Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT vazhdon me diskutimin për sigurinë kibernetike të mjekësisë ligjore
Akademia Ndërkombëtare Verore e Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, ditën e dytë të saj e ka filluar me ligjëratën e dr. Bertan Karahoda, për inteligjencën artificiale.
Ai ka shtjelluar në detaje çështjet që ndërlidhen me inteligjencën artificiale, teksa Blend Krasniqi dhe Lirian Dragusha kanë vazhduar diskutimin rreth AR dhe VR teknologjisë, gamingut dhe multimedias. Liriani dhe Blendi kanë prezantuar lojën e quajtur “Voyager”, krijuar nga këta të fundit, të cilët shpjeguan karakteristikat e lojërave, si dhe platformat e zhvillimit të lojërave.
Dita e dytë e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT është përmbyllur me diskutimin për mjekësinë ligjore të sigurisë kibernetike, nga drejtori i departamentit të IT-Forenzikës në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Blerim Krasniqi.
Profesori në UBT, dr. Bertan Karahoda, ka vazhduar ligjërimin në ditën e tretë për inteligjencën artificiale, temë e cila është e një rëndësie të lartë, marrë parasysh zhvillimin e hovshëm të teknologjisë informative, teksa diskutimet kanë vazhduar edhe më tutje për shërbimet dhe teknologjitë Cloud.
Dita e katërt e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, është karakterizuar me ligjërata dhe tema interesante.
Për sigurinë e pajisjeve mobile ka folur menaxheri i informacionit dhe sigurisë kibernetike në Raiffeisen Bank Vienna, Arti Karahoda. Ky i fundit ka shtjelluar rëndësinë e sigurimit të pajisjeve mobile dhe mënyrës se si duhet siguruar ato, duke ndarë përvojat dhe njohuritë e tij sa i përket kësaj teme.
Dita e pestë e Akademisë Ndërkombëtare Verore të Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri është përmbyllur me ligjëratën e profesorit të UBT-së, can. PhD. Xhelal Jashari rreth ueb programimit, zhvillimin e ueb-it dhe mënyrës se si duhet bërë programimi.
UBT do të organizojë nesër, më 5 shtator, Ceremoninë e Gradimit, një ngjarje solemne që shënon përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm akademik për studentët dhe fillimin e një etape të re drejt së ardhmes së tyre profesionale.
Ceremonia do të mbledhë të diplomuarit, familjarët e tyre, profesorët, stafin akademik dhe drejtuesit e institucionit, për të festuar së bashku rezultatet e një rrugëtimi të karakterizuar nga përkushtimi, puna dhe sfidat e tejkaluara ndër vite.
Ceremonia do të zhvillohet në dy termine, në orën 10:00 dhe 15:00, duke krijuar një moment të veçantë për secilin të diplomuar që kurorëzon rrugëtimin e tij akademik në UBT.
Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari, ka njoftuar se e ka thirrur vazhdimin e seancës për datën 9 shtator nga ora 11:00
“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, ka shkruar Dehari në Facebook.
Ai ka thënë se deri atëherë pret që kjo marrëveshje të shoqërohet “me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese.
“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka shkruar Dehari.
Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Seanca e fundit për këtë çështje është mbajtur një ditë më vonë, ndërsa prej atëherë nuk është thirrur vazhdimi i saj.
LDK-ja dhe Vetëvendosja arritën marrëveshje që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president. Por kundër marrëveshjes dolën deputetët e LDK-së Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi./A.K/
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka njoftuar se ka vendosur të anulojë vizitën e planifikuar në Serbi, pas reagimeve ndaj glorifikimit të Ratko Mlladiqit pas vdekjes së tij.
Në një postim në platformën X, Kos ka thënë se Mlladiqi ishte dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ajo ka theksuar se glorifikimi i tij është i papajtueshëm me vlerat evropiane dhe se rruga drejt Bashkimit Evropian kërkon përballje me të kaluarën, pajtim dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës.
“Kjo rrugë kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës”, ka deklaruar Kos.
Për këtë arsye, ajo ka vendosur që, në këtë moment, të mos e realizojë vizitën e planifikuar në Serbi./A.K/
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz. Sipas Prokurorisë Speciale, të gjithë të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë janë persona të gjallë ndaj të cilëve do të zhvillohet procedura gjyqësore.
Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, në një konferencë për media të mbajtur të premten, ka thënë se aktakuza lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve.
“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë dhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz”, është shprehur Isufaj, duke thënë se tani i takon Gjykatës që ta vlerësojë aktakuzën dhe provave e paraqitura në të.
Isufaj ka thënë se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar me qëllim që pretendimet e ngritura të provohen para Gjykatës.
Ndërsa prokurori Valdet Gashi, ka thënë se aktakuzë është ngritur pas një pune disavjeçare të Prokurorisë. Ai e ka cilësuar rastin si shumë kompleks.
“Bazuar në provat e siguruara, kemi arritur që ta vërtetojmë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë kanë kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’, si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjet e datave 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 në fshatin Prekaz i Poshtëm, konkretisht në lagjen e Jasharëve”, është shprehur Gashi. /E.A/