Botë

OKB raporton për luftime të ashpra në jug të Libanit

Published

on

Trupat izraelite kanë zhvilluar beteja të ashpra me Hezbollahun – grupin militant dhe partinë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit – më 22 nëntor në pjesë të ndryshme në jug të Libanit, përfshirë edhe në një qytezë ku kanë selinë paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara.

Një zëdhënës i forcave paqeruajtëse të OKB-së në Liban, që njihet me shkurtesën UNIFIL, i tha Associated Press se po monitorojnë “luftime të ashpra” në qytezën bregdetare të Nakuras dhe në fshatin Çama, në verilindje.

Selia e UNIFIL-it gjendet në Nakura, në cepin më jugor të Libanit, që gjendet pranë kufirit me Izraelin.

Jemi të vetëdijshëm për granatime të rënda në afërsi të bazave tona”, tha zëdhënësi i UNIFIL-it, Andrea Tenenti. I pyetur nëse paqeruajtësit dhe stafi i selisë janë të sigurt, Tenenti tha: “Po, për momentin”.

Disa pika të UNIFIL-it janë goditur që kur Izraeli ka nisur një ofensivë tokësore në Liban më 1 nëntor, duke plagosur disa paqeruajtës.

Luftimet e ashpra vijnë një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar fletarrestime për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant. GJNP ka lëshuar fletarrestime edhe ndaj një udhëheqësi ushtarak të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – duke i akuzuar ata për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit lidhur me luftën në Gazë që nisi në tetor të vitit 2023.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Afër 100 pengje janë ende brenda Gazës dhe të paktën një e treta e tyre besohet se kanë vdekur.

Izraeli po ashtu ka kryer sulme ajrore në Liban, pasi Hezbollahu nisi sulmet me raketa një ditë pas nisjes së luftës në Gazë. Në shtator, luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut u përshkallëzuan./REL/

Aktualitet

Si lufta SHBA-Izrael po shkatërron regjimin e sanksioneve ndaj Iranit

Published

on

By

Mekanizmat e shmangies ekzistojnë tashmë, dhe konflikti po inkurajon më shumë subjekte që të bashkëpunojnë me to.

Prej vitesh, sociologët dhe politikanët kanë paralajmëruar se sanksionet nuk funksionojnë. Ato nuk i rrëzojnë qeveritë e synuara; përkundrazi, dëmtojnë qytetarët e tyre. Megjithatë, përdorimi i sanksioneve vetëm sa është zgjeruar, me SHBA-në në krye të kësaj nisme. Si rezultat, po shtohen dëshmitë se mbështetja e tepërt te këto masa ndëshkuese ka çuar në joefektivitetin e tyre në rritje. Lufta SHBA-Izrael ndaj Iranit e ka bërë këtë edhe më të dukshme.

Konflikti mbart potencialin për të shtyrë më tej procesin e dobësimit të efektit të sanksioneve amerikane, i cili kishte nisur tashmë, dhe për të riformësuar preferencat e aktorëve rajonalë dhe globalë përmes mekanizmave të ndryshëm, duke përfshirë de-dolarizimin, metodat alternative të tregtisë siç është “barteri” (shkëmbimi i mallit me mall) dhe rrjetet informale të transfertave si “hawala”.

SHBA-ja mbështetet në dominimin e monedhës së saj në tregtinë globale për të ushtruar presion përmes sanksioneve që vendos. Shtetet e sanksionuara nuk munden të kryejnë tregti sepse blerësit dhe shitësit i procesojnë pagesat në dollarë.

Përhapja e kriptomonedhës si një metodë alternative pagese në mbarë botën ka ofruar një mënyrë për të anashkaluar këtë problem. Gjatë viteve të fundit, Irani është mbështetur fuqishëm te kriptomonedha për transaksionet financiare.

Një raport nga platforma e të dhënave “Chainanalysis” tregon se rrjedha e kriptomonedhave drejt subjekteve të sanksionuara u rrit ndjeshëm në vitin 2025, ku vlera e tyre u rrit me 694 për qind, duke arritur shifrën rekord prej 154 miliardë dollarësh – nga 59 miliardë sa ishte në vitin 2024. Në tremujorin e fundit të vitit, vetëm Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) llogaritet të kenë pranuar 50 për qind të vlerës – gjithsej 3 miliardë dollarë.

Irani i konverton zotërimet në kriptomonedha në renminbi (juanin kinez), i cili pastaj përdoret për të blerë mallra ruse ose për të zhvilluar tregti në tregjet aziatike – duke u integruar më tej në një arkitekturë financiare alternative që forcon monedhën kineze.

Lufta ndaj Iranit tani mund të zgjerojë rrethin e aktorëve ekonomikë të gatshëm për të përdorur kriptomonedha me shtetin dhe subjektet iraniane. Kur Teherani mori kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës dhe gazit botëror (LNG), ai filloi të kërkonte taksa transiti nga anijet që lundronin në ngushticë.

Tarifat, që zakonisht fillonin nga 1 dollar për fuçi, ishin të pagueshme në Bitcoin ose renminbi, dhe raportet kanë treguar se një numër anijesh dhe kompanish i kanë paguar ato. Ndryshe nga “stablecoins” si USDT, Bitcoin është plotësisht i decentralizuar dhe nuk mund të bllokohet nga asnjë emetues.

Me rreth 175 milionë fuçi të ngarkuara aktualisht në tankera në Gjirin Persik, edhe mbledhja e pjesshme e këtyre taksave mund të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme nëse ngushtica rihapet.

Përdorimi i renminbit është gjithashtu i rëndësishëm. Kina është blerësi më i madh i naftës iraniane dhe paguan me monedhën e saj. Por edhe vende të tjera kanë filluar ta përdorin atë. Në vitin 2024, 30 për qind e tregtisë së jashtme të mallrave të Kinës u pagua me monedhën e saj.

Mekanizmi i taksës së transitit është veçanërisht i rëndësishëm në inkurajimin e kompanive për të përdorur renminbi, pikërisht sepse i ka bërë kostot e varësisë nga dollari të pamundura për t’u injoruar. Vendet që kanë duruar gjatë sfidat e tregtisë së bazuar në dollar, tani po përballen me rrezikun gjeopolitik në kohë reale – duke parë se si SHBA-ja e përdor aksesin në dollar si armë kundër aleatëve dhe kundërshtarëve njësoj, përmes sanksioneve dytësore dhe bllokadave që pengojnë tregjet globale të energjisë.

Sidoqoftë, de-dolarizimi përmes kriptomonedhës dhe renminbit përfaqëson vetëm një nivel të arkitekturës financiare alternative që lufta po përshpejton. Nën ekonominë e dukshme, ekziston një grup mekanizmash informalë por po aq të rëndësishëm – rrjetet “hawala” dhe marrëveshjet e “barterit” – të cilat lufta dhe bllokada mund t’i shtyjnë drejt rrjedhës kryesore të tregtisë rajonale dhe globale.

“Hawala” është një sistem informal transferimi që ekziston prej shekujsh. Ai operon përmes një rrjeti ndërmjetësish që mundësojnë pagesa në lokacione të ndryshme pa lëvizjen fizike të parave. Në rastin e Iranit, hawala funksionon përmes ndërmjetësve të besuar – shpesh kompani fiktive të krijuara në vende të ndryshme – që lehtësojnë transaksionet për llogari të subjekteve iraniane pa i lidhur drejtpërdrejt marrëveshjet me Iranin, duke lejuar kështu vazhdimin e aktivitetit të importit dhe eksportit.

Ky sistem prodhon përfitime të përbashkëta – aktivitet tregtar, tarifa transaksionesh, punësim dhe kërkesë për shërbime ligjore e logjistike – gjë që u jep vendeve pritëse një interes të drejtpërdrejtë ekonomik për vazhdimin e tij. Hawala, pra, nuk ndihmon vetëm Iranin të shmangë sanksionet – ajo heshturazi rekruton ekonomitë rajonale si palë të interesuara në këtë evazion.

Lufta ka të ngjarë të rrisë tërheqjen e marrëveshjeve ekzistuese të barterit. Në vitin 2021, për shembull, Irani dhe Sri Lanka nënshkruan një marrëveshje që kjo e fundit të shlyente borxhin në formën e eksporteve të çajit. Një marrëveshje barteri ekziston edhe mes Iranit dhe Pakistanit. India po konsideron shkëmbimin e naftës me oriz, dhe ekziston potenciali për zgjerimin e shkëmbimeve të mallrave industriale me Rusinë. Secila prej këtyre anashkalon kanalet konvencionale bankare.

Megjithatë, dominimi i dollarit vështirë se do të shpërbëhet brenda natës. Rreth 80 për qind e transaksioneve globale të naftës mbeten të kryera me dollar, dhe kjo monedhë përbën ende rreth 57 për qind të rezervave globale valutore – kundrejt vetëm 2 për qind për renminbin.

Ajo që lufta SHBA-Izrael po përshpejton nuk është zëvendësimi i menjëhershëm, por gërryerja graduale – një zhvendosje me lëvizje të ngadaltë, fundi i së cilës mbetet i pasigurt, por drejtimi i së cilës po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u rikthyer.

Të marra së bashku, de-dolarizimi, rrjetet hawala dhe marrëveshjet e barterit zbulojnë një paradoks strukturor në zemër të strategjisë së luftës SHBA-Izrael ndaj Iranit. Lufta ka prodhuar një rezultat që arkitektët e saj nuk e parashikuan: Në vend që të shkatërronte infrastrukturën e rezistencës së Iranit, ajo e ka ndërkombëtarizuar atë, duke zgjeruar atë që analistët e përshkruajnë si një “bosht të evazionit”. Nëse kjo trajektore ruhet, viktima afatgjatë mund të mos jetë shteti iranian, por vetë regjimi i sanksioneve – dhe bashkë me të, roli hegjemonist i dollarit si mjet i imperializmit gjeopolitik perëndimor.

Opinon: Ali A Ghareh Daghi – Doktor në Sociologji nga Universiteti i Maynooth-it- /AlJazeera/

Continue Reading

Aktualitet

Trump “shpërthen” ndaj Gjermanisë: Merz nuk e ka idenë se çfarë flet, po e shkatërron vendin

Published

on

By

Një përplasje e fortë në distancë ka nisur mes Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Kancelarit gjerman, Friedrich Merz. Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka lëshuar akuza të rënda ndaj liderit gjerman, duke e cilësuar qasjen e tij ndaj Iranit si një rrezik për sigurinë globale. Sipas Trump, Merz mendon se është e pranueshme që Irani të pajiset me armë bërthamore, një skenar ky që sipas tij do ta mbante të gjithë botën peng.

“Ai nuk e di për çfarë po flet!”, ka shkruar Trump, duke shtuar se SHBA po ndërmerr veprime ndaj Teheranit që presidentët e mëparshëm duhet t’i kishin bërë kohë më parë. Ky reagim i ashpër i Presidentit amerikan erdhi si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Merzit, i cili gjatë një aktiviteti në Gjermaninë Perëndimore u shpreh se Irani po poshtëron Shtetet e Bashkuara.

Përveç kritikave për politikën e jashtme, Trump nuk ka kursyer as gjendjen e brendshme të Gjermanisë, duke e cilësuar situatën ekonomike atje si të mjerueshme. Ai deklaroi se nuk është aspak befasuese që Gjermania po përballet me rënie të fortë si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë social, duke ia faturuar këtë dështim lidershipit aktual gjerman.

Në fund, Presidenti Trump ka shprehur irritim të thellë edhe me aleatët e NATO-s, të cilët sipas tij nuk po kontribuojnë ushtarakisht në pikat e nxehta të konfliktit. Ai kritikoi ashpër mungesën e flotave detare aleate në Ngushticën e Hormuzit, e cila mbetet pothuajse e bllokuar. Kjo situatë në këtë rrugë kyçe ujore ka shkaktuar tronditje në tregjet botërore dhe ndërprerje të paprecedentë të furnizimit me energji, duke rritur tensionet mes Uashingtonit dhe partnerëve evropianë.

Continue Reading

Aktualitet

Trump refuzon propozimin e Iranit: Çështja bërthamore mbetet “vija e kuqe” për Uashingtonin

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur pakënaqësi të hapur ndaj ofertës më të fundit të Iranit për t’i dhënë fund luftës dymujore, bëjnë të ditur zyrtarë amerikanë. Shkak i këtij refuzimi është kushti i Teheranit që diskutimet për programin bërthamor të shtyhen për një fazë të mëvonshme.

Sipas propozimit iranian, bisedimet për aktivitetet bërthamore do të nisnin vetëm pasi të përfundonte lufta dhe të zgjidheshin tensionet për transportin detar në Gjirin Persik. Megjithatë, administrata Trump mbetet e palëkundur në qëndrimin se çështja bërthamore duhet të jetë pika kryesore dhe fillestare e çdo negocimi.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, theksoi se SHBA-ja nuk do të bëjë diplomaci përmes mediave, duke shtuar se “vijat e kuqe” të Uashingtonit janë tashmë të qarta për palën tjetër.

Ky ngërç i ri pason historinë e tensionuar mes dy vendeve, e cila u rëndua pas tërheqjes së Trumpit nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Edhe pse Irani këmbëngul se programi i tij është për qëllime paqësore dhe civile, SHBA-ja po kërkon një marrëveshje shumë më të rreptë përpara se të pranojë ndalimin e armiqësive.

Continue Reading

Aktualitet

I dyshuari për sulmin në Uashington akuzohet për tentativë atentati ndaj Trumpit

Published

on

By

I dyshuari për të shtënat në një ceremoni në Uashington, ku do të fliste edhe presidenti amerikan, Donald Trump, u akuzua për tentativë për atentat, si dhe për një komplot më të gjerë që synonte zyrtarë të lartë qeveritarë.

Prokurorja federale për Distriktin e Kolumbisë, Jeanine Pirro, i bëri publike akuzat në një konferencë për media më 27 prill – dy ditë pas sulmit në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Ajo tha se i dyshuari, Cole Tomas Allen, pritet të përballet edhe me akuza të tjera, ndërsa hetimet vazhdojnë.

“Ato janë vetëm tri akuza të përfshira në kallëzim… do të ketë akuza të tjera, ndërsa hetimet zhvillohen”, tha Pirro.

“Por, të mos ketë asnjë dyshim, kjo ishte një tentativë për atentat ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara”, shtoi ajo.

Më 25 prill, Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, hapi zjarr me një armë gjahu ndaj personelit të sigurisë, duke shkaktuar panik, ndërsa presidenti Trump dhe zonja e parë, Melania Trump, u larguan me shpejtësi nga një sallë pranë, pa u lënduar.

Zyrtarët thanë se një pjesëtar i sigurisë u qëllua, teksa Allen tentoi të kalonte një pikë kontrolli, por nuk pësoi lëndime serioze, pasi mbante jelek antiplumb.

Sipas prokurores Pirro, hetuesit besojnë se ai synonte të “qëllonte sa më shumë zyrtarë të lartë të Qeverisë”.

Në të njëjtën konferencë, ushtruesi i detyrës së prokurorit të përgjithshëm, Todd Blanche, tha se autoritetet kanë siguruar një manifest, që i dyshuari besohet se ua kishte dërguar familjarëve të tij.

Sipas tij, është e qartë se objektivi kryesor ishte presidenti Trump, ndërsa motivet e tjera po hetohen nga FBI-ja dhe agjencitë e rendit.

Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, Allen kishte rezervuar më 6 prill një dhomë në hotelin ku mbahej darka dhe kishte udhëtuar nga Kalifornia drejt Uashingtonit me tren.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Uashington, Alex Raufoglu, ishte i pranishëm në ceromoni, kur ndodhën të shtënat.

“Ishte tronditëse. Të gjithë po kërkonin mundësi strehimi”, tha Raufoglu, duke kujtuar momentet e para.

“Padyshim, disa filluan të fshiheshin menjëherë nën tavolinë. Gazetarët menjëherë filluan të dokumentonin, duke kërkuar informacione. Papritur u shfaq Shërbimi Sekret dhe e shoqëroi presidentin jashtë”, shtoi ai. /REL/

Continue Reading

Të kërkuara