Lajmet

Osmani në ShBA: Përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para

Published

on

Paqja nuk vjen duke ecur vetë apo izoluar, por përmes partneriteteve dhe aleancave, tha presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë fjalimit në darkën e organizuar nga Kongresi amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Osmani shprehu mirënjohje për rolin e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që siç tha ajo sollën paqe në një rajon të Evropës që “nuk kishte njohur kurrë paqe më parë”.

“Por paqja, siç e kemi mësuar të gjithë, është e brishtë. Vetëm disa vite pas marrëveshjes së Dejtonit dhe luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, po i njëjti makth erdhi në shtetin tim, Republikën e Kosovës. Jo si imazh në televizion apo zë në radio, por jetesë. Jetesë e përditshme, makth që erdhi në rrugët tona dhe në shtëpitë tona”, tha Osmani.

“Sot, unë përfaqësoj republikën e lirë dhe sovrane të Kosovës, një tokë, zëri i së cilës një kohë u hesht në luftë, por tani flet në gjuhën e shpresës, në gjuhën e paqes dhe në gjuhën e mirënjohjes. Mbi të gjitha, ne i detyrohemi falënderim burrave dhe grave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s, edhe ata në uniformë, edhe diplomatët në kostum, që qëndruan me neve, kur bota na u duk shumë terr. Ushtarët e SHBA-së dhe NATO-s erdhën jo vetëm si paqe-bërës, por si heronj, si mbrojtësit tanë dhe si shokët tanë. Në momentet tona më të brishta, prezenca e tyre u bë strehë jo vetëm për shtëpitë tona por edhe ëndrrat tona, sepse falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një komb i tërë pati guxim të ngrihej nga hiri. Këta heronj nuk erdhën për lavdi, ata erdhën sepse besonin në të drejtat thelbësore të çdo qenie njerëzore, të jetojë i lirë nga shtypja”, tha Osmani gjatë fjalimit.

Ajo falënderoi ushtarët dhe diplomatët që shërbyen në Kosovë “në orët më të vështira të historisë sonë”.

“Drejtuar SHBA-së dhe të gjithë partnerëve në NATO: përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para, ju na keni dhënë arsye të qëndrojmë si kombi më pro-amerikan dhe pro-NATO në tokë. Dhe drejtuar çdo ushtari amerikan që ka ecur në rrugët tona, ka mbrojtur qytezat tona dhe ka qëndruar rojtarë i shpresës tonë, ne e themi këtë me sinqeritet të palëkundshëm: shërbimi juaj nuk do të shkojë dëm dhe do të keni gjithmonë një shtëpi në Kosovë. Paqja jonë dhe liria jonë është përgjithmonë e lidhur me trimërinë e juaj dhe mirënjohja jonë është e përjetshme”, tha Osmani.

Osmani po qëndron në SHBA-së si pjesë e sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

Lajmet

Liga e Kampionëve rikthehet sonte me nëntë ndeshje, vëmendja te Arsenal – Dortmund dhe rikthimi i De Bruyne në “Etihad”

Published

on

By

Liga e Kampionëve rikthehet këtë të martë me nëntë ndeshje në kuadër të fazës së ligës, ku spikasin disa përballje mes skuadrave të njohura evropiane.

Vëmendja kryesore pritet të jetë te dueli mes Arsenalit dhe Borussia Dortmundit, dy skuadra që kanë treguar formë të mirë në këtë edicion. Po ashtu, me interes të veçantë pritet edhe përballja Manchester City – Napoli, ku Kevin De Bruyne rikthehet në “Etihad Stadium” si kundërshtar i ish-klubit të tij, pas dhjetë sezonesh të kaluara në Angli.

Në Madrid, Real Madridi synon të vazhdojë serinë e fitoreve ndaj PSV Eindhovenit për të ruajtur bilancin perfekt pas katër ndeshjeve të para. Ndërkohë, Como, pas fitores 9-1 ndaj Lensit, luan ndaj AEK Athinës në kërkim të vazhdimësisë së rezultateve pozitive.

Në Stamboll, Galatasaray pret Aston Villan, ndërsa Feyenoord dhe Porto përballen në një duel të rëndësishëm për pikë në tabelë. Në dy takimet e tjera të mbrëmjes, Leipzig e pret Lensin, kurse Slovan Bratislava luan ndaj Real Betisit në kërkim të pikëve të para në këtë fazë të garës.

Programi i mbrëmjes hapet në orën 18:45 me ndeshjen Bodo/Glimt – LASK, ndërsa shtatë përballjet e tjera fillojnë nga ora 21:00. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ndërron jetë një fëmijë dyvjeçar në Ferizaj, trupi dërgohet për obduksion

Published

on

By

Një fëmijë i moshës dyvjeçare ka ndërruar jetë të hënën në Ferizaj.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, fëmija është dërguar nga familjarët në Qendrën Emergjente në gjendje të rëndë shëndetësore, por më pas ka vdekur.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion dhe rasti po hetohet si “hetim mbi vdekjen”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kori i Filharmonisë së Kosovës sjell koncert në Prizren më 25 nëntor

Published

on

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert në Prizren, me një program të përzgjedhur të muzikës korale, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla.

Në koncert do të interpretohen vepra të kompozitorëve Jennifer Lucy Cook, Hajrullah Syla, Eric Whitacre, Anders Edenroth, Rafet Rudi dhe Ko Matsushita.

Koncerti do të mbahet më 25 nëntor 2026, duke filluar nga ora 19:30, në hapësirën “Autostrada Hangar” në Prizren.

Të interesuarit mund t’i rezervojnë biletat përmes këtij linku./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Strategjia e Ekonomisë Kreative në Kosovë drejt miratimit në Qeveri

Published

on

Para fillimit të konferencës “Beyond”, në Manchester, është zhvilluar një takim me Tara Solesbury, themeluese dhe drejtoreshë e Beyond Studios, si dhe Kate O’Connor.

Gjatë takimit është prezantuar puna e bërë për Strategjinë e Ekonomisë Kreative në Kosovë, e cila tashmë është finalizuar dhe pritet së shpejti të miratohet nga Qeveria.

Strategjia është hartuar me mbështetjen e British Council dhe UNDP-së. Në takim është diskutuar edhe për hapat e ardhshëm drejt zbatimit të saj, si dhe mundësitë për bashkëpunim.

Konferenca “Beyond” paraqet gjithashtu një mundësi për të njohur nga afër përvojat dhe modelet ndërkombëtare të zhvillimit të ekonomisë kreative./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara