Lajmet
Mustafa: Më 14 shkurt i paguam të gjitha faturat e mbledhura nga janari i vitit 2006
Published
5 years agoon
By
Betim GashiMinistri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa përmes një letre të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, ka thyer heshtjen pas humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas tij, LDK në zgjedhjet e 14 shkurtit, pak javë pasi që mbushi plot 31 vjet nga themelimi, preku pikën më të ultë elektorale ndonjëherë: rreth 103 mijë vota, rreth 14-15 deputetë.
“Përveç dorëheqjes së kryetarit, që derivoi në dorëheqjen e kryesisë, nuk flet askush më asgjë. Në vend të hapjes së debatit të brendshëm, heshtje. Në vend të debatit me këta 103 mijë votues që na mbetën besnik, heshtje. Në vend të debatit me mbi 100 mijë votues që na ikën tash, heshtje. Në vend të debatit me qindra mijëra votues që e braktisën LDK-në nga 2006-ta tutje, heshtje. Heshtje sepse po kalkulohen matematika që blejnë paqe dhe qetësi, që bëjnë se kinse ka paqe dhe qetësi, bashkëpunim dhe koordinim. Takime në grupe të ngushta, kinse për ta ruajtur partinë, por që në fakt diskutojnë interesa të ngushta. Jo interesin e LDK-së, jo interesin e qytetarëve, jo interesin e Kosovës”, thuhet mes tjerash në reagimin e tyre.
Sipas tij, në vend të analizës dhe diskutimeve të problemeve dhe dështimeve me struktura, anëtarë dhe votues, mbizotëron heshtja për të ruajtur pozicione (çfarë pozicione mund të kemi me 13%, rrokullisur nga 46%, që t’i ruajmë, s’e kam idenë!).
“Heshtje se “mos po kthehet Vjosa, e mos t’i prishi punët me të” apo “mos po bëhet Luta e nuk më futë në kryesi” apo “e merr partinë Kujta e nuk më jep pozitë”, apo… çfarëdo arsye tjetër për të mos folur, analizuar e debatuar; çfarëdo arsye për të heshtur e kalkuluar”, thuhet më tej në reagimin e tij.
Pas humbjes së LDK-së, Mustafa ka thënë se në politikë “s’mbetet asnjë faturë pa paguar” herët a po vonë.
“Këto pak vite që kam në politikë, kam dëgjuar qindra herë ankesën se “LDK votuesit ekzistues i trajton si vota që s’kanë ku ikin, prandaj hajde merremi me votues të partive tjera, po i kthejmë në LDK”. Fjali që e dëgjon, plotë dëshpërim, nga gati secili anëtarë apo votues i LDK-së që ndihet i lënë pas dore, pas dere. Deri në atë masë erdhi kjo mendësi saqë në dy-tri palë zgjedhjet e fundit në LDK thumboheshin mes vete me “a po mun’ i ktheni bre?” apo, duke pasur fjalën për votues tradicional të LDK-së, se “valla filanin duhet me kthy në LDK”. Kur tallesh me votuesin, një ditë vie fatura politike për ta paguar. Në politikë, nuk mbetet asnjë faturë pa paguar. Mund ta shtysh për mandatin tjetër, por dikur duhet ta paguash. Mund t’ua përcjellësh faturën gjeneratës tjetër në parti, por një ditë duhet ta paguajnë”, shkroi ai më tej.
Mustafa tha se më 14 shkurt, LDK-ja i ka paguar të gjitha faturat e mbledhura nga janari i vitit 2006.
“Më 14 shkurt 2021 paguam të gjitha faturat e mbledhura nga janari i 2006-ës. Faturat e injorimit të anëtarëve, votuesve dhe simpatizantëve të LDK-së. Faturat e injorimit dhe shkeljes së familjeve të mëdha të LDK-së. Faturat e përqeshjes se “nuk kanë ku shkojnë, gjithë kanë me votu’ LDK-në”. Faturat e mbylljes, mosdialogimit, mosdiskutimit, skenarëve, grupimeve, makinacioneve, kalkulimeve, matematikave. Faturat e inateve dhe egove të personave, grupeve, klaneve, regjioneve, gjeneratave. Faturat e zgjedhjeve të brendshme të vitit 2019 kur askush nuk çante kokën kush, e si, po bëhej kryetar nëndege apo dege, por vetëm telefononin çdo 15 minuta “kon’ pe qon delegat? Ai a? Jo ai s’o i jemi, qoje atë tjetrin”. Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 për të gjitha partitë tjera ishin zgjedhje parlamentare, por për LDK-në ishin vetëm vazhdim i zgjedhjeve të brendshme të nisura në pranverën e 2019-ës. “Votom mua edhe kurrqysh mos e voto Filanin, se m’ka mujtë në degë, e tash duhet me pre” ishte fjalia më e shpeshtë në takimet elektorale, pra me votuesit, të LDK-së në këto zgjedhje. E votuesi i LDK-së rrëmoi sirtarët, mblodhi të gjitha faturat e 15 viteve të fundit dhe e morri pagesën, e morri hakun, jo nga LDK që nuk guxonte as t’i shihte faturat, por i përmbaroi në kutinë e votave. Nga 46% në 13% brenda 15 viteve”, shkroi ai.
Mustafa njoftoi se së shpejti LDK do të mbajë Kuvendin e punës ku do të zgjedhet kryetari i ri i saj. Ky Kuvend do të jetë i pakuptimtë dhe shterp në mungesë të disa parakushteve:
1. Thirrja, lutja në fakt, e figurave themeluese, e bartësve të shpirtit të LDK-së, për t’u kthyer në parti, në çfarëdo forme apo angazhimi. Figura që në dy dekadat e para të LDK-së i kanë dhënë asaj shpirtin dhe vizionin e saj. Figura që kemi fatin që ende janë gjallë e të fortë për t’i dhënë Kosovës ende.
2. Regjistrimi i plotë i anëtarësisë bazuar në rregulla, standarde dhe kontribut, ku secili anëtar i ka të qartë treguesit matës për kontributin e tij, ku secili kryetar nëndege dhe dege i di qartë treguesit e matjes së performancës së tij.
3. Zgjedhje të brendshme të parakohshme në LDK ku largohet kushti i 50%+1 i votave të kuvendit për të miratuar kandidaturën dhe ku të gjitha organet nga nëndegët deri tek qendra zgjidhen vetëm dhe vetëm përmes kutisë, pra votës së fshehtë.
4. Komunikime, diskutime, debate dhe konsultime paraprake – pra, para Kuvendit – të thella e të gjera që rezultojnë në konsensus të gjerë mes gjeneratave, regjioneve, pikëpamjeve, ideve, etj.
“Në këtë Kuvend, de facto, nuk zgjedhet kryetari i LDK-së por zgjedhet ekipi i ri, plot energji e vizion, që do të ketë qëllim primar nxjerrjen e LDK-së nga kjo situatë e rëndë dhe fillimin e reformave të thella në parti. Një ekip që, përmes komunikimit me qytetarin votues e jo-votues, e kthen vendimmarrjen tek secili anëtar, dashamir e simpatizantë, tek secili qytetar që e sheh LDK-në si alternativë për zhvillimin e shtetit. Në të kundërtën, do të mund të vazhdojmë të flasim në kuluare se si po ja bëjmë me partinë e jo me votuesin, si po ja bëjmë menaxhimit të brendshëm e jo raportit me votuesit, por do të përfundojmë edhe më keq. Do ta harrojmë 14 shkurtin. Ka zëra sot në LDK që do thonë që një proces i tillë merr kohë dhe ne nuk kemi kohë sepse duhet përgatitur për zgjedhjet komunale. Cilat zgjedhje komunale? Çfarë zgjedhjesh fitojmë pas gjashtë muajsh ne që kemi rënë nga 46% në 13%, pa reformë, pa e rigjetur veten, pa ju kthyer bazës? Viti 2021 për LDK-në tanimë është përsëritje e viti 2006: humbje, përçarje, degradim. Mundemi dhe duhemi ta shndërrojmë në përsëritje të vitit 1989: energji e re, vizion, kurajo, durim, punë”, shkroi ai më tej./UBTNews
Rajoni
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
Published
39 minutes agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.
I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.
Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.
Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.
Lajmet
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
Published
45 minutes agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.
ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.
Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.
“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.
Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.
Vendi
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
Published
1 hour agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.
Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.
Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.
Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.
Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.
Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.
Lajmet
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Published
2 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Komisioni i posaçëm i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka nisur punën në terren për verifikimin e njehsorëve elektrikë, pas ankesave të shumta të konsumatorëve për çrregullime të kohës dhe matje të pasaktë të energjisë.
Drejtoresha e Agjencisë së Metrologjisë, Sebahate Bushrani, ka bërë të ditur se njehsorët e dyshimtë do të tërhiqen për verifikim dhe do të zëvendësohen me të tjerë deri në lëshimin e raportit zyrtar. Sipas saj, aktualisht janë rreth 70 ankesa, ndërsa raporti përfundimtar do t’u dërgohet Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe palëve të përfshira, raporton Koha.net.
Ky aksion vjen pas denoncimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një hulumtimi në Prishtinë dhe Ferizaj ka pretenduar se rreth 800 njehsorë llogarisin energjinë me tarifë të shtrenjtë për shkak të mosperputhjes së orës.
Ndonëse KEDS-i i ka mohuar këto pretendime, raportimet e mëhershme kanë treguar se qytetarët në Fushë-Kosovë janë përballur me probleme të ngjashme, ku orët në njehsorë figuronin jashtë kohës reale. Verifikimi mbetet një proces i ndjeshëm, veçanërisht pas kritikave të vitit 2023 se ky proces kryhej në laboratorët e KEDS-it, veprim ky që konsiderohej shkelje e Ligjit për Metrologji.
Saktësia e njehsorëve është jetike për xhepin e qytetarëve, pasi dallimi mes tarifave është i lartë. Gjatë dimrit, tarifa e lartë (9.05 centë deri në 15.43 centë për kW) aplikohet nga ora 07:00 deri në 22:00, ndërsa tarifa e ulët (3.88 centë deri në 7.28 centë për kW) vlen gjatë natës. Çdo mospërputhje e orës bën që konsumatorët të faturohen me çmime maksimale edhe kur ata tentojnë të kursejnë duke përdorur pajisjet shtëpiake gjatë orëve të vona. /Koha.net/
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
MINT nis verifikimin e njehsorëve të rrymës pas dyshimeve për matje të gabuara
Gallapeni: Nuk ia dolëm, por kjo nuk na ndalë
Dua Lipa i bashkohet filmit “Peaked”, zgjeron karrierën në Hollywood
Starmer kërkon lidhje më të ngushta me BE-në pas përplasjeve me Trump për luftën në Iran
“The Athletic” vlerëson guximin e Kosovës: “Nuk u mposhtën nga shiu, as nga presioni”
17 vite nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
