Lajmet
Opozita: Kurti dështoi në menaxhimin e pandemisë
Published
5 years agoon
By
Betim GashiQeveria e Kosovës ka dështuar në menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi dhe sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, deklaruan të hënën deputetët e partive opozitare, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, të thirrur për të diskutuar gjendjen me pandeminë COVID-19 në vend.
Sipas tyre, prioritet politik i kryeministrit, Albin Kurti, ishin zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe jo shëndeti i qytetarëve të Kosovës.
Kurti nuk ka qenë i pranishëm në seancë. Kuvendi do të vazhdojë debatin pas pauzës.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti, nuk ka prioritet menaxhimin e pandemisë. Ai ka kritikuar edhe administrimin e vaksinave, duke thënë se procesi i imunizimit ka qenë i ngadalshëm.
Ismaili, partia e të cilit ka bërë kërkesën për debatin parlamentar, ka kërkuar që të njofton qytetarët se kur pritet të arrijë kontingjenti i radhës me vaksina kundër COVID-19.
“Qeveria Kurti ka para vetes një detyrë të thjeshtë, që të blejë 2.5 milionë vaksina. Kompanitë e vaksinave u shesin qeverive vaksinat e tyre, në mënyrë që qytetarët t’i marrin falas. Por, mënyrën se si po sillen kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë (Arben Vitia), duket se këta janë duke u munduar të zbulojnë një vaksinë dhe jo ta blejnë. Përgjigje nuk ka as në çështjet esenciale: sa vaksina na nevojiten, kur vijnë vaksinat… e patëm një episod të një vaksinimi tejet të shkurtër, me shumë pak vaksina, fare pak transparencë. Nuk dihet kush është vaksinuar”, tha Ismaili.
Deputeti Lumir Abdixhiku, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar mungesën e kryeministrit, Kurti në seancën në të cilën po debatohet për pandeminë, që vlerësohet si problemi kryesor në vend.
Abdixhiku ka kërkuar nga qeveria që të kuptojë seriozitetin e situatës me pandeminë dhe të përkushtohet për të gjetur zgjidhje. Kurti, ka thënë ai, ka anashkaluar qytetarët e Kosovës, për t’u marrë me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
“Kur çdo dy orë një kosovarë vdes, kryeministri Albin Kurti bënte fushatë në Shqipëri. Për dy javë ditë kohë, kryeministri katër herë ka vizituar Shqipërinë, kurse Klinikën Infektive dhe repartet përreth, të mbushura me 975 pacientë, shumica me gjendje të rëndë, asnjëherë. I bëjë thirrje që punën e parë, çdo mëngjes, ta nisë nga QKUK-ja”, thekson Abdixhiku.
Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet që të sigurojë pa vonesa vaksina kundër COVID-19, të cilat janë të sigurta dhe jo me origjinë të dyshimtë, tha deputeti Ramush Haradinaj, njëherësh kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Deri në sigurimin e vaksinave, Haradinaj kërkoi që të sigurohen ilaçe falas për pacientët me koronavirus si dhe të merren masa lehtësuese për bizneset dhe qytetarët.
“Siguroni pako financiare për të prekurit nga kriza ekonomike në vazhdimësi sa të zgjasë pandemia. Merrni kredi të buta, veproni me urgjencë dhe mos lejoni zbritjen e pagave, pensioneve apo siç vepruat së fundmi edhe zbritjen e shtesave për pensionistët, por edhe profesionistët e tjerë që janë në front dhe përballen me pandeminë çdo ditë”, tha Haradinaj.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se fokusi i kësaj ministrie gjatë kësaj periudhe, ka qenë menaxhimi i situatës epidemiologjike, sigurimi i vaksinës dhe barnave esenciale. Ai ka folur edhe për masat që janë në fuqi dhe të cilat do përditësohen çdo dy javë.
Ministri Vitia ka thënë se ditëve të fundit ka rënie të të infektuarve dhe të viktimave.
“Raportimet zyrtare në këto ditët e fundit flasin se kemi një ulje të rasteve të reja me COVID-19, ulje të hospitalizimeve dhe vdekjeve. Hospitalizimet, nga mbi 900 në fund të muajit mars, në 700 në ditët e fundit. Rastet e rënda me oksigjeno- terapi nga 700 deri 750 sa kishim në muajin mars, kanë rënë në 500-550, sipas raportimit në ditët e kaluara. Vdekje me nga mbi dhjetë raste në ditë, në më pak se dhjetë raste, me njëshifrore në disa ditë radhazi”, tha Vitia.
Kosova prej 13 marsit, 2020 e deri më 26 prill, 2021, ka regjistruar 104.196 raste me COVID-19, 2.140 viktima dhe 91.972 të shëruar.
Raste aktive vazhdojnë të jenë mbi 10.000.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të premten se në sallën “1 Tetori” në Prishtinë është ndërprerë fushata e imunizimit, pasi janë administruar të gjitha dozat që ka pasur kjo qendër.
Kosova ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit më 29 mars, pas sigurimit të 24.000 dozave të vaksinës AstraZeneca, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.
Është thënë që Kosova do të pranojë edhe 76.800 doza tjera të vaksinës së AstraZeneca nga ky program në periudhën prill-qershor, ashtu sikurse mbi 100.000 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, deri në fund të qershorit.
Bashkimi Evropian më 20 prill njoftoi se deri në muajin gusht do të furnizojë Kosovën me 95.000 vaksina kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer/BioNtech, në kuadër të një ndihme për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Lajmet
REL: Droni që goditi bazën britanike ishte iranian, konfirmon presidenti i Qipros
Published
16 minutes agoon
March 2, 2026By
UBTNews
Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, ndau më shumë detaje për sulmin me dron në një bazë ushtarake britanike në territorin britanik në Qipron jugore.
Menjëherë pas mesnatës, “një mjet ajror pa pilot – Shahed” u rrëzua në objektet ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar në Akrotiri, “duke shkaktuar dëme të vogla materiale”, shkroi Christodoulides në X.
Shahed është dron iranian.
Presidenti Christodoulides tha se është “në kontakt të vazhdueshëm” me udhëheqësit e Evropës dhe ata të vendeve të tjera.
Ai shtoi se Qiproja “nuk e ka ndërmend të jetë pjesë e ndonjë operacioni ushtarak”.
Reagimi vjen pas deklaratës së fundit nga Ministria britanike e Mbrojtjes, e cila tha se po zhvendoste familjarët e personelit nga baza e Akrotirit. /REL/
Rajoni
RTK: Sot BE-ja pritet t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës
Published
52 minutes agoon
March 2, 2026By
UBTNews
Ka pritje reale që të ndodhë heqja përfundimtare e të gjitha masave të Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Kështu paralajmërojnë jozyrtarisht burime nga Brukseli, të cilat madje përmendin këtë të hënë si datë orientuese kur mund të merret vendimi përfundimtar.
Siç mësohet jozyrtarisht, në nivel të Komisioni Evropian janë përfunduar të gjitha procedurat vendimmarrëse që i përkasin këtij institucioni. Ka mbetur vetëm mbajtja e takimit të përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së, të ngarkuar me çështjet e rajonit.
Në këtë takim, i cili pritet të mbahet të hënën, pritet të miratohet heqja e masave ndaj Kosovës.
Masat janë vendosur në vitin 2023. Një vit më vonë, ish-shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, rekomandoi heqjen e tyre, por u deshën mbi 18 muaj që vendimi të formalizohej.
Ndërkohë, mbi 400 milionë euro asistencë financiare evropiane u bllokuan që nga ai moment. Në fund të vitit 2025 u hoq gjysma e këtyre masave financiare, ndërsa tani mbetet të zhbllokohet edhe pjesa tjetër.
Në kuadër të masave ndëshkuese ishte përfshirë edhe suspendimi i takimeve bilaterale të zyrtarëve evropianë me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, përveç rasteve kur organizoheshin takime me karakter rajonal.
Ndërkohë, Kosova është vendi të cilin komisionerja për zgjerim, Marta Kos, ende nuk e ka vizituar. Ajo planifikon të zhvillojë një vizitë në Kosovë gjatë këtij muaji. Plani ideal, sipas zyrtarëve evropianë, do të ishte që këtë vizitë ta shfrytëzojë për të komunikuar lajmin për heqjen e masave. /RTK/
Rajoni
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë viziton Kosovën, takohet me krerët shtetërorë
Published
3 hours agoon
March 2, 2026By
UBTNEWS
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë, ku pritet të zhvillojë takime me krerët shtetërorë të vendit.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, ai do të takohet me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Pritët të takoj edhe krerë të tjerë shtetërorë institucional.
Detaje të tjera për temat që do të diskutohen gjatë këtyre takimeve nuk janë bërë të ditura.
Lajmet
Prof. Dr. Denis Celcima pjesë e tryezës përmbyllëse të projektit kërkimor STI(G)MA
Published
2 days agoon
February 28, 2026By
ubtnews
Dekania e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, Prof. Dr. Denis Celcima, ishte pjesë e tryezës së rrumbullakët që shënoi përmbylljen e ciklit kërkimor të projektit “STI(G)MA”, një iniciativë shkencore që vendosi në qendër fuqinë e fjalës dhe ndikimin e saj në ndërtimin e kuptimeve shoqërore.

Tryeza u organizua si moment reflektimi dhe diskutimi mbi rezultatet e projektit, i cili nisi nga një pyetje thelbësore: Çfarë bëjnë fjalët me ne — dhe çfarë bëjmë ne me fjalët? Në fokus të studimit ishte diskursi mediatik dhe mënyra se si stigmatizimi shpesh nuk shfaqet me zë të lartë, por depërton në mënyrë të heshtur përmes strukturave gjuhësore dhe modeleve të komunikimit. Koordinatore e këtij projekti ishte, profesoresha Eriola Bonja – Qafzezi. Prof. Dr. Denis Celcima, në cilësinë e ekspertes së fushës së psikologjisë, kontribuoi në diskutim duke theksuar rëndësinë e analizës së gjuhës si faktor kyç në formësimin e perceptimeve, qëndrimeve dhe sjelljeve sociale.
Ajo vuri në pah se fjalët nuk janë thjesht njësi komunikimi, por bartëse të kuptimeve, etiketimeve dhe përgjegjësive shoqërore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien psikologjike dhe në marrëdhëniet ndërpersonale. Projekti STI(G)MA nuk u kufizua vetëm në një analizë teorike të diskursit, por u konceptua si një ftesë për të lexuar dhe dëgjuar me më shumë kujdes, për të kuptuar se stigmatizimi shpesh vepron në mënyrë subtile, duke lënë gjurmë të thella në individ dhe komunitet.
Nga “sti(g)ma” te “stima”, siç u theksua gjatë tryezës, fjalët bëjnë dallimin — nga etiketimi drejt vlerësimit, nga gjykimi drejt kuptimit. Në këtë aktivitet morën pjesë studiues, pedagogë, studentë dhe bashkëpunëtorë të projektit, të cilët përmes diskutimeve dhe pyetjeve të tyre kontribuan në një dialog të hapur ndërdisiplinar. U shpreh mirënjohje e veçantë për Agjencinë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Universitetin “Fan S. Noli” për mbështetjen dhe besimin në këtë iniciativë kërkimore. Tryeza përmbylli zyrtarisht projektin, por jo edhe pyetjet që ai hapi.
Siç u theksua në përfundim, kërkimi shkencor është një proces i vazhdueshëm, ku përfundimet shpesh shërbejnë si pikënisje për rrugë të reja studimi. Dialogu mbi gjuhën, stigmatizimin dhe përgjegjësinë shoqërore mbetet i hapur, ndërsa rruga e kërkimit vazhdon aty ku kurioziteti shkencor nuk ndalet.


Mario Ilievski përsëri “Ylli i Javës” në Superligë
REL: Droni që goditi bazën britanike ishte iranian, konfirmon presidenti i Qipros
Muzeu i Mitrovicës bëhet pjesë e rrjetit evropian NEMO
Britania e Madhe do të lejojë SHBA-në të përdorë bazat për të goditur sitet e raketave iraniane
Lisjeta Thaqi çon Kosovën në majat e paragllajdit botëror
Rruga më e njohur e Hanoit mund t’ju vrasë
Zhegrova shkëlqen me fanellën e Juventusit
RTK: Sot BE-ja pritet t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës
Spektakël në Angli dhe Spanjë
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
