Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendosja e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, pas afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit është thirrje për reflektim nga deputetët për zgjedhjen e organeve të Kuvendit.
Sipas saj, nëse nuk ka konstituim të Kuvendit në ditën e sotme dhe të shtunën, atëherë e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, raporton KosovaPress.
Haxhiu, duke hyrë në objektin e Kuvendit në përpjekjen e 52-të për mbajtjen e seancës konstituive, tha se Kushtetuesja të enjten mori vendim për masë të përkohshme, jo sipas kërkesës së deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, por sipas detyrës zyrtare – gjë që tregon për mundësinë e pasojave juridike në rast të moskonstituimit të Kuvendit deri më 26 korrik.
Kushtetuesja të enjten mori vendim për masë të përkohshme për mbajtjen e seancës së Kuvendit nga data 27 korrik deri më 8 gusht.
“Duhet pasur parasysh se as PDK-ja dhe as LDK-ja nuk kishin kërkuar masë të përkohshme në lëndën e dorëzuar. Megjithatë, duke pasur parasysh aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit , siç e dini ka thënë se seanca konstituive, apo Kuvendi, duhet të konstituohet brenda afatit tridhjetëditor. Është e natyrshme dhe normale, kur nesër kemi ditën e fundit, që Kushtetuesja të marrë masë të përkohshme sipas detyrës zyrtare, e jo sepse këtë ia ka kërkuar PDK-ja dhe LDK-ja. Ne kemi menduar që, nëse jo ndaj kërkesës së PDK-së dhe LDK-së, të paktën të merrej masë për shkak të kërkesës së presidentes Osmani. Ju e dini se ajo ka kërkuar masë të përkohshme, pasi i është drejtuar Gjykatës me dy çështje: çfarë ndodh nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit tridhjetëditor dhe çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas afatit tridhjetëditor”, tha ajo.
Megjithatë, ajo e la të hapur mundësinë për konstituimin e Kuvendit, madje tha se mund të ketë seancë edhe më vonë gjatë ditës, ose të shtunën, si mundësi e fundit.
“Na ka mbetur sot. Kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi seancë më vonë, apo nesër deri në orën 00:00. Pastaj, më 27 korrik hyn në fuqi masa që e ka vendosur Gjykata Kushtetuese. Në rrethana të tilla duhet reflektim nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Sot bëhen 43 herë që opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Është e rëndësishme që të gjithë bashkërisht të mos lejojmë që vendi të shkojë në zgjedhje. Ne jemi për të zgjedhur Kuvendin dhe për të formuar qeverinë. Siç duket, nëse nuk ka reflektim, atëherë edhe në raport me këtë analizë kushtetuese, e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”, shtoi ajo.
Duke folur për mundësinë e një koalicioni qeverisës me Nismën Socialdemokrate, ajo tha se janë në pritje të përgjigjes nga Nisma, por deri tani nuk ka ende asgjë konkrete.
“Në vazhdimësi ka pasur komunikim. Jo ende. Kurti ka thënë se ka dorëzuar ofertën dhe presim që të kemi përgjigje pozitive, që të na bashkohen në qeverisje, por ende s’kemi asgjë konkrete. Ne kemi qenë të gatshëm t’i kemi partnerë në qeveri dhe urojmë të kemi përgjigjen pozitive nga Nisma. Është tepër e rëndësishme të konstituojmë Kuvendin. Nuk bëhet betejë për konstituimin e Kuvendit, betejë kemi shumë për qeveri dhe tema të tjera”, përfundoi ajo.