Lajmet

Princi Harry kritikohet pasi tregoi se sa talibanë vrau në Afganistan, ekspertët: Komentet mund të provokojnë hakmarrje

Ish-oficeri i ushtrisë, koloneli Richard Kemp i tha BBC-së se komentet e Harry ishin “të pamenduara”.

Published

on

Princi Harry ka njollosur reputacionin e tij me komentet për vrasjen e luftëtarëve talibanë në Afganistan, thotë një ish-komandant britanik.

Në kujtimet e tij, Duka i Sussex-it i përshkruan 25 vrasjet e tij si “figura shahu të hequra nga tabela”.

Ish-oficeri i ushtrisë, koloneli Richard Kemp i tha BBC-së se komentet e Harry ishin “të pamenduara”.

Ai shtoi se komentet mund të kenë dëmtuar sigurinë e tij dhe mund të provokojnë njerëzit të hakmerren.

Princi Harry jep detaje për kohën e tij si pilot helikopteri në Afganistan në librin e tij me kujtime.

Në të, ai zbulon për herë të parë se ka vrarë 25 luftëtarë armik.

“Nuk ishte një statistikë që më mbushte me krenari por as nuk më la të turpëruar”, shkruan ai.

“Kur e gjeta veten të zhytur në vapën dhe konfuzionin e luftimeve, nuk i mendoja ata 25 si njerëz. Ato ishin figura shahu të hequra nga tabela. Njerëzit e këqij u eliminuan para se të vrisnin njerëz të mirë”.

Koloneli Kemp, i cili u dërgua në Kabul në vitin 2003 për të marrë komandën e forcave në Afganistan, tha se ai nuk e kishte problem me Princin Harry që të zbulonte numrin e tij të vrasjes – por kishte problem me mënyrën se si Harry sugjeroi se kryengritësit talibanë shiheshin nga ushtria si “jo-njerëzor dhe po aq pjesë shahu për t’u rrëzuar”.

“Kjo nuk është mënyra se si Ushtria Britanike i trajnon njerëzit siç pretendon ai”, tha Kemp.

“Unë mendoj se ai lloj komenti që nuk pasqyron realitetin është mashtrues dhe potencialisht i vlefshëm për ata njerëz që dëshirojnë dëmtim të forcave britanike dhe qeverisë britanike, kështu që mendoj se ishte e gabuar”.

Princi Harry bëri dy turne në Helmand – një shumë shkurt si kontrollues ajror përpara në tokë. Puna e tij atëherë më së shumti do të kishte qenë thirrja në sulme sesa të angazhohej drejtpërdrejt me armikun.

Në turneun e tij të dytë më të gjatë – si pilot helikopteri – ai do të kishte parë më së shumti veprime, megjithëse nga ajri.

Megjithëse, “numrimi” i saktë i dëmeve në këto raste, janë thjeshtë vlerësime. Nuk është gjithmonë e mundur të numërohen trupat në tokë ose të përcaktohet nëse dikush është plagosur apo vrarë./UBTNews/

Lajmet

Filmi kosovar “Shame and Money” prezantohet në mbrëmjen hapëse të festivalit në Hagë

Published

on

Filmi kosovar “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, është prezantuar në mbrëmjen hapëse të festivalit Eastern Neighbours Film Festival (ENFF), në Hagë të Holandës, duke sjellë kinematografinë kosovare para publikut ndërkombëtar.

Mbrëmja u mbështet nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Hagë, e cila kontribuoi në organizimin dhe promovimin e kulturës kosovare gjatë këtij aktiviteti.

Programi nisi me fjalën përshëndetëse të drejtoreshës së festivalit, Kostana Banovic, ndërsa u pasurua me një performancë muzikore nga pianisti kosovar Arben Ramadani, muzika e të cilit ndërthuri ndikime nga folklori shqiptar.

Të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin filmin “Shame and Money”, i cili trajton historinë e një familjeje nga Kosova, përballë vështirësive ekonomike dhe pasojave të një tradhtie brenda familjes, që rrezikon jetesën e saj.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Veton Nurkollari, drejtor artistik dhe bashkëthemelues i DokuFest-it në Prizren, i cili në këtë edicion ishte pjesë e jurisë së festivalit në kategorinë e talenteve të rinj.

Mbrëmja u përmbyll me një pritje për të ftuarit, ku u prezantuan edhe ushqime tradicionale dhe verëra nga Kosova.

Përmes këtij aktiviteti, kinematografia dhe kultura kosovare u prezantuan para publikut në Hagë, ndërsa pjesëmarrja e profesionistëve nga Kosova në festival kontribuoi në forcimin e lidhjeve me skenën ndërkombëtare të filmit.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Google prezanton dy procesorë të rinj për inteligjencën artificiale, synon të sfidojë Nvidia-n

Published

on

Kompania teknologjike Google ka prezantuar dy sisteme të reja procesorësh për inteligjencën artificiale, duke zgjeruar përpjekjet për të konkurruar me Nvidia-n në tregun global të çipave të avancuar për IA, raporton Reuters.

Sistemet e reja, të emërtuara “TPU 8tx” dhe “TPU 8i Max”, janë versione të specializuara të njësive të përpunimit tensorik (TPU) të gjeneratës së tetë të Google dhe janë projektuar për nevoja të ndryshme të kompanive dhe institucioneve që përdorin inteligjencën artificiale.

“TPU 8tx” synon kryesisht institucionet qeveritare dhe kompanitë që operojnë në sektorë të rregulluar, ku mbrojtja e të dhënave konfidenciale është thelbësore. Sistemi përfshin teknologji sigurie të integruar në nivelin e pajisjeve, e cila mbron informacionin dhe parametrat e modeleve të IA-së edhe gjatë përpunimit.

Sipas Google, “TPU 8tx” mund të ofrojë deri në dyfishin e shpejtësisë në disa operacione, krahasuar me paraardhësin “TPU 8t”, pa ndikim të ndjeshëm në performancë nga masat shtesë të sigurisë.

Ndërkaq, “TPU 8i Max” është projektuar për aplikacione që duhet të përpunojnë sasi të mëdha informacioni njëkohësisht, si asistentët e programimit, analizat matematikore, kërkimet shkencore dhe zbulimi i barnave të reja.

Ky sistem bashkon dy procesorë “TPU 8i” në një paketë të vetme, duke dyfishuar fuqinë përpunuese, memorien e integruar dhe kapacitetin e memories me gjerësi të lartë brezi.

Google synon që procesorët e saj të përdoren gjithnjë e më shumë edhe nga klientë të jashtëm, përtej produkteve të kompanisë, si motori i kërkimit, YouTube dhe modelet Gemini. Për këtë qëllim, kompania po i ofron përmes shërbimeve Google Cloud, si dhe drejtpërdrejt për instalim në qendrat e të dhënave të klientëve.

Zgjerimi në këtë sektor vjen në një kohë kur kërkesa për kapacitete kompjuterike të inteligjencës artificiale po rritet me shpejtësi dhe kompanitë e mëdha teknologjike po investojnë në zhvillimin e çipave të tyre, për të zvogëluar varësinë nga furnizuesit e jashtëm.

Sipas të dhënave të Alphabet, kompania mëmë e Google, të ardhurat e Google Cloud arritën në 30.71 miliardë dollarë në tremujorin e tretë, duke shënuar rritje prej 103 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Shitjet e sistemeve TPU kontribuuan në këto rezultate.

Pas njoftimit, aksionet e Alphabet u rritën me më shumë se 3 për qind në orët e para të tregtimit në bursën amerikane.

Nvidia vazhdon të jetë një nga aktorët kryesorë në tregun e procesorëve për inteligjencën artificiale, por zhvillimi i çipave të personalizuar nga Google dhe kompanitë e tjera të mëdha teknologjike po shton konkurrencën në këtë industri.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci dhe ambasadori i BE-së diskutojnë për trashëgiminë kulturore dhe zhvillimin e turizmit

Published

on

Ministrja Saranda Bogujevci dhe zëvendësministrja Nora Arapi Krasniqi kanë pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian dhe ambasadorin e BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel.

Gjatë takimit u diskutua për promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës, zhvillimin e turizmit dhe pjesëmarrjen e vendit në programin “Evropa Kreative”, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.

Ministrja Bogujevci theksoi rëndësinë e mbështetjes evropiane dhe avancimit të projekteve në fushën e kulturës dhe turizmit.

Ndërkaq, ambasadori Schuebel ritheksoi përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj së ardhmes evropiane të Kosovës, duke theksuar se mbështetja e BE-së përfshin edhe zhvillimin e kulturës dhe turizmit në vend.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mbahet seanca në mungesë për vrasjen e Diana Kastratit

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë zhvillon sot seancën e shqyrtimit kryesor në mungesë ndaj të akuzuarit Adnon Jashari, i cili ngarkohet me vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati.

Procesi po zhvillohet pa praninë e të akuzuarit, meqë ai ndodhet në arrati që nga dita e kryerjes së krimit dhe mbetet ende i kërkuar nga Policia e Kosovës përmes urdhërarrestshmërisë publike.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti zyrtarisht aktakuzën ndaj Jasharit për veprën penale të vrasjes së rëndë më 22 tetor të këtij viti.

Tragjedia ndodhi më 18 maj të vitit 2011 në Prishtinë, kur 27-vjeçarja Diana Kastrati u qëllua për mort me armë zjarri teksa po shkonte në fakultet. Ngjarja pati nxitur reagime dhe protesta të shumta publike, pasi viktima kishte kërkuar më parë urdhër mbrojtës emergjent nga institucionet e drejtësisë, mirëpo mbrojtja nuk i ishte ofruar me kohë.

Zhvillimi i këtij shqyrtimi gjyqësor shënon një hap përpara në përpjekjen e organeve të drejtësisë për të vendosur përgjegjësinë penale 15 vjet pas vrasjes që tronditi vendin./Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara