Grupi parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak” ka dorëzuar në procedurë parlamentare Rezolutën për gjenocidin e Srebrenicës, ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar, Shaip Kamberi.
“Pas aprovimit të vendimit përfundimtar me të cilin aprovohet dënimi i përjetshëm i kriminelit të luftës, Ratko Mladiq, është koha që Kuvendi i Serbisë të deklarohet për pranimin e gjenocidit të Srebrenicës”, ka shkruar Kamberi në rrjetin social Facebook.
Teksti i Rezolutës si në vijim:
Duke respektuar dhe pranuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Tribunalit Ndërkombëtar për krime lufte për ish-Jugosllavinë. Me qëllim të kthimit të besimit ndërnacional, ndërtimit të paqës afatgjate, sigurisë, bashkëpunimit dhe besimit midis popujve. Duke shprehur pietetin dhe respektin më të thellë ndaj viktimave të popullit boshnjak të rënë në gjenocidin e Srebrenicës, Grupi Parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, Kuvendit të Republikës së Serbisë i propozon REZOLUTËN PËR GJENOCIDIN E SREBRENICËS.
1. Dënohet ashpër gjenocidi në Srebrenicë.
2. Dënohet cilido mohim i këtij gjenocidi.
3. Data 11 korrik shpallet Dita e Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.
4. Gjykohet çfarëdo glorifikimi i krimeve të luftës dhe kriminelëve të dënuar.
5. Shprehet keqardhje për të gjitha viktimat e pafajshme të luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe familjet e tyre dhe ftohen të gjitha shtetet fqinje të vazhdojnë të sigurojnë drejtësi dhe mbështetje të përhershme ndaj të mbijetuarve dhe viktimave të dhunës seksuale.
6. Dëshmohet vendosmëria e shtetit të parandalojë gjenocidin dhe krimet tjera të rënda dhe konfirmon qëndrimet e dokumentit final të Samitit botëror të vitit 2005 për përgjegjësinë e mbrojtjes së popullësisë nga gjenocidi, krimet e luftës, pastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit.
7. Garantohet ratifikimi dhe implementimi i plotë i Konvetës mbi parandalimin dhe dënimin e krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe krimit kundër njerzimit dhe aprovohen ligjet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve nga kjo Konventë.
8. Mbështeten përpjekjet për kryerjen e hetimeve dhe procesimin e të gjithë të akuzuarve për gjenocid në Srebrenicë, ndërsa obligohet që do të shfrytëzohen të gjitha mjetet dhe mekanizmat të cilat ndodhen në dispozicion që të kryhen hetimet dhe të procesohen gjithë përgjegjësit.
9. Theksohet rëndësia përmbajtësore e pajtimit e cila është e bazuar në dialog, ballafaqim me të kaluarën dhe përkushtim për arritjen e drejtësisë dhe mbështetjen e viktimave, si bazë për të forcuar dhe siguruar stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.
10. Obligohet shteti për zhvillimin e programeve edukative përmes të cilave gjeneratave të ardhshme do t’ia rikujtojnë cilat janë leksionet e nxjerra nga gjenocidet e kaluara, krimet e luftës, pastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit me qëllim të mospërsëritjes së tyre.
11. Vërtetohet rëndësia e leksionit mbi mossuksesin që të parandalohej gjenocidi në Srebrenicë, siç është përmendur në Raportin e Sekretarit gjeneral të Kombeve të Bashkuara në përputhje me rezolutën Asamblesë së përgjithshme 53/35 dhe vendosë që me kohë dhe në mënyrë efikase të veprohet në parandalimin e përsëritjes së tragjedive të këtij lloji dhe për këtë qëllim të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion.
12. Merret qëndrim që shkelja e të drejtave të njeriut dhe pakicave mund të jenë tregues të hershëm të mundësisë së gjenocidit dhe në këtë aspekt obligohet ky Kuvend të aprovojë ligjet dhe akte të tjera obligative të cilat padyshim do të garantojnë mbrojtjen dhe realizimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe do të siguroj pakicave kushte për realizimin e të drejtës për ekzistencë politike, barazi dhe dinjitet./UBTNews
Shëndeti i zemrës nuk përcaktohet vetëm nga një diagnozë, por nga kompleksiteti i dëmtimeve, gjendja e përgjithshme e pacientit dhe mënyra më e sigurt për të rikthyer qarkullimin e duhur të gjakut në muskulin e zemrës. Për këtë arsye, jo çdo problem i arterieve koronare mund të zgjidhet me vendosjen e një stenti apo vetëm përmes trajtimit medikamentoz.
Në rastet kur bllokimet janë të shumta, të përhapura ose anatomikisht komplekse, kirurgjia e bypass-it mund të jetë një alternativë e rëndësishme terapeutike, e cila vendoset pas vlerësimit të plotë të pacientit nga ekipi specialistik.
Pikërisht për këtë çështje, Dr. Sulejman Kusi, specialist i kardiologjisë/kardiokirurgjisë në United Hospital, shpjegon se vendimi ndërmjet stentit dhe bypass-it duhet të bazohet në karakteristikat konkrete të sëmundjes koronare dhe në gjendjen e përgjithshme shëndetësore të pacientit. Zgjedhja e trajtimit nuk është një vendim që merret në mënyrë të njëjtë për të gjithë, por kërkon ekzaminime, vlerësim të enëve koronare dhe gjykim të specializuar mjekësor.
Rikuperimi pas bypass-it kërkon kujdes dhe disiplinë
Pas një operacioni bypass, rikthimi në aktivitetet e përditshme është një proces gradual. Kujdesi për plagën operative, aktiviteti fizik i kontrolluar dhe ushqyerja e shëndetshme janë pjesë të rëndësishme të periudhës së rikuperimit.
Pacientët këshillohen që plagën operative ta mbajnë të pastër dhe të thatë, të ecin çdo ditë sipas udhëzimeve të mjekut dhe të kryejnë ushtrimet e frymëmarrjes pa e sforcuar organizmin. Po ashtu, një regjim ushqimor i balancuar, me më shumë fruta, perime dhe peshk dhe me kufizim të kripës së tepërt, mund të jetë pjesë e rëndësishme e kujdesit afatgjatë për shëndetin kardiovaskular.
Rikuperimi kërkon durim, terapi dhe monitorim
Periudha pas operacionit të zemrës nuk duhet parë si një kthim i menjëhershëm në ritmin e mëparshëm të jetës. Ajo kërkon disiplinë, durim dhe ndjekje të vazhdueshme mjekësore. Ecja e përditshme, ushtrimet e frymëmarrjes, marrja e rregullt e terapisë së përshkruar dhe pushimi i mjaftueshëm janë ndër elementet që mund ta mbështesin rikuperimin.
Në javët e para mund të shfaqen lodhje, shqetësime të menaxhueshme në kraharor, çrregullime të gjumit apo ulje e oreksit. Megjithatë, çdo simptomë e re, e fortë ose që përkeqësohet duhet t’i komunikohet ekipit mjekësor dhe nuk duhet të trajtohet vetëm me vetëkujdes.
Mosha e shtyrë nuk është kriteri i vetëm për kirurgjinë
Një prej pyetjeve të rëndësishme për pacientët dhe familjarët është nëse operacioni në zemër është i sigurt te personat në moshë të shtyrë. Sipas Dr. Sulejman Kusit, mosha në vetvete nuk e përcakton sigurinë e ndërhyrjes. Vlerësimi duhet të marrë parasysh gjendjen e përgjithshme shëndetësore, funksionimin e organeve, sëmundjet shoqëruese, gjendjen e zemrës dhe kompleksitetin e problemit koronar.
Për këtë arsye, vendimi për ndërhyrje kirurgjikale duhet të merret individualisht, pas një vlerësimi të plotë specialistik dhe pas peshimit të përfitimeve dhe rreziqeve për secilin pacient.
Në fund, mesazhi kryesor është i qartë: kujdesi për zemrën nuk përfundon me ndërhyrjen kirurgjikale. Bypass-i apo stenti mund të jenë pjesë e trajtimit, por kontrolli i faktorëve të rrezikut, terapia e përshkruar, aktiviteti fizik i përshtatur dhe ndjekja mjekësore mbeten thelbësore për shëndetin afatgjatë.
Për informacione dhe konsultime në United Hospital:
📞 038 60 70 70 / 046 60 70 70
Vendimi ndërmjet trajtimit medikamentoz, stentit dhe bypass-it duhet të merret vetëm nga mjeku/ekipi specialistik pas vlerësimit individual të pacientit./rajonipress/
Prokuroria Speciale dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore thanë se në Zubin Potok, në lokacionet ku dyshohet se ka varre masive, bazuar në vlerësimet preliminare janë identifikuar mbetje kockore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 individëve.
“Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse”, u tha në njoftim.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më herët kishte deklaruar se mbetjet mortore të gjetura në Kalludër të Vogël, mund t’u përkasin grupit të 23 shqiptarëve që ishin zhdukur në atë pjesë të Kosovës në vitin 1999.
Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.
Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe gërmimet janë kryer në Kalludër të Vogël, Jakubë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës.
Gërmimet nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.
Më 15 gusht, autoritetet kishin njoftuar se në Kalludër ishin gjetur mbetje eshtërore të të paktën tre personave.
“Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës.
Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.
Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.
Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.
/REL/
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i kanë dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për të thirrur vazhdimin e seancës ditën e enjte, më 20 gusht.
Përmes një letre, PDK-ja ka theksuar se caktimi i seancës është një obligim kushtetues dhe procedural i kryesuesit, duke paralajmëruar se vonesat e mëtejshme thellojnë shkeljet ligjore.
“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, ,thuhet në kërkesen e PDK-së.
Kjo kërkesë vjen në kuadër të aksioneve të vazhdueshme të PDK-së, deputetët e së cilës po protestojnë çdo mëngjes para Qeverisë dhe po mblidhen çdo dy ditë në sallën e Kuvendit.
Në anën tjetër, që nga vazhdimi i fundit më 8 gusht, kryesuesi Avni Dehari nuk ka thirrur seancë të re, duke mbështetur qëndrimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se pa një marrëveshje politike seancat mbeten “shterpe”. Kurti ka kërkuar më shumë kohë për negociata, me arsyetimin se pa një dakordim për postin e presidentit, vendi do të shkojë pashmangshëm në zgjedhje të reja.
Përderisa PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar takimet me Kurtin, ky i fundit ka zhvilluar negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), përfshirë një takim me liderin e saj, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar rreth çështjes së presidentit. Ndërkohë, afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit pas certifikimit të rezultateve tashmë ka kaluar. /E.A/
Dyshja e kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric dhe Mërgim Vojvoda, kanë dhënë paraqitje të shkëlqyera në Kupën e Italisë, duke u përfshirë në formacionin më të mirë të javës sipas platformës së specializuar të statistikave, SofaScore.
Portieri Arijanet Muric dhuroi një paraqitje të nivelit të lartë në fitoren 3-0 të Sassuolos ndaj Cesenas, duke u vlerësuar me notën e lartë 8.7.
Nga ana tjetër, mbrojtësi Mërgim Vojvoda po ashtu ishte vendimtar në triumfin e Udineses kundër Padovas me rezultat 1-0, ku për performancën e tij u shpërblye me notën 8.3.
Përfshirja e të dy futbollistëve kosovarë në 11-shen më të mirë konfirmon formën e tyre të mirë në fillim të këtij edicioni në futbollin italian. /E.A/