Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm pas lajmit se Izraeli ka goditur Iranin, në një përshkallëzim të ri të tensioneve në Lindjen e Mesme. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit menjëherë me mbi 10%, duke arritur nivelin më të lartë që nga janari.

Sipas BBC, tregtarët janë të shqetësuar se konflikti mund të rrezikojë furnizimin me energji nga një ndër rajonet më të rëndësishme për tregun global të naftës.
Ndërsa tregjet evropiane nisën ditën e premte, çmimet u stabilizuan pjesërisht, por mbetën rreth 5% më të larta se mbyllja e një dite më parë. Brent u tregtua me 72.80 dollarë për fuçi në Londër, ndërsa në bursën Nymex të SHBA-së arriti 73.20 dollarë.
Sulmi ka ndikuar edhe në tregjet financiare – indekset kryesore në Azi dhe Evropë kanë shënuar rënie. Indeksi FTSE 100 në Mbretërinë e Bashkuar pësoi një ulje prej 0.6%.
Asetet e njohura si “strehë të sigurta” në kohë pasigurie, përfshirë arin dhe frangën zvicerane, shënuan rritje.
Pas sulmit, Forcat Mbrojtëse të Izraelit njoftuan se Irani kishte lëshuar rreth 100 dronë drejt territorit izraelit.
Analistët paralajmërojnë se situata është e pasigurt dhe se e ardhmja e çmimeve të naftës do të varet nga zhvillimet e ditëve në vijim. “Kjo mund të zgjidhet shpejt, si në prill dhe tetor të vitit të kaluar, por gjithashtu mund të përshkallëzohet në një konflikt më të madh që rrezikon furnizimin me naftë nga Lindja e Mesme,” tha Vandana Hari nga Vanda Insights për BBC-në.
Në rast të një përshkallëzimi ekstrem, ekziston frika se Irani mund të ndërhyjë në Ngushticën e Hormuzit – një nga rrugët më të rëndësishme detare për eksportin global të naftës, ku kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror.
Ngushtica ndodhet midis Iranit në veri dhe Omanit e Emirateve të Bashkuara Arabe në jug, duke lidhur Gjirin me Detin Arabik. Çdo ndërprerje në këtë rrugë do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë.
“Çmimet aktualisht reflektojnë rrezikun fillestar, por ditët në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar drejtimin që mund të marrë ky konflikt,” tha Saul Kavonic nga MST Financial.