Në ambientet e kazermës “Adem Jashari”, sot u mbajtë ceremonia ushtarake e diplomimit të kadetëve të Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së, respektivisht Qendrës për Studime Universitare të gjeneratës 2021.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, morën pjesë, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, zv.ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, stafi i lartë ushtarak dhe civil i Ministrisë së Mbrojtjes dhe SHP të FSK-së, atashe ushtarakë të vendeve partnere, oficerë të NALT-it, si dhe familjarë të kadetëve të diplomuar. Pas ceremonisë së nderimit të flamurit, me fjalë përshëndetëse, të pranishmëve iu drejtua, nikoqirja e ceremonisë, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS), komandë brenda së cilës vepron edhe Akademia e Mbrojtjes dhe QSU, gjeneral brigade Irfete Spahiu.
Gjeneral Spahiu në adresimin e saj, u rikujtoi kadetëve rrugëtimin e përbashkët me të gjitha strukturat e komandës që udhëheq për të realizuar arritjen e standardeve më të larta profesionale dhe akademike me programin tejet sfidues për përgatitje psikike, fizike, profesionale dhe intelektuale.
Nga ana e tij, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, në mesazhin e tij drejtuar kadetëve të diplomuar, i inkurajoi të qëndrojnë konsistentë në realizimin e synimeve me frymën dhe shpirtin luftarak gjithmonë duke ruajtur prestigjin e FSK-së dhe vlerat themelore të ushtarakut, si Detyrën, Nderin dhe Atdheun. Ai gjithashtu, shprehu falënderimin për partnerët tanë të cilët me mbështetjen e madhe mundësuan zhvillimin dhe avancimin e QSU-së.
Në emër të ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj, në fjalën e tij. zv.ministri Syla, i cili u rikujtoi kadetëve rrugëtimin me përplot sprova e sfida gjatë studimeve. Ai gjithashtu, shprehu besimin e plotë në suksesin dhe fitoren e garantuar të tyre në përmbushjen e misionit gjatë shërbimit si lider ushtarak sepse gjithmonë do të udhëheqen nga vlerat e shenjta të ushtarakut, Detyrës , Nderit dhe Atdheut.
Të gjithë shprehën mirënjohjen dhe falënderimin për mbështetjen e madhe nga ana e familjarëve të kadetëve, duke shprehur besimin se si oficerë nga sot do të arrijnë shkathtësitë e duhura për pjesëmarrje dinjitoze edhe në operacionet jashtë vendit që me gatishmërinë profesionale dhe morale t’i shërbejnë njerëzimit dhe paqes kudo që ka nevojë.
Ceremonia përkatëse vazhdoi me ndarjen e diplomave për 15 kadetët e diplomuar nga ana e ministrit Mehaj, zv.ministrit Syla, gjeneral Ramës dhe gjeneral Spahiut. Në mesin e të diplomuarve ishin edhe dy kadetë nga Republika e Shqipërisë.
Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje, kërcënimeve dhe ngacmimeve të regjistruara në disa komuna të vendit, ku me vendim të prokurorëve përkatës shumica e të dyshuarve janë dërguar në mbajtje.
Në Prishtinë janë raportuar tri raste të ndara. Në rastin e parë, një person është arrestuar mbasi ka ushtruar në vazhdimësi dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës dhe motrës së tij. Në rastin e dytë, një tjetër i dyshuar është dërguar në mbajtje për dhunë psikike ndaj bashkëshortes. Po ashtu në kryeqytet, është iniciuar një rast në procedurë të rregullt pasi një e mitur ka pësuar dhunë psikike nga prindërit e saj.
Ndërkohë në Graçanicë, policia ka arrestuar një person i cili përmes mesazheve kishte kërcënuar dhe ngacmuar në vazhdimësi ish-bashkëjetuesen e tij. I dyshuari është dërguar në mbajtje nën akuzat për dhunë në familje, kanosje dhe ngacmim.
Në Gjakovë dy vëllezër janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje pasi u përleshën fizikisht me njëri-tjetrin. Kurse në Leposaviq, një grua ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë tretman mjekësor pasi u sulmua fizikisht nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Me vendim të prokurorit, bashkëshorti i viktimës është dërguar në mbajtje, ndërsa vjehrri është liruar në procedurë të rregullt. /E.A/
Kampioni i shtatëfishtë i Formula 1, Lewis Hamilton, ka vizituar qytetin verior të Egjiptit, El Arish, i cili kufizohet me Gazën, për të parë nga afër përpjekjet që po bëhen për grumbullimin e ndihmave humanitare të destinuara për Rripin e Gazës.
Guvernatori i Sinait Verior, Khaled Megawer, priti pilotin britanik dhe i prezantoi atij magazinat e ndihmave të Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane. Në pamjet e publikuara nga zyra e guvernatorit, Hamilton shihet duke u përshëndetur me punonjësit e ndihmave dhe duke u interesuar për frekuencën e hyrjes së ndihmave në Gazë përmes pikës kufitare të Rafahut.
Vizita e pilotit 41-vjeçar vjen në një kohë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar për pasojat shkatërruese që shkaktojnë vonesat e përsëritura në dërgimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore për palestinezët. Hamilton njihet gjerësisht për angazhimin e tij në kauza humanitare dhe bamirëse, përfshirë themelimin e fondacionit “Mission 44” dhe donacionet e shumta financiare për ndihmë komuniteteve në nevojë. /Al Jaazera/
Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë bllokuar përpjekjen për të nisur procedurën e shkarkimit ndaj Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Përmes një votimi të zhvilluar në Dhomën e Përfaqësuesve, rezoluta për shkarkimin e Hegsethit u dërgua për shqyrtim në komisionet përkatëse, duke u hequr nga rendi i ditës për votim në seancë plenare. Ky vendim e bën pothuajse të pamundur që nisma të arrijë votimin përfundimtar deri më 3 janar 2027, kur përfundon legjislatura aktuale e Kongresit amerikan.
Nisma për shkarkimin e Hegsethit u ndërmor nga kongresmeni republikan Thomas Massie, një kritik i njohur i presidentit Donald Trump. Bllokimi i kësaj nisme po cilësohet si një shfaqje uniteti brenda radhëve të republikanëve në Kongres, pavarësisht sfidave dhe mosmarrëveshjeve të fundit politike. /BBC/
Shtëpia e Bardhë ka nominuar zyrtarisht Mikhail Bogachekun për postin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe të plotfuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.
Emri i Bogachekut i është dërguar Senatit amerikan për procedurën e nevojshme të konfirmimit. Me origjinë nga Florida, ai gëzon një përvojë mbi 25-vjeçare në menaxhim dhe drejtim institucional, veçanërisht në sektorët e shëndetësisë dhe teknologjisë, si dhe ka shërbyer më parë si drejtor ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane.
Nëse konfirmohet nga Senati, Bogachek do të marrë drejtimin e misionit diplomatik amerikan në Prishtinë. Ambasadori i fundit i emëruar i SHBA-së në Kosovë ishte Jeffrey Hovenier, i cili përmbylli mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024, ndërsa që nga ajo kohë misioni është udhëhequr nga e Ngarkuara me Punë, Anu Prattipati. /E.A/