Albumi i këngëtares i cili po realizohet vite pas vdekjes së saj përmban Chris Brown dhe artistë të tjerë të akuzuar për abuzim.
Pas gati një dekade, fansat e këngëtares Aaliyah pa dyshim do të jenë të emocionuar që do të kenë katalogun e saj në platformat e transmetimit. Albumi i ri i saj është titulluar “Unstoppable”.
Hankerson zbuloi se albumi i ri do të publikohej këtë muaj dhe konfirmoi të ftuarit në album si Chris Brown, Snoop Dogg, Future, Ne-Yo dhe Drake. Në fund të vitit të kaluar, u shfaq edhe një bashkëpunim i ri me The Weeknd, i titulluar “Poison”.
Lista e të ftuarve në album ka ngjallur shumë reagime dhe kritika në mediat sociale, ku fansat ankohen për praninë e atyre që ishin të akuzuar për abuzim. Chris Brown sulmoi dhunshëm ish të dashurën e tij, këngëtaren e njohur Rihanna, ndërsa Ne-Yo ka qenë gjithashtu i akuzuar për keqtrajtim të grave.
Aaliyah ishte dikush që vet përjetoi abuzim. “Never No More”, nga albumi i saj i vitit 2001, trajtonte shqetësimin psikologjik të dhunës në familje.
Reperi R. Kelly kohët e fundit u shpall fajtor për të gjitha akuzat në gjyqin e tij për shantazh dhe trafikim seksual – mes tyre ishin edhe kontaktet intime me të miturën Aaliyah, për të cilat ai rrëfeu vet. Ky pranim i fajit erdhi gati tre dekada pasi dyshja u supozua se ishin martuar në një ceremoni të paligjshme kur Kelly ishte 27 vjeç dhe Aaliyah ishte 15.
Megjithatë Hankerson u mundua të arsyetoj artistët e ftuar. “Disa nga njerëzit që pëlqeu Aaliyah janë në album. Ajo e donte Snoop Dogg”, tha ai në një intervistë me Billboard. “Ne-Yo na dha një këngë të shkëlqyer, gjithashtu edhe Drake” shtoi ai.
Megjithatë përzgjedhja e të ftuarve duket e çuditshme duke pasur parasysh se shumë prej tyre fituan vëmendje vite pas vdekjes së këngëtares.
Në vitin 2001, vitin që ajo ndërroi jetë, Drake ishte 15 vjeç dhe sapo kishte filluar karrierën e tij televizive, ndërsa Future filloi të publikonte këngë vetëm në vitin 2010. Ne-Yo u bë i njohur me këngën “So Sick” në vitin 2006, kurse Weeknd filloi të njihej rreth vitit 2011.
Sipas kritikëve, përfshirja e artistëve që nuk ishin bashkëkohës të Aaliyah është gabim kur ka qenë mundësia për të vënë në pah disa prej artisteve që e kanë nderuar trashëgiminë e saj me muzikën e tyre R&B./UBTNews/
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë verdiktin dënues për pesë persona të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Trupi gjykues e dënoi të akuzuarin B.Rr. me 12 vite burgim, kurse katër të akuzuarit e tjerë, D.Rr., F.S., M.S. dhe M.R., morën nga 10 vite burgim secili. Koha e qëndrimit në paraburgim dhe në arrest shtëpiak do t’iu llogaritet të gjithëve si pjesë e dënimit final.
Përveç dënimit me burg, të dënuarit janë të detyruar të paguajnë nga 500 euro për shpenzimet e procesit gjyqësor dhe nga 50 euro shtesë për Fondin e Kompensimit të Viktimave.
Sa i përket dëmshpërblimit, pala e dëmtuar është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta kërkojë përmes një kontesti të rregullt civil. Ky vendim nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.
Ky proces gjyqësor rrodhi nga aktakuza e ngritur në fund të vitit 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila fillimisht shënjestroi tetë persona për ngjarjen e qershorit të po atij viti. Në këtë grup, B.Rr. u ngarkua me veprën penale të dhunimit, ndërsa mbi të pandehurin D.Rr. rëndojnë akuzat për dhunim si dhe për trafikim me njerëz.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka nisur një aksion intensiv monitorimi në pikat e shitjes së derivateve.
Ky vendim, i cili u nënshkrua para pak dite nga ministrja Mimoza Kusari Lila, synon mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e çrregullimeve në treg përmes rregullimit të përkohshëm të çmimeve.
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për ditën e hënë ka qenë 1.44 € për litër naftë dhe 1.17 € për litër benzinë.
Ndërkohë, në tregun vendor, nafta po shitet nga 1.44 € deri në 1.55 €, ndërsa benzina nga 1.26 € deri në 1.31 €. Për të kontrolluar këto diferenca, ministria ka vendosur që marzha maksimale e fitimit të jetë 2 centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër për shitjen me pakicë.
Inspektorati, në bashkëpunim me ATK-në dhe Doganën, po analizon me kujdes çmimet e importit përkundrejt atyre që u ekspozohen qytetarëve.
Autoritetet kanë paralajmëruar masa rigoroze ndaj të gjithë operatorëve që nuk respektojnë marzhën e lejuar apo që dëmtojnë konkurrencën e ndershme, duke siguruar publikun se monitorimi do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend.
Gjatë takimit, Presidentja vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme britanike për popullin e Kosovës dhe konfirmoi përkushtimin për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që forcojnë objektivat e përbashkëta mes dy vendeve.
Një fokus i veçantë gjatë bisedës iu kushtua ruajtjes së mjedisit demokratik dhe rëndësisë së debatit publik të përgjegjshëm.
Osmani dhe Hargreaves theksuan se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është tërësisht e papranueshme, duke bërë thirrje që praktika të tilla të mos kenë vend në diskursin publik në Kosovë.
Policia e Kosovës ka arrestuar sot në fshatin Samadrexhë të Suharekës një 45-vjeçar me inicialet B.K., pasi I njejti kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori” me shufra metalike dhe tela, duke penguar qarkullimin e banorëve.
Gjatë ndërhyrjes së policisë rreth orës 08:30, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët me thikë dhe u ka bërë rezistencë të dhunshme.
Si pasojë e kësaj përleshjeje, katër policë kanë pësuar lëndime trupore, ndonëse policia sqaroi se lëndimet nuk erdhën nga goditjet me thikë, por gjatë procesit të neutralizimit të sulmuesit.
Personi i arrestuar është dërguar në stacionin policor në Suharekë, ku po priten hapat e mëtejshëm ligjorë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.