Opinione

“(PA) PARASHIKUESHMËRIA E NJË KONFLIKTI”

Published

on

(Përdorimi i sistemeve balistike, raketave hipersonike, mundësisë së përdorimit të armëve nukleare, intensiteti i përplasjes Israel – Iran, i mbështetur nga ShBA, prag i një përshkallëzimi, konflikti rajonal me efekt global)

Shkruan: Prof. Dr. Bahri Gashi

Luftërat botërore rrallëherë kanë filluar si projekte të drejtpërdrejta për një përplasje globale. Të nisura nga kriza dypalëshe më pas janë shndërruar në rajonale, e që më pas janë përshkallëzuar gradualisht, duke tërhequr në konflikt edhe akterë gjithnjë e më të mëdhenj.

Sot, përplasja midis Izraelit- ShBA -së dhe Iranit po shpërfaq shumë nga dimensionet e një krize kritike luftarake me efekte thuajse apokaliptike sesa neutralizimin e një objektivi të vetëm, që mund të tejkalojë kufijtë e Lindjes së Mesme.

Për dekada me radhë rivaliteti midis dy shteteve, Iranit dhe Izraelit është zhvilluar në mënyrë  johumane, indirekte, hibride dhe në kundërshtim të hapur: përmes operacioneve të fshehta, eliminimit, sabotimit, sulmeve kibernetike dhe përplasjeve përmes akterëve të ndërmjetëm përgjatë historikut të tyre kundërshtues, deri në përballjen luftarake ajrore 12-ditore vitin e kaluar. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë për një situatë shumë më komplekse me operacione dramatike në një epokë të transformimit të rëndësishëm strategjik.

Së fundmi, e nisur nga lufta e fshehtë  e survejimit përmes spiunazhit nga brenda, në një konfrontim të hapur, inkursion të befasishëm ushtarak, me eliminimin e liderëve kryesorë në pak sekonda, që në orët e para të sulmit mbi Iranin, përdorimi i kapaciteteve të avancuara të sistemeve të dronëve dhe raketave – armëve shkatërruese midis dy vendeve, përbënë luftën më shkatërrimtare që nga paslufta e dytë botërore.

Një dimension i ri dhe shumë i rrezikshëm i këtij konflikti është përdorimi dhe demonstrimi i teknologjive të avancuara balistike, veçanërisht raketave me shpejtësi hipersonike. Irani ka investuar për dekada në zhvillimin e një arsenali; Droni kamikaz  bombardues dhe sisteme autonome raketore që përfshin raketa balistike me rreze të mesme dhe të gjatë, të afta të godasin objektiva në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme me një perimetër – rreze veprimi dhe më të gjerë. Midis tyre përmenden sisteme të avancuara si Shahab, Sejjil dhe Khorramshahr, të cilat janë projektuar të transportojë koka luftarake me eksplozivë konvencionalë ose potencialisht biologjikë, kimikë apo bërthamorë në distanca mbi 1,500 dhe mbi 2,000 kilometra. Ky program raketor iranian është i bazuar kryesisht në modele të Koresë së Veriut dhe Rusisë, me ndihmë të verifikuar nga Kina.

Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), Irani zotëron disa raketa me rreze të gjatë që mund të arrijnë Izraelin, dhe cilin do shtet të vendeve arabe dhe më tej; përfshirë: Sejil – 2.000 km, Emad – 1.700 km, Ghadr – 2.000 km, Shahab-3 – 1.300 km, Khorramshahr – 2.000 km, Hoveyzeh – 1.350 km.

Irani në konflikt ka lansuar një brez të ri sistemesh të armëve, si; raketat hipersonike, të cilat lëvizin me shpejtësi mbi (Mach 5) pesë herë më të shpejt se zëri dhe kanë aftësi manovrimi në fazën e fluturimit mbi 6,000 km/h. Një nga sistemet më të përmendura është raketa hipersonike Fattah, e cila sipas deklarimeve iraniane është projektuar për të depërtuar sistemet komplekse moderne të mbrojtjes ajrore.

Rreziku strategjik i armëve hipersonike lidhet me faktin se ato janë shumë më të vështira për t’u interceptuar nga sistemet tradicionale të mbrojtjes raketore. Ato fluturojnë në trajektore më të ulëta se raketat balistike dhe mund të ndryshojnë trajektore – drejtim gjatë fluturimit aerodinamik, duke reduktuar kohën e reagimit të sistemeve mbrojtëse.

Nga ana tjetër, Izraeli ka ndërtuar një nga arkitekturat më të avancuara të mbrojtjes raketore në botë. Sistemet si Iron Dome, David’s Sling dhe Arrow, që janë projektuar për të interceptuar, paralizuar dhe shkatërruar në ajër një gamë të gjerë kërcënimesh, nga raketat me rreze të shkurtër deri tek raketat balistike me rreze të gjatë. Megjithatë, edhe këto sisteme përballen me sfida serioze përballë një sulmi masiv të koordinuar me raketa balistike, dronë dhe potencialisht armë hipersonike.

Në këtë kontekst, dimensioni raketor i konfliktit e rritë ndjeshëm rrezikun e përshkallëzimit, drejt një nuklearizimi shumë shkatërrues mbi rajonin. Një sulm i suksesshëm ndaj infrastrukturave kritike – si bazat ushtarake, portet, rafineritë e naftës apo qendrat urbane, rrugët strategjike të transportit detar, prodhon një reagim të menjëhershëm dhe shumë më të ashpër të palëve në konflikt me efekt gjeoekonomik rajonal dhe global.

Për më tepër, përdorimi i këtyre armëve nuk ka vetëm efekt ushtarak, por edhe efekt psikologjik dhe strategjik. Demonstrimi i kapaciteteve hipersonike është një mesazh për kundërshtarët dhe për sistemin ndërkombëtar se balanca teknologjike e fuqisë në rajon, tashmë po ndryshon.

Rreziku i vërtetë, megjithatë, qëndron në efektin domino të konfliktit. Përplasja e thellë dhe e pakrahasim Iran–Izrael, gjithnjë e më shumë po përshkallëzohet, frontet reale të luftës konfrontuese mund të shtrihen në të gjitha shtetet fqinje; nga Libani dhe Siria deri në Gjirin Persik dhe Detin e Kuq. Në këtë skenar, sulmet me raketa balistike po godasin bazat ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon, duke e detyruar drejtpërdrejt Uashingtonin të rrisë fuqinë bombarduese të neutralizimit masiv kundër Iranit. Kjo përfshirje e tillë ushtarake shkatërrimtare shpërfaq implikime të mëdha gjeopolitike në rajon, duke përfshirë edhe Turqinë dhe secilin vend përgjatë këtij perimetri kufijsh rajonal.

Fuqi të tjera globale si Rusia dhe Kina dhe aktor përreth tyre e shohin Lindjen e Mesme si një zonë strategjike në rivalitetin global me Perëndimin. Nëse konflikti rajonal ndërthuret me rivalitetet mes fuqive të mëdha, atëherë rreziku i një përplasjeje shumë më të gjerë bëhet real dhe për pasojë kemi një shtrirje gjithnjë e më globale të luftës.

Në fund, përplasja ushtarake e Izraelit, ShBA -ve kundër Iranit nuk mund të mbetet një konflikt i izoluar në mes dy rivalësh historikë, që ia kërkojnë zhdukjen njëri tjetrit.

Kjo ndërhyrje ushtarake e demonstrimit të fuqisë është një test i çmendur i destabilitetit të sistemit ndërkombëtar në epokën e armëve nukleare, të sistemeve raketore – kokave bërthamore si një luftë shkatërrimtare.

Derisa diplomacia dështon dhe logjika e përshkallëzimit mbizotëron, Lindja e Mesme mund të shndërrohet në një arenë ku teknologjitë më të reja të luftës – nga raketat hipersonike deri tek dronët autonomë – testohen në një konflikt që mund të ndryshojë ekuilibrat global të mbisundimit me përfshirje edhe më të gjerë shtetesh në luftë.

E kaluara ka treguar se luftërat më të mëdha shpesh fillojnë pikërisht nga kriza të pamemduara ideologjishë, qëllime ekonomike dhe territore të reja, që në fillim duken si të kufizuara dhe të kontrolluara, por në epokën sistemeve të raketave hipersonike dhe balistike, dhe të një bote të stërngarkuar me armë kolektive vdekjeprurëse, sidomos të kapaciteteve të kokave bërthamore, kjo krizë kritike si e tillë nëse nuk evitohet urgjentisht, mund të zgjerohet shumë më shpejt se në çdo periudhë tjetër përgjatë historisë moderne dhe përshkallëzimi real mund të jenë shtrirja drejt një lufte me përmasa botërore.

Shënim:

(Autori është doktor shkence, staf i rregullt akademik, profesor në programin për Studime të Sigurisë në UBT, i profilizuar dhe njohës i politikave Kombëtare të Sigurisë dhe Inteligjencës)

 

Continue Reading

Opinione

Analizë: Si mund të përfitojë Rusia nga lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit

Published

on

By

Një konflikt i zgjatur në Lindjen e Mesme mund të ndihmojë përpjekjet luftarake të Rusisë në Ukrainë.

Sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, si dhe vrasja e Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, kanë shkaktuar një lloj shqetësimi në Moskë. Disa komentues rusë të vijës së ashpër pretendojnë se Rusia mund të sulmohet në të njëjtën mënyrë, pavarësisht arsenalit të saj të madh bërthamor. Ata i shohin deklaratat e zyrtarëve të lartë perëndimorë për mundësinë e një lufte me Rusinë në të ardhmen e afërt si provë të këtij qëllimi.

Megjithëse sulmi ndaj Iranit ngjall shqetësim, në Moskë ai shihet edhe si një vërtetim i strategjisë së saj gjeopolitike, përfshirë agresionin kundër Ukrainës. Për Kremlinin, kjo konfirmon bindjen e hershme se Perëndimi, i udhëhequr nga SHBA, është një aktor i papërgjegjshëm dhe iracional.

Hijet e së kaluarës: Libia dhe Gaddafi

Për Presidentin rus Vladimir Putin, lufta e SHBA-së kundër Iranit ka gjasa të ngjasojë me ngjarjet e vitit 2011 në Libi, të cilat ndikuan ndjeshëm në perceptimin e tij për kërcënimet. Atë vit, një ndërhyrje ushtarake e udhëhequr nga NATO rezultoi me përmbysjen e udhëheqësit libian, Muammar Gaddafi.

Vrasja brutale e Gaddafit në tetor 2011 shërbeu si një paralajmërim për Putinin. Për të, kjo ishte një dëshmi e qartë se çfarë mund ta priste atë personalisht dhe Rusinë në përgjithësi, nëse do të toleronte fushatën neoliberale të “demokratizimit” nga një Perëndim gjithnjë e më i guximshëm. Kjo shërbeu si pikë kthese që çoi në shtypjen e protestave në Moskë në vitin 2012 dhe ndërhyrjen në Ukrainë më pak se dy vjet më vonë.

Sot, duke parë ngjarjet dramatike në Iran, Putin ndihet i bindur se veprimet e tij në Ukrainë ishin të justifikuara. Ai u është mirënjohës paraardhësve sovjetikë që ndërtuan arsenalin më të madh bërthamor në botë, i cili garanton sovranitetin e Rusisë dhe paprekshmërinë e regjimit të tij personal.

Ukraina si “fushëbetejë parandaluese”

Kremlini i ka projektuar sulmet ndaj Ukrainës në vitin 2014 dhe pushtimin e vitit 2022 si masa parandaluese ndaj llojit të ndërhyrjes ushtarake që përjetuan Iraku, Libia, Siria dhe që tani po përballet Irani. Duke e shndërruar Ukrainën në fushëbetejë vendimtare, Kremlini ka arritur të mbrojë shumicën e popullsisë ruse nga ndikimi i prekshëm i luftës.

Raportet Rusi-Iran dhe roli i Izraelit

Irani u shfaq në skenën e konfliktit ruso-ukrainas si një aleat i papritur, duke ofruar teknologji vendimtare të dronëve në ditët kur Perëndimi besonte se Ukraina do të kishte avantazh teknologjik me dronët turq “Bayraktar”. Megjithatë, kjo mbështetje nuk ishte akt miqësie e sinqertë; Teherani u pagua me miliarda dollarë për të mbështetur ekonominë e tij të dobësuar.

Megjithatë, lidhjet ruso-iraniane nuk janë aq të forta sa që Moska të ndërhyjë në anën e Iranit tani. Për më tepër, Kremlini ka një pakt informal “mos-sulmimi” me Izraelin. Izraeli ka refuzuar të furnizojë Ukrainën me sisteme armatimi apo t’i bashkohet sanksioneve anti-ruse, duke u bërë edhe një strehë e sigurt për oligarkët rusë.

Pse Rusia po qëndron neutrale?

Një tjetër arsye për neutralitetin e Rusisë është pozicioni gati-neutral i Presidentit Donald Trump ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë dhe përpjekjet e tij për ta mbyllur atë në tryezën e bisedimeve. Moska nuk dëshiron t’u japë udhëheqësve evropianë mundësinë për të dëmtuar marrëdhënien që ka krijuar me administratën Trump.

Përfitimet afatshkurtra: Nafta dhe armatimi

Operacioni SHBA-Izrael kundër Iranit në fakt i sjell dobi Rusisë në planin afatshkurtër:

  • Rritja e çmimeve të energjisë: Lufta ka shkaktuar rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit, që do të thotë më shumë para për arkën e shtetit rus.
  • Dobësimi i BE-së: Çmimet e larta të energjisë mund të dëmtojnë aftësinë e Bashkimit Evropian për të financuar luftën në Ukrainë.
  • Shterimi i arsenaleve amerikane: Një luftë e gjatë në Lindjen e Mesme do të harxhonte raketat e mbrojtjes ajrore të SHBA-së, të cilat përndryshe do t’i jepeshin Ukrainës.
  • Avantazh në bisedime: Angazhimi i SHBA-së në Lindjen e Mesme i jep Moskës më shumë fuqi negociuese në bisedimet e vazhdueshme me Ukrainën.

Në aspektin e brendshëm, skenat e shkatërrimit në Iran forcojnë imazhin e Putinit si mbrojtës të kombit. Lufta që SHBA dhe Izraeli po e “shesin” si një rrugë drejt lirisë për iranianët, vetëm sa do të rrisë ndjenjën e “fortesës së rrethuar” mes rusëve dhe do të solidifikojë autoritarizmin e Putinit. /AlJazeera/

Shenim: Ky shkrim pasqyron pikëpamjet e autorit Leonid Ragozin dhe jo domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Al Jazeera, transmeton UBTnews.

 

Continue Reading

Opinione

Analiza: Lufta kundër Iranit i kushton SHBA-së 3.7 miliardë dollarë në 100 orët e para

Published

on

By

Sipas një kërkimi të ri nga instituti prestigjioz Center for Strategic and International Studies (CSIS) me seli në Uashington, lufta e përbashkët e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit i ka kushtuar SHBA-së rreth 3.7 miliardë dollarë vetëm në 100 orët e para. Kjo shifër përkon me një mesatare prej afro 900 milionë dollarësh në ditë, e nxitur kryesisht nga shpenzimet kolosale të municioneve.

Analiza nënvizon se këto kosto vijnë ndërsa lufta ka hyrë në ditën e saj të shtatë këtë të premte, me SHBA-në që po sulmon Iranin me bombardues të padukshëm (stealth) dhe sisteme të avancuara armatimi.

Sfida buxhetore e Pentagonit

Hulumtuesit Mark Cancian dhe Chris Park bëjnë të ditur se pjesa dërrmuese e këtyre shpenzimeve — rreth 3.5 miliardë dollarë — nuk janë të parashikuara në buxhetin aktual. Kjo do të thotë se Pentagoni do të duhet të kërkojë fonde shtesë së shpejti, gjë që pritet të jetë një sfidë politike për administratën Trump.

Kjo kërkesë për financim mund të shndërrohet në një pikë fokale për opozitën ndaj luftës. Shqetësimet e brendshme mbi koston e jetesës, inflacionin dhe rritjen e çmimeve të karburantit si pasojë e konfliktit, pritet të ulin mbështetjen e qytetarëve amerikanë. Situata po ndan edhe bazën e Trumpit “America First”, pasi ai premtoi gjatë fushatës se nuk do të përfshinte vendin në “lufta të huaja”.

Shpenzime marramendëse për municione

Analiza tregon se në 100 orët e para janë shpenzuar mbi 2,000 municione të llojeve të ndryshme. Vetëm rimbushja e këtyre rezervave vlerësohet të kushtojë 3.1 miliardë dollarë, me kosto që rriten me 758.1 milionë dollarë për çdo ditë që kalon.

Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se bombardimet mbi Iran pritet të “rriten dramatikisht”, duke përfshirë më shumë skuadrone gjuajtësish dhe valë më të shpeshta bombarduesish. Megjithëse intensiteti i fushatave ajrore zakonisht bie pas fazës fillestare, autorët e raportit paralajmërojnë se kostot jashtëbuxhetore do të jenë “substanciale”.

Kostoja njerëzore: Shifrat tragjike

Përtej anës financiare, kostoja njerëzore është tronditëse. Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane, më shumë se 1,332 persona janë vrarë në Iran që nga fillimi i bombardimeve të shtunën. UNICEF raporton se mes të vdekurve besohet të jenë të paktën 181 fëmijë.

  • Liban: Të paktën 123 persona kanë humbur jetën nga sulmet izraelite këtë javë.
  • SHBA: Të paktën gjashtë ushtarakë amerikanë janë vrarë në konflikt.
  • Izrael: Janë shënuar 11 viktima.
  • Vendet e Gjirit: Raportohen nëntë vdekje deri më tani.

Analistët krahasojnë këtë situatë me operacionet e fundit në Venezuelë për kapjen e Nicolas Maduro, ku shumica e kostove ishin tashmë të buxhetuara. Për luftën në Iran, administrata Trump mund të detyrohet të kërkojë “ndarje buxhetore plotësuese”, ngjashëm me atë që bëri administrata e George W. Bush në fillim të luftërave në Irak dhe Afganistan. /AlJazeera/

 

Continue Reading

Opinione

Avdimetaj: Ekonomia e Kosovës e rrezikuar nga luhatjet në tregut ndërkombëtar

Published

on

By

Të dhënat e importit të vitit 2025 nga dogana tregojnë se Kosova mbetet thellësisht e varur nga burimet e jashtme të lëndëve djegëse dhe energjisë, pasi importi i derivateve të naftës arrin në mbi 474 milionë euro, ndërsa importi i energjisë elektrike kap vlerën e rreth 259 milionë euro, duke i bërë këto dy kategori ndër më të rëndësishmet në strukturën e përgjithshme të importeve të vendit

Shkruan: Kestrim Avdimetaj

Ngjarjet e fundit globale, sidomos zhvillimet në Lindjen e Mesme, midis Izraelit dhe Iranit, kanë ndikuar negativisht ne ekonominë globale, duke rritur në mënyrë rapide çmimin e naftës dhe gazit. Këto zhvillime kanë shkaktuar goditje të rëndë në zinxhirin e ofertës për vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim, të cilat kanë varësi të lartë nga importi i lëndëve djegëse dhe i energjisë.

Për më tepër, vendet e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë Kosova, kanë një varësi të lartë në importe. Sipas statistikave te Doganës së Kosovës, importet nga viti 2020 deri në vitin 2025 janë rritur rreth 114 për qind, dhe qëndrojnë mbi nivelin mesatar (60% – 70%) të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm përgjatë vitit 2025, shuma e importeve ka tejkaluar vlerën prej 7 miliardë euro, ndërsa vlera e eksporteve më pak se 1 miliard euro, duke krijuar kështu një deficit shumë të lartë tregtar në Kosovë.

Të dhënat e importit për vitin 2025 tregojnë qartë se Kosova ka një varësi jashtëzakonisht të lartë nga nafta dhe energjia e importuar. Kjo krijon një ekspozim ekonomik shumë të ndjeshëm ndaj zhvillimeve gjeopolitike globale, pasi që Kosova importon 100 për qind të derivateve, dhe në periudha të caktuara edhe energji elektrike, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese.

Të dhënat e importit të vitit 2025 nga dogana tregojnë se Kosova mbetet thellësisht e varur nga burimet e jashtme të lëndëve djegëse dhe energjisë, pasi importi i derivateve të naftës arrin në mbi 474 milionë euro, ndërsa importi i energjisë elektrike kap vlerën e rreth 259 milionë euro, duke i bërë këto dy kategori ndër më të rëndësishmet në strukturën e përgjithshme të importeve të vendit. Një varësi kaq e theksuar nga energjia e importuar dhe derivatet tregon se ekonomia e Kosovës mbetet shumë e ndjeshme ndaj zhvillimeve që ndodhin jashtë kufijve të saj.

Çdo tension global, në rajone apo vende që kanë ndikim të madh në furnizimin më naftë, zakonisht shoqërohet me rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Kjo rritje pastaj afekton në rritjen e çmimit të lëndëve djegëse, shtrenjtimin e kostove të transportit dhe prodhimit vendor, duke e ushqyer kështu rritjen e inflacionit, ku vetëm  gjatë 2025 mesatarja e inflacionit në Kosovë ishte 3.9 për qind (më e lartë në raport më vendet e EU), ndërsa aktualisht sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së  Statistikave të Kosovës në janar inflacioni është rritur në 5.8 për qind.

Si rezultat i këtyre zhvillimeve globale, çmimet e produkteve bazë rriten, ndërsa kostoja e jetesës bëhet më e lartë në Kosovë, duke e vështirësuar ruajtjen e stabilitetit ekonomik. Në mungesë të kapaciteteve të mjaftueshme prodhuese vendore në sektorin e energjisë dhe pa rezerva strategjike të konsiderueshme, Kosova e ka më të vështirë të përballojë goditje të tilla të jashtme. Duke e bërë ekonominë e Kosovës më të ekspozuar ndaj luhatjeve të tregut ndërkombëtar të naftës dhe e kufizon hapësirën për reagim në situata të krizave globale.

(Autori është Profesor në Fakultetin e Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë në UBT)

Continue Reading

Të kërkuara