Kardinalët katolikë romanë janë mbledhur të mërkurën për ta nisur detyrën e zgjedhjes së një pape të ri. Ata do të qëndrojnë të ngujuar larg botës derisa ta zgjedhin njeriun që shpresojnë se mund ta bashkojë një kishë botërore të larmishme, por të ndarë.
Në një ritual që ka rrënjët në mesjetë, kardinalët do të futën në Kapelën Sistine të Vatikanit, pas një meshë publike në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe do ta nisin këshillin e fshehtë për ta zgjedhur pasardhësin e Papa Françeskut, i cili vdiq muajin e kaluar.
Asnjë papë nuk është zgjedhur në ditën e parë të këshillit, e njohur si konklava e fshehtë, prej shekujsh, prandaj votimi mund të vazhdojë për disa ditë para se ndonjëri nga princat me kapele të kuqe të kishës t’i marrë shumicën e nevojshme prej dy të tretat e votave për t’u bërë papa i 267-të.
Të mërkurën do të ketë vetëm një votim. Në ditët në vijim, kardinalët mund të votojnë deri në katër herë brenda ditës.
Në fund, ata i djegin fletët e votimit dhe, nëse nga oxhaku mbi çatinë e kapelës del tym i zi, nënkuptohet se papa i ri nuk është zgjedhur ende. Tymi i bardhë dhe kambanat që bien tregojnë se kisha me 1.4 miliardë anëtarë ka një udhëheqës të ri.
Në meshën e mëngjesit të së mërkurës në Bazilikën e Shën Pjetrit, përpara hyrjes në konklavë, kardinalët u lutën që Zoti t’i ndihmojë ta gjejnë një papë që do të ushtrojë një “kujdes vigjilent” mbi botën.
Në predikimin e tij, kardinali italian Giovanni Battista Re u tha kolegëve të tij se duhet ta lënë mënjanë “çdo vlerësim personal” gjatë zgjedhjes së papës së ri dhe të kenë parasysh “vetëm të mirën e kishës dhe të njerëzimit”.
Re, dekan i Kolegjit të Kardinalëve, është 91 vjeç dhe nuk do të marrë pjesë në konklavë, sepse pjesë e saj mund të jenë vetëm kardinalët nën moshën 80-vjeçare.
Kardinalët, gjatë ditëve të fundit, kanë dhënë vlerësime të ndryshme për atë që kërkojnë tek papa i ardhshëm.
Derisa disa kanë bërë thirrje për vazhdimësi me vizionin e Françeskut për më shumë reforma dhe të qenit të hapur, të tjerë kanë kërkuar rikthim tek traditat e vjetra. Shumë kanë shprehur dëshirën për një papat më të parashikueshëm dhe të matur.
Një rekord prej 133 kardinalësh nga 70 vende do të hyjnë në Kapelën Sistine, në krahasim me 115 nga 48 vende në konklavën e vitit 2013 – një rritje që pasqyron përpjekjet e Françeskut për të zgjeruar ndikimin e kishës në rajone të largëta me pak katolikë.
Ende nuk ka favorit të qartë, megjithëse kardinali italian Pietro Parolin dhe kardinali filipinas Luis Antonio Tagle konsiderohen ndër pretendentët kryesorë.
Ashtu si në kohët mesjetare, kardinalëve do t’u ndalohet komunikimi me botën e jashtme gjatë konklavës, dhe Vatikani ka ndërmarrë masa të teknologjisë së lartë për të siguruar fshehtësinë, duke përfshirë pajisje që bllokojnë sinjalet për të parandaluar përgjimin.
Gjatësia mesatare e dhjetë konklavave të fundit ka qenë pak më shumë se tri ditë, dhe asnjë nuk ka zgjatur më shumë se pesë ditë. Konklava e vitit 2013 zgjati vetëm dy ditë.
Kardinalët do të përpiqen ta mbyllin procesin shpejt edhe këtë herë, për të shmangur përshtypjen se janë të përçarë ose se kisha pa udhëheqje./REL/