Teknologji

Nga Snouden te Pegasus: Çfarë është spiunazhi në epokën dixhitale?

Jetët dhe ekonomitë e dixhitalizuara, por nxjerrin në pah “lumenj” gjithnjë e më të thellë të të dhënave private.

Published

on

Shkrimtarja e famshme Xhejn Ostin, shkroi në vitin 1816 se çdo njeri është i rrethuar nga një lagje plot me spiunë vullnetarë”. Sot kjo “lagje” po bëhet disi më e madhe, teksa jetët dhe ekonomitë e dixhitalizuara, por nxjerrin në pah “lumenj” gjithnjë e më të thellë të të dhënave private nga jeta e përditshme e qytetarëve.

Natyrisht, kjo ka sjellë me vete edhe një debat gjithnjë e më të zjarrtë mbi atë se çfarë do të thotë në të vërtetë “vullnetar” dhe “spiunim”, në një botë ku mbikëqyrja nuk është vetëm e kudogjendur. Megjithatë ajo po shpallet si një kusht kryesor për sigurinë tonë private dhe kolektive.

Një shembull i mirë na vjen së fundmi nga Danimarka, ku policia daneze njoftoi muajin e kaluar se Lars Findsen, ish-shef i Shërbimit të Inteligjencës Daneze të Mbrojtjes (DDIS), mund të përballet me deri 12 vjet burg për tradhti, për shkak të akuzave për rrjedhjen e informacionit të klasifikuar.

Vetëm disa ditë më vonë, skandali u zgjerua më tej pasi Klaus Hjort Frederiksen, Ministër i Mbrojtjes në vitet 2016–2019, konfirmoi se po përballet me akuza të ngjashme, sikurse raportoi e përditshmja daneze “Politiken”.

Akuzat kundër Frederiksen pasuan komentet e tij në mediat lokale 2 vitet e fundit, mbi një marrëveshje tepër sekrete dhe afatgjatë midis Danimarkës dhe ShBA-së mbi përgjimin dhe mbikëqyrjen e internetit, duke i dhënë mundësi Uashingtonin të përdorë të dhënat daneze për të spiunuar vendet evropiane dhe politikanët e saj, përfshirë ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Meqë autoritetet daneze kanë bërë pak deklarata publike mbi këtë çështje, historia është ende e mbuluar me mister. Por ajo që zemëroi më shumë danezët pas zbulimeve të vitit 2020, ishte fakti që edhe ata ka të ngjarë të spiunohen si pasojë e marrëveshjes së fshehtë të përgjimeve.

Muajin e kaluar, Ministri danez i Drejtësisë, Nik Hakerup, e quajti paradoksale situatën, duke shtuar se “fshehtësia e shërbimit të inteligjencës, është pjesë e themelit që ruan lirinë tonë”.

E njëjta çështje shkaktoi tensione në fillim të këtij muaji në Izrael, ku qeveria nisi një hetim mbi raportet se policia ka përdorur në mënyrë të paligjshme programin e spiunazhit të kompanisë private NSO, “Pegasus”, kundër qytetarëve të saj pa një urdhër gjykate, përfshirë një dëshmitar të rëndësishëm në gjyqin për korrupsion kundër ish-kryeministrit Benjamin Netanjahu.

Hetimi, i zbuluar nga revista e biznesit në Tel Aviv “Calcalist”, vjen pas disa vitesh raportimemediatike se NSO, e ka shitur “Pegasus” nën licencën e Ministrisë izraelite të Mbrojtjes tek qeveritë e ndryshme autoritare, të cilat në vend se të kapin terroristët, e kanë përdorur atë për të hakeruar telefonat e aktivistëve dhe politikanëve të opozitës.

Një nga vendet më të lira në botë, ka tani versionin e saj të skandalit Snouden. Në fakt, që kur Eduard Snouden e çimentoi emrin e tij në histori, pasi ishte autor i rrjedhjes më të madhe të informacioneve të klasifikuara në historinë e SHBA-së, ne na rikujtohet në vijimësi se mbikëqyrja shtetërore kufizohet rrallë (në mos asnjëherë?) te një grup i vogël njerëzish të këqij.

Dhe kjo ngre pyetjen: Si ta rimarrim të drejtën tonë individuale për privatësi, pa e cenuar sigurinë tonë kolektive? Ndërsa sulmet e 11 shtatorit 2001, dhe vala pasuese e terrorizmit në të gjithë Evropën, i nxitën qeveritë të zgjeronin kapacitetet e vëzhgimit, ne u siguruam se pjekuria e demokracive perëndimore do e bënte të pajustifikuar çdo lloj frikë, se mos masat përdoreshin për qëllime të këqija.

Është shumë domethënës fakti që Danimarka, një nga vendet më të lira dhe më të besueshme në botë, ka tani versionin e saj të skandalit Snouden, natyrisht disi me i qetë në krahasim me ngritjen e liderëve autoritarë në Perëndim, të cilët janë shumë më të zhurmshëm dhe i sfidojnë më hapur parimet e demokracisë.

Tani shumë analistë argumentojnë se politika e mbikëqyrjes, duhet të përfshijë jo vetëm një rikthim të praktikave të caktuara, por edhe të masave mbrojtëse më të forta kundër tejkalimittë kufijve që dikton ligji dhe abuzimit të qeverive në të ardhmen.

Profesor Lorenc Kapelo argumenton në librin e tij “Nuk është puna juaj:Privatësia në ShBA, nga Epoka e Artë në Epokën Dixhitale”, se korniza të tilla ligjore nuk do të jenë aq të lehta për t’u vendosur, kryesisht sepse ligjet janë gjithmonë një hap prapa zhvillimit të teknologjisë.

Kjo është sot akoma më e vërtetë, pasi shpejtësia e përparimit të teknologjisë po rritet në mënyrë eksponenciale, dhe kur një rrjet i gjerë pajisjesh e kanë bërë kapacitetin mbikëqyrësnjë parakusht për funksionimin e shoqërisë sonë tekno-centrike.

Ndaj sot nuk ka asnjëherë garanci, se shërbimet sekret do t’i përmbahen ligjit në veprimtarinë e tyre. Por edhe me vendosjen e barrierave ligjore, nuk ka asnjëherë garanci se shërbimet e inteligjencës do t’i respektojnë ato.

Tek e fundit, çështja kryesore deri më tani nuk ka qenë mungesa e rregulloreve, por një sistem ku optimizimi i ndikimit shtetëror, vendas dhe të huaj, është një prioritet brenda aparatit të sigurisë shtetërore, dhe i tejkalon të drejtat e privatësisë dhe konsideratat ligjore.

Siç u shpreh vetë Snouden në një intervistë të fundit për “Politiken”, në vazhdën e skandalit të spiunazhit danez, nëse Danimarka i jep ShBA-së qasje në sasi të mëdha të të dhënave, nuk ka gjasa që informacionet që nuk lidhen me kërcënimet e drejtpërdrejta të sigurisë, t’i kthehen në mënyrë miqësore Kopenhagës.

“Nuk bëhet fjalë që Danimarka të jetë armike e ShBA-së. Por NSA është pjesë e një shteti që synon të maksimizojë fuqinë dhe ndikimin e saj në të gjitha anët e botës. Prandaj, është detyra e ShBA-së që ta kuptojë Danimarkën, qeverinë daneze, dhe hierarkinë në ushtrinë e saj”, shprehet ai.

Megjithatë, fati ynë mund të jetë përfundimisht në duart e sektorit privat. Më në fund, pas shumë vitesh shurdhërie ndaj shqetësimeve të publikut, gjigantët e teknologjisë si “Google”dhe “Apple” mund të zgjohen nga nevoja për barriera të forta të privatësisë, si një kusht për të mbajtur klientët e tyre.

Në janar të këtij viti, “Google” dhe “Boston Consulting Group” publikuan një studim të përbashkët, që tregon se gati gjysma e konsumatorëve në Kanada dhe ShBA, nuk ndiheshin komod me ndarjen e të dhënave të tyre për të pranuar reklamat e synuara.

Ndërkohë, një Anketë e të Drejtave Themelore të BE-së për vitin 2020, një studimi i kryer në kohën kur qeveritë po diskutonin përdorimin e teknologjisë për të luftuar përhapjen e Covid-19, tregoi se 41 për qind e evropianëve nuk duan të ndajnë asnjë të dhënë personale me kompanitë private.

Pra ndërsa është thënë shpesh se shumë njerëz nuk do të heqin kurrë dorë nga shërbimet e internetit për t’u bërë një pengesë në mbledhjen e të dhënave, në fund mund të jenë vetë qytetarët ata që duhet ta kryejnë këtë punë. /World Crunch – Bota.al

Teknologji

TikTok nënshkruan marrëveshje për ndarjen e aseteve në ShBA

Published

on

By

TikTok ka nënshkruar një marrëveshje të mbështetur nga Presidenti Donald Trump për të ndarë asetet e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të krijuar një entitet të ri të përbashkët, të kontrolluar kryesisht nga investitorë amerikanë.

Lajmi u konfirmua nga CEO i TikTok, Shou Chew, në një memo drejtuar punonjësve të enjten, e siguruar nga CNN. Edhe pse transaksioni nuk është finalizuar ende, marrëveshja e çon platformën një hap më afër sigurimit të së ardhmes së saj afatgjatë në tregun amerikan.

Ky zhvillim vjen pas një ligji të miratuar vitin e kaluar, i cili kërkonte që TikTok në ShBA të shkëputej nga kompania mëmë kineze ByteDance, ose përndryshe të përballej me ndalim. Presidenti Trump e ka shtyrë zbatimin e ligjit disa herë, duke favorizuar një marrëveshje që do ta kalonte kontrollin e aplikacionit në duar amerikane.

Sapo kemi nënshkruar marrëveshje me investitorët për krijimin e një sipërmarrjeje të re të përbashkët TikTok në ShBA, duke u mundësuar mbi 170 milionë amerikanëve të vazhdojnë të zbulojnë një botë me mundësi të pafundme,” shkroi Chew në memo.

Sipas marrëveshjes, 50% e entitetit të ri do të jetë në pronësi të një konsorciumi investitorësh që përfshin Oracle, Silver Lake dhe MGX, një firmë investimesh e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Rreth 30% do të zotërohet nga bashkëpunëtorë të investitorëve ekzistues të ByteDance, ndërsa 19.9% do të mbetet në pronësi të vetë ByteDance.

Chew theksoi se ka ende hapa për t’u përfunduar, por palët synojnë finalizimin e marrëveshjes deri më 22 janar 2026. ByteDance dhe TikTok tashmë kanë rënë dakord për kushtet kryesore të transaksionit.

Administrata Trump njoftoi në shtator se kishte arritur një marrëveshje paraprake për transferimin e kontrollit të operacioneve amerikane të TikTok te investitorë kryesisht amerikanë. Presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e cilëson marrëveshjen si një “shitje të kualifikuar” dhe shtyu zbatimin e ndalimit për 120 ditë.

Sipas ligjit amerikan, i cili teknikisht hyri në fuqi në janar, TikTok do të ndalohej nëse ByteDance nuk shiste rreth 80% të aseteve të saj në ShBA investitorëve jo-kinezë.

Entiteti i ri amerikan do të ritrajojë algoritmin e TikTok mbi të dhënat e përdoruesve amerikanë, ndërsa Oracle do të mbikëqyrë ruajtjen e të dhënave dhe sigurinë kibernetike. Gjithashtu, ndërmarrja e re do të jetë përgjegjëse për moderimin e përmbajtjes për përdoruesit në ShBA. Megjithatë, ByteDance pritet të vazhdojë të menaxhojë tregtinë elektronike, reklamimin dhe marketingun global të platformës.

Marrëveshja do të kërkojë gjithashtu miratimin e qeverisë kineze, i cili ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ndërsa Trump ka deklaruar se Presidenti kinez Xi Jinping është dakord me marrëveshjen, Pekini ka mbajtur një qëndrim të rezervuar, duke theksuar se pozicioni i Kinës për çështjen e TikTok mbetet “i qartë dhe konsistent”./CNN/UBTnews

Continue Reading

Teknologji

OpenAI ka prezantuar një gjenerator të ri imazhesh

Published

on

Kompanitë e teknologjisë po avancojnë me shpejtësi në fushën e inteligjencës artificiale, dhe OpenAI sapo ka prezantuar një gjenerator të ri imazhesh të quajtur ChatGPT Images.

Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të imazheve me anë të inteligjencës artificiale, duke u mundësuar përdoruesve të shprehin kreativitetin e tyre në mënyra të reja dhe më të avancuara.

Sipas deklaratave, ky gjenerator është katër herë më i shpejtë se versionet e mëparshme, ndjek udhëzimet që përdoruesit japin dhe bën më pak gabime në detaje.

Ky përmirësim teknik e bën procesin e krijimit të imazheve më të saktë, më efikas dhe më të kënaqshëm për përdoruesit, duke lehtësuar punën kreative dhe duke reduktuar nevojën për redaktime të mëvonshme.

Sam Altman, CEO i OpenAI, kishte paralajmëruar prezantimin e këtij modeli më parë dhe e përshkroi atë si një “model argëtues”, duke lënë të kuptohet se përdoruesit mund të presin një përvojë interaktive dhe kreative.

Krijimi i imazheve me cilësi të lartë bëhet i thjeshtë: mjafton të japësh komandat e duhura, dhe inteligjenca artificiale punon për të gjeneruar rezultatin në mënyrë të shpejtë dhe të saktë. ChatGPT Images synon të thjeshtojë procesin e krijimit të imazheve e të ofrojë një eksperiencë më të shpejtë, më të saktë dhe më argëtuese për përdoruesit.

Përveç përdorimit personal, ky mjet ka ndikim edhe në fusha të ndryshme profesionale, si dizajni grafik, marketingu, arsimi dhe krijimi i përmbajtjes digjitale, duke e bërë AI një partner të dobishëm për inovacion dhe krijimtari. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Gjysma e makinave të Ford do të jenë elektrike ose hibride deri në 2030

Published

on

Industria automobilistike po përshtatet vazhdimisht me kërkesat e tregut.

Pas një përqendrimi agresiv në automjetet elektrike (EV), Ford po ndryshon strategji për shkak të kostove të larta, mungesës së infrastrukturës dhe klimës politike, duke u orientuar më shumë drejt modeleve hibride.

Aktualisht, automjetet hibride dhe elektrike përbëjnë 17% të shitjeve globale të Ford, ndërsa synimi është që kjo shifër të arrijë 50%.

Kjo do të mbështetet nga një platformë e re universale EV dhe më shumë modele hibride e me rreze të zgjatur.

Një kamionçinë elektrike e mesme pritet të hyjë në prodhim në vitin 2027, ndërsa F-150 Lightning EREV do të ofrojë rreth 700 milje autonomi.

Ford po redukton investimet në automjete elektrike të mëdha, të cilat nuk po gjenerojnë kërkesë të mjaftueshme, dhe do të fokusohet në modele më të përballueshme me benzinë, hibride dhe elektrike.

Deri në fund të dekadës, kompania planifikon të prezantojë pesë automjete të reja me çmime më të ulëta.

Gjithashtu, Ford synon të hyjë në tregun e ruajtjes së energjisë, duke përdorur kapacitetet e prodhimit të baterive për qendra të të dhënave dhe banesa.

Këto lëvizje janë pjesë e strategjisë Ford+ dhe përputhen me objektivin për neutralitet karbonik deri më 2050, duke synuar njëkohësisht qëndrueshmëri dhe fitim. /A.Z/UBT News/

 

 

 

Continue Reading

Teknologji

Pamja e ndarë e kamerës vjen në Pixel 9 Pro Fold me përditësimin e ri

Published

on

Me rritjen e vazhdueshme të popullaritetit të telefonave të palosshëm, pritet që gjithnjë e më shumë aplikacione të palëve të treta të optimizohen për këtë faktor forme.

Kjo vlen edhe më tepër për aplikacionet e sistemit. Pikërisht për këtë arsye, Google po përmirëson përvojën e aplikacionit Camera për përdoruesit e Pixel 9 Pro Fold, duke sjellë një veçori të re që debutoi fillimisht në Pixel 10 Pro Fold.

Funksioni në fjalë mundëson shikimin paraprak të fotove në gjysmën e majtë të ekranit të brendshëm, ndërsa pamësi (viewfinder) i kamerës mbetet aktiv në anën e djathtë. Kjo e bën procesin e fotografimit më praktik dhe më efikas,.

Sinqerisht, është disi befasuese që Google-it i është dashur kaq shumë kohë për ta implementuar këtë veçori, pasi pamja e ndarë është tashmë standard në shumicën e telefonave të tjerë të palosshëm.

Për më tepër, ekziston një buton i dedikuar poshtë qepenit, i cili ju lejon të shikoni jo vetëm fotot e realizuara gjatë seancës aktuale, por edhe gjithë galerinë tuaj – një shkurtore praktike drejt Google Photos. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara