Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar vendimin për përcaktimin e pagës mesatare me qëllim të kompensimit të pushimit të lehonisë nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ndërsa, është votuar edhe vendimin për hartimin e Planifikimit Hapësinor për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Sqarime rreth vendimit dha ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i cili tha se me Ligjin e Punës parashihet që për çdo grua që lind, në gjashtë muajt e parë, punëdhënësi obligohet të mbulojë shtatëdhjetë për qind (70%) të pagës, ndërsa pjesa tjetër e pushimit të lehonisë prej tre muaj me pagesë të pesëdhjetë për qind (50%) të pagës mesatare nga qeveria.
“Deri tani aktualisht paga referencë që është marr ka qenë 223 euro ka qenë për lehonat e punësuara, ndërsa kjo po rritet m vendimin e sotëm duke marr për bazë pagën e re minimale 689 euro i bie apo përkthehet se 50% e këtij niveli është 319.5 euro. Pra, pas 6 muajve që merr 70% të pagës në pushimin e lehonisë çdo grua do t’i marrë edhe këta tre muaj në vlerë në 319.5 euro për secilin muaj”, theksoi ai.
Ministri në detyrë i Financave, Murati tha se kostoja për të mbuluar koston e rritjes edhe për 55 euro për pagat në sektor publik është tridhjetenjë milionë euro (31.2 milionë euro).
“Në tërësi pra kostoja është 31 milionë e 261 mijë e 385.93 euro, pra është 31.2 milionë euro kostoja që do të shpërndahet nëpër organizata buxhetore për të mbuluar koston e rritjes edhe për 55 euro të tjera”, tha ai.
Në këtë mbledhje të sotme Qeveria në detyrë votoi edhe vendimin për hartimin e Planifikimit Hapësinor për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Kompleksi Memorial “Adem Jashari” përfaqëson një ndër proceset më delikate dhe më të rëndësishme të Kosovës.
“Ky kompleks përfaqëson një ndër proceset më delikate dhe më të rëndësishme për Republikën tonë, master plani i cili është në fazën e hartimit nga një studio e profesionistëve ndërkombëtarë në bashkëpunim me ata vendorë synon ta shndërrojë kompleksin në një nga qendrat më të rëndësishme të kujtesës në botë. Përveç projekteve për konzervim, restaurim dhe interpretim parashihet edhe hartimi i dokumenteve, planifikimit hapësinor të cilat do të mundësojnë zhvillimin e një koncepti koherent dhe multidisiplinar për organizimin hapësinor dhe urban të kompleksit”, tha ai.
Arsyetimin për votim të këtij vendimi e dha edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në detyrë, Liburn Aliu i cili tha se afati për zbatimin e tij është së paku tetë vjet.
“Ky dokument përbën një nga aktet më të rëndësishme strategjike në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë historike të lidhur ngushtë me identitetin kombëtar dhe zhvillimin e qëndrueshëm të planit hapësinor. Plani hapësinor për kompleksin memorial “Adem Jashari” përfaqëson një dokument të planifikimit hapësinor të planit qendror… Plani hapësinor do të hartohet në kuadër të kontratës për hartimin e masterplanit për ndërtimin e Kompleksit Memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz në bashkëpunimin me MMPH dhe MKRS-në . Afati i tij i zbatimit është së paku 8 vjet”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë në detyrë u miratua edhe rregullorja për trajnimin dhe testimin e detyrueshëm, si dhe Certifikimi i Inspektorëve të Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo po bëhet me qëllim të vendoset rend dhe ligj.
“Reformimi i fushës së inspektimeve po bëhet me rregulla të qarta të punës e me vullnet të madh për të vendosur rend e ligj në çdo cep”, deklaroi ai.
Ekzekutivi në detyrë ka miratuar edhe rregulloren për procedimin e pranimit në shërbimin civil e cila ka synim të sigurojë proces të hapur dhe të bazuar në meritokraci.
Po ashtu, gjatë mbledhjes u miratua vendimi preliminar për shpronësim të pronave të paluajtshme për projektin “Ndërtimi i Qarkores së Jashtme të Qytetit të Gjilanit dhe Kyçja e Rrugës Nacionale N25.2 dhe N25.3 deri te autoudha R7.1” si dhe vendimi për shpronësim të pronave të paluajtshme ish-shoqërore “Mekanizmi”, që menaxhohet dhe administrohet nga AKP-ja./kp