Lajmet

Pesë fakte interesante për foshnjat e lindura në dhjetor

Foshnjat e lindura në muajin e fundit të vitit kanë shanset më të mira statistikore për jetë të gjatë.

Published

on

Lexoni se çfarë thonë studimet për foshnjat e lindura këtë muaj dhe çfarë thonë statistikat.

Nëse fëmija juaj vjen në dhjetor, konsiderojeni atë me fat. Ky është muaji kur lindin më pak fëmijë (24-ta dhe 25-ta janë datëlindjet më të rralla), ndaj këto foshnja janë të veçanta që nga lindja.

Sigurisht, kjo do të thotë që festa e datëlindjes ndoshta do të përplaset me festimet e Krishtlindjes, por edhe fëmija juaj do të rritet duke e ditur që muaji dhjetor është veçanërisht magjik.

Këtu janë disa statistika për fëmijët e lindur në dhjetor:

1. Lehtë për t’u zgjuar dhe për të shkuar në shtrat herët

Hulumtimet e bëra nga universitetet italiane dhe spanjolle tregojnë se personat e lindur në dhjetor kanë më shumë gjasa të jenë tipa mëngjesi, sesa ata të lindur në verë. Studime të tjera tregojnë se fëmijët e lindur në këtë muaj zakonisht shkojnë për të fjetur më herët.

2. Ata janë shpesh mëngjarashë (sidomos djemtë)

Djemtë e lindur në dhjetor kanë më shumë gjasa të jenë mëngjarashë, sipas një studimi nga Universiteti i Vjenës. Në një studim që përfshinte 13.000 të rritur, 7.5 për qind e grave dhe 8.8 për qind e burrave ishin mëngjarashë. Kur shikuan datën e lindjes së tyre, zbuluan se shumica e meshkujve mëngjarash ishin lindur midis 1 nëntorit dhe 1 janarit.

3. Janë Shigjetarë ose Bricjap

Nëse besoni në astrologji, një fëmijë mund të lindë në një nga këto shenja, në varësi të faktit nëse ka lindur para apo pas 21 dhjetorit. Të lindurit mes 1 dhe 21 dhjetorit bien në shenjën e Shigjetarit dhe thuhet se janë ekstrovertë që duan të udhëtojnë. Ndërsa personat e lindur nga 22 deri në 31 dhjetor janë Bricjap dhe janë shumë të vendosur dhe duan të ndihmojnë.

4. Jetëgjatësia

Foshnjat e lindura në muajin e fundit të vitit kanë shanset më të mira statistikore për jetë të gjatë, që do të thotë se ata jetojnë mbi 100 vjeç. Një ankesë e zakonshme për këtë muaj është se shpesh ndodhin shumë festa. Askush (sidomos fëmijët) nuk dëshiron të ndiejë se datëlindja e tyre është vetëm një nga shumë gjëra, por kur një familje feston datëlindjen e një fëmije, duhet theksuar se buzëqeshja e personit të ditëlindjes mund të jetë drita më e ndritshme e Krishtlindjes.

5. Ka shumë gjasa që ai të jetë dentist

Sipas një regjistrimi në Britaninë e Madhe, studiuesit zbuluan se ka një shans të lartë që fëmijët e lindur në dhjetor të bëhen dentistë, raportoi Guardian. Pra, nuk është kurrë herët për të filluar ta mësoni fëmijën tuaj për shëndetin oral.

Lajmet

REL: Ambasada amerikane paralajmëron se Shqipëria mund të jetë cak i grupeve të lidhura me Iranin, Tirana e mohon

Published

on

By

Ambasada amerikane në Tiranë ka paralajmëruar të mërkurën se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Por, autoritetet shqiptare hodhën poshtë këtë, duke e quajtur “hamendje”.

Ambasada u bëri thirrje qytetarët amerikanë në Shqipëri “të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”.

Në një njoftim, Ambasada tha se grupet e lidhura me Iranin “gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante”.

Megjithatë, Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare i tha Radios Evropa e Lirë se agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë “nuk e kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.

Ajo shtoi se Ambasada amerikane “jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja”.

“Kështu që, ne i ftojmë qytetarët amerikanë të mos humbasin asnjë nga mundësitë e mrekullueshme që ofron Shqipëria, me vendet e saj të panumërta turistike, mikpritjen e saj të pakonkurueshme dhe ushqimin e saj të paqortueshëm”, thuhet në përgjigjen e agjencisë.

Paralajmërimi i Ambasadës amerikane erdhi pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

Njoftimi vjen pak javë pasi hakerë të lidhur me Iranin kryen sulme kibernetike ndaj institucioneve shtetërore në Shqipëri, dhe pasi Kuvendi shqiptar e shpalli Iranin shtet sponsor të terrorizmit.

Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të grupit opozitar iranian, MEK, strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.

Shqipëria gjithashtu e mbështet luftën e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, kundër Iranit, e cila nisi më 28 shkurt. Irani është përgjigjur duke kryer sulme ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në rajonin e Lindjes së Mesme.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte thënë se Shqipëria i mbështet sulmet amerikano-izraelit, sepse ajo është përballur drejtpërdrejt me “fytyrën barbare të regjimit të Teheranit, përmes agresioneve të tij kibernetike”.

Gjatë muajit të kaluar, Kuvendi dhe Posta e Shqipërisë u goditën nga sulme kibernetike.

Për të dyja sulmet përgjegjësinë e mori grupi Homeland Justice.

Homeland Justice, sipas një analize nga gjiganti amerikan i teknologjisë Microsoft, është i lidhur me Qeverinë iraniane.

Në postimet e veta në Telegram, grupi i hakerëve kishte thënë se sulmet ndaj institucioneve të Shqipërisë po bëheshin për të dënuar vendimin e tyre për strehimin e grupit opozitar MEK, që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit.

“Kur ju i mbështesni terroristët, duhet të dini se do ta paguani çmimin për këtë, në të gjitha aspektet”, thuhet në një nga postimet e këtij grupi, më 10 mars.

Në postime të tjera, grupi akuzon politikanët shqiptarë se po i dëgjojnë “urdhrat e amerikanëve”, si dhe paralajmërojnë se ky sulm është “vetëm maja e ajsbergut”.

Ekspertë të sigurisë ishin të ndarë rreth asaj nëse prezenca e MEK-ut në Shqipëri rrit rrezikun, apo nuk ka ndikim në sulmet e mundshme nga Irani, pas fillimit të luftës me SHBA-në.

Pas fillimit të luftës në Iran, ekspertë ndërkombëtarë të sigurisë kanë paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit rrit rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste apo operacioneve të fshehta jashtë zonave tradicionale të konfliktit.

Sipas një analize të publikuar nga revista amerikane The Atlantic, Irani ka përdorur historikisht rrjete dhe metoda të ndryshme për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve, veçanërisht kur përballet me presion të madh politik apo ushtarak, duke përfshirë sulme që burojnë jashtë territorit të Iranit.

Ndërkohë, raportime të gazetës New York Times theksojnë se agjencitë amerikane të inteligjencës po monitorojnë mundësinë që Teherani t’i aktivizojë grupet aleate në rajone të ndryshme për të goditur interesat amerikane ose aleatët e tyre. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Zbulohet laborator kanabisi në Prizren, dy të arrestuar

Published

on

By

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës i zhvilluar këtë të enjte në rajonin e Prizrenit, ka përfunduar me arrestimin e dy personave dhe zbulimin e një laboratori të sofistikuar për kultivimin e bimëve narkotike.

Operacioni, i cili u realizua pas një hetimi paraprak në koordinim me prokurorinë dhe gjykatën, nisi me bastisjen e një shtëpie ku dyshohej se po rriteshin bimë të llojit kanabis sativa.

Gjatë ndërhyrjes, hetuesit policorë arrestuan një person në vendngjarje, ndërsa kontrolli u zgjerua edhe në tri lokacione të tjera ku u prangos edhe i dyshuari i dytë.

Brenda hapësirave të kontrolluara, policia sekuestroi një gamë të gjerë pajisjesh teknike që shërbenin për kultivimin e drogës, duke përfshirë llamba ndriçimi, sisteme ventilimi, aparate për rregullimin e temperaturës dhe preparate kimike.

Megjithëse të dyshuarit kishin tentuar t’i asgjësonin provat duke djegur rreth 300 bimë kanabisi para mbërritjes së forcave të rendit, policia arriti të gjejë sasi të mbetura të marihuanës, kokainës, si dhe një bimë të pa dëmtuar. P

ërveç lëndëve narkotike, në cilësinë e provave materiale u sekuestruan edhe një armë zjarri e llojit pistoletë me dhjetëra fishekë, një veturë dhe një furgon me targa vendore.

Me vendim të prokurorit kompetent, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedime të mëtejshme ligjore.

 

Continue Reading

Lajmet

Dy Prilli – Një thirrje për shoqërinë

Published

on

By

Shkruan: Dr. Denis Çelçima

Dy Prilli – Dita Botërore e Ndërgjegjësimit për Autizmin – është dita që i jep zë mijëra individëve dhe familjeve që jetojnë çdo ditë me autizmin dhe në këtë ditë i gjithë njerëzimi duhet të ndalet për të reflektuar, për të kuptuar dhe për të vepruar.

Në një shoqëri që shpesh kërkon përshtatje sipas standardeve të përcaktuara, autizmi na kujton se bota është e ndryshme dhe plot ngjyra, dhe diversiteti është forcë.

Personat në spektrin e autizmit kanë një perspektivë dhe ndjesi unike të tyre për jetën. Ata e ndiejnë, mendojnë dhe përjetojnë botën në mënyra që shpesh sfidojnë perceptimet tona. Këto perceptime kaq unike, i bëjnë ata të veçantë.

Kjo ditë jep një mesazh shumë të rëndësishëm, ndërgjegjësim, pranim dhe përfshirje. Nuk është e mjaftueshme thjesht të dimë për autizmin.

Shoqëria sot duhet të mësojë të dëgjojë, të kuptojë dhe të krijojë hapësira ku çdo individ ka vendin e tij. Sepse përfshirja nuk është privilegj, por një e drejtë.

Dy Prilli nuk është thjesht një datë në kalendar. Është ndërgjegjësim shoqëror, është thirrje dhe kujtesë se çdo hap drejt mirëkuptimit dhe pranimit është një hap drejt një shoqërie më të drejtë. Vlerat njerëzore na orientojnë të jemi më shumë të pranishëm, të paragjykojmë më pak dhe të veprojmë më shumë. Një shoqëri që pranon autizmin, është një shoqëri që pranon njerëzoren në tërësinë e saj.

Ne jemi për të qenë të gjithë së bashku!

Foto: Dr. Denis Çelçima

Continue Reading

Rajoni

Rama: Anëtarësimi në BE do t’u hapë studentëve mundësi të barabarta me europianët

Published

on

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me studentët në Tiranë, duke folur për ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ai theksoi se anëtarësimi në BE do t’u mundësojë studentëve të studiojnë në universitetet europiane me të njëjtat të drejta si në Shqipëri.

Rama vuri në dukje se shumica e studentëve në sallë ishin vajza, duke shprehur besimin e tij tek roli i grave dhe vajzave në shoqëri: “Nëse do ketë shpëtim për njerëzimin, ai do vijë nga gratë dhe vajzat”, tha ai.

Kryeministri shpjegoi se edhe pse studentët mund të studiojnë jashtë vendit, duke qenë të huaj nuk kanë të njëjtat kushte si studentët europianë dhe paguajnë më shumë. “Me anëtarësimin në BE, ju do të trajtoheni si vendas, jo si të huaj, qoftë në auditorët e Tiranës, Lisbones apo Varshavës”, theksoi Rama.

Ai shtoi se integrimi në BE do t’u hapë studentëve mundësi të barabarta për të pasur akses në universitete, laboratorë, programe dhe financime, si dhe për të zgjedhur punën në çdo vend të Europës pa barriera.

Continue Reading

Të kërkuara