Aktualitet

Pas kërcënimeve bërthamore, SHBA i nxjerr Putinit avionin Apokalips, si përdoret në luftë

SHBA nuk ka qëndruar duarkryq përballë kërcënimeve të Vladimir Putin.

Published

on

Pasi ky i fundit ka kërcënuar se ka vënë në gatishmëri arsenalin e tij bërthamor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk qëndruan në vendnumëro.

Ndonëse nuk iu përgjigjën këtij kërcënimi me deklarata publike, siç raportohet nga faqja sparkchronicles është kryer një fluturim stërvitor prej rreth 4 orë e gjysmë i avionit “GORDO 15”, që i përket kategorisë së të ashtuquajturve “avionët Apokalips”. Avioni ka dalë në qarkullim pas kërcënimeve të Putin dhe është lexuar si një mesazh ndaj tij nga ana e SHBA.

Ky lloj avioni i reziston impulseve të krijuara nga bomba elektromagnetike të afta për të çaktivizuar pajisje të tjera teknologjike. Këto janë në fakt mjete 200 milionë dollarë që janë pjesë e flotës së avionëve specialë “Nightwatch”, të projektuara që në vitet 1970 për përdorim ekskluziv nga Sekretari i Mbrojtjes dhe udhëheqësit ushtarakë amerikanë në rast të një konflikti bërthamor.

Si funksionon?

Një nga veçoritë e tyre, është se janë rezistente ndaj impulsit elektromagnetik të shkaktuar nga një shpërthim i një bombe elektromagnetike, e aftë për të vënë në pozicion jashtë funksioni të gjitha pajisjet normale. Avionët në fakt janë pajisur posaçërisht vetëm me teknologji analoge për të lejuar funksionimin e tyre në këto raste ekstreme. E4-B është në gjendje të qëndrojë në ajër për disa ditë vazhdimisht dhe është i pajisur me mbi 65 antena për të lejuar komunikimin me nëndetëse, avionë të tjerë ose linja fikse në të gjithë botën në çdo rrethanë.

/abcnews.al

Continue Reading

Lajmet

Joseph: Vendimi i Hagës është shokues, Serbia do ta përdorë për ta diskredituar UÇK-në

Published

on

By

Profesori i Universitetit “Johns Hopkins”, Edward P. Joseph, e ka cilësuar si shokues verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë, e cila i dënoi me 81 vjet burgim në total katër ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Në një intervistë për televizionin “ABC News”, Joseph paralajmëroi se Serbia, së bashku me aleatët e saj strategjikë si Rusia dhe Kina, do ta shfrytëzojnë këtë vendim si një mjet politik për të dëmtuar imazhin e Luftës Çlirimtare dhe për ta izoluar edhe më tej Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Kjo gjë do të përdoret nga Serbia si mjet për të diskretituar UÇK-në dhe veprimtarinë e saj. Do të përdoret nga Rusia dhe Kina, të cilat do përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën. Ne kemi parë këtë muaj në Serbi se si është nderuar imazhi i këtij personazhi, kemi parë ceremoni dhe është përdorur gjuhë urrejtjeje në Beograd. Dënimi i shqiptuar sot nuk është fare i barabartë me dënimet që kanë marrë figurat serbe që kanë kryer krime”, theksoi Joseph.

 

Continue Reading

Lajmet

DW: Çfarë do të thotë vendimi i Hagës për UÇK-në?

Published

on

By

A e ndryshon vendimi i Hagës mënyrën si duhet parë UÇK-ja? Historiani Konrad Clewing flet për fajin individual, luftën e Kosovës dhe kufijtë e gjykimit historik.

DW: Zoti Clewing, Gjykata Speciale i shpalli Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin fajtorë për krime lufte, ndërsa i liroi nga akuzat për krime kundër njerëzimit. Si e vlerësoni këtë vendim si historian?

Konrad Clewing: Nga njëra anë, gjykata arriti më mirë se prokuroria të dallojë përgjegjësinë individuale të të akuzuarve. Prokuroria kishte kërkuar nga 45 vjet burg për secilin prej të katërve. Gjykata tani bën një diferencim më të madh dhe arrin në dënime shumë të ndryshme. Megjithatë, për mua si historian mbetet një vështirësi themelore. Gjykata vazhdon të punojë me konceptin e “Joint Criminal Enterprise”, pra të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Dhe këtu, sipas meje, ekziston rreziku që përgjegjësia individuale dhe përgjegjësia e një grupi të shkrihen sërish me njëra-tjetrën. Dhe  sipas mendimit tim, vendimi nuk e merr sa duhet parasysh strukturën e veçantë të një lufte guerile.

DW: Në ç’kuptim?

Clewing: Një pikë që mua, si historian, më duket veçanërisht e çuditshme është kjo: në rastin e Thaçit, gjykata cakton një dënim individual prej 15 vjetësh për arrestim dhe privim lirie të paligjshëm ose arbitrar. Këtë e konsideroj historikisht të rëndësishme. Si mund të veprojë ushtarakisht një forcë guerile që nuk mund të marrë askënd rob?

Një pikë e dytë lidhet me dënimin e Rexhep Selimit. Sipas mënyrës se si e lexoj unë arsyetimin e vendimit, atij i atribuohet përgjegjësi edhe për faktin se ka marrë pjesë në ndarjen e zonave operative dhe, si rrjedhojë, edhe për burgjet e paligjshme që ekzistonin në këto zona. Si historian, këtu shoh një problem: vetë fakti që dikush ka marrë pjesë në ndarjen e zonave ushtarake nuk mund të përbëjë krim në vetvete. Vendimtare është se çfarë përgjegjësie konkrete ka pasur ai për burgjet e paligjshme dhe për krimet e kryera aty.

Interesante ishte edhe se gjatë caktimit të dënimit, gjykatësi tha se lartësia e dënimeve duhet të japë edhe një sinjal për komunitetin ndërkombëtar dhe jurisprudencën ndërkombëtare. Natyrisht, është e rëndësishme të thuhet: dhuna e paligjshme dhe vrasjet ndëshkohen. Por nuk mund të jetë qëllimi që luftërat partizane dhe guerile të bëhen praktikisht të pamundura. Përndryshe, edhe dikush që bën rezistencë për një kauzë sado të drejtë do ta kishte pothuajse të pamundur të merrte përgjegjësi ushtarake në një luftë guerile.

DW: Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Brendshëm, Ivica Dačić, e sheh këtë vendim si dëshmi se UÇK-ja ka qenë një “organizatë kriminale dhe terroriste”. A fiton me këtë vendim më shumë peshë edhe narrativa e Milosheviçit për luftën?

Clewing: Vetë gjykata thotë se nuk ka gjykuar legjitimitetin e luftës. Dhe ajo nuk është përpjekur as t’i vërë krimet e UÇK-së në peshore me krimet e forcave serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.Ky vendim përcakton përgjegjësinë individuale të personave konkretë. Nga kjo nuk mund të nxirret automatikisht një vlerësim historik për gjithë luftën. Edhe pavarësia e Kosovës, sipas meje, nuk preket në legjitimitetin e saj nga ky vendim. Shumica shqiptare në Kosovë, pas viteve të represionit, kishte arsye shumë të forta për të mos dashur më të ishte pjesë e Serbisë. Në këto arsye historike vendimi i sotëm nuk ndryshon asgjë.

DW: Gjermania i ka mbështetur politikisht dhe financiarisht Dhomat e Specializuara të Kosovës. A çon ky vendim tani në një rivlerësim të bashkëpunimit të atëhershëm të Perëndimit me UÇK-në?

Clewing: Së pari duhet parë kronologjia. Pjesa dërrmuese e veprave për të cilat ata janë dënuar tani kanë ndodhur në pranverën e vitit 1999. Para kësaj, me sa shoh unë, kishte vetëm pak raste relevante. Nëse do të thoshim se që atëherë duhej thënë: me ju nuk bashkëpunojmë, sepse jeni kriminelë, atëherë do ta bënim kusht për bashkëpunimin që një palë në luftë t’i kishte duart krejtësisht të pastra. Në një luftë është praktikisht e pamundur t’i mbash duart krejtësisht të pastra. Prandaj edhe këtu duhet parë dinamika e përgjithshme e luftës: kronologjia, krimet e palëve të ndryshme dhe pyetja se me kë bashkëpunon në këto rrethana dhe kujt i jep mbështetje.

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Walker: Ditë e kobshme për Kosovën, vendimi i Hagës me ka mërzitur thellë

Published

on

By

Diplomati amerikan në pension, William Walker, e ka cilësuar si “ditë të kobshme” për Kosovën aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një prononcim për Klan Kosova, Walker u shpreh i tronditur nga verdikti i sotëm, ndërsa lëshoi kritika të ashpëra ndaj Bashkimit Evropian për pasivitetin e treguar gjatë periudhës së luftës.

“Dua ta pyes Bashkimin Evropian: ku ishit para se të niste lufta, kur serbët i keqtrajtuan në format më mizore kosovarët? Përpos deklaratave, asgjë më serioze. Ju desh NATO-s, Albrightit e Clarkut që të angazhoheshit seriozisht. Kishte dhunime, trajtime mizore”, deklaroi diplomati amerikan.

Walker kontestoi ashpër procesin gjyqësor, duke shprehur shqetësimin se fati i liderëve të UÇK-së po vendoset nga njerëz që nuk e njohin realitetin e Kosovës.

“Ata po mundohen që përmes gjyqtarëve e avokatëve që s’dinë asgjë për Kosovën t’i gjykojnë liderët kosovarë të UÇK-së. Është ditë e kobshme dhe shumë e rëndë. U mërzita shumë me vendimin”, përfundoi Walker.

Continue Reading

Lajmet

Pjesë e objektit të EULEX-it përfshihet nga zjarri në protestën kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Një pjesë të objektit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX, në Prishtinë e përfshiu zjarri të mërkurën vonë, pasi demonstruesit e sulmuan me mjete piroteknike, teksa protestonin kundër dënimit me burgim për krime të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Gjykata Speciale e vendit në Hagë, njoftoi policia.

Qindra njerëz ishin mbledhur në kryeqytet qysh të mërkurën në mëngjes për ta përcjellë në ekran shqiptimin e aktgjykimit kundër Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Trupi gjykues i shpalli fajtorë ata për krime lufte dhe i dënoi Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim secilin, ndërsa Veselin me 18 dhe Selimin me 13.

Qytetarë të pakënaqur me aktgjykimin protestuan dy herë pranë objektit të EULEX-it.

EULEX-i ka rol mbështetës ndaj Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, të cilave u ofron mbështetje logjistike dhe operacionale, ndërsa BE-ja është financuesja kryesore e tyre.

Policia tha se rreth orës 22:30, një numër i caktuar i protestuesve, të cilët kishin qenë duke protestuar pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, kishin lëvizur sërish në drejtim të bazës së EULEX-it në rrugën Prishtinë-Fushë Kosovë.

Ata e bllokuan rrugën pranë hyrjes në kompleksin e EULEX-it dhe filluan të hidhnin gjësendeve të ndryshme, “mjeteve të forta dhe mjeteve piroteknike, ku si pasojë e këtyre të fundit, një pjesë e objektit është kapluar nga një zjarr i vogël”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia tha se zjarri u shua menjëherë. Nuk pati të lënduar.

Protesta përfundoi pak pas mesnatës dhe kaloi ka ndonjë incident të madh dhe pa lëndime, theksoi policia.

“Zyrtarët policor në vazhdimësi kanë biseduar me protestuesit dhe kanë kërkuar që të protestojnë në mënyrë të qetë, të mos hedhin gjësende dhe mjete të rrezikshme drejt objekteve shtetërore”, thuhet në njoftim.

Policia tha se do t’i vazhdojë praninë dhe patrullimet në terren për të garantuar rend kushtetues dhe siguri publike në gjithë vendin.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i gjykatës.

Dënimi me burgim i ish-krerëve të UÇK-së, të cilët pritet të ankohen në Apel, u kritikua ashpër në Kosovë, ku ata shihen si heronj kombëtarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi aktgjykimin si padrejtësi të papranueshme.

“Edhe pse aktgjykimi mund të jetë shpallur formalisht në emër të popullit të Kosovës, kjo formulë boshe nuk duhet të ngatërrohet me vullnetin e popullit”, tha Kurti në një deklaratë.

Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Kjo gjykatë është jopopullore në vend dhe kundër saj ka pasur protesta të vazhdueshme qëkurse katër ish-krerët e UÇK-së u arrestuan më 2020. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara