BE miratoi paketën e saj të 16-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke vënë në shënjestër sektorët kryesorë të ekonomisë ruse dhe individët e përfshirë në luftën e saj kundër Ukrainës.
Sanksionet e reja u miratuan sot, në ditën kur lufta në Ukrainë hyri në vitin e saj të katërt, ndërsa zyrtarët e BE-së theksuan nevojën për të dobësuar aftësinë e Moskës për të vazhduar fushatën e saj ushtarake.
Pakoja e fundit përfshin masa kufizuese ekonomike dhe individuale, që prekin flotën nën hije të Rusisë, rrjetet financiare dhe kompleksin ushtarako-industrial.
“Për tre vjet tani, Rusia ka bombarduar pamëshirshëm Ukrainën, duke u përpjekur të vjedhë tokë që nuk është e tyre“, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke shtuar:
“Çdo paketë sanksionesh ia privon Kremlinit fondet për të zhvilluar luftë“.
Këshilli i BE-së vendosi sanksione ndaj 83 individëve dhe subjekteve përgjegjëse për minimin e integritetit territorial të Ukrainës, ndërsa zgjeroi gjithashtu kriteret për të shënjestruar ata që operojnë flotën nën hije të Rusisë, që përbëhet nga anije të përdorura për t’iu shmangur sanksioneve ndaj eksporteve të naftës, sipas një deklarate të këshillit.
Gjithsej 153 anije tani janë të kufizuara sipas masave të BE-së.
Për herë të parë, BE vendosi një ndalim transaksionesh për institucionet e huaja financiare që përdorin sistemin e mesazheve financiare të Rusisë, SPFS, duke zgjeruar gjithashtu kufizimet ndaj 13 bankave kryesore rajonale.
Përveç kësaj, 53 subjekte u shtuan në listën e atyre që furnizojnë kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë.
Sanksionet përfshijnë gjithashtu kufizime të reja tregtare mbi teknologjinë e dronëve, kimikatet dhe softuerin kritik për zhvillimin e armëve të Rusisë. Kufizime të mëtejshme u vendosën në eksportet e materialeve industriale dhe importet e aluminit rus, një burim i rëndësishëm të ardhurash për Moskën.
Tetë mediave ruse të akuzuara për përhapjen e propagandës së Kremlinit iu hoqën licencat e transmetimit të BE-së, ndërkohë që u vendosën kufizime të reja në portet ruse, rrjetet e transportit dhe aviacionin.
Paketa shtrin gjithashtu sanksione të energjisë, duke kufizuar softuerin e përdorur për kërkimin e naftës dhe gazit dhe duke ndaluar ruajtjen e përkohshme të naftës së papërpunuar ruse në BE.
Liderët e BE-së riafirmuan angazhimin e tyre për të mbështetur Ukrainën “për aq kohë sa duhet”. Kallas theksoi rëndësinë e sanksioneve në përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës.