Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 23 mars, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

23 mars 1993

Lajmet kryesore:

Bukoshi shpreh shqetësim për aleancën mes komunistëve serbë dhe rusë;

Rektori dr.Ejup Statovci u dërgua në burg;

Kryesia e LDK-së kërkon lirimin e menjëhershëm të dr.Ejup Statovcit;

Kryesia e LASH “Naim Frashëri” reagon kundër burgosjes së rektorit dr.Ejup Statovci;

Nuk dihet asgjë për fatin e dr.Abdyl Krasniqit;

Subjektet politike kërkojnë konstituimin e Parlamentit të Republikës së Kosovës;

Serbia synon ndërprerjen e bisedimeve për arsimin në Kosovë;

Vendosmëria e hapi objektin shkollor;

U bastisën shumë familje në Junik të Deçanit;

Policia serbe konfiskoi ndihma humanitare në Pejë;

U hap ekspozita e fotografive “E bukura, e shëmtuara”;

Thirrje për “biseda informative”;

“Le Figaro”: Në Kosovë serbët bëjnë një luftë nervash;

Edhe të huajt mund të punojnë në policinë gjermane;

Kryeministri i Malit të Zi e vërtetoi faktin e vendosjes së emigrantëve në Kosovë.

 

 

23 mars 1994

Lajmet kryesore:

Legjislatorët amerikanë mbështesin planin trepikësh të dr.Bukoshit;

Kongresmenët Molinari dhe Engel kërkojnë kushtëzimin e sanksioneve ndaj Serbisë me çështjes së Kosovës;

Intervistë e dr.Bujar Bukoshit dhënë CNN;

Kosova për herë të dytë brenda një jave në “Euronews”;

Shkrimtarët e Kosovës protestojnë kundër burgosjes së Shaip Beqirit;

Një ushtarak i OKB-së bën thirrje për inkuadrimin e shqiptarëve në bisedime të barabarta;

Iu vazhdua paraburgimi për dy muaj katër të rinjve të akuzuar për kinse stërvitje ushtarake në Shqipëri;

Në Konferencën e Kretës mbi komunikacionin u aprovua korridori që lidh Durrësin me Varnën;

Manfred Verner: Kush nënshkroi “Partneritetin për paqe” është i sigurt 99 për qind;

Socialistët serbë nuk u besojnë “të fortëve të huaj”;

Enver Hoxha më 1946: Të kërkojmë Kosovën nuk është progresiste;

Shqiptarët në Lubjanë organizojnë tubim proteste;

Maqedonia nuk lejoi mbajtjen e kampionatit mbarëkombëtar të skive “Sharri ’94”.

 

 

Represioni i policisë serbe në Kosovë

Podujevë: Sot, në orën 8, policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi familjen e Enver Hajdinit, kryetar i Aktivit të LDK-së në Mirofc të Podujevës. Gjatë bastisjes policia keqtrajtoi brutalisht në prani të anëtarëve të familjes Enverin dhe vëllanë e tij, Arsimin. Ndërkaq, pas bastisjes, policia mori me vete Enverin, i cili u lirua pas disa orësh, me kusht që sërish të lajmërohet në stacionin e policisë.

Sot në Podujevë policia serbe bastisi familjet e Salih Bilallit, Ibrahim Zekës, Bajram Rudarit dhe të Dibran Muçollit. Edhe në këto familje policia serbe kërkoi armë, si dhe ua la ftesat që të paraqiten nesër në stacionin e policisë në Podujevë.

Po ashtu sot, në orët e hershme të mëngjesit, në fshatin Llapashticë të Podujevës, një ekspeditë e policisë serbe bastisi familjet e Ali Poterës, kryetar i Aktivit të LDK-së në Llapashticë. Pas bastisjes policia mori me vete Aliun në stacionin e policisë në Podujevë.

Dje rreth orës 5 të mëngjesit, një ekspeditë e policisë serbe e pajisur me 2 picgauerë dhe disa automjete të tjera, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjen e Salih Softollit në fshatin Lladovc të Podujevës. Meqë në shtëpinë e Salihut nuk u gjet kurrfarë arme, policët në prani të anëtarëve të familjes keqtrajtuan brutalisht djalin e Salihut, Shemsi Softollin.

E njëjta ekspeditë e policisë serbe bastisi dje në fshatin Mirovc të Podujevës edhe familjet e Shaban, Hasan, dhe Brahim Ajetit, me ç’rast policia keqtrajtoi fizikisht Tafil dhe Abdullah Ajetin.

Dje policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi edhe familjen e Islam Muçollit në fshatin Hërticë të Podujevës. Policia pas bastisjes mori me vete djalin e Islamit, Agim Muçollin në stacionin e policisë në Podujevë.

Dje, në fshatin Dobërdol, policia serbe bastisi familjet e Ali dhe Brahim Gashit, nga të cilët kërkuan që patjetër të dorëzojnë armë.

Policia serbe dje bastisi dhe arrestoi edhe Faik Qosen nga Obrança e Podujevës.

Mitrovicë: – Sot rreth orës 6 të mëngjesit, policia serbe bastisi familjen e Sadik Brahimit në fshatin Kqiq i Madh të Mitrovicës.

Ndërkaq dje, policia serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi edhe familjen e Halit Tahirit në fshatin Selac të Mitrovicës. Gjatë bastisjes, policët në prani të anëtarëve të familjes rrahën brutalisht Halit Tahirin, si dhe e morën me vete në stacionin e policisë në Mitrovicë. Policët serbë më pas bastisën edhe familjet e djemëve të Halitit, ato të Idriz dhe Miftar Tahirit, të cilët gjenden përkohësisht të punësuar në Gjermani. Bëhet me dije se në shtëpinë e Miftar Tahirit, policët thyen dhe demoluan dyert e shtëpisë.

Dje, policia serbe mori në pyetje Asllan Istrefin, profesor i Gjuhës shqipe, i cili në stacionin e policisë në Stantërg u mbajt rreth dy orë. Policët nga Asllan Istrefi u interesuan të dinë rreth organizimit të procesit mësimor në këtë trevë.

Të njëjtit policë, pardje arrestuan edhe edhe prof.Naim Istrefin, i cili në stacionin e policisë në Stantërg u rrah brutalisht.

Gllogovc: – Pardje, rreth orës 12, policia serbe kërkoi për të tretën herë në shtëpinë e tij, Sefë Bytyçin nga fshati Arllat dhe Shefqet Krasniqin nga Negroci i Gllogovcit. Këtyre të rinjëve polica ua la ftesat që të paraqiten në stacionin e policisë në Gllogovc.

Dje rreth orës 10, policia serbe arrestoi Sylë Hotin nga fshati Tërstenik i Gllogovcit, si dhe bashskëfshatarin e tij Istref Cakiqin.

Shkaku i arrestimit të tyre, tash për tash nuk dihet.

Skënderaj: – Më 19 mars, Blerim Sejdiaj nga Runiku derisa po e priste autobusin së bashku me nënën e tij në Runikë, atë e legjitimoi dhe më pas edhe e arrestoi policia serbe. Bëhet me dije se Blerim Sejdiaj ende po mbahet në arrest.

Pas dhjetë ditësh, policia serbe shkoi në shtëpinë e tij për të kërkuar edhe vëllain e e tij Bashkim Sejdiajn, i cili para pak kohësh kishte marrë ftesën për të shkuar në ushtrinë serbe.

Më 18 mars, rreth orës 5 të mëngjesit, një ekspeditë e policisë serbe e pajisur me një autoblindë dhe automjete të tjera, nën pretekst të kërkimit të armëve bastisën familjet e vëllezërve Beqir e Rrahman Bejta në fshatin Klinë të Mesme të Skënderajt. Bëhet me dije se policët në prani të anëtarëve të familjes rrahën brutalisht Nezir Bejta. Pas bastisjes, policia mori me vete vëllezërit Beqir dhe Rrahman Bejtën, të cilët për disa orë u mbajtën në stacionin e policisë në Skënderaj.

Më 20 mars,rreth orës 7 të mëngjesit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisën familjen e Bahri Dobrës nga Kryshevci i Skënderajt. Gjatë bastisjes policët morën një pushkë gjuetie. Pas bastisjes, Bahri Dobrës iu la ftesa që të paraqitet sot në stacionin e policisë në Skënderaj.

Viti: – Dje rreth orës 6 të mëgjesit, policia serbe bastisi familjen e Hajredin Aliut në Bisovik të Vitisë. Më pas policia mori me vete Hajredin Aliun në stacionin e policisë në Viti, të cilin e liruan pas keqtrajtimeve të shumta.

Dje sërish, policia serbe bastisi familjen e Qamil Qamilit në Buzovik të Vitisë, tek i cili u gjet një revole pa leje. Qamil Qamili në stacionon e policisë në Viti u mbajt deri rreth orës 11, nga i cili policët kërkuan të dorëzojë edhe një pushkë me të cilën ai nuk disponon.

Prizren: – Sot rreth orës 8 të mëngjesit, katër inspektorë të sigurimit serb, këruan për të arrestuar Ilir Zekën në Korishë të Prizrenit. Policët urdhëruan Ilir Zekën që çdo ditë të paraqitet në stacionin e policisë.

Inspektorët serbë morën në pyetje Ilir Zekën për gjoja shitblerje të armëve.

Rahovec: – Sot rreth orës 8 të mëngjesit, policia serbe mori drejtorin e gjimnazit “Ramiz Sadiku” në Rahovec, Xhemajl Hajrullaagën, zëvendës drejtorin Qerim Rexhepin dhe drejtorin e shkollës fillore “7 Shtatori”, Nexhat Durakun. Policia serbe ndërhyri në këto shkolla në momentin derisa po mbahej mësimi, me ç’rast urdhëruan nxënësit që t’i lirojnë lokalet e këtyre shkollave.

Njoftohet se të lartëpërmendurit po mbahen ende në stacionin e policisë në Rahovec.

(Kronika e represionit u sajua sipas njoftimeve të komisioneve për informim të degëve të LDK-së)

 

 

23 mars 1995

Lajmet kryesore:

Kryetari Rugova priti zyrtarët e organizatës humanitare “Bioforce”;

Përfaqësuesit e partive shqiptare biseduan me diplomatin italian;

Pritet pjesëmarrje masive në tubimet e mërgimtarëve tanë në Evropë;

Dosja e Kosovës në Gjyqin e Hagës;

Presidenti Berisha: Arritje të Shqipërisë në planin e brendshëm e të jashtëm;

Rektori Statovci priti përfaqësuesit e Ambasadës italiane në Beograd;

Unioni Evropian i dha Shqipërisë një ndihmë prej 15 milionë ECU (EKY);

Revista EIR për librin “Çështja e Kosovës”;

“Chicago tribung”: Shqiptarët etnikë punojnë nga nëntoka për të kundërshtuar sundimin serb;

Policia kërkon armë nga shkrimtari Vehap Shita;

Policia konfiskoi një kamionetë me libra shkollorë;

Policia ndërhyri në shkollën e mesme teknike të Vushtrrisë;

Një i ri u dërgua në burgun ushtarak të Nishit;

I plagosuri Nexhmedin Govori kërkon ndihmë;

Organet komunale të Fushë Kosovës rrëzuan ballkonin e shtëpisë së një shqiptari;

Ish-policët e Kosovës nga Peja nxirren në gjyq më 5 prill;

Shqiptarët kërkojnë të shtohet numri i nxënësve në shkollat e mesme në Maqedoni;

  1. Zenku priti ambasadorin T. Milson;

Terror kundër fshatarëve të Grejkocit të Suharekës;

Fluturime të aeroplanëve mbi Prishtinë;

Greqia tërheq një diplomat nga Tirana për shkak të pamfleteve;

Burimet serbe njoftojnë për gjoja një sulm kundër patrollës së policisë serbe afër liqenit të Batllavës;

Në Gjilan u shty gjykimi kundër policëve serbë që para tre vjetësh vranë Zejnullah Rashitin ;

Shtypi serb njofton për fillimin e ndërtimit të 30 banesave për kolonistë në Kamenicë;

Shtypi serb për të drejtën etnike dhe historike mbi Kosovën;

Filloi xhirimi i videofilmit “Buka e hidhur”.

 

 

23 mars 1997

Lajmet kryesore:

SHBA-të përkrahin politikën paqësore të Kosovës

Takime të Demaçit me diplomatë dhe me kryetarët e Degëve të PPK-së

Takim i përbashkët i LDK-së, PSHK-së dhe KKF-së në Doblibare

Takime të rektorit të UP-së me diplomatë perëndimorë në Beograd

Gazeta serbe për thyrjen selektive të depove ushtarake në Shqipëri

Hollësi për plagosjen e policit serb në Podujevë

 

 

23 mars 1998

Edicioni i orës 09:30:

Dje në Suharekë u vranë 5 shqiptarë nga policia serbe

Pas një ndërhyrjeje brutale të policisë serbe, dje në Suharekë në mënyrë mizore u vranë pesë civilë shqiptarë: Naser Abdyl Bytyçi (33), nga Suhareka, (djalë i vetëm), Xhemajl Morina (rreth 45), Ramadan Nezir Morina, që të dy nga Reshtani, Emërllah Hoxha (plak) dhe të birin e tij Mehmetin nga Reçani. Dyshohet se numri i të vrarëve mund të jetë më i madh.

Të gjithë këta persona u vranë nga policia serbe në shenjë reprezaljeje për shkak se dje, rreth orës 14.00, në qendër të Suharekës u vra një serb. Pastaj plot dy orë në qytet kanë gjuajtur snajperët serbë.

Njoftohet se policia serbe ka arrestuar dhe keqtrajtuar shumë shqiptarë. Në mesin e të arrestuarve ishin edhe nënkryetari Degës së LDK në Suharekë Vitor Markaj, anëtari i kryesisë së NKMDLNJ Destan Berisha dhe veprimtari i LDK Agron Bajraktari, të cilët pasi u dërguan në Prizren dhe u mbajtën deri në orët e vona e pastaj u liruan.

Gjithashtu dje në Suharekë në qendër të qytetit është djegur një shtëpi e një shqiptari.

 

Mbrëmë në Prishtinë – tre shqiptarë të vrarë

Mbrëmë diçka pas orës 19.00, në qendër të Prishtinës, nga një bombë e hedhur në kafiterinë “Koha” (përballë Pallatit të Shtypit), u plagos për vdekje Arianit Kelmendi, kurse u plagosën rëndë Jasmin Jaha e Agim Balaj.

Në një sulm tejtër terrorist me armë zjarri në kafeterinë “Magjik”, mbrëmë rreth orës 20,00 u vra Leonora Lutolli, njoftojnë mediat serbe. Ndërkaq, “Koha ditore” shkruan se në këtë sulm është vrarë Adriana Abdullahu dhe janë plagosur Leonora Lutolli e Fadil Dragaj.

Po dje rreth orës 17,30 në Prishtinë, në lagjen Bregu i Diellit, u gjet trupi i pajetë i Kushtrim Gashit. Kushtrimi është vrarë me armë zjarri.

 Një shqiptar u vra dhe 6 të tjerë u plagosën nga granatimet e mbrëmshme në Graboc të Obiliqit

Mbrëmë pas orës 18.30, në Grabocin e Epërm të Obiliqit u vra Ilir Ademi (26) dhe gjashtë shqiptarë të tjerë u plagosën nga granatimet e forcave serbe të cilat gjuanin nga baza e tyre në Ferronikel të Gllogocit. Të plagosurit janë refugjatë nga fshati Dobrashefc. Njoftohet se dëmet materiale janë të mëdha.

Në hyrje të Vushtrrisë u gjet trupi i pajetë i një personi

Në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, në hyrje të Vushtrrisë te pompa e benzinës, në orët e sotme të mëngjesit u gjet trupi i pajetë i një personi, identiteti i të cilit ende nuk dihet. Trupi i tij ende qëndron në rrugën, njofton KI i LDK.

 

 

 

Edicioni i orës 11:00:

Vazhdon granatimi i fshatrave të Vushtrrisë;

Podujevë: Gjatë natës dhe sot po digjen shtëpitë shqiptare në Gllamnik;

Prishtinë: Policia serbe plagosi mbrëmë një të sëmurë mental;

Mijëra cilvilë në Qirez janë të rrezikuar nga katastrofa humanitare dhe nga sulmet e mundshme serbe;

Prishtinë: Tre fëmijë shqiptarë janë zhdukur pa gjurmë.

 

 

Edicioni i orës 13:00

Lajmet kryesore:

Shtime: Detonime mbi Petrovë;

Preshevë: Nuk ka indikacione për zhvendosjen e shqiptarëve nga vendbanimet e veta;

Tash për tash, asnjë rezultat nga takimi Hollbruk-Millosheviq;

Petriç: Millosheviqi duket i pandërgjegjshëm për rrethanat reale;

Anan: Beogradi duhet të ndalë ofensivat në Kosovë;

Serbia gjendet para dilemës hamletiane;

Paralajmërimet e fundit për Millosheviqin;

Sipas V.Koshtunicës, ka indicie se “diçka po ndryshon” në qëndrimet serbe;

Reagimet e partive serbe rreth Kosovës.

 

Një i vrarë gjatë granatimeve në Hade të Obiliqit

Dje nga ora 15 deri në orën 17 forcat serbe kanë granatuar në drejtim të fshatit Hade.

Siç njofton KI i Degës së LDK-së në Obiliq, gjatë granatimeve në këtë fshat është vrarë një shqiptar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

Ky burim bën me dije se sot fshati Palaj, ku si edhe në Hade ka shumë të zhvendosur, po mbahet i bllokuar nga forcat serbe.

 

Granatat qëlluan dy shtëpi në lagjen e Visokëve në Sfeçël

Shtëpitë e Sylejman e Abdullah Visokës në fshatin Sfeçël janë qëlluar dje nga granatat e shprepura nga pozicionet e forcave serbe, njofton KI i Degës së LDK-së në Podujevë.

Granatat shkaktuan vetëm dëme materiale dhe për fat nuk pati viktima në njerëz. Pas kësaj banorët e disa lagjeve të këtij fshati, ku ishin të vendosur edhe shumë të ikur nga fshatrat e tyre, u larguan nga shtëpitë.

Banorët e shumtë që kanë ikur nga shtëpitë e tyre pas sulmeve të ditëve të fundit mbi fshatrat e Llapit, janë strehuar kryesisht në fshatrat e pjesës lindore të komunës, në Balloc, Lladoc, Herticë, Shajkoc e fshatra të tjera.

Subjektet politike të Podujevës kanë bërë apel sot për ndihma humanirate për banorët e zhvendosur të cilët janë në gjendje të rëndë.

 

 

 I vrari në Vushtrri është Skënder Bllaca

 U bë identifikimi i trupit pa jetë që u gjet sot në mëngjes afër pompës së benzinës, në hyrje të Vushtrrisë.

Ai është Skënder Bllaca (30) nga fshati Stanovc i Epërm, mësimdhënës i gjuhës angleze në gjimnazin “Muharrem Bekteshi” të Vushtrrisë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Vushtrri.

 

 

Edicioni i orës 14:00:

Dëshmitarët flasin për mbi 15 shqiptarë të vrarë në afërsi të spitalit të Skënderajt;

Malishevë: 4 të plagosur, gjendje e rëndë humanitare;

Podujevë: Digjen disa shtëpi në lagjen afër tabeve të Llapashticës;

Mbrëmë në Prishtinë u plagos një i ri shqiptar;

Klinë: Një mjet shpërthyes u hodh në shtëpinë e Sabit Racit;

Rahovec: Të shtëna të forcave serbe në Bellacerkë;

Në Lipjan mbërriti një konvoj ushtarak serb;

Gjendje e rëndë humanitare në disa fshatra të Obiliqit;

Vazhdojnë kidnapimet, arrestimet dhe maltretimet e qytetarëve në komunën e Prizrenit.

 

 Dëshmitarët flasin për mbi 15 shqiptarë të vrarë në afërsi të spitalit të Skënderajt

KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë, duke u bazuar në dëshmitarë okularë, sjell të dhëna mbi vrasjen e një grupi shqiptarësh të dielën në afërsi të spitalit të Skënderajt.

Sipas dëshmitarëve, dhjetë pjesëtarë të forcave serbe të veshur me uniforma të bardha i kanë dërguar një grup prej mbi 15 shqiptarësh në afërsi të pishave afër spitalit në Skenderaj dhe aty i kanë ekzukutuar. Të vrarëve pastaj pjesëtarët e forcave serbe ua kanë veshur uniformat e UÇK-së dhe ua kanë vendosur nga një automatik afër dhe pastaj i kanë fotografuar dhe i kanë xhiruar. Më vonë trupat e të vrarëve janë dërguar në drejtim të panjohur.

Duke i nisur nga ky rast, KI i Degës së LDK-së në Mitrovicë shpreh dyshimin se në qytezën e Skënderajt mund të ketë shumë shqiptarë të vrarë.

Po ky burim njofton për një numër qytetarësh të Skënderajt që janë liruar nga arresti. Ata kanë deklaruar se sa janë mbajtur në polici janë keqtrajtuar dhe janë plaçkitur.

Arrestimi i shqiptarëve po vazhdon edhe sot dhe po arrestohen kryesisht shqiptarët që po tentojnë të largohen nga Skënderaji dhe të mësyjnë në drejtim të Likocit e Gllogocit.

Njoftohet gjithashtu se dje në orën 13 një grup policësh serbë me të cilët ishte dhe një bashkëpunëtor i tyre shqiptar ndalën në rrugë Tafil A. Ilagjën (44) nga Zhabari i Poshtëm i Mitrovicës dhe pastaj e dërguan në polici dhe e keqtrajtuan fizikisht duke i shkaktuar lënfime trupore dhe pas tri orësh e liruan.

Bëhet e ditur gjithashtu se edhe gjatë ditës së sotme ka vazhduar shkuarja e forcave serbe në drejtim të Skënderajt, ndërkohë që rrugëve të Mitrovicës po lëvizin pjesëtarë të forcave serbe dhe civilë të armatosur serbë që po ndalin e keqtrajtojnë kalimtarët shqiptarë.

 

 

Edicioni i orës 14:30:

Vazhdon granatimi i fshatrave të Drenicës

Podujevë: U varrosën dy të vrarët në Kaçibeg, dy të plagosur në Sfeçël

Vazhdojnë sulmet drejt fshatrave të Vushtrrisë

Ferizaj: Lëvizje të shumta të forcave serbe

Apel i LDK-së së Ferizajt dërguar popullatës shqiptare

 

 

Edicioni i orës 14:450:

Kumtesë e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës

Prizren: U gjet i vrarë Ardian Nail Zurnaxhiu

 Prizren, 23 mars (QIK) – Ardian Nail Zurnaxhiu, i cili është kidnapuar mbrëmë nga persona të panjohur, u gjet sot i vrarë me një plumb në kokë në afërsi të Urës së Fshejtë, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

 

 

Continue Reading

Lajmet

REL: A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Published

on

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara