Aktualitet

Prodhuesit kosovarë kërkojnë fond për zhvillim ekonomik dhe subvencionim të eksportit

Published

on

Pandemia Covid-19 gjatë vitit 2020 shkaktoi probleme të shumta në ekonominë e vendit. Shumë biznese u shuan e shumë të tjera punuan vetëm për mbijetesë.

Vështirësi të ndryshme pati edhe kompania “Fluidi” nga Gjilani, e sidomos në plasmanin e produkteve në treg dhe eksportin drejt vendeve të BE-së.

Drejtori i kësaj kompanie që merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike, Fejzulla Mustafa, në një intervistë për KosovaPress, thotë se masat kufizuese për parandalimin e Covid-19, ndikuan në rënien e të hyrave, megjithatë shton se nuk kanë larguar asnjë punëtor dhe as nuk i kanë zvogëluar pagat e tyre.

“Është një rënie normale, në krahasim me vitet e kaluara, më tepër kemi pasur rënie në sektorin e gastronomisë, produktet që i kemi të konsumuara në gastronomi janë me rënie më të madhe, afër 30 për qind, varësisht prej muajve. Ndërsa produktet familjare më të ulët, por edhe ka muaj që kemi pasur edhe një rritje të vogël, në krahasim me muajt e viteve të kaluara. Ka ndikuar edhe në eksport, kemi edhe aty një rënie, rreth 15 për qind të eksportit, por është punuar deri në atë masë sa kemi arritur që punëtorët mos t’i largojmë, mos t’i zvogëlojmë rrogat, ajo për mua ka qenë një kënaqësi, dhe fitim tjetër a mbetet a jo, ajo nuk është me rëndësi”, ka thënë Mustafa.

Mustafa thotë se kjo kompani ka rreth 200 punëtorë, dhe përveç ndihmës nga pakoja e parë për rimëkëmbje ekonomike, nuk kanë gëzuar asnjë lloj ndihme tjetër nga Qeveria e Kosovës.

Ndërsa shton se gjatë kësaj periudhe janë detyruar të futen në kredi në bankat komerciale.

“Sa i përket numrit të punëtorëve janë mbi 220 punëtorë. Ne si kompani nuk kemi përfituar ende asnjë cent nga qeveria për biznes. E gjithë kjo çka është arritur, është arritur me forca tona duke u mbështetur me kredi të ndryshme nga bankat komerciale”, ka thënë Mustafa.

Ai thotë se institucionet e vendit duhet të krijojnë një fond për zhvillim ekonomik, por edhe ndonjë subvencionim të eksportit, me ç’rast do të mundësohej plasimi më i lehtë i produkteve vendore në tregun ndërkombëtar.

“Qeveria duhet të krijojë një fond për zhvillim ekonomik dhe t’i mundësojë bizneseve kredi me interes të ulët dhe me kohëzgjatje me të madhe pa ndonjë interes, psh për dy vite, tri vite, dhe pastaj të futet në interes me një kamatë relativisht të ulët të jetë prej 1-2 për qind. Dhe të iu ofrojë bizneseve ndonjë subvencionim, për shembull subvencionimin e eksportit, ajo kish me iu ndihmuar produkteve të Kosovës, që të plasohen sa me tepër nëpër vendet e Evropës dhe me larg. Për kompaninë tonë po them se me produktet tona jemi të shtrirë në disa vende të Evropës, por sikurse të jemi me një çmim me të volitshëm se në rastet e subvencionimit, ne mund ta ulim çmimin tonë dhe ato të dalim me çmim më të ulët në tregun e Evropës, çka do të ndikonte edhe në rritje të shitjes. Kjo do të ishte një ndihmë e fuqishme e bizneseve të Kosovës që çdo eksport të subvencionohet”, ka thënë Mustafa.

Mustafa thotë se Qeveria e Kosovës duhet të mbështesë bizneset dhe prodhuesit vendor në forma të ndryshme, në mënyrë që të mos bie prodhimi dhe të mos zvogëlohet numri i të punësuarve që do të ndikonte drejtpërdrejt në ekonominë e vendit.

Lajmet

Hamza refuzon ftesën e Kurtit: PDK rikonfirmon qëndrimin për të mbetur në opozitë

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka refuzuar zyrtarisht ftesën për takim të dërguar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Përmes një letre kthyese drejtuar Kurtit, Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja nuk do të jetë pjesë e takimeve konsultative, duke rikonfirmuar vendimin e partisë për të qëndruar në opozitë.

“Duke iu referuar takimit tonë të datës 10 korrik 2026 dhe qëndrimit publik të PDK-së, ju rikonfirmoj se, në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të vazhdojmë të qëndrojmë në opozitë”, thuhet në përgjigjen e Hamzës.

Përveç refuzimit të ftesës, kreu i PDK-së i ka bërë thirrje Kurtit që të kërkojë marrëveshje me subjektet e tjera politike për krijimin e institucioneve të reja. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Moska fajëson Ukrainën për shpërthimin vdekjeprurës në një restorant:

Published

on

By

Rusia ka akuzuar Ukrainën për organizimin e një shpërthimi në një restorant luksoz në qendër të Moskës, nga i cili mbetën të vdekur pesë persona dhe u plagosën 19 të tjerë. Ngjarja ka nxitur dyshime të forta se shënjestra e sulmit ishte komandanti i lartë ushtarak rus, kolonel-gjenerali Aleksandr Chayko.

Ngjarja ndodhi të shtunën në mbrëmje pranë hyrjes së restorantit italian “Balzi Rossi”, i vendosur në një nga rrokaqiejt historikë të epokës së Stalinit në Sheshin Kudrinskaya. Sipas prokurorëve rusë, një grua e paidentifikuar që mbante një mjet shpërthyes të improvizuar u përpoq të hynte brenda, por u ndalua nga roja e sigurisë, çka çoi në shpërthimin e lëndës plasëse pak çaste më vonë në hyrje të objektit.

Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ngjarjen si akt terrorist të udhëhequr nga Kievi, duke u shprehur se “tentakulat e përgjakshme të bandës terroriste të Zelenskyt kanë arritur deri te restoranti italian ‘Balzi Rossi’ në Moskë”.

Ndonëse autoritetet ruse nuk kanë publikuar emrat e viktimave apo shënjestrën e sulmit, blogerë ushtarakë pro-Kremlinit dhe media të pavarura raportojnë se mbledhja private organizohej për ditëlindjen e 55-të të gjeneralit Aleksandr Chayko. Pamjet e publikuara në rrjete sociale nga eventi tregonin sfondin me mbishkrimin “Aleksandr 55”.

Chayko, i cili ka udhëhequr më parë mësymjen ruse ndaj Kievit në vitin 2022 përpara se të merrte drejtimin e forcave ajrore-hapësinore, ka shpëtuar pa lëndime. Mirëpo, sipas kanalit informativ “VChK-OGPU”, nga shpërthimi në tarracën e restorantit ka mbetur i vrarë dhëndri i tij, Daniil Peredriy, ndërsa e bija, Maria, ka pësuar lëndime të rënda. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

17-vjeçari nga Ferizaj gjen portofolin me mbi 2,600 euro e dokumente dhe e dorëzon në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur së një i ri 17-vjeçar me inicialet A.N nga fshati Bablak i Ferizajt është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor pasi kishte gjetur një portofol pranë një pike karburanti në fshatin Lloshkobare.

Pas verifikimeve nga zyrtarët policorë, u bë i mundur identifikimi i pronarit, K.S., 40 vjeç nga Gjakova, të cilit iu kthyen të gjitha mjetet monetare në vlerë prej 2,435 eurosh e 270 frangash, së bashku me dokumentet e tij të identifikimit.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur falënderimin dhe vlerësimin e lartë për veprimin e A. Nuhës, duke e cilësuar ndershmërinë e tij si një shembull të shkëlqyer për të gjithë komunitetin. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK konfirmon 99 të prekur me fruth dhe apelon për vaksinim të menjëhershëm të fëmijëve

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka nxjerrë një përditësim mbi situatën epidemiologjike në vend, ku njofton se nga 16 prilli deri më 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth. Vetëm përgjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin raportuar 65 raste.

Sipas të dhënave të institutit, vatrat kryesore të infeksionit mbeten Prishtina me 33 raste dhe Fushë-Kosova me 25 raste, të ndjekura nga Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste. Rastet e tjera janë shpërndarë në numër më të vogël në komunat si Drenas, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e mundshme, IKShPK u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë kartelat e vaksinimit dhe të sigurojnë imunizimin e fëmijëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare sipas kalendarit të rregullt. Po ashtu, instituti u bën apel qytetarëve që me shfaqjen e simptomave të para — si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë — të paraqiten menjëherë për kontroll në institucionet shëndetësore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara