për Informim të Kosovës. Me sa di unë nuk është bërë asnjë financim, as për informimin në Kosovë edhe pse të gjithë e dimë se ka qenë gjendje lufte dhe çfarë nevoje ka pasur opinioni jonë dhe i huaj për informacione nga Kosova.

  1. Maloku nuk shfaqi shpresa se do të ketë ndihmë financiare nga institucionet e Kosovës. Ai shpjegoi se edhe promovimi i i Press Qendrës nuk është bërë me ndihmën financiare të institucioneve tona, por me ndihmën e atyre që kanë dashur ta ndihmojnë këtë projekt. Ai shfaqi kënaqësinë me pjesëmarrjen e gazetarëve edhe të redaktorëve, të udhëheqësve të disa mediumeve informative në Kosovë, pastaj me pjesëmarrjen e diplomatëve amerikanë dhe britanikë si dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të disa shoqatave dhe organizatave humanitare që veprojnë që një kohë të gjatë në Kosovë.

 

Foto: Enver Maloku

Continue Reading

Lajmet

De Sousa: BE e gatshme ta rrisë mbështetjen pas 8.4 miliardë eurove investime në Shqipëri

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka ofruar mbi 880 milionë euro mbështetje direkte për sektorin publik në Shqipëri dhe ka mobilizuar 8.4 miliardë euro investime, bëri të ditur sot ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofie Moreira de Sousa, gjatë ditës së dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor.

Duke e cilësuar Ballkanin Perëndimor si pjesë thelbësore të së ardhmes evropiane, de Sousa theksoi se zgjerimi dhe konkurrueshmëria janë dy procese që ecin paralelisht dhe se blloku evropian është i gatshëm ta rrisë edhe më tej mbështetjen për rajonin.

“BE ka dhënë më shumë se 880 milionë euro në mbështetje të sektorit publik në Shqipëri dhe ka mobilizuar 8.4 miliardë euro në investime. Transformimi ekonomik është më shumë se një përgjegjësi që ndahet me të gjithë, është një mundësi që ndahet me të gjithë, për ta sjellë rajonin më afër, për të forcuar ekonomitë e tyre dhe që të ndërtojmë të ardhmen tonë së bashku. BE-ja është e gatshme që ta shtojë mbështetjen”, deklaroi ambasadorja.

Sipas saj, afërsia gjeografike, potenciali sipërmarrës, aftësitë industriale dhe talenti njerëzor i Ballkanit Perëndimor përbëjnë avantazhe strategjike për forcimin e ekonomisë evropiane, diversifikimin e kanaleve të furnizimit dhe sigurimin e energjisë së pastër. Ajo vuri në dukje se tregtia në mallra me rajonin tejkaloi shifrën e 88 milionë eurove në vitin 2025 — më shumë se dyfishi krahasuar me një dekadë më parë.

Duke iu referuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, de Sousa nënvizoi se integrimi gradual në tregun e vetëm evropian duhet të përshpejtohet, në mënyrë që bizneset dhe qytetarët t’i ndiejnë përfitimet ekonomike përpara anëtarësimit zyrtar. Ajo shtoi se BE-ja po mbështet projekte konkrete në infrastrukturë, konektivitet, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, përfshirë dekarbonizimin e industrisë së çimentos.

Megjithatë, ambasadorja e BE-së paralajmëroi se vetëm fondet publike nuk mjaftojnë për transformimin ekonomik, duke kërkuar reforma të qëndrueshme, forcim të shtetit të së drejtës, përmirësim të klimës së investimeve dhe angazhim më të madh të sektorit privat.

“Koha për të vepruar është tani, me qëllim që të integrohemi gradualisht me tregun e brendshëm evropian dhe të jemi të përgatitur për anëtarësimin. Ne kemi nevojë për energjinë, ambicien dhe besimin e investitorëve e bizneseve, por edhe për gatishmërinë e udhëheqësve politikë për t’i vënë gjërat në zbatim”, përfundoi de Sousa. /ATSH/

 

Continue Reading

Të kërkuara