Lajmet

“Nuk mund t’u kërkosh njerëzve të harrojnë”

Regjisori spanjoll foli për idenë e filmit “Parallel Mothers’.

Published

on

Regjisori i njohur Pedro Almodóvar shfaqi të kaluarën tragjike të Spanjës në filmin e tij “Parallel Mothers”, duke trajtuar hijen e fashizmit të varur mbi atdheun e tij.

Regjisori tregoi se para filmit “Parallel Mothers” filmi politik që kishte bërë ishte “Live Flesh”, teksa e përshkroi paksa edhe qëllimin e filmit.

“Victor kishte lindur në një natë të errët dhe të vetmuar në një autobus në vitin 1970, ndërsa fëmija i tij 20 vjet më vonë, lindi në një qytet ku rrugët janë të mbushura me njerëz dhe të lumtur. Për herë të parë, doja të jem shumë i qartë duke thënë se çfarë do të thotë për ne të jetojmë në një demokraci, sepse gjithçka ndryshoi – mbi të gjitha, për të rinjtë”.

Më pas ai jepi disa sqarime edhe për filmin “Parallel Mothers” i cili pas lansimit kishte nxitur disa diskutime.

“Doja të flisja për varret masive [ku ishin zbuluar viktimat e Frankos]. Është një borxh që shoqëria spanjolle ka me viktimat dhe familjet. Doja t’i jepja dukshmëri një problemi që shumë njerëz e harruan. Brezi i ri nuk e di se për çfarë po flas, sepse ata nuk kanë kujtime nga periudha e Frankos”.

Regjisori u shpreh se e sheh vendin e tij, respektivisht Spanjën, si “të ndarë”.

“Jam përpjekur t’u them të rinjve se duhet të kemi kujtime nga e kaluara dhe të mos përsërisim të njëjtat gabime”.

“Gjysmës së vendit që është konservatore, nuk i pëlqen filmi” shtoi ai. “Atyre nuk u pëlqen që dikush si unë po e kujton atë periudhë, që varrezat masive janë ende aty, që familjet kërkojnë me dëshpërim identifikimin e viktimave. Ata mendojnë se kjo periudhë ka përfunduar. Por unë mendoj se nuk ka përfunduar – jo derisa të gjejmë një zgjidhje”./UBTNews/

Vendi

Lidershipi në epokën e Inteligjencës Artificiale: Nis punimet Konferenca Ndërkombëtare në UBT

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve të “Global UBT Fest 2026”, sot më 3 korrik 2026 ka nisur punimet Konferenca Ndërkombëtare e Lidershipit. Këtë vit, konferenca i kushtohet tërësisht temës mjaft aktuale “Qeverisja e Inovacionit: Lidershipi në Epokën e Inteligjencës Artificiale”, duke trajtuar nevojën që zhvillimet e hovshme teknologjike të udhëhiqen me vizion, përgjegjësi dhe integritet. Ngjarja po zhvillohet në Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan nga ora 09:00 deri në 15:00.

Konferenca ka bërë bashkë emra të njohur të institucioneve shtetërore, industrisë dhe botës akademike. Në panelet e diskutimit marrin pjesë Rektori i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit Mimoza Kusari-Lila, si dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Dr. Ahmet Ismaili.

Pjesë e diskutimeve profesionale janë edhe ligjërues e dekanë të fushave të ndryshme si Faton Limani e Gerta Uruçi-Limani nga Universiteti i Harvardit, Prof. Agron Hamiti (Drejtor i Departamentit të TI-së në ATK), Prof. Dr. Blerton Abazi, Prof. Florin Aliu, Ma. Meli Limani (Universiteti i Ontariot Perëndimor), Prof. Dr. Muhamet Gërvalla, Prof. Asoc. Dr. Besnik Qehaja dhe Elinda Krasniqi.

Synimi kryesor i këtij takimi është sjellja e ideve të reja dhe rekomandimeve konkrete për mënyrën se si duhet të qeveriset inovacioni, duke forcuar urat e bashkëpunimit ndërmjet universitetit, institucioneve dhe industrisë në vend. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Hapet “Global UBT Fest 2026”: Nis festivali më i madh i dijes në rajon me mbi 3,000 pjesëmarrës

Published

on

By

Ka nisur zyrtarisht edicioni i 15-të i festivalit ndërkombëtar “Global UBT Fest 2026”, i cili konsiderohet si ngjarja më e madhe e dijes në rajon. Përgjatë tërë muajit korrik, ky festival do të shërbejë si një platformë gjithëpërfshirëse ku bashkohen arsimi, shkenca, inovacioni dhe zhvillimi profesional, me synim ndërtimin e zgjidhjeve për sfidat e së ardhmes.

Në këtë edicion jubilar, festivali ka materializuar vizionin e nisur pesëmbëdhjetë vjet më parë për ta shndërruar Kosovën në një qendër ndërkombëtare të bashkëpunimit akademik. Ngjarja pritet të bëjë bashkë mbi 3,000 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës. Pjesë e debateve dhe ligjëratave do të jenë më shumë se 300 folës, profesorë, studiues dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët do të ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre me të pranishmit.

Gjatë ditëve në vijim, në kuadër të festivalit do të organizohen mbi 50 shkolla verore. Këto programe do të mbulojnë fusha të shumta dhe të ndryshme si inteligjenca artificiale, shkencat kompjuterike, inxhinieria, siguria kibernetike, mjekësia, stomatologjia, farmacia, arkitektura, energjia, media dhe komunikimi, ekonomia, biznesi, drejtësia, psikologjia, arti, dizajni, muzika, politika publike, sporti, bujqësia dhe shkencat e ushqimit. Përveç shkollave verore, agjenda do të pasurohet me konferenca shkencore, forume ndërkombëtare, gara inovacioni, hackathone, ekspozita e prezantime të startup-eve. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Sekuestrohen katër armë AK-47 në Podujevë, një person dërgohet në mbajtje

Published

on

Policia e Kosovës ka sekuestruar katër armë automatike AK-47, nëntë karikatorë dhe 262 fishekë gjatë një aksioni në Podujevë, ndërsa një person është dërguar në mbajtje.

Sipas raportit policor, pas pranimit të informatave më 25 qershor janë ndërmarrë veprime hetimore, ku gjatë kontrollit të një porosie të dërguar përmes një agjencioni turistik janë gjetur dhe sekuestruar katër armë AK-47, nëntë karikatorë, 262 fishekë dhe dy dritare plastike.

Më 2 korrik, në vazhdën e hetimeve, policia ka shoqëruar dy persona për intervistim. Me urdhër të prokurorit është bastisur edhe një shtëpi, ku janë gjetur dhe sekuestruar tri pjesë të një arme AK-47 dhe një kondak druri i pushkës.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kompetent, njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet për veprën penale “Import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.”/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Premiera e Operës së Kosovës sjell me sukses kryeveprat e Puccinit

Published

on

Opera e Kosovës solli mbrëmjen e së martës premierën e suksesshme të dy kryeveprave të Giacomo Puccinit, “Suor Angelica” dhe “Gianni Schicchi”, duke i dhuruar publikut një mbrëmje artistike të nivelit të lartë.

Nën dirigjimin e maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli dhe regjinë e Luca Ramacciottit, produksioni u interpretua nga solistët, Kori dhe Orkestra e Operës së Kosovës, duke u mirëpritur nga një sallë e mbushur dhe u shpërblye me duartrokitje të gjata.

Sipas organizatorëve, kjo premierë dëshmoi zhvillimin e vazhdueshëm të skenës operistike në Kosovë dhe përkushtimin për sjelljen e produksioneve me standarde të larta artistike.

Premiera u cilësua si një tjetër hap i rëndësishëm në pasurimin e jetës kulturore të vendit dhe në promovimin e artit operistik./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara