Informacionet e reja të inteligjencës amerikane tregojnë se Irani po harton plane për të shënjestruar zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump, përmes shpërthimit të një të ashtuquajture “bombe të pistë” ose një arme kimike në Washington DC, kanë bërë të ditur për CNN shtatë zyrtarë amerikanë.
Burime në dijeni të këtyre të dhënave i kanë përshkruar planet iraniane, të paktën në këtë fazë, si përpjekje për të krijuar alternativa veprimi dhe jo si shenjë se një sulm është i pashmangshëm. Megjithatë, dy prej burimeve theksuan se planet e zbuluara janë mjaft konkrete dhe përfshijnë lokacione e objektiva të caktuara, duke nxitur një sërë përgatitjesh emergjente dhe takimesh parandaluese nga autoritetet amerikane gjatë javës së kaluar.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, deklaroi se SHBA-ja po monitoron çdo rrezik të mundshëm, duke shtuar se aktualisht “nuk ka kërcënime të besueshme ndaj territorit amerikan”. Nga ana tjetër, zyrtarët amerikanë e shohin këtë planifikim aktiv të Teheranit brenda territorit të SHBA-së si një shenjë alarmante të gatishmërisë së Iranit për të përshkallëzuar situatën, nën presionin e sulmeve të vazhdueshme ushtarake amerikane dhe bllokadës ekonomike ndëshkuese.
Ndonëse nuk ka prova se Teherani ka vendosur t’i vërë në zbatim këto plane — dhe sipas njërit prej burimeve mbetet ende e paqartë nëse Irani ka personelin e nevojshëm në terren për t’i realizuar — kërcënimet kanë sjellë masa të shtuara sigurie. Si pasojë, Shërbimi Sekret amerikan e zhvendosi javën e kaluar sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, në një objekt banimi ushtarak.
Këto zbulime vijnë në një moment kur bisedimet diplomatike për përfundimin e konfliktit po vazhdojnë me vështirësi, ndërsa presidenti Trump deklaroi javën e kaluar se lufta do të përfundonte “shumë shpejt”. Planet e Iranit për të goditur zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë, përfshirë edhe komplotin e zbuluar në vitin 2024 për vrasjen e Trumpit, kanë ekzistuar që nga mandati i tij i parë, por deri më tani ishin përqendruar kryesisht në shënjestrimin e tyre jashtë territorit amerikan.





