Lajmet

Përvjetori i lindjes së ish-presidentit Rugova

Ibrahim Rugova vdiq më 21 dhjetor të vitit 2006 në Prishtinë.

Published

on

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar të vitit 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Në vitin 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 dhjetor të vitit 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar të vitit 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:

– Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,

– Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,

– Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),

– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),

– Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980

– Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,

– Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986

– Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,

– Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,

– Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,

– Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005


Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:


– Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

– Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.

– Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

– Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.

– Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.

– Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.

– U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

– Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

Lajmet

Qeveria e Kosovës mban mbledhje, në rend dite 35 pika

Published

on

By

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e saj të radhës, me fillim nga ora 10:00, në ndërtesën e Ekzekutivit.

Në këtë takim, kabineti qeveritar pritet të shqyrtojë dhe të marrë vendime për një sërë çështjesh të rëndësishme, pasi në rendin e ditës janë paraparë gjithsej 35 pika për shqyrtim e miratim. /E.A/

 

 

Continue Reading

Lajmet

Partitë shqiptare të Luginës bëhen bashkë për zgjedhjet në Serbi në listën “Koalicioni Shqiptar”

Published

on

By

Partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës do të garojnë me një listë të përbashkët të quajtur “Koalicioni Shqiptar” në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi. Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili njoftoi se ky dakordësim erdhi pas bisedimeve dhe përpjekjeve intenzive për të afruar qëndrimet politike.

Kurti shprehu falënderimet e tij për liderët e subjekteve politike në Luginë për gatishmërinë që të gjejnë gjuhën e përbashkët përtej dallimeve partiake. Kryetarët që i u bashkuan këtij koalicioni janë: Shaip Kamberi (PVD); Visar Memeti (APN); Nagip Arifi (PD); Agim Sabedini (PDSH); Shqiprim Musliu (LPD); Sami Salihu (LR); Armend Aliu (AL); Naser Aziri (UDSH)

Krahas bashkimit politik, Kryeministri Kurti ngriti edhe çështjen e përfaqësimit proporcional dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi, duke e krahasuar atë me sistemin kushtetues të Kosovës.

“Bashkimi politik te Koalicioni Shqiptar sigurisht që nuk është i mjaftueshëm. Asimetria e të drejtave është po ashtu padrejtësi. Serbët në Kosovë i kanë të garantuara 10 nga 120 ulëset në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e me këtë qasje, shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të duhej të kishin së paku 5 vende të garantuara në Parlamentin e Serbisë, i cili numëron 250 ulëse”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, përfaqësimi i garantuar është një parim që duhet të vlejë njësoj si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, me të njëjtin respekt për barazinë dhe të drejtat e pakicave. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Të kërkuara