Lajmet

Kryeministri Albin Kurti u takua me ambasadorin e ShBA-së në Greqi, Geoffrey Pyatt

Published

on

Rëndësia e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë për stabilitetin afatgjatë rajonal, u bisedua në takimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi, Geoffrey Pyatt.

Kryeministri Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Kosovës për zgjerim të mëtejmë të bashkëpunimit me Greqinë. Ndërsa ambasadori amerikan vlerësoi angazhimin e kohëve të fundit të të dy shteteve për thellimin e raporteve mes tyre.

U diskutua për avancimin e qëllimeve të përbashkëta rajonale në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, investimeve dhe energjisë, paqes dhe sigurisë, si dhe për rrugën evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 28 shtator 1993-1998

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

28 shtator 1993

 

Iu vu dryni konviktit në nxënësve në Prishtinë

 

Gazeta “Bujku” njofton sot se konviktit të nxënësve në Prishtinë, iu vu dryni.

Sallah Ademi, drejtor i konviktit “Miladin Popoviq”, deklaroi se autoritetet e instaluara serbe në komunën e Prishtinës, po bëjnë përgatitje për meremetimin e konviktit dhe vendosjen e nxënësve serbë në të. Më 30 gusht 1991, konvikti ishte planifikuar për refugjatët serbë, por pasi për ata gjetën zgjidhje më të mira, ai vendim nuk u zbatua. Z. Ademi tha se 300 nxënës shqiptarë kanë paraqitur kërkesë për t’u vendosur në këtë konvikt. Mirëpo, në fillim të tetorit, ai do të jetë i gatshëm vetëm për serbët.

Një konvikt tjetër për shkollat e mesme, përballë Fakultetit Juridik, disa vite më parë është shndërruar në stacion të policisë.

 

 

28 shtator 1994

 

Policia serbe pengon mësimin shqip në Ferizaj

 

Policia e Ferizajt ka sforcuar trysnitë mbi shkollën shqipe. Në dy rastet policët morën rolin e inspektorëve të arsimit dhe u futën edhe në orët e mësimit. Më 21 shtator, derisa po mbante në oborrin e shkollës “Gjon Serreçi” orën e edukatës fizike, policët arrestuan Fahri Jasharin, të cilin pastaj në stacionin policor e kërcënuan me thikë rreth një orë, duke i thënë që herave të tjera për çdo dalje në oborr duhet të kërkojë leje nga policia.

Edhe të premten, më 23 shtator, rreth orës 14, tre policë hynë në një mësonjëtore të një punkti privat të shkollës së mesme ekonomike “Faik Konica”, në rrugën “Pleshina” dhe legjitimuan arsimtarët Xhevat Aliu dhe Rexhep Shabani, dhe provokuan nxënësit e një klase të maturantëve njëzet minuta. Arsimtarët Xhevat Aliu e Rexhep Shabani, të premten u morën në pyetje edhe në stacionin policor të Ferizajt.

Të enjten pas bastisjes së shtëpisë, ku konfiskuan 2 libreza partiake të LDK-së dhe dëftesa të Këshillit për Financim, ndonëse kërkonin deviza e armë, 12 orë u mbajt në polici arsimtari i gjuhës shqipe Rizah Nebihu. Në polici ai u mbajt me kllapa dhe u keqtrajtua fizikisht, bëjnë të ditur burimet informative të LDK-së e të KMDLNJ-së, njofton gazeta e sotme “Bujku”.

 

 

28 shtator 1995

 

 

Në Panairin Ndërkombëtar të 47-të të Librit në Frankfurt prezentohet edhe libri shqip

 

Në Panairin Ndërkombëtar të Librit, i cili do të mbahet në Frankfurt prej 11-16 tetor, do të prezentohet edhe libri shqip që botohet në Kosovë, njofton “Bujku”.

Redaksia e botimeve të Rilindjes do të prezantojë veprat e Faik Konicës, Sabri Hamitit, Jusuf Buxhovit, etj, ndërkaq Shtëpia botuese “Buzuku”, do të prezentojë veprat e Robert Elsit, Bashkim Shehut, Kasëm Trebeshinës, Martin Camajt, Zef Skiroit, Elena Kadaresë dhe të autorëve të tjerë.

Në këtë panair do të prezentohet edhe shtëpia botuese “Dukagjini” i Pejës me librat e Fehmi Aganit, All Gorit, Gani Bobit, Rexhep Ismajlit, Ali Podrimjes, Hivzi Islamit etj.

Ky është rast i mirë që botuesit tanë t’i prezentojnë veprat e tyre në këtë panair, i cili konsiderohet ndër më të mëdhenjët në botë.

 

 

28 shtator 1997

 

 

Ndërhyrje e sërishme e policisë serbe në shëtitoren e Mitrovicës

 

Prej orës 20 e deri në orën 21 forca të mëdha të policisë serbe legjitimuan, rrahën e arrestuan shumë drejtorë të shkollave, mësimdhënësi, studentë, nxënës e qytetarë që gjendeshin në shëtitore apo jashtë saj.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë njofton se pasi u legjitimua, u rrah në praninë e mijëra qytetarëve Latif Hajrizi (40), drejtor i shkollës fillore “Nonda Bulka” në Mitrovicë. Ai i dërgua në polici ku u mbajt rreth një orë dhe u pyet lidhur me shkaqet e daljes së tij në shëtitore. Sipas deklaratës së tij në stacionin e policisë ishin dërguar shumë qytetarë të Mitrovicës.

Kjo është mbrëmja e tretë prej kur policia serbe ndërhynë brutalisht kundër qytetarëve në shëtitjet plotësuese në këtë qytet.

Më 25 shtator u morën në polici së paku 100 qytetarë, ndërsa një mbrëmje më vonë u keqtrajtuan edhe dhjetarë qytetarë, mësimdhënës, drejtorë shkollash dhe studentë e nxënës.

Që nga data 24 shtator, administrata okupuese serbe në Mitrovicë ka ndërprerë plotësisht ndriçimin në shëtitore.

 

 

28 shtator 1998

 

Në Abri të Epërme të Gllogocit u gjetën së paku 15 të vrarë e të masakruar

 

Pas tërheqjes së policisë në Obria e Epërme, ekipet e nënkëshillit të KMDLNj-së në Gllogoc dolën në terren dhe gjetën shumë të vrarë, të masakruar e të plagosur.

Sipas njoftimeve të këtij nënkëshilli, në lagjen Deliu në Obri Epërme janë gjetur të masakruar 8 veta: Adem Sali Deliu (33), Hava Imer Deliu (65), Jeton Imer Deliu (10), Hamide Sali Deliu (60), Valmir Adem Deliu (1 vjet e gjysmë), Luljeta Imer Deliu (25), shtatzënë, Lumnije Imer Deliu (30) dhe Mihane Imer Deliu (25), të gjithë të familjes së Ymer Deliut. Ata janë gjetur rreth një kilometër larg shtëpisë së tyre.

Po në këtë lagje, në shtëpinë e Hajriz Deliut janë gjetur të vrarë: Donjeta Hajriz Deliu (4), Gentiana Hajriz Deliu (7), Zahide Hajriz Deliu (27). Fazli Deliu (90) është gjetur i djegur në shtëpinë e tij.

Të vrarë e të masakruar janë edhe Ali Deli Deliu (63), i prerë në fyt me thikë, Pajazit Rrustem Deliu (65) dhe Zeqir Jonuz Deliu (44).

I njëjti burim bën të ditur se një foshnje njëmuajshe e gjysmë u gjet e gjallë në gjirin e nënës së saj, Diturie Imer Deliut, e mbuluar me gjakun e saj.

Deri tash nuk dihet për fatin e Hysen Deliut (53), Maliqe Deliut (80) e Hajriz Deliut (35)

 

 

Në Gollubofc e Pllaçicë mbrëmë u varrosën 17 shqiptarë të vrarë

 

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderajt ka njoftuar se mbrëmë në fshatin Gollubofc janë varrosur 10 shqiptarë të vrarë gjatë ofensivës së fundit të forcave serbe.

I njëjti burim bën me dije se shtatë të tjerë të vrarë u varrosën në Pllaçicë, ndërsa trupat e tre të vrarëve qëndrojnë ende të pavarrosur te çeshmja e Vuçakut, si dhe dy të tjerë në malet e Vuçakut.

Njoftohet se policia ka plaçkitur në Vuçak të gjithë arin nga gratë dhe të hollat që kanë gjetur tek të zhvendosurit.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Ursula von der Leyen të enjten viziton Prishtinën në kuadër të turneut në Ballkanin Perëndimor

Published

on

By

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Prishtinë të enjten, më 1 tetor 2026. Sipas agjendës së bërë publike, ajo do të pritet në takime të ndara nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, si dhe nga kryeministri Albin Kurti.

Kjo vizitë në Kosovë zhvillohet në kuadër të një turneu më të gjerë diplomati në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Udhëtimi i krerëve të KE-së nis të mërkurën, më 30 shtator, në Tiranë, ku von der Leyen do të takojë Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Kryeministrin Edi Rama.

Pas Prishtinës, po më 1 tetor, Presidentja e Komisionit Europian do të udhëtojë drejt Podgoricës për t’u takuar me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, dhe kryeministrin Milojko Spajiq. Turneu rajonal do të përmbyllet më 2 tetor në Maqedoninë e Veriut, me takime zyrtare me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.

Në agjendën e këtij turneu rajonal nuk janë përfshirë Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo shmangie lidhet me zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbhen në këto dy shtete gjatë muajit tetor — përkatësisht më 4 tetor në Bosnje e Hercegovinë dhe më 25 tetor në Serbi. Praktika e zyrtarëve europianë mbetet shmangia e vizitave zyrtare në prag të proceseve zgjedhore për të garantuar paanshmërinë dhe mosndikimin në fushatë.

Së fundmi, Presidentja e Komisionit Europian kishte reaguar ashpër ndaj organizimit të funeralit të ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe, kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, i cili u mbajt më 8 shtator në Beograd. Përmes një postimi në platformën “X”, von der Leyen i pati cilësuar ato pamje si tronditëse, duke rikujtuar se Mlladiq ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime guerre dhe krime kundër njerëzimit. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Hamza: Nëse kalon projektligji për Dhomat e Specializuara, jemi të hapur të diskutojmë për presidentin

Published

on

By

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar para fillimit të seancës plenare të Kuvendit se miratimi i projektligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës është një domosdoshmëri për historinë dhe të ardhmen e vendit.

I pyetur mbi detajet e takimit të zhvilluar të dielën mbrëma me kryeministrin Albin Kurti, Hamza bëri të ditur se diskutimet u oshtruan rreth situatës politike, projektligjit në fjalë, si dhe çështjes së presidentit. Ai nënkuzoi se subjekti i tij është i gatshëm të hapë diskutimet për pozitën e kreut të shtetit, me kusht që më parë të kalojë projektligji për Specialen.

“Jemi duke punuar, është domosdoshmëri për PDK-në, por edhe për Kosovën. Për historinë dhe të ardhmen e Kosovës, është top prioritet kalimi i këtij projektligji. Ne nuk po kërkojmë që të ndalet drejtësia, ne jemi kundër padrejtësisë. Nuk besoj që ka asnjë arsye që partitë e tjera të mos e mbështesin”, tha Hamza.

Lidhur me bisedimet për postin e presidentit, kreu i PDK-së sqaroi se gjatë takimit nuk është folur për emra konkretë. Ai riagoi se për PDK-në kalimi i ligjit mbetet pika e parë e rendit të ditës, ndërsa temave të tjera politike do t’u hapet rrugë vetëm pas përmbushjes së këtij kushti. /Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa ndan momentet e veçanta nga dasma e familjarit të saj në Kosovë: “Po na rritet rrethi”

Published

on

By

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka kaluar disa ditë në Kosovë për të marrë pjesë në një aheng familjar. Artistja me origjinë nga Peja ishte e pranishme në dasmën e djalit të hallës, ku iu bashkua të afërmve në një festë me rite e tradita shqiptare.

Pas pamjeve të para të publikuara në rrjetet sociale ku shihej duke vallëzuar mes të ftuarve, vetë këngëtarja ka ndarë në profilin e saj në Instagram momente të veçanta nga dita e festës që nga marrja e nuses e deri te mbrëmja përmbyllëse.

“Kushëriri im u martua me gruan e ëndrrave të tij dhe patëm një dasmë të madhe shqiptare”, ka shkruar ajo krahas fotove e videove, duke e përmbyllur përshkrimin me fjalinë në shqip: “Po na rritet rrethi”.

Pavarësisht karrierës ndërkombëtare dhe jetës jashtë vendit, prania e saj në festa familjare dhe ruajtja e gjuhës e traditave vazhdojnë të dëshmojnë lidhjen e fortë të Dua Lipës me prejardhjen e saj. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara