Aktualitet

Nuk ka burg për ata që nuk e deklarojnë pasurinë

Published

on

Mosdeklarimi i pasurisë nga zyrtarët shtetërorë në Kosovë, sipas Kodit Penal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Derisa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Mirëpo, për një çështje të tillë asnjë nga zyrtarët që nuk e kanë deklaruar pasurinë nuk janë dënuar me burg.

Madje edhe në rastet kur ndodh të shqiptohet dënim me burg, i njëjti me pëlqim të palëve, shndërrohet në dënim me gjobë.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), dënimet, sa i përket mosdeklarimit dhe deklarimit të rremë të pasurisë, janë shumë të ulëta.

Leotrim Gashi nga ky institut, tha për Radion Evropa e Lirë se po të kishin qenë dënimet më të ashpra, atëherë do të kishte më pak zyrtarë, të cilët nuk do ta deklaronin pasurinë.

“Pavarësisht që një zyrtar nuk e bën deklarimin e pasurisë, të njëjtit marrin dënime minimale, qoftë dënime me kusht ose dënime me gjobë, mirëpo nuk kemi parë që një zyrtar publik që e nuk ka deklaruar pasurinë, t’i shqiptohet një dënim me burgim”, tha Gashi.

Sipas tij, duhet të ketë hetime më të thella lidhur me deklarimin e rremë të pasurisë.

“Si AKK-ja, ashtu edhe prokuroria dhe policia, duhet të jenë më seriozë në hetim të rasteve për deklarim të rrejshëm të pasurisë, dhe po ashtu edhe gjykata në rastet kur vërteton se zyrtarët me dashje nuk kanë bërë deklarimin e pasurisë, atëherë ndaj tyre të shqiptohen dënime më të larta”, tha Gashi.

Sipas IKD-së, shumica e rasteve të mosdeklarimit ose deklarimit të rremë, dënohen me kusht ose me gjobë në vlerë prej 300 eurosh.

AKK: Mbi 100 zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë brenda afatit

Rreth 5 mijë zyrtarë shtetërorë në Kosovë kanë pasur obligim që ta deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).

Në afatin prej 30 ditësh, nga data 1 mars deri më 31 mars, mbi 100 prej këtyre zyrtarëve nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor, tha për Radion Evropa e Lirë Agron Behrami, shef i Divizionit për deklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Sipas tij, vitin e kaluar dhe këtë vit, procesi i deklarimit të pasurisë ka qenë më i vështirë si pasojë e pandemisë, pasi pranimi i palëve ka qenë i ndaluar dhe të gjitha komunikimet janë bërë online.

“Në mesin e këtyre zyrtarëve, 4.783 zyrtarë publikë kanë përmbushur obligim ligjor brenda afatit ligjor dhe kanë dorëzuar formularët e tyre. Ndërsa pas afatit e kanë deklaruar pasurinë 56 zyrtarë të lartë publikë. Njëzetepesë nuk e kanë deklaruar fare dhe 28 prej tyre për arsye shëndetësore dhe arsye tjera nuk kanë mundur ta deklarojnë”, tha Behrami.

Behrami tha se për të gjitha rastet që nuk i respektojnë afatet për deklarim të pasurisë, agjencia ngrit kallëzime penale.

“Të gjitha këto raste, në përjashtim të rasteve kur kanë arsye bindëse për agjencinë, të gjitha rastet tjera do t’i procedojmë për kallëzime penale. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim dhe jemi duke i proceduar këto raste”, tha Behrami.

Ligji për deklarimin e pasurisë obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore./REL

lajme

John Malkovich: Sot, çmimi “Oscar” i çon njerëzit në kinema

Published

on

By

Aktori i njohur John Malkovich beson se industria e filmit ka ndryshuar ndjeshëm dhe se sot çmimet “Oscar” luajnë rol vendimtar për të tërhequr publikun në kinema, ka shkruar FemaleFirst.

Aktori 72-vjeçar, i nominuar dy herë për “Oscar” si aktori më i mirë në rol dytësor, ka thënë se dikur filmat mund të kishin sukses te publiku edhe pa u mbështetur te çmimet prestigjioze.

Gjatë një bisede në Festivalin e Filmit të Londrës, organizuar nga Instituti Britanik i Filmit (BFI), Malkovich u shpreh se kinemaja dikur kishte ndikim shumë më të madh në kulturë.

“Sot, rruga drejt çmimeve është e vetmja mënyrë për t’i bërë njerëzit të shkojnë në kinema, dhe kjo zgjat me muaj të tërë”, ka thënë aktori.

Ai ka shtuar se fitimi i një çmimi “Oscar” duket se është bërë mënyra kryesore për ta bindur publikun të shohë një film në ekranin e madh.

Megjithatë, Malkovich e pranon se ndryshimi është pjesë e natyrshme e jetës dhe karrierës.

“Gjërat ndryshojnë dhe ti ose ndryshon bashkë me to, ose vdes. Unë preferoj të përshtatem me ndryshimet”, u shpreh ai.

Aktori ka folur më herët edhe për fillimet e karrierës, duke pranuar se në rini nuk ishte aq i përkushtuar ndaj punës sa sot. Ai ka treguar se, kur nisi të merrej me aktrim, nuk ishte plotësisht i sigurt nëse kjo ishte ajo që dëshironte të bënte me jetën e tij.

Malkovich u bë pjesë e trupës teatrore Steppenwolf menjëherë pas universitetit, kur ishte rreth 20-22 vjeç. Edhe pse ishte i kënaqur me disa prej shfaqjeve dhe rezultateve të arritura, në atë kohë ende po përpiqej të kuptonte nëse aktrimi ishte rruga e duhur për të.

 

Continue Reading

Vendi

Katër raste të dhunës në familje janë regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë

Published

on

By

Katër raste të dhunës në familje janë regjistruar në 24 orët e fundit në vend, ku tre persona janë dërguar në mbajtje, ndërsa një i dyshuar gjendet ende në kërkim policor.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, raste të kësaj natyre janë evidentuar në Gjakovë, Rahovec dhe Prishtinë:

Në Gjakovë një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht me grushte nga një burrë. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari gjendet në kërkim nga policia.

Ndërsa në Rahovec është arrestuar një mashkull pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje, me ç’rast viktimës i është ofruar ndihma mjekësore. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Edhe në Prishtinë, Policia ka arrestuar një burrë pas veprimeve hetimore lidhur me një rast të mëparshëm të dhunës në familje. I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Edhe rasti i fundit është regjistruar në Prishtinë, ku është arrestuar një burrë i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj një mashkulli tjetër. I dyshuari po ashtu është dërguar në mbajtje sipas urdhrit të prokurorit. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Detajet nga vrasja në Gjilan nga raporti i Policisë së Kosovës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja përmes raportit 24-orësh lidhur me vrasjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Gjilan, ku një person ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Sipas raportit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur më 11 tetor 2026, rreth orës 19:32, ku i dyshuari burrë dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri viktimën burrë.

Në vendin e ngjarjes, njësitë policore kanë konfiskuar një sasi të konsiderueshme armatimi e municioni, përfshirë një pushkë gjuetie, një pushkë zjarri M48, një pistoletë, si dhe 68 fishekë e 4 gëzhoja.

I dyshuari për kryerjen e kësaj vepre penale gjendet ende në kërkim policor.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Hetimet për rastin po vazhdojnë nga njësitë përkatëse. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Prof. Ass. Dr. Burim Kiseri sjell një perspektivë bashkëkohore mbi estetikën dentare dhe fasetat moderne në Kongresin e XI-të Mbarëkombëtar të Stomatologjisë

Published

on

By

Prof. Ass. Dr. Burim Kiseri, nga Programi i Stomatologjisë në UBT, ishte i ftuar si ligjërues në Kongresin e XI-të Mbarëkombëtar të Stomatologjisë në Republikën e Kosovës, ku prezantoi temën “Nga Perceptimi Estetik te Fasetat Dentare: Krijimi i Buzëqeshjes në Epokën e Personalizimit”, duke sjellë një perspektivë bashkëkohore mbi estetikën dentare dhe zhvillimet në stomatologjinë restauruese.

Në fokus të prezantimit të tij ishte individualizimi i buzëqeshjes, harmonia ndërmjet dhëmbëve, gingivës dhe tipareve të fytyrës, si dhe rëndësia e planifikimit digjital, teknikës mock-up dhe fasetave dentare në arritjen e rezultateve natyrale dhe funksionale.

Përmes kësaj teme, Prof. Ass. Dr. Kiseri theksoi se estetika moderne dentare shkon përtej formës dhe ngjyrës së dhëmbëve, duke synuar krijimin e një buzëqeshjeje që reflekton identitetin dhe karakteristikat individuale të secilit pacient. Ndërthurja e perceptimit estetik me parimet shkencore dhe teknologjitë moderne mundëson trajtime më të personalizuara, duke ruajtur harmoninë dhe funksionalitetin.

Pjesëmarrja e Prof. Ass. Dr. Burim Kiserit në këtë kongres përfaqëson një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale, si dhe për promovimin e qasjeve inovative në stomatologji.

Continue Reading

Të kërkuara