Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e kryetarit të PSD’së, Dardan Molliqajt dhe shtatë aktivistëve të tjerë, të cilët shkruan grafite në veturat zyrtare që gjendeshin para objektit të ish-Rilindjes.
Zëdhënësi i Polcisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë për Express se ata kanë shfaqur shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare.
“Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor tetë prej tyre dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar në fazën preliminare.
Së këndejmi është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili bashkërisht me policinë po koordinon veprimet vijuese që konsistojnë në zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përpara masave të mëtejme në procedure”, ka thënë Borovci për Express.
Sipas njoftimit të PSD’së, të arrestuar përveç kryetarit Molliqaj, janë edhe anëtarët Teutë Rrusta, Nol Nushi, Zgjim Hyseni, Qëndrim Sahiti, Frashër Krasniqi, Ali Krasniqi dhe Korab Korça.
Nga kjo parti kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.