Lajmet

BE e shqetësuar: Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen e Ohrit

Published

on

Shqetësim në BE pas qëndrimit të Beogradit, se nuk do të zbatojë pika të Marrëveshjes së Ohrit që u arrit në kuadër të dialogut me Kosovën. Prishtina i kërkon BE-së të “heqë dorë nga politika e zbutjes së Serbisë”.

Letra e autoriteteve serbe drejtuar Bashkimit Evropian, se Serbia nuk do ta njohë de facto Kosovën, ashtu siç i kërkohet, se nuk e respekton integritetin e saj territorial, sikundër nuk do të pajtohet për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat përcjellëse të saj ka ngritur shqetësim në BE. Kjo sepse me të bëhet i qartë moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, e dakorduar në fillim të këtij viti në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Reagimi i BE

Për Bashkimin Evropian, marrëveshja e Ohrit, ndonëse nuk është nënshkruar nga palët, ajo cilësohet ligjërisht e obligueshme. “Marrëveshja në tërësi mbetet ligjërisht obliguese, dhe se palët ishin pajtuar për këtë në Ohër. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugëtimit përkatës evropian”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian, thanë se “marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët dhe se zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane”. Kjo kërkohet nga deklarata e përbashkët nga takimi i fundjavës së shkuar i nivelit të lartë të BE-së me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, ku u tha se “BE-ja kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. “U bëjmë ftesë të dyja palëve që në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe aneksin e saj, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara, pa asnjë vonesë të re dhe pa parakushte”, thuhet në deklaratën në pjesën që i kushtohet raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Brnabiq: Pajtimi me deklaratën nuk përfshin pajtimin për anëtarësimin e Kosovës në OKB

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, deklaratën e Samitit të BE-së, e cilësoi “një deklaratë politike që nuk është ligjërisht e detyrueshme”. “Marrëveshja konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshihet njohja de facto apo de jure e Kosovës. Pajtimi me deklaratën nuk përfshin pajtimin për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në sistemin e organizatave dhe agjencive të OKB-së, e as të ashtuquajturën tërësi tokësore të Kosovës”, thuhet në një njoftim nga zyra e kryeministres së Serbisë.

Sipas zëdhënësit të BE, Stano, Marrëveshja dhe aneksi për zbatim “janë bërë ligjërisht obliguese përmes komunikatës me shkrim të përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell, më 18 mars 2023”.

Por, sipas kryeministres se Serbisë, Ana Bërnabiq, kjo deklaratë “konsiderohet si ligjërisht joobliguese”, dhe se “nuk e ka peshën e marrëveshjes ndërkombëtare, sipas së drejtës ndërkombëtare”. “Kosova është pjesë integrale e Republikës së Serbisë, nën administrim ndërkombëtar, në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë Bërnabiq.

Reagimi nga Prishtina

Autoritetet e Prishtinës reaguan pas refuzimit të Serbisë që ta zbatojë marrëveshjen e Ohrit, duke i kërkuar komunitetit ndërkombëtar që siç thonë “të heq dorë nga politika e zbutjes së Serbisë”. “Serbia shprehimisht shpreh refuzimin e saj për të zbatuar dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar. Tani nevojitet një ndryshim thelbësor”, shkroi në platformën X, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

“Serbia me këtë letër edhe një herë u tregua destruktive”

Por, si e shohin analistët politik refuzimin e Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe këtë zhvillim të ri në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Gazmir Raci, analist politik i tha DW-së se “Serbia me këtë letër edhe një herë u tregua destruktive duke u tërhequr nga ajo që e ka pranuar në procesin e dialogut”, dhe me këtë, ‘ia përplasi në fytyrë’, BE-së gjithë dokumentet dhe angazhimin gati 15-vjeçar në procesin e dialogut.

“Në samitin e fundit u tha që të gjitha obligimet e dala nga dialogu do të jenë pjesë edhe e kapitullit 35 për Serbinë në rrugëtimin e saj për në BE. Ai kapitull që nga fillimi ka qenë kryekëput për obligimet që i ka Serbia në raport me normalizimin e raporteve me Kosovën. Kapitulli 35 tashmë po përditësohet edhe me kërkesën e dalë nga plani Franko-Gjerman për njohjen de-facto të Kosovës nga Serbia. Edhe deklarata e Kancelarit Gjerman, Presidentit Macron dhe Kryeministres Italiane Meloni, pas takimit të fundit me Kurtin dhe Vuçiqin, ishte që Serbia tashmë de-facto duhet ta njoh Kosovën”, tha analisti Raci.

Edhe një analist tjetër Blerim Burjani, i tha DW-së se në vazhdimësi BE-ja është përballur me këtë qëndrim rezistues të Serbisë, por, shpresat dhe vullneti i BE-së për normalizim e tejkalon këtë kokëfortësi politike serbe. “Prandaj BE-ja e përsëritë se marrëveshja është obligative për zbatim, pra një obligim i pashmangshëm”.

Sipas analistit Burjani, Serbia në njërën anë shkon në dialog, ndërsa në anën tjetër refuzon zbatimin e marrëveshjes me Kosovën nëse nuk është në interes të saj. Prandaj, BE-ja sipas tij, “duhet të ndryshoj modalitetin e komunikimit me Serbinë, duhet të jetë politikisht me energjike dhe me insistuese”. “Serbia do politika neutrale ndaj zhvillimeve ndërkombëtare dhe do ta mbaj edhe Rusinë afër edhe ndihmat perëndimore apo relacionet me perëndimin. Politika neutrale është doktrinë e Vuçiqit. Mendojë se dialogu është komplikuar dhe trysnia me lehtë bëhet ndaj Kosovës sesa Serbisë. Qëndrimi i fundit i Serbisë paraqet problem të madh për normalizim të marrëdhënieve, prandaj BE-ja duhet mendoj saktë se çfarë do nga Serbia dhe t’ia bëjë më dije se do të ketë masa ekonomike në rast se nuk reflekton”, thotë Burjani.

Më 26 tetor të këtij viti, udhëheqësit e Gjermanisë, Kancelari Scholz, Presidenti i Francës Macron, kryeministrja e Italisë Meloni dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian, pas takimeve të ndara që zhvilluan në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Kosovës i kërkuan themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë, njohjen de fakto të Kosovës. Kjo përfshihet edhe në Marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas burimeve diplomatike nga BE-ja, thuhet se Këshilli Evropian do t’i kërkojë Komisionit Evropian, që të ndryshojë kriteret për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit të bëhet pjesë integrale e kapitullit të 35 për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimi Evropian. /DW/

Lajmet

United Hospital në shërbim të shëndetit të meshkujve – diagnostikimi i hershëm i kancerit të prostatës, prioritet i mjekësisë moderne

Published

on

By

Në një kohë kur diagnostikimi i hershëm përbën një nga faktorët më të rëndësishëm në luftën kundër sëmundjeve malinje, United Hospital, si një nga institucionet më të mëdha private shëndetësore në Kosovë, po promovon rëndësinë e kujdesit parandalues, diagnostikimit profesional dhe qasjes bashkëkohore ndaj shëndetit të pacientëve.

Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese Nëntori Blu, të dedikuar shëndetit të meshkujve, United Hospital vë në pah rëndësinë e kontrolleve të rregullta urologjike dhe zbulimit në kohë të kancerit të prostatës, një ndër sëmundjet malinje më të përhapura te meshkujt në nivel global. Sfida kryesore e kësaj sëmundjeje qëndron në faktin se në fazat fillestare mund të zhvillohet pa simptoma të dukshme, duke e bërë kontrollin parandalues një domosdoshmëri dhe jo thjesht një rekomandim shëndetësor.

Një rol të rëndësishëm në vlerësimin e shëndetit të prostatës ka analiza e PSA-së (Antigjeni Specifik i Prostatës), e cila realizohet përmes një analize të thjeshtë gjaku. Vlerat e rritura mund të sinjalizojnë ndryshime të ndryshme në prostatë, përfshirë zmadhimin beninj, inflamacionin apo mundësinë e një procesi malinj. Megjithatë, PSA-ja nuk përbën e vetme një diagnozë të kancerit, por është një instrument i rëndësishëm në vlerësimin e mëtejshëm nga specialisti i urologjisë.

Sipas rekomandimeve të Shoqatës Evropiane të Urologjisë (EAU), diskutimi për testimin e PSA-së mund të fillojë nga mosha 50-vjeçare te meshkujt me rrezik mesatar, ndërsa te ata me histori familjare të kancerit të prostatës rekomandohet të fillojë më herët, zakonisht nga mosha 45-vjeçare.

Me infrastrukturë moderne, teknologji bashkëkohore dhe staf profesional, United Hospital synon të ofrojë standarde të avancuara të shërbimeve shëndetësore, duke e vendosur pacientin, sigurinë dhe cilësinë e kujdesit në qendër të angazhimit institucional.

Mesazhi i këtij nëntori është i qartë: shëndeti nuk duhet të presë shfaqjen e simptomave. Kontrolli në kohë mund të bëjë dallimin vendimtar. Kujdesi për veten është përgjegjësi, ndërsa diagnostikimi i hershëm është një hap i rëndësishëm drejt trajtimit më të suksesshëm.

United Hospital – profesionalizëm, teknologji dhe përkushtim për shëndetin tuaj.

Nëntori Blu në United Hospital: Kontrolle të specializuara urologjike me paketa promocionale për zbulimin e hershëm të kancerit të prostatës

Në kuadër të fushatës ndërkombëtare “Nëntori Blu”, e cila i kushtohet ndërgjegjësimit për shëndetin e meshkujve dhe luftës kundër kancerit të prostatës, United Hospital ka ndërmarrë një iniciativë sensibilizuese dhe shëndetësore, duke ofruar dy paketa të veçanta kontrollesh urologjike me çmime promocionale.

Duke qenë se kanceri i prostatës mund të zhvillohet për një kohë të gjatë pa shfaqur simptoma të dukshme, diagnostikimi i hershëm dhe kontrollet periodike përbëjnë një element thelbësor në identifikimin e ndryshimeve patologjike dhe në përcaktimin e trajtimit të duhur. Në këtë drejtim, United Hospital synon të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe të lehtësojë qasjen e qytetarëve në shërbime profesionale diagnostikuese.

Nën kujdesin e Dr. Ardit Nelës, specialist i Urologjisë, pacientëve u ofrohen dy paketa të dedikuara për vlerësimin e shëndetit urologjik, të cilat përfshijnë vizitën specialistike, ekzaminimin ultrasonografik dhe analizat përkatëse laboratorike.

Paketa e parë urologjike, e cila nga çmimi i rregullt prej 70.50 euro ofrohet me çmim promocional prej vetëm 30 eurosh, përfshin:

Vizitë te specialisti urolog dhe ECHO (ultratingull).

Hemogram.

Ure dhe kreatininë.

Glikemi.

Analizë të urinës.

Analizën PSA.

Paketa e dytë urologjike, nga 72 euro në vetëm 30 euro, përfshin:

Vizitë te specialisti urolog dhe ECHO (ultratingull).

Hemogram.

Sedimentacion.

Analizë të urinës.

Urinokulturë me antibiogram.

Përmes kësaj oferte, United Hospital synon të ndërthurë ekspertizën profesionale, diagnostikimin bashkëkohor dhe qasjen më të lehtë të pacientëve në shërbimet shëndetësore, duke e vendosur parandalimin dhe kujdesin për shëndetin në qendër të vëmendjes.

Mesazhi i kësaj fushate është i qartë: mungesa e simptomave nuk nënkupton domosdoshmërisht mungesën e sëmundjes. Prandaj, kontrollet periodike dhe konsultat me specialistët mbeten hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit.

📞 Terminet dhe informatat: 046 60 70 70

📍 United Hospital – M2 Prishtinë–Ferizaj, kilometri i 7-të, Prishtinë

Për informata dhe termine:

Tel: 046 60 70 70

Lokacioni: M2, Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Pranim-dorëzimi i raporteve për vrasjen e Arlinda Zekajt përplas anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar

Published

on

By

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt ka mbajtur mbledhjen e radhës në Kuvendin e Kosovës, e cila pas diskutimeve publike ka vijuar punimet prapa dyerve të mbyllura.

Kryesuesi i komisionit, Burim Ramadani, njoftoi se Zyra e Kryeministrit i ka dorëzuar zyrtarisht raportet e kërkuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, duke hapur kështu rrugën për bashkëpunim institucional rreth përgjegjësive në këtë rast.

Mirëpo, dorëzimi i dokumenteve ka nxitur reagime të ashpra nga opozita. Anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, Eman Rrahmani, akuzoi ekzekutivin për pengim të hetimit dhe tentim të mbulimit të dështimeve të shtetit.

“Është situata që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit në vend që të duhet t’i ndihmojë këtij komisioni që të zbardhim gjithë dështimin e zinxhirit, po bëhet pengesë dhe manipulator i procesit… Unë e shoh se qasja e këtij grupi parlamentar, në përgjithësi, është për t’i mbuluar të metat dhe për të mos zbardhur dështimin e zinxhirit të shtetit për mbrojtjen jetën e një gruaje”, tha Rrahmani.

Nga ana e tij, kryetari Burim Ramadani është zotuar para mediave se procesi hetimor do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe mbi bazën e fakteve zyrtare. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

LDK reagon ndaj Presidencës: Largimi i fotos së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë është i papranueshëm

Published

on

By

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka cilësuar si të papranueshëm vendimin e Presidentes Shiroka-Pula për largimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova dhe të Deklaratës së Pavarësisë nga vendet e nderit në hapësirat e Presidencës.

Përmes një reagimi zyrtar, LDK-ja theksoi se Presidenca është institucion shtetëror ku duhet të nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar Republika. Sipas kësaj partie, trajtimi i simboleve të tilla historike si thjesht elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe cënon vazhdimësinë institucionale.

LDK-ja ka kërkuar rishikimin e menjëhershëm të këtij vendimi dhe rikthimin e fotografisë së Presidentit Ibrahim Rugova të vendosur nga ish-Presidentja Osmani si dhe të Deklaratës së Pavarësisë të vendosur nga ish-Presidenti Sejdiu në vendet e tyre zyrtare të nderit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kriza në MAGA: Pas humbjes në zgjedhje, republikanët fajësojnë Trumpin

Published

on

By

Humbja e rëndë e Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një valë pakënaqësie dhe pyetjesh të shumta brenda lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA), ku shumë mbështetës kanë filluar ta shohin presidentin Donald Trump më shumë si barrë se sa si aset politik.

Fitorja bindëse e demokratëve, të cilët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, erdhi si rrjedhojë e pakënaqësisë së votuesve me rritjen e çmimeve të karburantit, luftën në Iran dhe pretendimet për korrupsion në Washington.

Në vend të ndryshimit të kursit politik, Trump ka reaguar duke emëruar Stephen Miller, arkitektin e politikave të ashpra kundër emigracionit, në postin e shefit të stafit në Shtëpinë e Bardhë në vend të Susie Wiles. Ndërkohë, vetë Trump i hodhi poshtë përgjegjësitë duke deklaruar se po të kishte qenë ai vetë në fletëvotim, republikanët do të kishin fituar.

Debati ka përfshirë edhe pretendimet e mëparshme për manipulim zgjedhjesh, të cilat pothuajse janë shuar tërësisht mes figurave kryesore të së djathtës. Në vend të tyre, vëmendja është zhvendosur te premtimet e mbajtura, kostoja e lartë e jetesës, përfshirja në luftën me Iranin si dhe mospublikimi i plotë i dosjeve hetimore për Jeffrey Epstein.

Ndërsa figura si Steve Bannon bëjnë thirrje për një rikthim te politikat më radikale populiste dhe nacionale, aktivistë të tjerë dhe liderë fetarë shprehen se lëvizja duhet të shkëputet nga ndikimi i një njeriu të vetëm për të mbijetuar në të ardhmen./Reuters/

 

Continue Reading

Të kërkuara