Atletë dhe sponsorë i kanë dalë në mbështetje yllit të tenisit, Naomi Osaka, pasi u largua nga French Open, për shkaqe shëndetësore.
Japonezja u largua nga turneu i grand slamit të hënën, disa ditë pasi u gjobit dhe u kërcënua me dëbim pasi refuzoi të merrte pjesë në konferenca shtypi, teksa u shpreh se ka nevojë ta mbrojë shëndetin mendor.
Mesazhe mbështetjeje vërshuan në drejtim të tenistes Osaka, e cila përmes një shkrimi në Twitter foli rreth përballjes së saj me shëndetin mendor që nga fitorja e parë në grand slam, një fitore ndaj Serena Williams në US Open 2018.
“Gjëja e parë që duhet të kemi parasysh është shëndeti i tenistes Osaka. I uroj shërim sa më të shpejtë”, tha Toshihisa Tsuchihashi, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Tenisit në Japoni.
Gjiganti i veshjeve sportive – Nike, që nënshkroi një marrëveshje me tenisten Osaka në vitin 2019, e ka duartrokitur atleten e cila foli hapur për ballafaqimin me depresionin.
Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Katsunobu Kato, tha se “do ta vëzhgonte atë në heshtje”.
Në mesin e lojtarëve japonezë kishte të atillë që siç duket nuk po iu pëlqen ky vendim i tenistes. Misaki Doi thotë se ishte e “befasuar” me vendimin e tenistes Osaka.
“Nuk mund ta imagjinojë çfarë po përjeton ajo, por shpresoj se do të heqë dorë nga ky vendim”, deklaroi Doi./UBTNews
Mbrojtësi i ri i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, është prezantuar zyrtarisht si lojtari më i ri i “Dardanëve”. Gjatë fjalës së tij në prezantim, Hajdari shfaqi emocion dhe krenari për vendimin që ka marrë për të përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Unë jam Albian Hajdari, lojtari më i ri i Kosovës. Unë e kam marrë vendimin për Kosovën sepse Kosova është e vogël për botën, por për mua është krejt bota. Forca Kosova”, tha mbrojtësi i ri i përfaqësueses sonë.
Hajdari, i cili ka kaluar nëpër akademinë e Baselit dhe ka luajtur në nivele të larta të futbollit zviceran, pritet të jetë një shtesë e rëndësishme për mbrojtjen e Kosovës në ndeshjet e ardhshme kualifikuese.
Federata e Futbollit e Kosovës e ka mirëpritur me entuziazëm këtë përforcim, duke e cilësuar Hajdarin si një lojtar me potencial të madh për të ardhmen e ekipit kombëtar./D.B/KP
Inter ka vendosur të aktivizojë opsionin e blerjes për Manuel Akanjin me vlerë 15 milionë euro, për ta transferuar mbrojtësin zviceran në mënyrë të përhershme nga Manchester City në fund të këtij sezoni, raporton eksperti i merkatos Nicolo Schira.
Akanji iu bashkua zikaltërve në formë huazimi në ditën e fundit të afatit të verës dhe ka bindur drejtuesit e klubit me paraqitjet e tij të sigurta dhe të qëndrueshme.
Ai ka qenë titullar në të katër ndeshjet e Serie A këtë sezon, duke u bërë një element kyç në mbrojtjen e Christian Chivus.
30-vjeçari është i gatshëm të bëhet pjesë e projektit afatgjatë të Interit dhe ka rënë dakord për kushtet personale me klubin italian.
Marrëveshja e re pritet të zgjasë deri në vitin 2029, me një pagë vjetore prej 4.5 milionë eurosh.
Ky transferim siguron Interit stabilitet në prapavijë, ndërsa Akanji shihet si pasardhës i natyrshëm i veteranëve të mbrojtjes zikaltër në një fazë rinovimi të skuadrës. /A.Z/UBT News/
Sulmuesi anglez Harry Kane ka lënë të kuptohet se mund të zgjasë qëndrimin e tij te Bayern Munich përtej vitit 2027, kur përfundon kontrata e tij aktuale.
Kane tha se është i gatshëm të zhvillojë bisedime për një marrëveshje të re me klubin bavarez, ndërsa dëshira për t’u rikthyer në Premier League është zbehur.
“E shoh patjetër mundësinë për ta vazhduar kontratën. Ende nuk kemi biseduar, por nëse lind nevoja, do të flisja hapur me Bayernin,” deklaroi 32-vjeçari.
Që nga transferimi i tij nga Tottenham në vitin 2023, Kane ka qenë në formë të jashtëzakonshme, duke shënuar 103 gola në 106 ndeshje dhe duke fituar Bundesligën e Superkupën e Gjermanisë.
“Kur u largova për herë të parë nga Anglia, do të kisha thënë se do të kthehesha patjetër. Tani, pas disa vitesh në Gjermani, ajo dëshirë është pak më e vogël, por asnjëherë nuk i dihet së ardhmes,” shtoi ai.
Aktualisht, Kane ndodhet me kombëtaren e Anglisë, që të enjten do të zhvillojë një miqësore ndaj Uellsit në Wembley dhe më pas do të përballet me Letoninë më 14 tetor në Riga për kualifikueset e Kupës së Botës./D.B/KP
Sulmuesi i ekipit U18 të Tottenhamit, Leon Myrtaj, ka vendosur të ndërrojë përfaqësimin nga Shqipëria U17 drejt Hungarisë U18, njoftoi klubi anglez.
Tottenhami bëri të ditur se: “Sulmuesi i krahut, Leon Myrtaj, i bashkohet për herë të parë ekipit U19 të Hungarisë, pasi më parë kishte përfaqësuar Shqipërinë deri në grupmoshën e 17 vjeçarëve.”
Myrtaj ka luajtur shtatë ndeshje për Shqipërinë para se të merrte vendimin për të ndryshuar përfaqësimin kombëtar. /A.Z/UBT News/