Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-199
17 tetor 1994
Në komunën e Ferizajt gjatë nëntë muajve të fundit u morën në polici 935 qytetarë
Gjatë nëntë muajve të fundit të këtij viti, në komunën e Ferizajt policia serbe në forma të ndryshme mori në pyetje dhe i keqtrajtoi 935 qytetarë shqiptarë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Ferizaj.
Në pyetje u morën gjithësej 365 veta, kryesisht aktivistë të LDK-së, me pretekste të ndryshme u arrestuan 298 qytetarë shqiptarë, ndërsa u keqtrajtuan fizikisht 272 sish.
Me pretekst të kërkimit të armëve bastisi 165 shtëpi. Përveç 13 kryetarëve të nëndegëve të LDK-së në Ferizaj, në pyetje u morën edhe rreth 300 aktivistë të LDK-së.
Policia serbe ka ushtruar presion edhe ndaj aktivistëve të Këshillit komunal për financim të Ferizajt, punëtorëve të arsimit etj.
Shkollës së Zaskokut i është hequr emri “Naim Frashëri” dhe është përdhosur busti, janë thyer lokalet e shkollës fillore “Jeronim De Rada”, ndërsa në pyetje janë marrë shumë përgjegjës komunal të arsimit, arsimtarë dhe pronarë të shtëpive që janë shndërruar në shkolla.
Sipas analizës së KI 90 për qind të bastisjeve në komunën e Ferizajt janë bërë me pretekst të kërkimit të armëve. Dëshmitarët dhe viktimat e këtyre bastisjeve tregojnë për veprime brutale e të egra të forcave serbe. Në fshatin Mirash, për shembull, torturës dhe rrahjeve i janë nënshtruar 40 për qind e kryefamiljarëve. Disa prej tyre janë rrahur në postkomandën e Babushit. Aksionet me pretekst të kërkimit të armëve në qytet dhe në fshatrat Nerodime, Mirash, Kosinë, Mirosalë, Tankosiq, Slivovë e Burrnik, ishin të shpeshta veçanërisht gjatë muajve maj e qershor.
Policia serbe gjatë nëntë muajve të fundit, nuk i kurseu as fëmijët. Më 27 korrik të këtij viti, policia serbe vrau pa kurrfarë shkaku edhe fëmijën 6 vjeçar, Fidan Brestovcin nga Prishtina dhe plagosi dy prindërit e tij. Gjatë kësaj periudhe policia plagosi të riun Ajvaz Ferati. I plagosur, ai u torturua në stacionin e policisë në Ferizaj.
Gjatë jë ndërhyrje të policisë serbe në fshatin Zaskok, ku i ishin shkulur një serbi disa fidane, u rrahën dhe u kërcënuan mbi 30 fshatarë, në mesin e të cilëve edhe disa fëmijë të moshës 5 – 8 vjeçare.
Serbët e instaluar në gjykatat e Ferizajt dhe të Prishtinës dënuan disa shqiptarë të komunës së Ferizajt, duke përfshirë funksionarë lokalë të partive politike, veprimtarë të KMDLNJ-së si dhe deputetë.
Bajrush Xhemajli, kryetar i Degës së KMDLNJ-së dhe deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës, u dënua me 5 vjet burg, Adem Salihaj, kryetar i Degës së LDK-së dhe deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, u dënua me 6 vjet burg; veprimtarët Ismail Mehmeti e Sylejman Hasani u dënuan me nga 5 vjet burg; për vepra penale janë dënuar edhe Sanie Aliu dhe Luan Heta.
Në shkurt të këtij viti serbët e instaluar në gjykatën për kundërvajtje të Ferizajt dënuan me nga 30 ditë burg pesë funksionarë e veprimtarë ferizajas: Xhabir Morina, nënkryetar i Degës së LDK-së, Hyrë Emini, kryetare e FR të LDK-së, Sylejman Bytyçi, kryetar i Degës së FISH-it, Elmi Reçica, veprimtar i KMDLNJ-së dhe Rexhep Ismani, kryetar i Klubit të artistëve figurativë “Zef Kolombi” dhe më 5 tetor janë dërguar në vuajtjen e dënimit. Këta veprimtarë u dënuan për shkak se kishin marrë pjesë në manifestimin kulturor “Flaka e janarit ’94”.
Në aksionin e organeve ushtarake e policore serbe për dërgimin me dhunë të të rinjve shqiptarë në ushtrinë serbe katër të rinj shqiptarë janë dërguar në ushtri.
Nga banesat janë dëbuar katër familje shqiptare.
Nga puna janë pezulluar 150 punëtorë shqiptarë.
Sasia e mallit dhe shuma e parave të plaçkitura nga shqiptarët arrin vlerën e disa qindra mijëra markave gjermane, thuhet në informatën e Komisionit për Informim të LDK-së dhe të Degës së KMDLNJ-së në Ferizaj.
17 tetor 1995
Dhuna e përditshme në Kosovë
Malishevë: – Më 11 tetor, policia për të satën herë ishte në shtëpinë e veteranit të arsimit, Abdyl Krasniqit në fshatin Drenoc. Prej tij policët kërkojnë të dorëzojë një pushkë automatike. Me këtë rast, ata i lanë ftesën djalit të tij, Betimit që të paraqitet në polici.
Skënderaj: – Më 5 tetor, një patrullë policore e postkomandës së Runikut mori në shtëpinë e tij Fatmir Sahitin nga Kopiliqi i Ulët dhe me pretekst të kërkimit të armëve e keqtrajtoi atë rëndë fizikisht. Ai u urdhërua që në polici të paraqitet sërish më 14 tetor.
Më 13 tetor, me të njëjtin pretekst, u mor dhe u keqtrajtua në polici Feriz Selimi.
Më 15 tetor, po me pretekst të armës, u mor dhe u keqtrajtua rëndë fizikisht në polici vëllai i Ferizit, Bislimi.
Bëhet me dije se me të njëjtin pretekst policia kërkon edhe Ramiz Selimin (15).
Ditë më parë, në vendkalimin kufitar Hani i Elezit, policia i mori pasaportën Fatmir Gecit nga LLausha e Skënderajt. Ai është anëtar i kryesisë së FR të Degës së LDK-së në Skënderaj.
Policia serbe në Skënderaj, me pretekst të kërkimit të armëve, keqtrajtoi Haxhi Bejtën nga Prekazi i Epërm.
Për shkak të lëndimeve që pësoi nga rrahja në polici, z. Beka u detyrua të kërkonte ndihmë mjekësore.
Për shkak të urdhërit të policisë, Haxhiu u paraqit edhe dje në polici. Policët i thanë atij se duhet gjithsesi të dorëzojë armët që i kërkohen dhe e urdhëruan që në polici të paraqitet sërish sot.
Para pak ditësh, duke u kthyer nga Holanda për në atdhe, në Prishtinë policia serbe arrestoi Shaban Zyhranin nga Llausha e Skënderajit, profesor i gjuhës angleze.
Ai u mbajt në polici tërë natën dhe u keqtrajtua fizikisht.
Zoti Zyhrani u lirua të nesërmen, mirëpo sigurimi serb ka kërkuar prej tij të paraqitet sërish në sigurimin shtetëror në Mitzvicë. Ai iu përgjigj këtij urdhëri. Në sigurimin serb ai u kërcënua dhe u keqtrajtua sërish.
Shaban Zyhrani është pyetur për punën dhe veprimtarinë e shqiptarëve në Holandë.
Ai është urdhëruar që në polici të paraqitet sërish më 27 tetor.
Viti: – Më 14 tetor, në ora 10:30, një patrullë e stacionit të policisë të Kllokotit, shkojnë në shtëpinë e Hamdush Hysenit nga fshati Ramajan, i cili punon në ambulancën humanitare “Nëna Terze” si teknik medicinal.
Pasi që Hamdushi nuk gjendej në shtëpi, policët ia lënë ftesën që të paraqitet të hënën në orë 8:00 në stacionin e policisë në Kllokot. Hamdushi paraqitet në kohën e caktuar, por pas pritjes mëse dy orë, atij i thonë se nuk ka ardhur inspektori nga Gjilani i cili duhet ta marrë në pyetje dhe e lirojnë duke i thënë se biseda e paraparë shtyhet për më vonë, pa ia caktuar ditën dhe kohën.
Podujevë: Të premtën në mesditë tre policsë serbë shqetësuan disa familje në lagjen Malokajt në fshatin Bradash.
Me pretekst se gjoja po kërkonin Eset Malokun, i cili punon përkohësisht në Zvicër, tre policë serbë hynë në oborrin e shtëpisë së Avni Malokut, kryetar i Nëndegës së LDK-së dhe drejtor i shkollës në Bradash, pastaj në oborrin e Tasim Malokut, anëtar i Kryesisë së Aktivit të LDK-së dhe në oborrin e Bajram Malokut.
Aktivistët e LDK-së në këtë fshat u pyetën për anëtarët e familjeve të tyre.
Me pretekst të kërkimit të armëve, policia serbe ishte në fshatin Kokorovicë, dhe atë në shtëpitë e Hashim Xhemajlit, Hamit Xhemajlit, ku morën një revole dhe në shtëpitë e Enver Shabanit e Shaban Zeqirit.
Enver Shabani e Hamit Xhemajli u urdhëruan që të paraqiten në pilici.
Më 13 tetor, policia kërkoi armë nga Bajram Islami nga Podujeva.
Vushtrri: – Sipas urdhëresës, dje në stacionin e policisë në Vushtrri u paraqit Murat Përçuku nga fshati Ceceli. Policët kërkuan prej tij informata për djalin e tij Bedriun, i cili tash tri vjet ndodhet në Gjermani. Ata i thanë Muratit se djali i tij duhet të paraqitet gjithsesi në polici, pasi ai është “politikisht i papërshtatshëm”.
Më 13 dhe 16 tetor, në stacionin e poicisë në Vushtrri, me pretekst të kërkimit të armëve, u morën Brahim dhe Rrahim Hasani nga fshati Ropicë.
17 tetor 1997
Ndërhyrje e forcave serbe në fshatin Rastavicë të Deçanit
Prishtinë, 17 tetor (QIK)
Forca të mëdha të policisë serbe kanë rrethuar sot herët në mëngjes fshatin Rastavicë të Deçanit, me pretekst se pas mesnatës, është sulmuar vendbanimi i kolonëve me prejardhej sllave të ardhur nga Shqipëria.
Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan njofton për shumë shtëpi të basrisura e shqiptarë të keqtrajtuar e të arrestuar.
U bastis shtëpia e dr. Bajram Kadriajt, kryetar i aktivit të LDK-së, pastaj shtëpitë e Brahim, Mustafë e Xheladin Kadriajt, shtëpia e Isuf Selmanajt, drejtor i shkollës fillore “Minatorët e Trepçës”, familjet e Smajl Selmanajt e Mon Selmanajt, nënkryetar i aktivit të LDK-së.
Me këtë rast në polici u morën Mustafë Kadriaj, bashk me djalin Shkumbinin, pastaj Mustafë Xh. Kadriaj, Isuf Selmanaj, Brahim Kadriaj, Mon dhe Smajl Selmanaj, si dhe 4 mjeshtër që ishin duke punuar në shtëpinë e Xheladin Kadriajt.
Gjatë këtij aksioni policia ka rrahur nëpër rrugët e fshatit Baballoq Sami Gjocajn e Valdet Matajn.
Dega e LDK-së në Deçan njofton se aksioni i forcave serbe po vazhdon.
Ky është aksioni i tretë ndëshkues i ndërmarrë nga forcat serbe gjatë katër ditëve të fundit në rajonin e Duakgjinit, me pretekst të sulmeve të pasqaruara ndaj dy stacioneve të policisë serbe në Qollopek e në Kliçinë të Pejës.
Gjatë aksioneve ndërshkuese në fshatrat Bardhaniq e Zhabel të Gjakovës dhe në fshatrat Kliçinë, Leshan, Llabjan, Zahaç e Gllaviçicë janë keqtrajtuar në mënyrën më mizore qindra shqiptarë dhe janë bastisur dhjetëra shtëpi.
17 tetor 1998
Katër të vrarë nga minat në zonën kufitare të Kosovës me Shqipërinë
Katër shqiptarë humbën dje jetën në përpjekje për të kaluar kufirin dhe për t’u strehuar në Shqipëri. Grupi i refugjatëve shkeli në një fushë të minur shumë pranë vijës së kufirit në zonën e Hasit. Tre u vranë në vend ndërsa i katërti vdiq nga plagët në territorin e Shqipërisë, njoftoi sot “Zëri i Amerikës”. Në këtë njoftim thuhej se Hamzë Ukaj nga Damjani, para se të ndërronte jetë, kishte treguar se çfarë kishte ndodhur. Ai tha se grupi që po kërkonte të hynte në Shqipëri pas shpërthimit të minës është tërhequr duke u fshehur, ndërsa tre të vrarë mund të jenë marrë nga serbët.
Foto: Ferizaj