Lajmet

Nëntogere Bunjaku nderohet me Shpatën Ndërkombëtare në Britani, diplomon edhe nëntoger Deliu

Published

on

Nëntogere Ilirianë Bunjaku nga Forca e Sigurisë së Kosovës, ka përfunduar me sukses shkollimin njëvjeçar në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar. Në ceremoninë e diplomimit në “Sandhurst”, ajo mori çmimin e parë si oficerja më e mirë ndërkombëtare, për çka edhe u nderua me Shpatën Ndërkombëtare. Gjithashtu sot, në akademinë prestigjioze të Mbretërisë së Bashkuar ka diplomuar edhe nëntoger Ardit Deliu, kadet në FSK.

Në hapësirat e Akademisë Mbretërore Ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar, është mbajtur sot ceremonia e diplomimit të gjeneratës 202.

Përveç atyre nga Mbretëria e Bashkuar, aty diplomuan 25 kadetë nga 15 vende të ndryshme të botës.

Për dallim nga ceremonitë e viteve të kaluara, kadetët diplomuan pa praninë e familjarëve të tyre në pjesën e publikut, krejt kjo për shkak situatës me pandeminë COVID-19.

Megjithatë, nuk mungoi ceremonia tradicionale e diplomimit në këtë akademi ku ndër të tjera u zhvillua edhe Parada e Sovranit.

Nëntoger Ilirianë Bunjaku, e cila një vit më parë e filloi trajnimin bazik në “Sandhurst”, ku u zhvillua në aspektin e karrierës në nivelin taktik dhe atë të lidershipit, sot ishte në qendër të ceremonisë. Ajo mori Shpatën Ndërkombëtare, që përmban çmimin e parë si oficeri më i mirë ndërkombëtar për këtë vit në këtë akademi. Ishte shefi i Shtabit të Mbrojtjes, gjeneral Sir Nicholas Carter ai që i dorëzoi çmimin.

“Ky është një moment domethënës, ka të bëjë me festimin e asaj që keni arritur deri më tani, por gjithashtu ka të bëjë edhe me parashikimin e asaj që mund të arrini në një jetë kushtuar shërbimit vetëmohues. Ju jeni gati të pranoni një përgjegjësi të madhe për të udhëhequr ushtarët dhe për të respektuar kërkesat e kompetencës, angazhimit dhe karakterit të pandërprerë çdo ditë. Si oficerë ju jeni zgjedhur individualisht për të udhëhequr bashkatdhetarët tuaj në betejë, në mbrojtje të vlerave që ne i çmojmë. Dhe vendi juaj mund t’ju bëjë një nder më të lartë. Çfarëdo që të ndodhë me ju, çfarëdo niveli që të arrini, çfarëdo njohje që të merrni nuk do të merrni kurrë një kompliment më të madh. Dhe në këmbim të këtij nderi dhe besimi, kur të largoheni nga këtu do të jetoni në përputhje me traditat e shkëlqyera të një oficeri të ushtrisë tonë”, tha Carter.

Për suksesin e Bunjakut ka shkruar edhe Ambasada e Britanisë në Kosovë, sipas së cilës, një gjë e tillë dëshmon profesionalizimin dhe aftësinë e FSK-së.

“Ajo (Ilirianë Bunjaku) triumfoi përballë një konkurrence shumë të fortë për të fituar çmimin, e cila reflekton performancën e saj të jashtëzakonshme, duke demonstruar qëndrueshmëri fizike, guxim dhe aftësi të vërteta drejtuese gjatë gjithë kursit. Urime për një arritje të jashtëzakonshme, Iliriana”, thuhet në shkrimin e ambasadës.

Nëntogere Ilirianë Bunjaku është pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës tash e 6 vjet. Ajo ka përfunduar Akademinë Ushtarake në Qendrën për Studime Universitare në Kosovë, pas së cilës është emëruar udhëheqëse e togut.

Çmimi i sotëm i ndarë për nëntogere Bunjakun, nga akademia e ushtrisë britanike, është vetëm një prej sukseseve që kanë treguar pjesëtarët e FSK-së në akademi të ndryshme të botës. Pesë vjet më parë ishte Ismail Hoxha, oficeri i FSK-së, që kishte marrë Shpatën nga Princi Charles, si oficeri më i mirë ndërkombëtar.Pas kësaj, Hoxha i cili kishte arritur gradën e kapitenit, u bë instruktor brenda Akademisë Mbretërore Ushtarake Sandhurst.

Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Kosovës kanë bashkëpunim të ngushtë në fushën e sigurisë ku deri më tani 23 pjesëtarë të FSK-së janë trajnuar në Akademinë Ushtarake Mbretërore “Sandhurst”.

Lajmet

​Barduani takon Sorensen, Orav e Barbano në selinë e KFOR-it

Published

on

By

Kreu i KFOR-it gjeneral major Enrico Barduani, priti sot në takim emisarin special të BE-së për dialogun Peter Sorensen, përfaqësuesin special të BE-së për Kosovën, Aivo Orav dhe shefin e EULEX-it Giovanni Pietro Barbano.

Në takim u diskutua mbi zhvillimet më të fundit mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Kosovë dhe Serbisë, raporton KosovaPress.

Gjenerali Barduani nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm me institucionet evropiane në Kosovë dhe midis partnerëve ndërkombëtarë të angazhuar në stabilitetin rajonal, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Vizita dëshmon angazhimin e përbashkët të NATO-s dhe BE-së për paqe të qëndrueshme, dialog rajonal dhe një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Continue Reading

Lajmet

Lëngu i panxharit ul tensionin e gjakut tek të moshuarit, ja çfarë thotë studimi i ri

Published

on

Lëngu i panxharit njihet për aftësinë e tij për të ulur në mënyrë natyrale tensionin e gjakut, falë përmbajtjes së lartë të nitrateve.

Një studim nga Universiteti i Exeter përforcon përfitimet për të moshuarit. Sipas gjetjeve, efekti pozitiv i këtij lëngu lidhet me ndryshime specifike në mikrobiomën orale të të moshuarve. Studimi, i botuar në Free Radical Biology and Medicine, krahasoi dy grupmosha: 39 të rritur nën moshën 30 vjeç dhe 36 të rritur të moshës 60–70 vjeç.

Pjesëmarrësit konsumuan dy herë në ditë për dy javë një koncentrat lëngu panxhari të pasur me nitrate. Për dy javë të tjera morën suplement placebo pa nitrate, me një periudhë “pastrimi” prej dy javësh ndërmjet tyre.

Rezultatet treguan se konsumi i lëngut të panxharit solli një ulje të ndjeshme të presionit të gjakut vetëm tek grupi i të moshuarve.

Në të dy grupmoshat u vunë re ndryshime në mikrobiomën orale, por modelet ishin të ndryshme. Tek të moshuarit u vu re rënie e baktereve të gjinisë Prevotella dhe një rritje e baktereve të dobishme si Neisseria, të cilat lidhen me shëndet më të mirë oral dhe kardiovaskular.

Profesoresha Dr. Anni Vanhatalo, e cila udhëhoqi studimin, shpjegon: “E dimë që njerëzit e moshuar prodhojnë më pak oksid nitrik me kalimin e moshës dhe kanë tendencë të kenë presion më të lartë të gjakut, faktorë të lidhur me ndërlikime kardiovaskulare si goditja në tru dhe infarkti. Përmirësimi i dietës së tyre me perime të pasura me nitrate mund të jetë shumë i dobishëm në planin afatgjatë.”

Ajo shton, “nëse dikush nuk është i dhënë pas panxharit, mund të zgjedhë burime tjera të pasura me nitrate, si spinaqi, rukola, kopra, selinoja dhe lakra.”

Bashkautori i studimit, Profesor Dr. Andy Jones, thekson: “Hulumtimi tregon se nitratet dietike ndikojnë në mikrobiomën orale në mënyrë që mund të ndihmojë në uljen e inflamacionit dhe tensionit të gjakut tek të moshuarit. Këto gjetje hapin rrugën për studime të ardhshme më të mëdha që do të shqyrtojnë ndikimin e stilit të jetesës dhe gjinisë në reagimin ndaj suplementeve me nitrate.”

Studimi thekson edhe një herë rëndësinë e ushqyerjes si mjet parandalues, sidomos në moshat e vjetra, duke treguar se edhe ndërhyrjet e vogla ditore mund të sjellin përfitime të mëdha për shëndetin.

 

 

Continue Reading

Aktualitet

​Bullgaria dërgon një kontingjent ushtarak në KFOR

Published

on

Një kontingjent prej 97 ushtarakësh u dërgua përmes një ceremoni zyrtare para Bashkisë së Shumenit për të marrë pjesë në misionin KFOR në Kosovë.

Në ceremoni morën pjesë zëvendësshefi i Mbrojtjes gjenerallejtënant Mikhail Popov, admirali i Flotës Galin Manev, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta, gjeneral brigade Plamen Yordanov, zëvendëskomandanti i Forcave Tokësore, guvernatorja e rajonit Shumen Katya Ivanova, kryetarja e Këshillit Bashkiak Shumen Asya Asparuhova dhe zëvendëskryetari i Bashkisë Shumen, Nikolay Kolev.

“E di që shumica prej jush keni marrë pjesë në misione. Misionet nuk janë të njëjta. Çdo javë dhe çdo ditë është e ndryshme. Situata në Kosovë është aktualisht e qëndrueshme, por mund të ndryshojë ndjeshëm brenda disa orësh. Prandaj, jini të përgatitur të reagoni në mënyrë adekuate. Ndiqni procedurat standarde të operimit dhe urdhrat e komandantëve tuaj”, theksoi Popov.

“Jam i sigurt se përvoja dhe përgatitja juaj do t’ju lejojnë të performoni në një nivel të lartë. Gjithmonë mbani një mendim në kokën tuaj në Kosovë ju nuk përfaqësoni Batalionin e 29-të të Mekanizuar, ju nuk përfaqësoni Forcat Tokësore. Para aleatëve tanë ju përfaqësoni Ushtrinë Bullgare, dhe para popullsisë lokale dhe autoriteteve lokale, ju jeni përfaqësues të NATO-s”, theksoi Popov.

Kolev i dhuroi kontingjentit një ikonë të Shën Gjergjit Fitimtar dhe iu drejtua ushtarakëve me fjalët: “Kur një ushtar bullgar del përtej kufijve të Bullgarisë, kjo gjithmonë shoqërohet me një mision dhe detyrë të përgjegjshme ndaj atdheut.

“Sot po ju dërgojmë ju, ushtarakët e kompanisë së manovrimit të batalionit të 29-të të mekanizuar, dhe të gjithë besojmë në përgatitjen, profesionalizmin dhe disiplinën tuaj të mirë”, tha ai.

 

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një shtetas në Gjirokastër për kultivim të bimëve narkotike

Published

on

By

Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër goditën një tjetër rast të kultivimit/prodhimit të narkotikëve.

Policia e Shtetit ka arrestuar sot shtetasin e inicialet M.M. në Lazarat të Gjirokastër dhe ka sekuestruar në banesën e tij një sasi narkotikësh, raporton KosovaPress.

Gjatë kontrolleve, në oborrin e banesës së këtij shtetasi, u gjetën të kultivuara, disa bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa, ndërsa në banesë iu gjetën rreth 1.4 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, gati për shitje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Continue Reading

Të kërkuara