Lajmet
Përpjekjet për ‘çlirim’ të Lumëbardhit në Deçan
Në rrjedhën e lumit Lumëbardh në këtë qytet janë katër hidrocentrale në pronësi të kompanisë austriake, Kelkos.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiAktivistët mjedisorë dhe një nga organizatat më të madha në Evropë që lufton për mbrojtjen e lumenjve nga shkatërrimi, Riverwatch, e kundërshtojnë një koncept për rehabilitimin e zonave të dëmtuara nga ndërtimi i hidrocentraleve në qytetin e Deçanit në Kosovë.
Në rrjedhën e lumit Lumëbardh në këtë qytet janë katër hidrocentrale në pronësi të kompanisë austriake, Kelkos.
Më 22 nëntor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës (MMPHI) publikoi në ueb-faqen e saj një koncept-dokument, të hartuar nga një ekspert austriak, për rehabilitim të vetëm njërit lokacion, i njohur si Zalli i Rupës, që ndodhet në Grykën e Deçanit.
Ky është lokacioni më i dëmtuar gjatë fazës së ndërtimit të hidrocentraleve në Deçan.
Eksperti u angazhua nga kompania Kelkos dhe koncepti u mbështet nga MMPHI-ja.
Që nga fillimi i ndërtimit të hidrocentraleve, në vitin 2014, aktivistët dhe banorët lokalë kanë ngritur zërin për dëmet që i janë shkaktuar lumit dhe zonës përreth.
Ata thonë se Kelkos-i, gjatë punimeve, ka dëmtuar shtratin e lumit dhe pjesët atraktive për turizëm. Sipas tyre, është dëmtuar edhe rruga që shfrytëzohet nga qytetarët për të shkuar në bjeshkë.
Kelkos, po ashtu, akuzohet se shfrytëzon sasi më të madhe të ujit për prodhim të energjisë elektrike, sesa sasia që e ka të lejuar, duke e lënë lumin pa ujë në pjesën më të madhe të vitit.
Drejtuesi i organizatës Riverwatch, me bazë në Austri, Ulrich Eichelmann, është kritik ndaj institucioneve të Kosovës për mënyrën se si kanë lejuar ndërtimin e hidrocentraleve.
Eichelmann nuk e mbështet asnjë iniciativë për rehabilitim të pjesshëm të dëmeve, të shkaktuara nga ndërtimi hidrocentraleve në Deçan.
“Çfarë unë besoj se është duke ndodhur, është se Kelkos është duke bërë presion të madh që të marrë leje, së paku për të operuar me disa nga hidrocentralet në Deçan”, thotë Eichelmann për Radion Evropa e Lirë.
Eichelmann thotë se ngutja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, si dhe e kompanisë Kelkos për të prezantuar iniciativa për rehabilitime të pjesshme, bëhet për shkak të presionit në rritje të kompanisë Kelkos, për t’u pajisur me leje që mundësojnë rikthimin në operim të hidrocentraleve në Deçan.
Kelkos-i ka bërë investimin e parë në Grykën e Deçanit, kur në vitin 2009 ka blerë një hidrocentral ekzistues.
Në periudhën 2014-2017, Kelkos-i ka ndërtuar edhe tri hidrocentrale të reja, të cilat kanë nisur të operojnë pak muaj pas ndërtimit. Por, puna e tyre është ndërprerë disa herë.
Aktualisht, tri hidrocentrale në pronësi të Kelkos-it janë jashtë funksionit, pasi, më 15 tetor të këtij viti, Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur në favor të një ankese të banorëve të Deçanit.
Sipas Gjykatës, banorët kanë paraqitur prova bindëse se po u shkaktohen dëme nga operimi i hidrocentraleve.
Drejtuesi i organizatës, Riverwatch, Ulrich Eichelmann, thotë se në zonën e Deçanit janë bërë aq shumë dëme, sa që nuk duhet lejuar operimi i asnjërit prej këtyre hidrocentraleve, pa u sqaruar shkeljet ligjore, si dhe pa rehabilitim të plotë të pjesëve që janë dëmtuar nga ndërtimi i tyre.
“E gjithë çështja është se Kelkos është duke humbur para [nga mosoperimi i hidrocentraleve] kundrejt një qasjeje korrekte. Duhet të themi: le të nisim nga fillimi dhe le t’i shkojmë të gjitha aspektet, duke përfshirë ato ekologjike, diskutimet me banorët lokalë, por po ashtu edhe çështjet ligjore, sepse jam i sigurt se ka shumë paqartësi ligjore dhe kjo kërkon kohë”, shprehet Eichelmann.
Aktivistja Shpresa Loshaj, e cila drejton organizatën joqeveritare Pishtarët, prej vitesh, ka ngritur zërin për dëmet që i janë shkaktuar lumit Lumëbardh, si dhe natyrës përreth hidrocentraleve në Deçan.
Ajo thotë se nuk do të pranojnë asnjë propozim pa qenë të përfshirë në proces aktivistët dhe qytetarët e Deçanit.
“Asgjë nuk pranojmë më ndryshe, pa u bërë plani rehabilitues, pa pasur terme të referencës, shuma që do të investohet… Do të thotë, gjithçka në detaje duhet të jetë e shkruar në atë plan. Ne nuk i besojmë Kelkos-it, sepse ka dhjetë vjet që na gënjen. Ka dhjetë vjet që thotë unë bëj këtë, unë bëj atë, vetëm më jepni lejet dhe asgjë nuk ka bërë. Në fakt, na ka shkatërruar krejt”, shprehet ajo.
Loshaj thotë se koncept-dokumenti i prezantuar nga MMPHI-ja, në vetëm gjashtë faqe, në të cilat janë të shënuara vetëm pikat kryesore, paraqet në parim “joseriozitetin” e Ministrisë së Mjedisit në trajtimin e dëmeve që janë shkaktuar nga ndërtimi i hidrocentraleve.
Ministria hesht
Pas kritikave që Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka marrë nga aktivistët dhe organizata Riverwatch, Radio Evropa e Lirë e ka pyetur këtë ministri se çfarë do të ndodhë me konceptin për rehabilitimin e Zallit të Rupës në Deçan.
Po ashtu, REL-i ka pyetur MMPH-në nëse i ka kërkuar kompanisë Kelkos rehabilitim të pjesëve të tjera të dëmtuara në Deçan. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje.
As Kelkos nuk i është përgjigjur pyetjes nëse i është kërkuar nga MMPHI-ja që, krahas rehabilitimit të Zallit të Rupës, të bëhet edhe rehabilitimi i zonave të tjera të dëmtuara.
Drejtori i Kelkos-it në Kosovë, Valon Berisha, thotë se janë dukur punuar në një plan konkret të rehabilitimit.
“Plani konkret është në përgatitje e sipër nga ekspertët në fjalë, në përputhshmëri me raportet mbi gjendjen faktike dhe masat e nevojshme të rekomanduara për rehabilitim”, thotë Berisha për Radion Evropa e Lirë.
Pavarësisht kësaj që thonë përfaqësuesit e Kelkos-it, aktivistja Shpresa Loshaj thotë se kërkesa e saj dhe e banorëve të Deçanit është që MMPHI-ja dhe Kelkos të prezantojnë plan të detajuar, përfshirë mënyrën e realizimit të projektit, marrëveshjet me institucionet lokale dhe kompensimin që Kelkos duhet t’ua bëjë banorëve që u janë dëmtuar pronat.
“Ne duhet të jemi pjesë e barabartë në këtë proces, banorët e Deçanit duhet të pyeten dhe atëherë do të kalojë çfarëdo zgjidhjeje që të jetë, përndryshe Ministria le të vazhdojë vetëm si të do”, thotë Loshaj.
Organizata Riverwatch i ka dhënë disa rekomandime Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës se si duhet përmirësuar gabimet që janë shkaktuar nga ndërtimi i hidrocentraleve.
Riverwatch i rekomandon MMPHI-së identifikimin e aspekteve thelbësore ekologjike dhe sociale, formimin e një komisioni të pavarur të ekspertëve për të zhvilluar koncepte për zgjidhjen e problemeve, si dhe inkurajon konsultime me komunitetin lokal për çdo iniciativë të rehabilitimit të natyrës.
Çdo përjashtim i qytetarëve dhe opinionit publik nga çështja e hidrocentraleve, sipas kësaj organizate, përbën shkelje të standardeve ndërkombëtare.
Ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu, ka deklaruar më 24 nëntor se kompanisë Kelkos i është refuzuar leja për njërin hidrocentral, për shkak se gjatë ndërtimit e ka ndryshuar projektin.
Shkelje ligjore, sidomos në ndërtimin e hidrocentraleve në Deçan, ka gjetur edhe një grup punues i formuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës.
Siç është thënë në raportin e muajit korrik të këtij viti, ndërtimi i hidrocentraleve është përcjellë me shkelje dhe tejkalime të shumta ligjore, dëmtime të rrjedhës së lumenjve, si dhe shpeshherë objektet e hidrocentraleve janë ndërtuar në prona publike.
Hidrocentralet e Deçanit mund të furnizojnë 39,700 shtëpi
Hidrocentrali Belaje ka kapacitet prej 8.2 megavatesh në orë dhe mund të furnizojë me energji elektrike 9,600 amvisëri.
Hidrocentrali Deçani ka kapacitet prej 9.8 megavatesh në orë dhe mund të furnizojë me energji elektrike 15,200 shtëpi.
Lumëbardhi 1 ka kapacitet prej 8.2 megavatesh në orë dhe mund të furnizojë 7,700 shtëpi.
Ndërsa, Lumëbardhi 2 ka kapacitet prej 6.2 megavatesh në orë dhe mund të furnizojë 7,200 shtëpi.
Përveç adresimit të dëmeve në Deçan, aktivistët dhe organizata Riverwatch kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të merret edhe me shkeljet që e kanë shoqëruar ndërtimin e hidrocentraleve në pjesët e tjera të Kosovës, në veçanti në Komunën e Shtërpcës.
Drejtuesi i Riverwatch, Ulrich Eichelmann, thotë se MMPHI-ja, në veçanti, duhet të angazhohet që të respektohet çdo ligj dhe rregullore, sa i takon ndërtimit dhe operimit të hidrocentraleve në Kosovë./REL
Aktualitet
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 4 prill, në vitet nëntëdhjetë
Published
18 minutes agoon
April 4, 2026By
UBTNews
4 prill 1994
Lajm i plotë: Represioni i policisë serbe në Kosovë
Malishevë: – Më 1 prill në Mleçan të Malishevës, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjen e Alush Kryeziut, aktivist i LDK-së dhe i Këshillit për Financim të Malishevës. Pasi në shtëpinë e tij nuk u gjet kurrfarë arme, policët e morën me vete Alush Kryeziun në postkomandën e Kijevës, i cili gjatë dy orëve sa qëndroi në polici u rrah brutalisht.
Më 2 prill, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi edhe familjet e vëllezërve Ramadan e Tahir Krasniqit, Agim Bytyçit dhe atë të Hyd Krasniqit në Tërpezë të Malishevës.
Nga Malisheva njoftohet se aksioneve ndëshkuese të policisë serbe në forma të ndryshme po u ndihmojnë edhe disa mercenarë shqiptarë si Hetem Dobruna nga Llazica e Malishevës, Skënder Gashi, punëtor i Zyrës së Vendit në Kijevë, i cili nën arsyetimin se po grumbullojnë mjete për përforcimin e trafostacionit, nga qytetarët e këtushëm shqiptarë së bashku me serbin Dushko Stoshiq, nga familjet shqiptare po i kërkojnë nga 10 DM.
Mitrovicë: – Më 31 mars rreth orës 9 të mëngjesit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjet e Bajram Kërleshit, Adem Ademit dhe Shasivar Çelës në fshatin Reshan të Shalës së Bajgorës. Pasi në këto familje nuk u gjet kurrfarë arme, policia nga Adem Ademi kërkoi që të dorëzojë një pushkë dhe një revole, kurse tre kryefamiljarëve ua lanë ftesat që të paraqiten më 1 prill në stacionin e policisë në Stantërg, të cilët u mbajtën deri në mbrëmje nën kërcënimin se gjithësesi duhet dorëzuar armët.
Të njëjtën ditë e njëjta ekspeditë e policisë serbe arrestoi Tafil Xhafën (65) nga fshati Bare. Tafil Xhafa u mbajt një kohë të gjatë në polici, nga i cili kërkonin që të dorëzojë një pushkë dhe një revole.
Po këtë ditë, policia serbe arrestoi edhe vëllezërit Tush dhe Haki Istrefin në fshatin Bajgorë të Mitrovicës. Nga vëllezërit Istrefi policët kërkonin armë.
Po këtë ditë policia serbe mori me vete edhe Rifat Salihun nga Starasella e Shalës së Bajgorës, nga i cili kërkuan që të dorëzojë armë.
Me pretekst të kërkimit të armëve, sot një ekspeditë e policisë bastisi shtëpinë e Skënder Rifat Hasanit në lagjen “Tavnik” të Mitrovicës. Nuk u gjet kurrëfarë arme. U keqtrajtuan Skender Hasani dhe djali i tij Lulzimi, i cili u dërgua në stacionin e policisë.
Lajme të tjera:
Dr. Agani: Serbia përpiqet të përçajë lëvizjen shqiptare
UNIKOMBI angazhohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë
Në Nju-Jork u botua libri për Kosovën me titull “Plagët e hapura” Helsinki Watch
“Education International” i shqetësuar për situatën e arsimit shqip në Kosovë
Lëvizje të ushtrisë në Mitrovicë
Në Prizren dhe Mitrovicë dëbohen nga banesat familjet shqiptare
Fatos Nano u dënua me 12 vjet burg
Gazetat serbe për procesin Nano
Komandanti i forcave të NATO-s në Evropë viziton Shqipërinë
4 prill 1995
Lajm i plotë: Edhe një proces i montuar politik
Bejtullah Ismaili – nënkryetar i Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Beqir Hoxha – kryetar i qeverisë, Raif Sylejmani – kryetar i SP të organeve komunale të administratës, Halim Halimi – ish-drejtor i Radio Gjilanit, Ukshin Zajmi – gazetar i TVP, Rexhep Hamiti – ish-delegat i Kuvendit të RSFJ-së dhe ish-udhëheqësit e këtushëm politikë Milaim Zeqiqri, Ibrahim Morina dhe Asllan Bislimi, ky i fundit është paraburgosur gjatë dhjetorit të vitit të kaluar në procesin kundër ish-policëve shqiptarë u akuzuan nga prokurori serb Momqilo Antiq për vepra penale – “Bashkimi për veprimtari armiqësore” dhe “cenim të integritetit territorial” të sanksionuar sipas neneve 136 e 116 të Ligjit penal serb”.
Ndërsa kryetari i Degës së PSDK-së Nexhat Naxhaku u lirua pas gjashtë ditë mbajtjeje në arrest.
Mbrojtësi Hasan Hoti i tha “Bujkut” se katë persona pandehen se kanë organizuar vetëmbrojtjen shoqërore në komunën e Gjilanit dhe rojet në lagjet e Gjilanit e rrethinë gjatë vitit 1991 etj.
Dje po ashtu, njoftoi ky mbrojtës gjykatësi hetues serb në Gjilan, Mladen Nikoliq i ka marë në pyetje dy të pandehurit Beqir Hoxhën dhe Ibrahim Morinën. Ndërkaq, vazhdon marrja në pyetje në fazën e hetuesisë edhe e të pandehurve tjerë.
Lajme të tjera:
Kryetari Rugova u takua me ministrat britanikë Hërd dhe Hog
Deklaratë e dr. Hivzi Islamit lidhur me diskursin serb për problemet demografike të shqiptarëve
Në Tiranë u organizua rock protesta “Kosova ’95”
Filloi java e kulturës shqiptare në Geteborg të Suedisë
Policia serbe ndërhyri në lokalet e Fakultetit Ekonomik
Në Prishtinë policia plaçkiti sasi të mëdha malli në tregun e plaçkave dhe të pemëve
Dhuna e përditshme në Kosovë
Vazhdon dhuna ndaj banorëve të fshatit Grejkoc
Dhjetëra shqiptarë të keqtrajtuar në komunën e Vitisë dhe të Ferizajt
Drejtori i SHF “Edit Durham” në Mushtisht u dënua me 45 ditë burg
Policia ndërhyri sërish në SHMT “Marin Beçikemi” në Vushtrri
Boban Kërstiq, vrasësi i Fidan Brestovcit, para gjyqit
Autoblinda e përbashkët shqiptaro-sllovene
New York Times: Nafta u arrin serbëve përmes Shqipërisë
Për kolonistët serbë në Prishtinë jipen 122 banesa e shumë troje
4 prill 1997
Lajmet kryesore:
Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova
Socialistët serbë nuk marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët në Nju-Jork
Për Beogradin Kosova kusht për t’u kthyer në botë
Ekspertët nisin procesin e hetimeve për përmbytjen e anijes së Shqipërisë
Shqipëria përgatit bazat për pritjen e forcës shumëkombëshe
Kontigjenti spanjoll i forcës shumëkombëshe do të përbëhet nga 300 trupa
Pangallos: Zgjedhjet në Shqipëri do të mbahen pa u penguar nga bandat e armatosura
Athina kërkon mbrojtjen e minoritetit grek në Shqipëri
Deputeti austriak kërkon angazhim të gjerë në Shqipëri
Forcat speciale vendosën kontrollin në Berat
Në Fushë Krujë u masakrua një familje gjashtanëtarëshe
Viktima dhe dhunë e shfrenuar në rrethe të ndryshme të Shqipërisë
Më 13 prill në Kroaci mbahen zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme
Sllovenia bëhet gati për NATO
Inspektorët dhe ata të tregut plaçkitën disa lokale hoteliere
Dhuna e përditshme në Kosovë
4 prill 1997
Lajm i plotë: Represion me pretekst të armëve në Podujevë
Podujevë: – Më 29 mars, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpitë e Ilmi Jonuzit dhe të Rexhep Namanit në Orllan. Ata janë marrë në pyetje edhe më 31 mars në stacionin e policisë serbe në Podujevë, njofton KI i Degës së LDK-së në Podujevë.
Po këtë, policia serbe ishte në shtëpinë e Osman Tërmkollit në Dumosh. Ai u pyet për djalin e tij Afrim Tërmkollin, ish i burgosur politik, i cili gjendet në botën e jashtme. Afrim Tërmkolli qe mbajtur edhe në izolimin fakëkeq në Leskovc të Serbisë në vitin 1989, ndërsa më vonë pat ikur në botën e jashtme.
Po këtë ditë, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve mori në pyetje edhe babë e bir, Zenel e Idriz Fazliun nga Podujeva. Zenel Fazliu u keqtrajtua fizikisht dhe u urdhërua që të paraqitet sërish në polici.
Më 1 prill, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armës ishte në shtëpinë e Agim Sokolit në Podujevë.
Lajme të tjera:
Forumi i Miqve të Refugjatëve kërkon kontroll parlamentar të kthimit të azilkërkuesve kosovarë
U aktivizua sërish vendkalimi kufitar në Dibër
Aktivistë të PPDSH-së merren në pyetje nga policia maqedone
Fërçkovski kërkoi heqjen e mandatit për Elizabet Renin
Shoqata “Gurrat e bardha” në Zvicër për arsimin shqip dha 10 mijë DM
Mësimdhënësit e komunës së Istogut i morën pagat për muajin janar
Ia plaçkitën 1500 DM
4 prill 1998
Edicioni i parë (Ora 15:00)
Lajm i plotë:
AFP: Oxhaqet nxjerrin përsëri tym në Likoshan
Agjencia AFP ka publikuar një raport të gazetarit Michel Moutot nga Likoshani, fshat që ishte objekt i sulmit terroristik serb në ditën e fundit të shkurtit të sivjemë. Më poshtë po e sjellim tesktin të plotë, sipas përkthimit të agjencisë Enter.
Tymi i oxhaqeve lajmëron kthimin e tyre, por fshatarët shqiptarë të Likoshanit, të traumatizuar nga masakra e 28 shkurtit, struken pas mureve të larta të fermave të tyre. Në tokën e zezë të kodrës që ngrihet mbi këtë qendër të vogël të banuar në mes të Kosovës, ndodhen 26 varre: ato të burrave të fshatit, të vrarë nga plumbat e forcave të posaçAme të policisë serbe pesë ditë para vrasjes së Prekazit, që shkaktoi 53 të vdekur disa kilometra më larg.
Një derë prej druri hapet pak. “Sapo pamë pluhurin që ngriti vetura tuaj në kodër, të gjithë u fshehëm”, shpjegon një i ri. “Jemi kthyer para dy ditësh, por kemi frikë nga gjithçka”. “Po, është qetësi. Por policët nuk janë larg. Përsa kohë që janë atje, mund të ndodhë gjithçka. Ata mund të kthehen të na vrasin kur të kenë dëshirë”.
Ganimete Gjeli nuk është larguar kurr nga oborri i fermës. “Përse? Ku të shkoj? E çfarë mund të ndodhë më keq se sa kaq”, përlotet ajo. I shoqi dhe vjehrri i saj u vranë gjatë sulmit. Ajo shpjegon se ata ishin me të në shtëpi, kur zjarri i armëve që hapën policët shkatërroi dritaret, fasadën e shtëpisë dhe vrau të dy burrat.
Pak më tej, personat që kanë mbetur gjallë nga fisi Ahmeti u kthyen për t’u vendosur në një banesë të improvizuar me dru dhe fletë plastike. Mbi portretet e gjashtë të rinjve të vrarë të këtij fisi është vendosur një flamur shqiptar me shqiponjën e zezë dykrerëshe. “Eshtë tradita e zisë”, shpjegon një nga burrat e fisit, i veshur me kostum të zi. “Miqtë, fqinjët na vijnë për vizitë. Pak janë kthyer deri tani në shtëpitë e tyre, por ata do të vijnë”. “Ishim familja më e madhe e Likoshanit, më e pasura, më e shkolluara. Pa dyshim, për këtë ata na vranë. Ata nuk u vranë në shtëpitë e tyre, por u nxorrën jashtë dhe u pushkatuan atje. Kishte policë, por edhe civilë me maska”.
Oxhaqet nxjerrin tym edhe në fshatin fqinj të Polacit, ku ka pasur vetëm një të plagosur me armë zjarri. “Serbët thonë se jeta është bërë përsëri normale, por kjo nuk është e vërtetë”, thotë një prej banorëve shqiptarë. “Policia na rrethon nga të gjitha anët. Gratë dhe fëmijët janë kthyer, sepse nuk kishin ku të qendronin. Kemi hapur dyer për 300 familje refugjatësh. Mund të mbahemi në këmbë një muaj. Po pastaj?”.
Lajm të tjera:
Kryetari Rugova priti diplomatin francez Zhak Blo
Xh. Rubin: Millosheviqi me shpalljen e referendumit luan me ardhmërinë e popullit të vet
- Kinkel: Integrimi i Beogradit në Evropë varet nga gjendja në Kosovë
NATO, Parisi dhe Belgjika reagojnë ashpër kundër propozimit të Millosheviqit lidhur me referendumin për Kosovën
- Surroi takohet me Talbotin dhe me Gelbardin
Dhjetë milionë eku për shëndetësinë kosovare
U granatua fshati Llaushë i Skënderajt
Mësimi filloi edhe në Qirez
Lëvizje të forcave ushtarake serbe në Mushtisht të Suharekës
Parulla antishqiptare edhe në xhaminë e Gjilanit
Dhuna e përditshme në Kosovë
Jakup Krasniqi u mbajt dy orë në polici
Regjimi dhe propaganda serbe përsëri manipulojnë me “shqiptarët e ndershëm”
Edicioni i dytë (ora 19:30)
Lajmet kryesore:
Gjendje e acaruar në Llaushë
Persona serbë të armatosur plaçkisin shqiptarët
Serbët të armatosur provokojnë qytetarët shqiptarë
U plaçkitën lokalet e SHF “Abdyl Frashëri” në Prizren
Policët serbë keqtrajtojnë udhëtarët e rastit
Foto: Likoshani
Vendi
LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend
Published
17 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Derisa në Kuvend po vazhdon seanca e jashtëzakonshme për çmimin e naftës, as kryeministri, asnjë ministër e asnjë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është paraqitur në sallë.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, kritikoi ashpër këtë bojkot, duke thënë se për një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët, pushteti ka zgjedhur të mos marrë pjesë. Ajo ironizoi me situatën duke u shprehur: “Mos kanë harru me zbrit prej xhipave të zi”.
Përmes një rezolute, LDK-ja po kërkon uljen e përkohshme të akcizës për naftën nga 36 centë për litër në 20 centë deri në stabilizimin e çmimeve, uljen e TVSH-së për karburantet nga 18 në 8 për qind, si dhe subvencionimin e naftës për sektorët më të ndjeshëm si bujqësia, transporti publik dhe prodhuesit vendorë.
Ermal Sadiku nga LDK-ja u shpreh i dëshpëruar me sallën e zbrazët, duke theksuar se deputetët e LVV-së dhe ata të Listës Serbe janë të vetmit që po mungojnë.
Ai sqaroi se kërkesa për uljen e TVSH-së është teknikisht e realizueshme dhe nuk e dëmton buxhetin, pasi rritja e çmimeve e ka rritur automatikisht edhe grumbullimin e taksave. Sadiku përfundoi duke ironizuar se, nëse pushteti zgjedh të flasë me popullin vetëm përmes Facebook-ut e televizionit, atëherë Parlamenti mund të mbyllet plotësisht.
Vendi
Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë
Published
18 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për trafikim me narkotikë gjatë një aksioni të suksesshëm të realizuar këtë të premte në Gjakovë.
Operacioni është udhëhequr nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me njësitet kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, të cilët rreth orës 14:40 kanë ndaluar për kontroll një veturë me targa të huaja.
Sipas komunikatës zyrtare, automjeti drejtohej nga i dyshuari me inicialet A.B., i lindur në vitin 1978, tek i cili gjatë kontrollit në pjesën e ulëseve të pasme janë gjetur dhjetë paketime të mbushura me substancë narkotike të llojit marihuanë.
Pesha e përgjithshme e drogës së sekuestruar është 5 kilogramë e 413 gramë, ndërsa në cilësinë e provave materiale Policia ka konfiskuar edhe veturën dhe dy telefonat mobil që i përkisnin të dyshuarit.
Pas arrestimit, personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në stacionin policor, ku me vendim të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ky aksion vjen si pjesë e planeve taktike të Policisë së Kosovës për luftimin e trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në vend, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë nga drejtoritë përkatëse.
Lajmet
Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt
Published
18 hours agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Gjykata Themelore në Ferizaj e ka dënuar me 24 vjet burgim të akuzuarin Valon Aliu, duke e shpallur fajtor për vrasjen e rëndë të ish-bashkëjetueses së tij, E.C., ngjarje kjo që ndodhi në prill të vitit 2024 brenda Qendrës për Punë Sociale.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtarja Fitore Krivanjeva-Daci, Aliu u dënua për tri vepra penale: vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe kanosje, ku në dënimin final do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 12 prilli 2024.
Ngjarja tragjike erdhi pas një fjalosjeje të shkurtër brenda zyrave të QPS-së, ku i akuzuari nxori armën dhe qëlloi viktimën fillimisht në kraharor, ndërsa plagosi në krah edhe vëllanë e saj.
Megjithëse viktima tentoi të largohej, Aliu e qëlloi përsëri në gjoks dhe në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.
Pas vrasjes, ai kishte kanosur edhe një zyrtare të institucionit duke ia vendosur pistoletën në ballë me kërcënimin se do ta qëllonte edhe atë.
Palët e përfshira në proces kanë afat prej 30 ditësh për ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa Aliu do të qëndrojë në paraburgim deri në plotfuqishmërinë e këtij vendimi.
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 4 prill, në vitet nëntëdhjetë
LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend
Rrëzohet një avion luftarak amerikan mbi Iran, nisin kërkimet për pilotët
Emocione të forta,Kenan Yildiz publikon fotografi me Edon Zhegrovën
Arrestohet një 48-vjeçar në Gjakovë, Policia i sekuestron mbi 5 kilogramë marihuanë
Dënohet me 24 vjet burgim Valon Aliu për vrasjen e ish-bashkëshortes në QPS-në e Ferizajt
Artemis II nis rrugën drejt Hënës pas ndezjes së motorit final
Ukraina shpreh gatishmëri t’i mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit
Arijanet Muric: “Kemi rikthyer shpresën, koha jonë do të vijë”
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
