Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda LDK-së, duke bërë thirrje që debatet rreth përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor dhe drejtimit të partisë të zhvillohen ekskluzivisht në organet vendimmarrëse të saj.
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka theksuar se ka shmangur deri më tani deklarimet publike për çështjet e brendshme të LDK-së, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin zgjedhor është çështje etike dhe nuk zgjidhet përmes presioneve publike apo deklarimeve të individëve dhe degëve të ndryshme.
Sipas tij, format e propagandës dhe “tifozllëkut politik” vetëm sa e dëmtojnë demokracinë e brendshme të partisë dhe rrezikojnë që Kuvendi i LDK-së të shndërrohet në arenë përçarjesh, diçka që, siç kujton ai, ka lënë pasoja të rënda edhe në të kaluarën.
“LDK nuk meriton epitafe”, ka shkruar Mustafa, duke shtuar se ata që e duan këtë parti duhet të besojnë në potencialin dhe forcën e saj vetërregulluese për t’u ringritur si subjekt i fuqishëm politik dhe si faktor balancues në ndërtimin demokratik të shtetit të Kosovës.
Ai ka nënvizuar se LDK qëndron mbi çdo emër individual dhe se, përjashtuar presidentin historik Ibrahim Rugova, partia nuk duhet të identifikohet me asnjë figurë të veçantë. Sipas Mustafës, Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë i saj, duhet të garantojë vazhdimësinë e parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar partia që nga themelimi i saj 36 vjet më parë, si një parti konservatore e qendrës së djathtë me orientim të qartë euroatlantik.
Mustafa ka theksuar se beteja politike e LDK-së nuk duhet të shndërrohet në “ankand” interesash, por në një ofertë serioze për ndërtimin e një shteti të fortë, të qëndrueshëm dhe me perspektivë. Ai ka paralajmëruar se LDK nuk duhet të përdoret si platformë për projekte apo subjekte të tjera politike.
Duke folur për reformat e brendshme, ish-kryetari i LDK-së ka vlerësuar se ato duhet të udhëhiqen nga njerëz besnikë ndaj partisë, por njëkohësisht të hapur për anëtarësime dhe prurje të reja. Ai ka kundërshtuar ndarjet brenda partisë mes të vjetërve dhe të rinjve, duke theksuar se LDK ka nevojë për mekanizma që rrisin numrin e anëtarëve, simpatizantëve dhe votuesve.
Në fund, Mustafa ka nënvizuar se përgjegjësia duhet të trajtohet si standard normal i etikës demokratike dhe se rezultati politik duhet të ketë pasoja, ndërsa Kuvendi i LDK-së, sipas tij, mund të gjejë zgjidhjen më të mirë duke u fokusuar në unitetin, rritjen dhe progresin e partisë.
“Asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt”, ka përfunduar Mustafa.