Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë Mike Waltz tha sot se Shtetet e Bashkuara po përparojnë në bisedimet që po zhvillojnë me një delegacion të lartë ukrainas, që po mbahet në qytetin Xhedah të Arabisë Saudite.
Waltz i bëri Komentet për gazetarët gjatë një pauze të shkurtër të bisedime. Takimi filloi në mesditë sipas orës lokale, në qytetin buzë Detit të Kuq.
Andriy Yermak, shefi i kabinetit të Presidentit ukrainas Volodomyr Zelensky, pjesë e delegacionit ukrainas, në një postim në rrjetin social X; shkruante “në punë e sipër”. Yermak gjithashtu ka vlerësuar se “takimi ka filluar në mënyrë shumë konstruktive”. Gjatë takimit delegacioni ukrainas pritet të prezantojë një plan të pjesshëm armëpushimi me Rusinë.
Plani ukrainas përfshin ndalimin e sulmeve me raketa me rreze të gjatë dhe një armëpushim që mbulon Detin e Zi. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk po merr pjesë në takimin e së martës. Ukraina përfaqësohet nga shefi i tij i personelit Andriy Yermak, ministri i jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, ministri i mbrojtjes Rustem Umerov dhe komandanti Pavlo Palisa.
Para takimit, Presidenti Zelensky shkroi në “X” se Ukraina shpreson për “rezultate praktike”.
Kremlini tha se Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje të kuptojnë se sa është Kievi i gatshëm për bisedime që do t’i japin fund luftës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, drejtojnë delegacionin e Shteteve të Bashkuara mes përpjekjeve të Presidentit Donald Trump për të ndërmjetësuar një fund të shpejtë të luftës që filloi më 2022.
Sekretari Rubio tha të hënën se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të gjejnë zgjidhje për të vazhduar ndihmat për Ukrainën.
“Ukrainasit tani po marrin të gjitha informacionet e inteligjencës. Shpresoj të zgjidhim çështjen e ndalimit të përkohshëm të ndihmave. Ajo që do të ndodhë gjatë takimit ka rëndësi kyçe për këtë çështje”, iu tha Sekretari Rubio gazetarëve në bordin e avionit gjatë rrugës për në Xhedah të Arabisë Saudite.
“Gjatë takimit nuk do të diskutojmë çështje madhore, por do të kuptojmë se çfarë lëshimesh janë të gatshëm të bëjnë ukrainasit”, tha zoti Rubio. Ai shtoi se nuk ka një zgjidhje ushtarake për luftën dhe se Rusia dhe Ukraina duhet të jenë në gjendje “të marrin vendime të vështira”.