Lajmet

Pandemisë COVID-19 po i vie fundi!

Rastet janë në rënie me -5 përqind në gjithë botën.

Published

on

Pandemia e COVID-19 u ngadalësua sërish këtë javë në të gjithë botën, duke vazhduar rënien e saj që filloi në fund të gushtit.

Rreth 400,000 raste të reja në ditë

Me 403,300 infektime të regjistruara çdo ditë në botë, këtë javë, treguesi është në rënie me -5 për qind, në krahasim me javën e kaluar.

Ulje në shumicën e rajoneve

Këtë javë, shumica e rajoneve të botës kanë parë një përmirësim të situatës së tyre epidemiologjike: -23 për qind e rasteve të regjistruara në Afrikë, -21 për qind në zonën e Amerikës Latine/Karaibeve, -19 për qind në Lindjen e Mesme, -16 për qind në Azi dhe – 14 për qind në zonën e SHBA-së/Kanadasë.

Evropa (+ 13 për qind) dhe Oqeania (+ 11 për qind) janë dy zonat e vetme ku situata ka vazhduar të përkeqësohet këtë javë.

Përshpejtim më i fortë

Gjeorgjia, ku 27 për qind e popullsisë ka marrë të paktën një dozë të vaksinës COVID-19, është vendi ku epidemia po përshpejtohet më së shumti (+ 79 për qind, 3 300 raste të reja në ditë), ndër vendet që kanë regjistruar në të paktën 1 000 infektime ditore gjatë javës së kaluar.

Pas këtij vendi kaukazian, përshpejtimet më të forta të javës janë kryesisht në vendet evropiane, Irlandë (+ 50 për qind, 1 700) dhe Holandë (+ 49 për qind, 2 500), ku më shumë se 70 për qind e popullsisë tashmë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, si edhe në Poloni (+ 42 për qind, 2 000) dhe Letoni (+ 42 për qind, 1 700), ku vetëm gjysma e popullsisë ka marrë tashmë një dozë.

Rëniet më të forta

Në të kundërt, Izraeli (-48 për qind, 1 600) është vendi me rënien më të fortë këtë javë, përpara Kubës (-32 për qind, 3 000), Guatemalës (-31 për qind, 1 400), Kosta Rikës (-29 për qind, 1 100) dhe Vietnamit (-25 për qind, 3 900).

Infektimet më të mëdha

SHBA-ja mbetet deri tani vendi me numrin më të madh të infeksioneve të reja në terma absolutë këtë javë (86 800 raste ditore, -14 për qind), përpara Britanisë së Madhe (38 700, + 13 për qind) dhe Turqisë (30 500, + 5 për qind).

Si pjesë e popullsisë, pa mikroshtetet, vendi me numrin më të madh të rasteve këtë javë është Letonia (623 për 100 000 banorë), përpara Serbisë (598) dhe Gjeorgjisë (585).

Vdekjet

SHBA-ja ka numrin më të lartë të vdekjeve ditore, 1 563 në ditë këtë javë, përpara Rusisë (967) dhe Meksikës (350).

Globalisht, vdekjet ditore vazhdojnë të bien (6 741 në ditë, -6 për qind).

Vaksinimi

Vendet që po vaksinojnë më shpejt këtë javë janë kryesisht në Amerikën Latine, Azi dhe Oqeani.

Kuba mbetet në krye, me 1,92 për qind të popullsisë së saj të vaksinuar çdo ditë.

Deri më sot, Emiratet e Bashkuara Arabe është vendi më i vaksinuar në botë, ku 86 për qind e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, përpara Portugalisë (85 për qind), Spanjës dhe Singaporit (me nga 78 për qind).

Lajmet

Protesta në Prishtinë vazhdon edhe në mbrëmje kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së

Published

on

By

Mijëra qytetarë po vazhdojnë të qëndrojnë në sheshet e Prishtinës edhe gjatë orëve të mbrëmjes, në shenjë proteste kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta e organizuar nga OVL-UÇK pason aktgjykimin ku Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Pjesëmarrësit po vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes thirrjeve për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

Policia e Kosovës po vazhdon të jetë prezente në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë, ndërsa situata në kryeqytet po vijon e qetë dhe pa incidente.

Continue Reading

Lajmet

United Hospital hap dyert për ekspertizën ndërkombëtare: Dr. Yoel Har Even sjell përvojën e tij në radiologji

Published

on

By

United Hospital po zgjeron bashkëpunimin me profesionistë ndërkombëtarë me përvojë dhe reputacion të afirmuar në fushën e mjekësisë, me synim forcimin e kapaciteteve diagnostikuese dhe ngritjen e mëtejshme të standardeve të shërbimeve shëndetësore.

Në kuadër të kësaj qasjeje, United Hospital ka pritur sot Dr. Yoel Har Even (Ph.D), figurë e njohur në mjekësinë ndërkombëtare dhe në menaxhimin e krizave shëndetësore. Sipas njoftimit të spitalit, raporti i tij me Kosovën daton që nga misionet e para mjekësore humanitare, ndërsa tashmë ai shpreh interesimin për të kontribuar edhe në vend si mjek radiolog.

Vizita në ambientet e United Hospital u përqendrua në diskutime profesionale lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve diagnostikuese, aplikimin e praktikave bashkëkohore në radiologji dhe iniciativat e ardhshme të institucionit.

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit pritet të zhvillohet gjatë muajit tetor, kur Dr. Har Even do t’i bashkohet sërish ekipit të United Hospital në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit.

Gjatë kësaj periudhe, eksperienca e tij profesionale pritet të vihet në shërbim të aktiviteteve që synojnë ndërgjegjësimin për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe kontrolleve të rregullta.

United Hospital

Hapja e dyerve për kuadro ndërkombëtare me përvojë të dëshmuar paraqet një tjetër dimension në strategjinë e United Hospital për të sjellë ekspertizë të specializuar dhe për të krijuar ura bashkëpunimi me profesionistë të mjekësisë nga jashtë Kosovës.

Me këtë qasje, institucioni synon që njohuritë dhe përvojat e ekspertëve ndërkombëtarë të ndërthuren me kapacitetet e stafit vendor, duke kontribuar në zhvillimin e shërbimeve moderne diagnostikuese dhe në ofrimin e kujdesit shëndetësor të orientuar drejt pacientit.

United Hospital e përmbyll mesazhin e tij me një thirrje për më shumë kujdes, parandalim dhe ndërgjegjësim për shëndetin.

Kontakti: 038 60 70 70 / 046 60 70 70
Lokacioni: M2 Prishtinë–Ferizaj, Km 7, Prishtinë, Kosovë./rajonipress/

Continue Reading

Lajmet

Kosova drejt Koresë së Jugut: Ekipi i UBT-së përfaqëson vendin në garën botërore të robotikës FIRST Global Challenge 2026

Published

on

By

Kanë mbetur edhe pak ditë kur ekipi i Kosovës do të niset për të përfaqësuar vendin në skenën botërore të robotikës. Në mesin e ekipeve më të mira nga e gjithë bota, Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit nga UBT në FIRST Global Challenge 2026, garën prestigjioze ndërkombëtare që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).

Këtë vit, gara zhvillohet në Incheon të Koresë së Jugut, nga 7 deri më 10 tetor, me temën “Igniting Innovation”. Kjo temë sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje inovative për adresimin e zjarreve të egra dhe ndikimit të tyre në natyrë, biodiversitet e komunitete.

Përfaqësimi i Kosovës i është besuar ekipit të UBT-së, i cili përbëhet nga gjashtë nxënës: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ekipi udhëhiqet nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me ekipin e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj.

Duke folur për përgatitjet intensive teknike e strategjike që po bëhen, mentorja e ekipit Elita Hajrizi theksoi përkushtimin e nxënësve.

“Ekipi ka filluar me përgatitjet që prej qershorit dhe përgatitjet e fundit po vazhdojnë edhe këtë javë. Që nga fillimi, ekipi ka treguar një angazhim, vullnet e pasion të madh për punën dhe besoj shumë se rezultatet e kësaj pune do të shihen edhe në garë në Kore. Sigurisht, synimi ynë kryesor është përfaqësimi i denjë i Kosovës dhe fitorja është pjesë e këtij synimi”, shprehet Hajrizi.

Përfaqësimi i këtij edicioni vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të Kosovës në edicionin e kaluar në Panamá, ku Elita Hajrizi u vlerësua me çmimin “Best Mentor” në nivel botëror. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, UBT vazhdon të mbetet lider në zhvillimin e talenteve të reja në STEM dhe në promovimin e potencialit të të rinjve kosovarë në skenën ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Lajmet

Prishtina sonte sërish në protestë, tubimi nis në orën 21:00

Published

on

Protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë vazhdojnë edhe sonte.

Në ditën e tretë të protestave, qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 21:00. Thirrja është bërë me moton “Jo në emrin tim!”.

Gjatë ditës së sotme, në orën 12:00, në të njëjtin shesh u mbajt protesta e organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku morën pjesë mijëra qytetarë. Tubimi përfundoi rreth orës 12:40, pa incidente.

Protesta e mbrëmjes pritet të nisë në orën 21:00, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar se do të jetë e pranishme për të garantuar rendin dhe sigurinë publike./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara