Lajmet

Pakistani thotë se “nuk dëshiron” përshkallëzimin e tensioneve me Iranin

Avionët luftarakë të Pakistanit kryen sulme ajrore ndaj caqeve të supozuara militante në Iran.

Published

on

Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Jalil Abbas Jilani, tha se vendi i tij “nuk ka interes apo dëshirë” për përshkallëzimin e tensioneve me Iranin, vendin fqinj, pas përleshjeve ndërkufitare të kësaj jave ku mbetën të vrarë të paktën 11 persona nga të dyja palët.

Avionët luftarakë të Pakistanit kryen sulme ajrore ndaj caqeve të supozuara militante në Iran, mëngjesin e 18 janarit, një sulm për të cilin Teherani tha se vrau të paktën nëntë persona, përfshirë gjashtë fëmijë dhe dy gra.

Jilani i tha homologut të tij turk, Hakan Fidan, gjatë një telefonate më 19 janar, se Pakistani kishte në shënjestër “kampet terroriste” që i përkisnin separatistëve baluçë “brenda Iranit”.

“Pakistani nuk ka interes apo dëshirë për përshkallëzim”, tha Jilani, sipas një deklarate të shkurtër që Ministria e Jashtme pakistaneze e lëshoi pas telefonatës.

Sulmet në provincën Sistan-Baluçestan erdhën pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit sulmoi provincën jugperëndimore pakistaneze të Baluçestanit më 16 janar, duke vrarë dy fëmijë.

Teherani tha se kishte në shënjestër grupin militant sunit, Jaish al-Adl, i cili është përcaktuar si një entitet terrorist nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara.

Komenti i Jilanit vjen ndërsa Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Pakistanit, i cili mbledh figurat më të larta civile dhe ushtarake të vendit, ka vendosur të mbajë një takim më 19 janar për të diskutuar ngecjen me Iranin.

Më 18 janar, Fidan foli me ministrin e Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, i cili shprehu dëshirën e vendit të tij për të “zgjeruar marrëdhëniet me vendet fqinje”.

Në Zahedan, kryeqyteti i provincës Sistan-Baluçestan të Iranit, protestuesit dolën në rrugë pas lutjeve të së premtes më 19 janar, për të dënuar atë që ata e përshkruan si “spastrim etnik” të popullit baluç.

Videot e shpërndara në mediat sociale nga Halvsh, një grup që monitoron shkeljet e të drejtave në provincën e varfër, treguan protestuesit duke brohoritur kundër udhëheqjes iraniane, IRGC-së dhe Pakistanit.

Sulmet kanë futur në krizë marrëdhëniet midis Iranit dhe Pakistanit të armatosur me armë bërthamore si dhe kanë kërcënuar ndezjen e një lufte në shkallë të plotë në rajonin e paqëndrueshëm, thonë ekspertët.

Pakistani tërhoqi ambasadorin e tij pas sulmeve të Iranit më 16 janar dhe i tha ambasadorit iranian, i cili ishte në Teheran në atë kohë, të mos kthehej në Islamabad.

Ndërsa kritikonte Islamabadin për shkallën e sulmit, Ministria e Jashtme e Iranit më 18 janar u duk se u përpoq të qetësonte shqetësimet për rritjen e tensioneve, me një ton pajtues në deklaratën e saj duke iu referuar Pakistanit si një “mik dhe vëlla”.

Kufiri poroz 900 kilometra midis Iranit dhe Pakistanit ka rezultuar i vështirë për t’u kontrolluar, duke lejuar të veprojnë grupe të ndryshme militante.

Më 16 janar, Iraku gjithashtu tërhoqi të dërguarin e tij nga Teherani pasi u vranë civilë në një sulm raketor të IRGC-së në rajonin autonom të Kurdistanit të Irakut.

Irani sulmoi me raketa atë që pretendoi se ishte “seli e spiunëve izraelitë” afër Konsullatës amerikane në Irbil të Irakut, dhe shënjestroi caqe të lidhura me grupin militant, Shteti Islamik, në veri të Sirisë./REL

Lajmet

IKShPK: Vaksinat kundër gripit sezonal arrijnë më 21 tetor, vonesa shkaktohet nga ndryshimet globale

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar qytetarët se kontingjenti i vaksinave kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të mbërrijë në Kosovë më 21 tetor 2026.

Sipas IKShPK-së, procesi ndërkombëtar i prodhimit të vaksinave për hemisferën veriore ka pësuar vonesa globale për shkak të ndryshimeve në përbërjen e shtameve të rekomanduara. Këto ndryshime ushtruan ndikim të drejtpërdrejtë në afatet e furnizimit si në nivel global ashtu edhe në vendet e rajonit, duke bërë që mbërritja e tyre në Kosovë të shtyhet për 21 ditë nga afati i parashikuar.

Instituti bëri me dije se po përcjell nga afër këtë proces dhe se me të pranuar kontingjentin do të njoftojë publikun për nisjen zyrtare të procesit të imunizimit.

“IKShPK po përcjell nga afër procesin e furnizimit dhe, pas pranimit të vaksinave, do të njoftojë qytetarët dhe institucionet shëndetësore për fillimin e vaksinimit kundër gripit sezonal. Qytetarët do të informohen në kohë për vendet dhe oraret e vaksinimit, pas përfundimit të procedurave të pranimit dhe shpërndarjes së vaksinave në institucionet shëndetësore”.

Me këtë rast, IKShPK u ka shprehur falënderim qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë kësaj periudhe.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia kërcënon NATO-n me armë bërthamore për rajonin e Kaliningradit

Published

on

By

Rusia i ka dërguar një paralajmërim të ashpër NATO-s, duke bërë të ditur se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e saj ushtarak, përfshirë armët bërthamore, nëse aleanca perëndimore ndërmerr hapa për të izoluar apo shkëputur enklavën ruse të Kaliningradit.

Në një dokument konfidencial (“non-paper”) të dërguar NATO-s, të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters, Moska akuzon aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur” që rrit rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.

Në dokumentin diplomatik joformal, Moska bën të qartë se përgjigja ushtarake mund të përfshijë goditje të drejtpërdrejta brenda territorit të vendeve anëtare të NATO-s që nga fillimi i çdo përshkallëzimi:

“Rusia do të jetë gati të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, duke përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje që synon izolimin e Rajonit të Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit.”

Dokumenti nëvizon gjithashtu mundësinë e “sulmeve ruse kundër qendrave të vendimmarrjes në shtetet anëtare të aleancës që nga fillimi i konfliktit.”

Përveç paralajmërimit konfidencial, ambasadat ruse në të paktën tre shtete evropiane kanë lëshuar deklarata publike gjatë tre ditëve të fundit. Ato akuzojnë NATO-n për nxitje të tensioneve përmes stërvitjeve ushtarake dhe skenarëve operativë që përfshijnë Kaliningradin — territorin e militarizuar rus që ndodhet gjeografikisht midis Polonisë dhe Lituanisë.

Nga ana tjetër, diplomatët rusë hodhën poshtë pretendimet e vendeve perëndimore se Moska përbën kërcënim apo se po përgatit sulm ndaj ndonjë anëtari të NATO-s, si dhe mohuan akuzat për udhëheqjen e një “lufte hibride” përmes sabotimeve në Evropë. Sidoqoftë, pala ruse nënjëzogoi se çdo cenim ndaj Kaliningradit do të përballet me “përgjigjen më të fortë të mundshme”.

 

Continue Reading

Lajmet

15 profesorë të UBT-së renditen të parët në Kosovë në Scholarly Index 2026

Published

on

By

UBT ka shënuar rezultate të rëndësishme në Scholarly Index Top1000 Scholar 2026, ku 15 profesorë të universitetit janë renditur në vendin e parë në Kosovë në të paktën një temë kërkimore.

Në mesin e tyre janë:

Alban Kuriqi, Hyrije Koraqi, Ridvan Peshkopia, Visar Krelani, Gazmend Temaj, Pajtim Bytyçi, Burhan Reshat Rexhepi, Milaim Berisha, Kujtim Lepaja, Demokrat Nuha, Xhevahire Millaku, Liridon Kryeziu, Alfred Marleku, Nuredin Lutfiu dhe Kristina Perkola.

Këto renditje mbulojnë fusha të ndryshme të kërkimit, përfshirë inxhinierinë, ujërat dhe mjedisin, biznesin, shkencat sociale, shkencat ushqimore, arsimin, gjuhësinë dhe fusha të tjera.

Në nivel ndërkombëtar, profesorët e UBT-së kanë arritur gjithashtu pozita të larta. Prof. Dr. Alban Kuriqi ka shënuar pozitën më të lartë globale në mesin e profesorëve të UBT-së të paraqitur në këto renditje, duke u renditur i 8-ti në botë në temën “Hydrology and Sediment Transport Processes” për periudhën 2021–2025.

Po ashtu, Kristina Perkola është renditur #71 në botë, ndërsa Burhan Reshat Rexhepi #81, në temat e tyre përkatëse.

Këto rezultate tregojnë një prani të fortë të profesorëve të UBT-së si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, dhe përforcojnë dukshmërinë e universitetit në kërkimin shkencor.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT zhvillon sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e AI-së

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së është mbajtur dje një sesion informues për Kualifikimin Profesional Zhvillues i Aplikacioneve me Integrimin e Inteligjencës Artificiale, ku studentë dhe të interesuar të tjerë u njohën nga afër me programin, mundësitë profesionale dhe infrastrukturën moderne që ofron UBT.

Studentët u mirëpritën nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, si dhe Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, dhe Drejtori i Infrastrukturës, Murat Retkoceri, ku prezantuan programin dhe mundësitë që ai ofron, ndërsa pjesëmarrësit vizituan ambientet e laboratorëve dhe u njohën nga afër me pajisjet dhe teknologjitë moderne që do të përdoren gjatë ligjëratave, ushtrimeve dhe punës praktike.

Programi i mbështetur nga Regional Challenge Fund, synon zhvillimin e aftësive profesionale në fushën e zhvillimit të aplikacioneve, duke e integruar Inteligjencën Artificiale në procesin e të nxënit dhe praktikës profesionale. Kualifikimi Profesional Zhvillues i Aplikacioneve është e orientuar drejt përgatitjes së profesionistëve për role në industrinë e teknologjisë së informacionit dhe zhvillohet në katër semestra.

Përmes këtij programi, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi praktike në teknologji, programim dhe Inteligjencë Artificiale, krahas studimeve të tyre, në një mjedis të pajisur me infrastrukturë moderne dhe teknologji bashkëkohore.

Continue Reading

Të kërkuara