Nexhmi Rexhepi është zgjedhur kryetar i ri Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Sipas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, mandatin si kryetar i këtij institucioni, gjyqtari Rexhepi do ta fillojë nga 31 dhjetori i këtij viti.
Ai e pason kryetaren aktuale, Gresa Caka-Nimani të cilës i përfundon mandati nëntë vjeçar.
Në po të njëjtën seancë, gjyqtari Safet Hoxha është zgjedhur zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Gjyqtari, Nexhmi Rexhepi ishte emëruar gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese më 9 gusht 2018.
Rexhepi, studimet në drejtësi i mbaroi në vitin 2001 në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Ndërkaq studimet pasuniversitare në fushën e të drejtave të njeriut i përfundoi në Universitetin e Sarajevës dhe në Universitetin e Bolonjës, në vitin 2004.
Po ashtu, për qëllime studimore, ai qëndroi një semestër më 2002 në Universitetin Shtetëror të Arizonës, Shkolla për Administratë Publike si dhe një semestër më 2009 në Universitetin Johns Hopkins, Shkolla për Studime të Avancuara Ndërkombëtare nën mentorim të profesoreshës dhe shefes së Departamentit për të Drejtën Ndërkombëtare, Ruth Wedgewood.