Magazinë

Një dritare magjepsëse drejt së kaluarës”: Shtëpitë që tregojnë si jetonin në të vërtetë njerëzit në kohën Tudor

Published

on

Një nga favoritët në Oscars këtë fundjavë, filmi “Hamnet” ka sjellë në qendër të vëmendjes arkitekturën dhe interierët Tudor. Dhe në Mbretërinë e Bashkuar ende ekzistojnë shumë shtëpi që tregojnë jetesën e shekullit të 16-të.

Një lloj “farmacie shtëpiake” me barishte të thata – rozmarinë, sherebelë, pelin i egër, livando dhe trumzë – varet bukur nga trarët e errët prej druri të një kuzhine Tudor; bar i freskët është shpërndarë në dysheme, ndërsa një tavolinë druri e vjetër dhe e gërvishtur mban mbi vete një koleksion tasash prej balte. Kjo kuzhinë nuk është e vërtetë, por një skenografi e ndërtuar për filmin “Hamnet”, dramën e shekullit të 16-të nga regjisorja Chloe Zhao – e frymëzuar nga jeta familjare e Shakespeare-it në Anglinë Tudor dhe e bazuar në romanin e Maggie O’Farrell – që është një nga pretendentët kryesorë në Oscars këtë fundjavë, me disa nominime, përfshirë filmin më të mirë, regjinë më të mirë dhe aktoren më të mirë.

Të hyje në një shtëpi Tudor do të thoshte të hyje në një botë njëkohësisht praktike dhe simbolike.

Interierët e thjeshtë dhe atmosfera modeste familjare të filmit kanë prekur audiencën. Estetika e thjeshtë e kësaj periudhe në interierët anglezë – kur mobiljet, tekstilet dhe arkitektura prodhoheshin me dorë, me materiale lokale dhe për qëllime praktike – zbulon një mënyrë jetese krejt ndryshe nga realiteti i prodhimit masiv të shekullit të 21-të.

“Njerëzit kishin shumë më pak gjëra se sot, dhe ato ishin bërë për të zgjatur,” thotë për BBC Lucy Armstrong-Blair, kuratore e trashëgimisë kulturore në National Trust.

Ndërkohë, një libër i ri, “The House Rules”, prezanton shtëpi historike britanike – mes tyre edhe të periudhës Tudor dhe Jacobean – që janë restauruar me kujdes dhe janë rikthyer në jetë nga pronarët ose dizajnerët e interierit. Mbretëria e Bashkuar ka një nga fondet më të vjetra të banesave në Evropë dhe ndërtesat e saj historike përfshijnë jo vetëm rezidenca madhështore të aristokracisë tokësore, por edhe shtëpi modeste prej guri, kasolle me çati kashte dhe shtëpi me korniza druri.

Edhe në SHBA ka disa shembuj interesantë të shtëpive të epokës Jacobean. Midis tyre janë Fairbanks House, e ndërtuar në vitin 1637 në Dedham, Massachusetts, dhe Gedney House, e ndërtuar në vitin 1665 në Salem. Ndërkohë, në South Orange, New Jersey, ndodhet The Stone House, e ndërtuar në vitin 1680 dhe ndërtesa më e vjetër që ka mbijetuar në atë qytet. Interesant është fakti se në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të pati një valë ndërtimesh të shtëpive të stilit Tudor Revival në këtë qytet dhe zonat përreth.

Në Angli, shtëpitë e epokës Tudor dhe Elizabethane pasqyronin edhe besëtytnitë e kohës. Periudha Jacobean që pasoi u shoqërua me një rritje të gjuetisë së shtrigave, e nxitur nga paranoja dhe obsesionet e Mbretit James. Shumë shtëpi të këtyre periudhave kishin shenja të gdhendura në oxhaqe dhe hyrje, të cilat besohej se mbronin nga shtrigat.Të hyje në një shtëpi Tudor do të thoshte të hyje në një botë praktike, por edhe plot simbolikë. Ndërtesat formësoheshin nga druri i pyjeve lokale – shpesh lis ose elm – që përdorej për të krijuar korniza të forta druri, ose nga guri i nxjerrë në zonën përreth. Muret bëheshin nga suva gëlqereje e përzier me qime kali, e vendosur mbi rrasa të holla druri, dhe nganjëherë zbukuroheshin me tekstile të pikturuara ose shenja dekorative, pasi tapiceritë ishin shumë të shtrenjta për shumicën e familjeve Tudor.

Marrë dhe përshtatur nga BBC

Continue Reading

Aktualitet

Justin Timberlake me dokumentar të ri në “Apple TV”: Trajtohen incidenti me Janet Jackson dhe deklaratat e Britney Spears

Published

on

By

Këngëtari i njohur amerikan Justin Timberlake pritet të publikojë gjatë muajit dhjetor një dokumentar biografik me katër episode në platformën “Apple TV”, ku do të zbulojë detaje të pabëra më parë nga jeta dhe karriera e tij artistike.

Sipas raportimeve të revistës së specializuar Variety, projekti i drejtuar nga regjisori Fisher Stevens do të përfshijë edhe pjesëmarrjen e këngëtares Janet Jackson. Ajo do të flasë nga këndvështrimi i saj lidhur me incidentin e bujshëm gjatë shfaqjes në “Super Bowl” të vitit 2004, kur gjatë performancës së tyre të përbashkët u ekspozua aksidentalisht gjoksi i saj.

Gjithashtu, Timberlake pritet të komentojë për herë të parë publikisht edhe deklaratat e fundit të ish-partneres së tij, Britney Spears, e cila në librin e saj autobiografik kishte zbuluar detaje mbi marrëdhënien e tyre të kaluar.

Derisa përfaqësuesit e Timberlake, Janet Jackson dhe platformës “Apple TV” nuk kanë dhënë ende komente zyrtare, dokumentari katër-pjesësh konsiderohet si një nga projektet më të pritura televizive të fundvitit.

Continue Reading

Lajmet

Elon Musk ironizon humbjen e Republikanëve me “laserët e hapësirës”

Published

on

By

Ndonëse është tërhequr nga një rol i drejtpërdrejtë publik në administratën e Donald Trumpit, miliarderi Elon Musk ka mbetur një nga mbështetësit më të mëdhenj financiarë të Partisë Republikane. Megjithatë, pas rezultateve të pafavorshme dhe humbjes së thellë të republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit, Musk ka reaguar me disa komente ironike në rrjetet sociale.

Përmes një sërë postimesh, miliarderi amerikan u shpreh me sarkazëm për dështimin e kandidatëve që mbështeti financiarisht. Në reagimin e tij të parë ai shkroi se “qendrat e të dhënave në hapësirë po duken gjithnjë e më tërheqëse tani”, duke ironizuar debatin e fortë gjatë fushatës në Teksas rreth ndërtimit të këtyre qendrave, temë kjo qënxiti pakënaqësi te votuesit dhe ndihmoi fitoren e demokratëve.

Veprimi jo i zakonshëm u pasua vetëm një minutë më vonë nga një tjetër mesazh ku Musk ironizonte pretendimet për ndërhyrje: “Me sa duket, laserët e mi hapësinorë për të ndërhyrë në zgjedhje nuk funksionuan këtë herë”.

Këto deklarata vijnë pas një cikli zgjedhor ku u shpenzuan miliarda dollarë nga të dyja kampet politike. Musk vetë derdhi më shumë se 480 milionë dollarë në mbështetje të republikanëve, duke u renditur ndër donatorët më të mëdhenj individualë të këtyre zgjedhjeve. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Apple tejkalon pritjet me të ardhurat, por aksionet bien pas publikimit të rezultateve

Published

on

Kompania amerikane Apple ka raportuar të ardhura më të larta se pritjet e analistëve për tremujorin që përfundoi më 26 shtator 2026, të nxitura kryesisht nga shitjet rekord të iPhone-ve.

Megjithatë, aksionet e kompanisë ranë me rreth 3 për qind gjatë tregtimit pas mbylljes së bursës, pasi investitorët vlerësuan rezultatet pozitive në raport me presionin mbi marzhet e fitimit.

Të ardhurat e Apple arritën në 114.5 miliardë dollarë, duke shënuar rritje prej 12 për qind krahasuar me 102.5 miliardë dollarët e regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kompania me seli në Cupertino të Kalifornisë raportoi fitime prej 30.71 miliardë dollarësh, ose 2.10 dollarë për aksion. Një vit më parë, fitimi kishte qenë 27.47 miliardë dollarë, apo 1.85 dollarë për aksion, që përfaqëson një rritje prej 12 për qind.

Sipas të dhënave të FactSet, analistët kishin parashikuar fitime mesatare prej 1.99 dollarësh për aksion dhe të ardhura prej 113.4 miliardë dollarësh. Apple arriti t’i tejkalojë të dyja parashikimet.

Megjithatë, një pjesë e rritjes së fitimit erdhi nga rimbursimet e tarifave doganore, të cilat kontribuuan me 0.05 dollarë për aksion dhe rritën marzhin bruto të kompanisë me rreth një pikë përqindjeje, duke e çuar atë në 47.9 për qind.

Tremujori përfshiu vetëm ditët e para të shitjeve të modeleve premium iPhone 18 Pro. Ndërkaq, telefoni i palosshëm i kompanisë, iPhone Duo, nisi të shitej gjatë tremujorit aktual dhe, për rrjedhojë, shitjet e tij nuk janë përfshirë në rezultatet e fundit.

Të ardhurat nga shitjet e iPhone-ve u rritën me 17.5 për qind, duke arritur në 57.6 miliardë dollarë. Edhe shitjet e kompjuterëve Mac shënuan rritje prej gati 24 për qind.

Në anën tjetër, të ardhurat nga iPad-ët ranë me 10.4 për qind, ndërsa kategoria e pajisjeve të veshshme, pajisjeve për shtëpi dhe aksesorëve shënoi rënie prej 7.9 për qind.

Ky është raporti i parë financiar i Apple që nga marrja e drejtimit të kompanisë nga John Ternus, më 1 shtator, duke zëvendësuar Tim Cook-un.

Ternus veçoi rimëkëmbjen e shitjeve në rajonin e Kinës së Madhe, ku të ardhurat u rritën me 21 për qind gjatë tremujorit dhe me 28 për qind gjatë gjithë vitit fiskal. Sipas tij, rritja u nxit kryesisht nga shitjet e iPhone-ve dhe kompjuterëve Mac.

Megjithatë, analisti i lartë i Investing.com, Jesse Cohen, në një vlerësim të cituar nga MarketWatch, theksoi se të ardhurat nga Kina, si dhe ato nga pajisjet e veshshme dhe pajisjet për shtëpi, rezultuan më të ulëta se pritjet e analistëve.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

The Weeknd publikon këngën e re “Hong Kong”, frymëzohet nga muzika kantoneze

Published

on

Këngëtari kanadez The Weeknd ka publikuar këngën e tij më të re, të titulluar “Hong Kong”, si dedikim për qytetin që e priti gjatë ndalesës së tij në turneun botëror.

Kënga bazohet në melodinë dhe vokalin në gjuhën kantoneze të hitit “Monsoon”, të publikuar në vitin 1993 nga këngëtarja Faye Wong, një prej emrave më të njohur të muzikës Cantopop.

“Hong Kong” u interpretua për herë të parë më 24 tetor, në koncertin e parë të serisë së performancave të The Weeknd në këtë qytet, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut dhe përdoruesve të rrjeteve sociale.

Përmes këtij projekti, artisti shpreh vlerësimin e tij për muzikën Cantopop dhe krijimtarinë filmike të regjisorit Wong Kar-wai, një prej figurave më të njohura të kinematografisë aziatike.

Edhe kopertina e këngës ka një domethënie të veçantë. Ajo përmban një fotografi arkivore të Hong Kongut nga koleksioni personal i drejtorit të fotografisë Christopher Doyle, i njohur për bashkëpunimin me Wong Kar-wain në filmin “Chungking Express”, ku interpretojnë Faye Wong dhe Tony Leung.

Prezantimi i parë i këngës në skenë shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale. Një fragment i publikuar në Instagram grumbulloi më shumë se 18 milionë shikime, ndërsa vëmendja ndaj projektit riktheu në qendër edhe këngën origjinale të Faye Wong, e cila nisi të ngjitej sërish në klasifikimet e platformave muzikore.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara