Zyrtarët ukrainas dhe rusë u takuan të premten në Stamboll për të zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta për herë të parë që nga bisedimet e dështuara të fillimit të shkurtit 2022, kur Rusia e kishte nisur pushtimin e plotë të Ukrainës.
Pritjet janë se nuk do të ketë ndonjë përparim në këto bisedime.
Bisedimet e së premtes përmbyllin një javë të ngarkuar të diplomacisë, e nxitur nga përpjekjet e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, e cila ka shkaktuar vrasjen e dhjetëra mijëra ushtarëve nga të dyja palët dhe një numri gjithnjë e më të madh civilësh ukrainas.
Negociatorët rusë dhe ukrainas e filluan takimin e tyre pas orës 13:00, bashkë me zyrtarë nga vendi mikpritës, Turqia.
Disa takime të ndara, që përfshijnë zyrtarë amerikanë, ukrainas, rusë, evropianë dhe turq, janë duke u mbajtur gjithashtu.
Moska nuk i ka pranuar thirrjet e Ukrainës, vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara për një armëpushim të plotë 30-ditor, duke thënë se armëpushimi mund të bëhet vetëm si rrjedhojë e bisedimeve, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, hodhi poshtë ftesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për t’u takuar ballë për ballë për herë të parë që nga viti 2019.
Duke hapur bisedimet, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se është “tejet e rëndësishme” të zbatohet një armëpushim “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe se “është gjithashtu shumë e rëndësishme që këto bisedime të shërbejnë si bazë për një takim mes udhëheqësve. Ne besojmë me gjithë zemër se është e mundur të arrihet paqja përmes negociatave konstruktive”.
Para bisedimeve, udhëheqësi i delegacionit ukrainas, ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, tha në Facebook se paqja është e mundur vetëm nëse “Rusia tregon gatishmërinë e saj për të ndërmarrë veprime konkrete, duke përfshirë një armëpushim të plotë për të paktën 30 ditë dhe zbatimin e masave humanitare, si rikthimi i fëmijëve ukrainas, të dëbuar me forcë”, si dhe shkëmbimi i të gjithë të burgosurve të luftës.
Vendimi i Putinit për të dërguar një delegacion të nivelit të ulët për bisedime – të cilin ai e propozoi më herët këtë javë dhe që Trump i bëri thirrje Ukrainës ta pranonte – bëri që pritshmëritë për ndonjë arritje në këto bisedime të jenë shumë të vogla.
Trump, i cili ndodhej në një vizitë në Lindjen e Mesme, kishte dhënë sinjale se mund të udhëtonte drejt Turqisë për të marrë pjesë nëse edhe Putini do të merrte pjesë.
“Asgjë nuk do të ndodhë derisa unë dhe Putini të takohemi”, tha Trump pasi Kremlini njoftoi se do të dërgonte një delegacion të nivelit të ulët.
Më 16 maj, Trump tha se po kthehej në Uashington. “Të shohim çfarë do të ndodhë me Rusinë dhe Ukrainën”, tha ai, duke shtuar se do të takohej me Putinin “sapo të organizohet takimi”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i tha Fox News më 15 maj se nuk do të ketë përparim derisa Trumpi dhe Putini të ulen “përballë njëri-tjetrit”.
Rubio u takua me homologët e tij ukrainas dhe turq më 16 maj dhe përsëriti “qëndrimin e SHBA-së se vrasjet duhet të ndalen”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se një takim Trump-Putin për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, Ukrainën dhe çështje të tjera është “patjetër i nevojshëm,” por do të kërkojë kohë për t’u përgatitur dhe nuk duhet të mbahet nëse nuk sjell rezultate.
Putin nisi pushtimin e plotë tetë vjet pasi Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë së Ukrainës dhe nxiti luftën në rajonin lindor të Donbasit në vitin 2014.
Rusia tani kontrollon rreth një të pestën e territorit të Ukrainës, por ka dështuar të arrijë qëllimin e Putinit për ta nënshtruar vendin, i cili është i pavarur që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991./REL/