Lajmet

Muzeu i Brooklynit ia kthen Kosta-Rikës më shumë se një mijë artefakte

Published

on

Muzeu Kombëtar i Kosta-Rikës në San José ka bërë të ditur se ka pranuar 1 mijë e 305 artefakte para-kolumbiane nga Muzeu i Brooklynit në New York dhe një riatdhesim kaq i madh, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, do t’ia shtojë madhështinë Muzeut, shkruan artnews, transmeton KultPlus.

Megjithëse rikthimi i artefakteve është bërë i ditur vetëm javën që shkoi, i gjithë procesi u zhvillua në tetor të vitit të kaluar.

Rocío Fernandez, drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosta-Rikës, ka thënë se disa nga veprat do të ekspozohen në galerinë kushtuar artit para-kolumbian që është aktualisht në rinovim.

Punimet erdhën në muze nga koleksioni i Minor Cooper Keith, një magnat aktiv gjatë shekujve XIX dhe XX pasuria e të cilit erdhi nga tregtia e bananeve dhe bizneset hekurudhore në Kosta-Rikë. Së fundi hulumtuesit janë përqendruar në praktikat shfrytëzuese që mbështeten nga bizneset e Keithit.

Dan Koeppel, autor i një libri të vitit 2008 në lidhje me tregtinë e bananes, në një intervistë të vitit 2020 për NPR-në i krahasoi punëtorët e Keith me skllevër.

Gruaja e Keith ia dhuroi veprat Muzeut në Brooklyn në vitin 1934 pas vdekjes së burrit të saj. Rreth 16 mijë artefakte ishin gjetur në plantacionet e tij në Kosta-Rikë nga ai dhe punëtorët e tij. Rreth 4 mijë e 500 përfunduan në Muzeun e Brooklynit.

Në mesin e artefakteve të kthyera në vitin 2020 në Kosta-Rikë janë një gur varri, enë dhe një vepër në formë luani; një gur që përdoret për bluarjen e kokrrave dhe farërave. Disa nga këto artefakte datojnë disa mijëra vjet më parë. Instituti Kombëtar i Sigurimeve të Kosta-Rikës pagoi 44 mijë dollarë për transportimin e veprave e artit nga New Yorku.

“Rimëkëmbja e këtyre pjesëve arkeologjike do të thotë të rimarrim fragmente të së kaluarës sonë që kaluan kufijtë tanë kur ende nuk kishim legjislacion për ta parandaluar atë”, ka thënë Sylvie Durán, ministre e Kulturës dhe Rinisë në Kosta-Rikë.

Nuk është hera e parë që Muzeu në Brooklyn kthen vepra nga koleksioni i Keith në Kosta-Rikë. Në vitin 2011 muzeu dërgoi 981 artefakte nga koleksioni. Në këtë rast Instituti Kombëtar i Sigurimeve gjithashtu mbuloi shpenzimet, duke paguar 88 mijë dollarë për bartje të artefakteve.

Në atë kohë Muzeu në Brooklyn pati thënë se Muzeu Kombëtar i Kosta-Rikës nuk ka paraqitur ndonjë pretendim për veprat e Keith. Në vend të kësaj, në përgjigjen e dhënë nga Muzeu në Brooklyn ishte treguar se muzeu thjesht kishte larguar disa objekte për të liruar hapësirën në objekt. /KultPlus

Vendi

Nisi edicioni i pestë i “Prizren Fest”: Java që e shndërron Prizrenin në skenë gjigante teatri

Published

on

By

Në Prizren ka nisur zyrtarisht edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Hapësirë të Hapur, Prizren Fest, i cili nga data 21 deri më 27 korrik do të shndërrojë qytetin në një skenë gjigante artit. Programi i sivjetmë sjell një gërshetim shfaqjesh teatrale, performancash street-art, koncertesh, stand-up komedi dhe punëtori artistike me pjesëmarrjen e trupave nga 10 shtete të botës, përfshirë me vendet si Italia, Franca, Brazili, Spanja e Kanada.

Mbrëmja hapëse u mbajt në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, ku morën pjesë figura të larta shtetërore e lokale, si dhe artdashës të shumtë. Perdeja e festivalit u ngrit me performancën sllovene “Borderless Body”.

Pikat kryesore të programit sipas ditëve:

  • 22 Korrik: Shfaqja “Darkness Picnic” (Itali) në Parkun e Universitetit (18:30) dhe “Souvenirs” (Francë) te Teatri i Lumit (21:30).

  • 23 Korrik: Performanca “Mission Roosevelt” (Francë) te Shatërvani (20:00) dhe drama “Lysistrata” (Turqi) në hapësirën e ITP-së (21:30).

  • 24 Korrik: Drama “Babai” (Maqedoni e Veriut) në teatrin “Bekim Fehmiu” (20:00) dhe koncerti i “Zanat Vocal Ensemble” te Lidhja e Prizrenit (22:00).

  • 25 Korrik: Shfaqja eksperimentale “A Scream in the Dark” (Brazil) në ambientet e Burgut të Qytetit (20:30) dhe “Pylli” (Kosovë) te teatri i qytetit (21:30).

  • 26 Korrik: Bashkëprodhimi francezo-shqiptar “Mall / Longing” te Katedralja Katolike (20:30), Stand-up komedi te Abi Çarshia (21:00) dhe “Última Planta” (Spanjë) te Lidhja e Prizrenit (21:30).

  • 27 Korrik: Mbyllja me performancën “The Body Symphonic” (Kanada-Holandë) te Këndi i Sinan Pashës (21:00)

Aktivitete shtesë & qasja: Më 23 dhe 24 korrik do të mbahet edhe masterklasa e aktrimit “The Guhelli Technique – Emotional Core Acting”. Organizatorët njoftojnë se të gjitha shfaqjet dhe aktivitetet janë plotësisht falas për të gjithë publikun. /E.A/

Foto: RTKlive

Continue Reading

Lajmet

IHMK paralajmëron stuhi, breshër dhe rrezik nga përmbytjet e rrufetë

Published

on

By

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar një paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për ditën e sotme, pasi i gjithë territori i vendit pritet të përfshihet nga stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.

Për shkak të shkarkimeve të fuqishme atmosferike, IHMK-ja ngre alarm për rrezik të lartë nga goditjet e rrufesë, të cilat mund të sjellin pasoja për njerëzit e kafshët, dëmtime në rrjetin elektrik e të telekomunikacionit, si dhe vatrat e zjarrit. Gjithashtu, reshjet e dendura mund të shkaktojnë përmbytje të shpejta lokale, ndërsa breshëri dhe era e fortë rrezikojnë të dëmtojnë kulturat bujqësore, automjetet dhe pronat.

Në kuadër të kësaj situatë, institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin daljet në ambiente të hapura, të mos strehohen nën pemë apo pranë shtyllave elektrike, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së makinave për shkak të rrugëve të rrëshqitshme dhe pamjes së kufizuar. Paralajmërimi mbetet në fuqi deri në mesnatë. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, takoi zëvendëspërfaqësuesin e OKB-së, Milbert Domgjon Shin

Published

on

By

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, i shoqëruar nga anëtarët e Këshillit, ka pritut sot në takim Zëvendëspërfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Milbert Domgjon Shin, bashkë me përfaqësues të tjerë të Zyrës së UNMIK-ut.

Përgjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në sistemin prokurorial, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryesuesi Gashi e njoftoi delegacionin e UNMIK-ut me përbërjen e re të Këshillit Prokurorial, si dhe me përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit, duke nënvizuar rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të drejtësisë.

Përveç kësaj, Gashi theksoi përkushtimin e KPK-së për garantimin e një sistemi gjithëpërfshirës përmes përfaqësimit të drejtë të të gjitha komuniteteve, me ç’rast bëri të ditur se së shpejti do të shpallet konkursi për pranimin e prokurorëve të rinj.

Kryesuesi i KPK-së shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të UNMIK-ut ndër vite dhe ritheksoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë punën për fuqizimin e sundimit të ligjit përmes profesionalizmit, integritetit dhe llogaridhënies.

Nga ana e tij, Zëvendëspërfaqësuesi Special i OKB-së, Milbert Domgjon Shin, vlerësoi punën e Këshillit Prokurorial dhe rolin e tij në garantimin e një sistemi të pavarur e efikas. Ai shprehu besimin se përmes përgjegjësisë institucionale do të vazhdohet me hapat që forcojnë besimin e qytetarëve te drejtësia.

Në përmbyllje të takimit, përfaqësuesit e UNMIK-ut konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj KPK-së në avancimin e reformave dhe fuqizimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit në Kosovë. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

REL: Pse po rrënohen shtëpitë në zonën e Liqenit të Ujmanit?

Published

on

By

Ekskavatorë, nën asistimin e Policisë së Kosovës, nisën më 21 korrik rrënimin e njëmbëdhjetë shtëpive në bregun e Liqenit të Ujmanit, në komunën e Zubin Potokut.

Aksioni rihapi debatin për të drejtat pronësore dhe kompetencat e institucioneve.

Autoritetet e Kosovës thonë se objektet janë ndërtuar pa leje në tokën që administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, ndërsa pronarët pretendojnë se prona është subjekt i një procesi gjyqësor dhe se rrënimi i objekteve nuk është dashur të nisë para përfundimit të procedurave.

Rrënohen shtëpi buzë Liqenit të Ujmanit

Rrënimi i shtëpive të para, të cilat Kosova i konsideron të paligjshme, nisi në fund të qershorit.

Ndërkohë, organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicë të Veriut, organizoi një diskutim publik për të nxitur dialogun dhe për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

Në diskutim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, ekspertë ligjorë, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe qytetarë të prekur drejtpërdrejt nga çështja e pronësisë, por jo edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sipas organizatës Aktiv, pjesëmarrësit vlerësuan se çështjet pronësore në zonën e Liqenit të Ujmanit kërkojnë “një qasje institucionale transparente dhe gjithëpërfshirëse, zbatim të qëndrueshëm të ligjit dhe dialog të vazhdueshëm mes të gjithë aktorëve përkatës”.

Çfarë thotë “Ibër-Lepenci”?

Drejtori i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, tha për Radion Evropa e Lirë se pronarëve u ishte kërkuar më 3 korrik që t’i lironin objektet, dhe pas skadimit të afatit, Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, urdhëroi rrënimin e tyre.

“Ne po e kthejmë pronën tonë. Po rrënohen 11 shtëpitë e ndërtuara ilegalisht në pronën e ndërmarrjes”, tha Mujka.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të mbledhura, shumica e këtyre shtëpive janë ndërtuar gjatë viteve 2019-2020.

Në mes të korrikut, gjatë diskutimit publik, Mujka deklaroi se “Ibër-Lepenci” e ka detyrim ligjor të mbrojë pronën që administron dhe që është me interes publik.

Ai theksoi se ndërmarrja nuk merr vendime për rrënimin e objekteve, por vetëm njofton institucionet kompetente për shkeljet që konstaton, ndërsa ato veprojnë sipas kompetencave të tyre ligjore.

Më herët, “Ibër-Lepenci” mori nën kontroll kampin Rezalla, një nga pronarët e të cilit është aktivisti serb i shoqërisë civile, Dragisha Mijaçiq.

Sipas Mujkës, edhe ky kamp ishte ndërtuar pa lejet e nevojshme dhe u mor në administrim për t’u sistemuar.

Ai rikujtoi, gjithashtu, rëndësinë strategjike të Liqenit të Ujmanit për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe nevoja të tjera publike në Kosovë.

Në vitin 2025, Qeveria e Kosovës shpalli zonën e Liqenit të Ujmanit dhe Malin Mokna, pranë Zubin Potokut, si “zona të pasurisë natyrore me rëndësi të veçantë”.

Çfarë thonë pronarët?

Branimir Mihajlloviq, banor i Mitrovicës së Veriut dhe pronar i një shtëpie në Ujman, thotë për Radion Evropa e Lirë se tokën e kishte marrë në shfrytëzim për 99 vjet në vitin 2006 nga ndërmarrja serbe “Srbija Shume”, së cilës i kishte paguar qira.

Objekti i tij ishte planifikuar të rrënohej më 21 korrik.

Ai thotë se, zakonisht, qëndron në atë shtëpi nga marsi deri në nëntor dhe se mëngjesin e 21 korrikut u zgjua nga policia, e cila i kërkoi të largohej nga objekti.

Më pas, sipas tij, nuk iu lejua më t’i afrohej.

Ai thotë se, vitin e kaluar, kishte paraqitur kërkesë për legalizimin e pronës në sistemin e Kosovës dhe ishte i gatshëm të paguante qiranë ndaj institucioneve të Kosovës.

Kosova, përndryshe, që nga viti 2024 ka nisur mbylljen e institucioneve serbe, duke i cilësuar ato si paralele dhe të paligjshme.

“Unë i kam të gjitha dokumentet. Papritur si pronar u paraqit ‘Ibër-Lepenci’. Ne nuk ndodhemi fare në brezin ujor. Edhe nëse do të ishim, do të paguaja qira dhe tatime. Kam paguar edhe energjinë elektrike. Sipas ligjit, toka mund të jepet me qira dhe pikërisht këtë kemi kërkuar”, thotë Mihajlloviq.

Ai tregon se, së bashku me pronarët e tjerë të shtëpive, kryesisht serbë nga veriu i Kosovës, kanë paraqitur ankesë tek Avokati i Popullit dhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

“S’është mbajtur asnjë seancë. Kërkuam pezullim të përkohshëm të rrënimit, por ende nuk ka vendim”, thotë Mihajlloviq.

A ka vendim gjykate?

Avokati i pronarëve, Predrag Millkoviq, thotë se nuk ekziston bazë ligjore për rrënimin e shtëpive, pasi çështja e pronësisë ende nuk është zgjidhur nga gjykata.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Gjykatës Themelore në Mitrovicë për ta pyetur nëse ka lëshuar urdhër për rrënimin e objekteve, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Millosh Peroviq, deklaroi gjatë diskutimit të organizuar nga Aktiv se autoritetet lokale nuk kanë dhënë pëlqim për rrënimin e shtëpive në zonën e Ujmanit dhe bëri thirrje për një zgjidhje kompromisi.

Drejtori i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka, këmbënguli se urdhri për rrënim është dhënë nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Reagimi i Serbisë

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e cilësoi rrënimin e objekteve, në një reagim më 21 korrik, si “akt të paligjshëm dhe terrori nga [kryeministri në detyrë i Kosovës] Albin Kurti”, duke pretenduar se ai është duke u zhvilluar “pa asnjë vendim gjyqësor” dhe “me qëllim hakmarrjen ndaj serbëve”.

Sipas saj, pronarët e shtëpive kishin mësuar për rrënimin e objekteve vetëm përmes njoftimeve të vendosura në to.

Pse është i rëndësishëm Liqeni i Ujmanit?

Liqeni i Ujmanit ndodhet në komunën e Zubin Potokut, në veri të Kosovës – e banuar me shumicë serbe – ndërsa një pjesë më e vogël shtrihet në territorin e komunës së Tutinit në Serbi.

Ai konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen.

Nga Ujmani furnizohet edhe kanali Ibër-Lepenc, i cili u hodh në erë në vitin 2024.

Për këtë rast, para organeve të drejtësisë në Kosovë janë ngritur akuza ndaj Dragisha dhe Jovan Viqentijeviqit, si dhe Igor Dimoviqit, nën dyshimin se “kanë rrezikuar rendin kushtetues, duke shkatërruar ose dëmtuar instalime dhe pajisje publike”.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë disa qytete të Kosovës, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termocentraleve.

Menaxhimi i Liqenit të Ujmanit është gjithashtu pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit, të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump.

Në qershor të vitit 2021, Shtetet e Bashkuara hartuan një studim fizibiliteti, në të cilin propozohej menaxhimi i përbashkët i liqenit sipas të ashtuquajturit “model kolumbian”, me synim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me furnizimin me ujë, energjinë dhe mbrojtjen nga përmbytjet. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara