Aktualitet

Profesionalisht dhe pa emocione të mëdha: Deklarata e fundit qeveritare e Merkelit

Në pamjen e jashtme zonjës, që del në pultin e referuesit, nuk i dallohet asgjë, që ky fjalim do të jetë ndryshe, një fjalim krejt i veçantë.

Published

on

Për rreth katër herë në vit jep deklaratën qeveritare përpara Bundestagut, gjithsej ajo ka mbajtur 64 fjalime të tilla. Por ky është i fundit, Merkel nuk rikandidon në shtator dhe as nuk do të jetë më pjesë e parlamentit të ri.

Këtë të premte nis sezoni i pushimeve të verës, ndoshta Merkel pas zgjedhjeve do të vazhdojë të ushtrojë funksionet në formë komisare në kancelari, por në rrethana të tilla deklaratat qeveritare  janë të pazakonta. Merkel gjatë gjizhë këtyre viteve ka dhënë deklarata për financat, politikën e Euros, mbrojtjen e klimës, shkëputjen nga energjia bërthamore, për Brexit-in, politikën ndaj refugjatëve. Gjithmonë në të njëjtin stil. Qartë, profesionalisht dhe me fakte.

“Pandemia ende nuk ka marrë fund”

E pra kështu është, kjo do të jetë sivjet edhe tema e samitit të BE-së në Bruksel brenda së njëjtës ditë. Merkel vlerëson përparimin me vaksinimet dhe situatën aktuale me numrin e ulët të infeksioneve, por: “pandemia ende nuk ka marrë fund e aq më keq në vendet më të varfëra të botës. Por edhe ne në Gjermani e në Europë vazhdojmë të lëvizim në një terren të brishtë. Ne duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm. Veçanërisht variantet e reja që po shfaqen të virusit si ai Delta na paralajëmrojmë të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm.”

Një refuzim të prerë jep Merkel lidhur me diskutimet, kryesisht në SHBA, për zbutjen pjesërisht të mbrojtjes së patentimit për vaksinat. Zhvillimi i mëtejshëm i vaksinave do të arrihet, vetëm nëse ruhet e drejta për mbrojtjen e pasurisë intelektuale.

Përballje kërcënimeve hibride

Edhe arenat ndërkombëtare të luftës do të jenë temë në Bruksel, e për këtë arsye fjalimi i Merkelit merr një notë si një amanet i saj. BE-ja duhet më në të fund të japë një përgjigje të përbashkët ndaj “kërcënimeve hibride” nga Rusia, Kina dhe Turqia. E njëkohësisht duhet të vazhdojë të bashkëpunojë në mënyrë pragmatike me këto vende. Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe demokracisë nuk duhet të jetë vetëm detyrë e SHBA-së. Paaftësia për veprim e Europës që vërehet në shumë çështje e preokupon Merkelin, kjo ndihet në fjalimin e saj. Përndjekja e opozitarëve në Rusi, politika e disinformimit në të gjithë botën: Ndaj këtyre duhet një përgjigje e qartë, sipas Merkelit, sepse “ngjarjet e muajve të fundit, e jo vetëm në Gjermani, kanë treguar qartë, që nuk mjafton kur ne reagojmë të pakoordinuar ndaj provokimeve ruse. Vetëm kështu ne do të mësojmë t’i kundërpërgjigjemi sulmeve hibride nga Rusia.” Më e përqendruar se herë të tjera duket Merkel, fjalimi i saj është dukshëm më i shkurtër dhe më konçiz se zakonisht.

Kandidatët për kancelar Annalena Baerbock e ekologjistëve dhe Armin Laschet i kristiandemokratëve me kancelaren Angela Merkel në Bundestag

Scholz falenderon personalisht Merkelin

Meqënëse deklarata e fundit qeveritare e gruas, që ka drejtuar fatet e Gjermanisë për një kohë që duket si e pafund, tërheq kaq shumë vëmendje, pas fjalës së saj nxitojnë në pultin e referuesit pasueset e pasuesit e mundshëm të saj. Kandidati kristiandemokrat për kancelar Armin Laschet e merr fjalën, po ashtu edhe kandidatja për kancelare e ekologjistëve, Annalena Baerbock. Ndërkohë që socialdemokratët përmes një truku ia kanë dalë që edhe kandidati i tyre për kancelar Olaf Scholz, i cili nuk është pjesë e parlamentit, ta marrë fjalën. Grupi parlamentar i socialdemokratëve ia ka kaluar atij të drejtën e fjalës, sepse Scholz është ministër i Financave, e formalisht është e pazakontë që ai të mbajë fjalim.

Zëvendëskancelari dhe ministri i Financave, socialdmeokrati Olaf Scholz, i cili kandidon për kancelar

Kjo tregon, se të gjithë duan të dalin në fokus për t’u shkëputur nga hija e Merkelit. Scholz është i pari, që përmend, se me shumë gjasë kjo është deklarata e fundit qeveritare e Merkelit: “Eshtë për mua një rast i veçantë për të dhënë një mesazh: Dua të falenderoj kancelaren për bashkëpunimin në politikën për Europën gjatë këtyre viteve. Ne kemi arritur shumë përparime për Europën. Kjo nuk ka qenë e vetëkuptueshme. Unë besoj, që kjo është mirë për Gjermaninë dhe për Europën.”

E qetë gjatë pyetjeve kritike në adresë të qeverisë

Edhe të enjten (24.06) kishte mjaft për t’u miratuar në parlament. Për herë të fundit Merkel u pozicionua në Bundestag lidhur me pyetjet në adresë të qeverisë. Këtë ritual parlamentar në fakt Merkel nuk e ka pasur asnjëherë për zemër, por ky rregull është ruajtur në marrëveshjen e koalicionit me insistimin e socialdemokratëve kur u krijua qeveria më 2018.

“Kur kam kaq shumë mendime në kokë, më duhet të jem e përqendruar, që të mos ngatërrohem.”

Me argumenta bindëse Merkel u përgjigjet pyetjeve lidhur me përparimin në procesin e vaksinimit, mbi gjendjen e buxhetit, të ardhmen e pensioneve, si dhe mbi pajisjen e mjerueshme të Bundesweher-it. Për secilën pyetje ajo ka një minutë kohë të japë përgjigje, por ajo e vë në pah që e ka të vështirë të shohë orën: “Kur kam shumë mendime në kokë më duhet të jem e përqendruar, që të mos ngatërrohem.” Disa deputetë e fotografuan kancelaren nga celulari, sikur të ishin turistë. Por edhe kësaj here Merkel ishte ajo që ka qenë gjithmonë. Asnjë fjalë personale nuk konsumoi ajo lidhur me paraqitjet e saj të fundit. Një gjë e tillë nuk është pjesë e stilit të saj, as pas 16 vjetësh.

Continue Reading

Lajmet

Sekuestrohet arsenal armësh në një shtëpi të braktisur në Leposaviq

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar një aksion në veri të vendit, ku ka arritur të gjejë dhe të konfiskojë një sasi armatimi dhe municioni në komunën e Leposaviqit.

Gjatë angazhimeve në terren këtë të enjte, autoritetet policore në rajonin e veriut kanë siguruar informacione operative se në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jashanicë mund të kishte mjete të rrezikshme.

Me të pranuar informatën, njësitë relevante kanë ndërhyrë në lokacionin e specifikuar, ku pas një kontrolli të hollësishëm kanë rënë në gjurmë të një arsenali armësh.

Gjatë këtij operacioni, policia ka sekuestruar një armë automatike AK-47, një pistoletë të tipit CZ bashkë me dy karikatorë, një pushkë karabinë M48, si dhe një pushkë gjuetie. Përveç armëve, në këtë shtëpi janë gjetur edhe 128 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Për gjetjet në terren është njoftuar menjëherë Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të trajtohet si mbajtje dhe posedim i paautorizuar i armëve.

Megjithëse armatimi u gjet në një ambient të braktisur dhe deri më tani nuk ka të arrestuar, organet e rendit kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar personat që mund të kenë lidhje me këtë rast.

Continue Reading

Aktualitet

Haxhiu konfirmon pranimin e amendamenteve: Eliminohen ngërçet institucionale

Published

on

By

Lajm në zhvillim:

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar pranimin e amendamenteve kushtetuese të dërguara nga Presidentja Vjosa Osmani, të cilat synojnë që kreu i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.

Përmes një njoftimi, Haxhiu u shpreh se ky ndryshim është i domosdoshëm për të siguruar stabilitet afatgjatë. Sipas saj, zgjedhja e Presidentit nga populli do t’i jepte fund bllokadave politike që shpesh kanë paralizuar vendin.

“Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre,” shkruan Haxhiu.

Për këtë ndryshim Haxhiu është në linjë me Presidenten Osmani, duke u bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që t’i mbështesin këto ndryshime kushtetuese.

Osmani në orët e fundit si Presidente: Procedon amendamentet që ia kthejnë votën popullit

Në orët e fundit të mandatit të saj në krye të shtetit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndërmarrë një hap vendimtar që synon ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së kreut të shtetit. Përmes një njoftimi zyrtar, ajo bëri të ditur se ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese që mundësojnë zgjedhjen e Presidentit drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve.

Sipas Osmanit, ky vendim vjen si rrjedhojë e bllokadave të vazhdueshme politike që kanë shoqëruar proceset e kaluara zgjedhore në Kuvend. Ajo sqaroi se këto amendamente ishin hartuar fillimisht nga Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës që në vitin 2011, por kishin mbetur pa u jetësuar.

“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it,” u shpreh Osmani, duke u bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që t’i lënë anash interesat partiake dhe t’i votojnë këto ndryshime.

Ky veprim i Osmanit shihet si një përpjekje për të shmangur krizat institucionale dhe për të rritur legjitimitetin e postit të lartë shtetëror.

 

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës pret në takim zyrtar Shërbimin Sekret Amerikan

Published

on

By

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se është arritur një hap i ri drejt fuqizimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas njoftimit, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka pritur sot në një takim zyrtar një delegacion të përbërë nga përfaqësues të Shërbimit Sekret të SHBA-së (US Secret Service) dhe zyrtarë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Sipas njoftimit ky takim është zhvilluar në një frymë të lartë partneriteti dhe besimi të ndërsjellë.

Gjatë këtij bashkëbisedimi, fokusi kryesor ka qenë thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit profesional në fushën e sigurisë, shkëmbimi i përvojave operacionale si dhe avancimi i kapaciteteve institucionale. Policia ka potencuar se roli i SHBA-së mbetet jetik për zhvillimin e brendshëm të forcave të rendit.

“Në takim u theksua mbështetja e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Policinë e Kosovës ndër vite, duke kontribuar drejtpërdrejt në ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e institucioneve të sigurisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej, në njoftim bëhet e ditur se ky partneritet do të njohë vetëm rritje në të ardhmen. “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar dhe zgjeruar partneritetin strategjik me institucionet amerikane në shërbim të sigurisë dhe sundimit të ligjit”, përfundon njoftimi zyrtar i policisë.

Ky takim vjen si vazhdimësi e përpjekjeve të Policisë së Kosovës për t’u rreshtuar krah agjencive më prestigjioze botërore për të garantuar një ambient të sigurt dhe luftimin e krimit të organizuar dhe sfidave të tjera të sigurisë.

 

Continue Reading

Lajmet

Osmani: Epopeja e UÇK-së, kushtrimi që zgjoi ndërgjegjen e botës dhe drejtoi historinë tonë

Published

on

By

Në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani Sadriu ka nderuar sakrificën e familjes Jashari, duke e cilësuar marsin si muajin që ndryshoi përgjithmonë fatin e popullit të Kosovës. Sipas saj, ngjarjet e vitit 1998 në Prekaz ishin pika ku liria triumfoi mbi frikën.

“Marsi, që në mitologjinë e lashtë simbolizonte luftën dhe guximin, ishte muaji i përballjeve të cilat vendosën drejtimin e historisë sonë,” u shpreh Presidentja, duke shtuar se pikërisht më 5, 6 dhe 7 mars, në zemër të Prekazit, historia mori një rrugë të re.

Gjatë fjalimit të saj, Osmani vuri theksin te figura e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, i cili bashkë me familjen e tij u bënë simbol i pathyeshmërisë. Ajo theksoi se zgjedhja e tyre ishte e qartë: “Ata zgjodhën sakrificën përpara përkuljes, lirinë para frikës e mbi të gjitha, ata zgjodhën nderin para jetës.”

Sipas Presidentes, tri ditët e Epopesë nuk ishin thjesht një betejë, por një akt ringjalljeje kombëtare që bëri jehonë në mbarë globin.

“Krisa e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri. Ky ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën e mbarë kombin, e po ashtu zgjoi ndërgjegjen e gjithë botës,” deklaroi ajo.

Në mbyllje, Osmani kujtoi se liria që gëzojmë sot i ka rrënjët te 58 martirët e kësaj familjeje, të cilët u shndërruan në dritë për popullin. Ajo porositi se kullat e Jasharëve do të mbeten përjetësisht “flamuri i lirisë sonë”, para të cilit institucionet dhe qytetarët do të përkulen gjithmonë me nderim.

Continue Reading

Të kërkuara