Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe shefi i NATO-s, Mark Rutte, thanë se Rusia duhet të shmangë veprimet që “e zgjerojnë luftën” në Ukrainë.
Kështu u tha në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit që udhëheqësit zhvilluan në Floridë.
Takimi, të cilin e cilësuan si “të jashtëzakonshëm” dhe “shumë me ndikim”, u përqendrua në luftërat në Ukrainë dhe Iran, u tha në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, të publikuar pas bisedimeve me dyer të mbyllura në resortin Mar-a-Lago të Trumpit.
“Ne diskutuam po ashtu për rëndësinë që Rusia të shmangë çdo veprim që, me apo pa qëllim, e zgjeron luftën, si dhe për rëndësinë e arritjes sa më të shpejtë të një zgjidhjeje paqësore të luftës”, u tha në njoftim.
Thirrja e përbashkët e Trumpit dhe Ruttes vjen pas një takimi që udhëheqësi amerikan zhvilloi me presidentin rus, Vladimir Putin, në Kinë, ku e cilësoi atë si mik. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe udhëheqësi kinez, Xi Jinpng.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kundërshtuar komentet e Trumpit për Putinin.
“Për ne, ai është vrasës”, i tha Zelensky CNN-it.
Rutte u pyet për komentet e Trumpit në një intervistë për emisionin “Fox & Friends” të Fox News të mërkurën.
“Ajo që presidenti Trump po bën, përfshirë këtu takimin në Kinë, po teston Putinin”, tha shefi i NATO-s.
“Sa serioz është ai? A ka vullnet që të vijë në tavolinën e negociatave? A ka në të vërtet vullnet që të angazhohet në bisedime? Le ta mbajmë presionin ndaj tij. Mendoj se po funksionon dhe ne do ta vazhdojmë këtë qasje”.
Trump, pas takimit në Kinë, tha se gjatë bisedimeve Putin deklaroi se dëshiron që t’i japë fund luftës, që ka nisur më 2022, “përmes mjeteve diplomatike”.
Takimi në Florida vjen në kohën kur vendet evropiane kanë shprehur dëshirën për t’iu bashkuar bisedimeve, të cilat deri më tani kanë përfshirë vetëm Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë.
Rutte tha se çdo marrëveshje do të duhet të përfshijë garanci të sigurisë për Ukrainën.
“Kur lufta të përfundojë, qoftë me një marrëveshje paqeje, që është opsioni më i preferuar, apo nëse kjo nuk është e mundur, me një armëpushim afatgjatë, duhet të sigurohemi që Ukraina të ketë garanci të sigurisë në të ardhmen”, tha ai.
Por, gjëja më e rëndësishme, sipas Ruttes është që “ne duhet të sigurohemi që Ukraina të ketë atë që i duhet për të vazhduar luftën, të jetë e suksesshme dhe t’i bëjë presion maksimal rusëve”.
Trump dhe Rutte diskutuan gjithashtu për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen, gjë të cilën presidenti amerikan ua ka kërkuar vazhdimisht fuqive evropiane të NATO-s, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Bisedimet në Florida u zhvilluan po ashtu në kohën kur pritet që shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, të njoftojë në javët në vijim për një rishikim të pranisë së forcave amerikane në Evropë. /E.A/