Sport

Muriqi të hënën e luan ndeshjen jubilare në La Liga

Published

on

Sulmuesi Vedat Muriqi të hënën do ta luajë ndeshjen e 100-të në La Liga me fanellën e Mallorcas. Mallorca nga ora 21:00 luan në stadiumin “Ramon Sanchez Pizjuan” ndaj Sevillas, në kuadër të xhiros së 25-të të kampionatit spanjoll.

Muriqi në edicionin aktual ka pasur formë të luhatshme me skuadrën spanjolle, por së fundmi e ka gjetur ritmin e duhur. Ai ka realizuar tri gola në dy ndeshjet e fundit, ndërsa gjashtë i ka në total në 19 ndeshje të zhvilluara në elitën spanjolle. Lojtari kryesor i Kosovës ka kontribuuar edhe me dy asistime.

Sulmuesi shtatlartë është titullar i padiskutueshëm te Mallorca dhe shumë i dashur nga tifozët e skuadrës për përkushtimin dhe ndihmën e madhe që jep në fazën e mbrojtjes. “Pirati” ka prezencë të dukshme edhe në fazën sulmuese. 30-vjeçari iu bashkua Mallorcas në fillim të vitit 2022.

Që nga ajo kohë ai është bërë prej sulmuesve me më së shumti gola në elitën spanjolle për Mallorcan. Vetëm Samuel Eto’o, Juan Arango dhe Victor Casadesus kanë më shumë gola se Muriqi në elitë. Sulmuesi i Kosovës ka shënuar 33 gola në 99 paraqitje kampionale për Mallorcan. Është shumë afër që ta kalojë në renditje Casadesusin, i cili kishte realizuar 37 gola. Kamerunasi Eto’o i prin listës me 54 gola, ndërsa venezuelasi Arango i ka 46 gola.

Nëse merren për bazë statistikat e tjera, Muriqi është vetëm prapa Eto’os. Eto’o, 54 gola i realizoi në 133 ndeshje, Arango 46 gola i pati në 183 ndeshje, ndërsa 37 gola Casadesus i shënoi për 197 ballafaqime. Muriqi në gjysmën e dytë të edicionit 2021/22 i kishte pesë gola ndërsa e bëri diferencën falë lojës së fortë në ajër.

Ai kishte arritur në ishull nga skuadra e Lazios në formë huazimi, ndërsa transferimi ishte kompletuar në verën e vitit 2022. Mallorca i shpenzoi mbi 9 milionë euro për sulmuesin kosovar, duke e bërë blerjen më të shtrenjtë në histori të klubit. Edicionin 2022/23 e pati më të mirin kur i shënoi 15 gola.

Në edicionin e kaluar i pati shtatë gola. Muriqi me Mallorcan ishte afër që të fitonte trofe, por u mposht në finale në edicionin e kaluar të Kupës së Mbretit.

Synim i tij dhe skuadrës është që ta përfundojnë kampionatin në njërin prej vendeve që dërgojnë në kupat evropiane.

Mallorca pas 24 ndeshjeve të luajtura ka grumbulluar 34 pikë.

“Jam i vetëdijshëm se pesëshja e parë në tabelë është tregim tjetër. Por nga pozita e gjashtë deri në pozitën e 14-të, nuk ka diferencë të madhe të pikëve. Ajo që duhet të bëjmë ne është t’i përsërisim gjërat që i bëmë në dy ndeshjet e fundit. Për të qëndruar sipër në tabelë duhet të punojmë fort, për të qenë të gatshëm për ndeshjet si ajo e së hënës”, ka deklaruar të dielën në konferencën për shtyp trajneri Jagoba Arrasate.

Muriqi kishte oferta në verë, por vendosi të vazhdojë me Mallorcan.

Lajmet

Kosova e përmbyll Kampionatin Ballkanik të Karatesë me 10 medalje

Published

on

By

Përfaqësuesja e Kosovës në karate ka arritur një rezultat të shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Stamboll të Turqisë, duke grumbulluar gjithsej 10 medalje, prej të cilave një e artë, tri të argjendta dhe gjashtë të bronzta.

Dita e fundit e garave solli tri medalje të bronzta në konkurrencën ekipore. Ekipi i djemve për kadetë, ekipi i vajzave për kadete si dhe ekipi i djemve për juniorë arritën të ngjiten në podiumin e fituesve duke siguruar medalje të bronzta për Kosovën.

Në garat individuale, suksesin më të madh e shënoi Emira Maqedonci, e cila u kurorëzua kampione e Ballkanit duke fituar medaljen e artë. Me medalje të argjendta u nderuan Suela Arifi, Qëndresa Ibrahimi dhe Prijam Gashi, ndërsa medaljet e bronzta në konkurrencën individuale i rrëmbyen Alea Kelmendi, Krenar Ismajli dhe Amar Daku.

Rezultati i arritur në Stamboll rikonfirmon ngritjen e karatesë kosovare në arenën rajonale, me federatën, trajnerët dhe sportistët që morën urime të shumta për përfaqësimin dinjitoz të flamurit të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Sport

Fisnik Asllani shkëlqen në ndeshjen jubilare, gol dhe asistim në fitoren e Hoffenheimit

Published

on

By

Fisnik Asllani ka festuar në mënyrën më të mirë paraqitjen e tij jubilare në Bundesliga, duke shënuar një gol dhe dhuruar një asistim në fitoren e Hoffenheimit ndaj Schalke 04, me rezultat 2:1.

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës ishte ndër protagonistët kryesorë të kësaj fitoreje, me të cilën Hoffenheimi vazhdon ngjitjen në tabelën e kampionatit gjerman. Pas këtij triumfi, skuadra e tij ka grumbulluar 12 pikë dhe renditet në pozitën e nëntë.

Asllani qëndroi në fushë deri në minutën e 78-të, kur u zëvendësua. Paraqitja e tij u vlerësua me notën 7.6 nga platforma SofaScore.

Përveç golit dhe asistimit, sulmuesi kosovar regjistroi edhe katër goditje drejt portës, fitoi dy duele dhe kompletoi një driblim, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e tij në repartin ofensiv të Hoffenheimit.

Ky ishte goli i tretë i Asllanit në Bundesliga këtë sezon, ndërsa kosovari ka gjetur rrjetën edhe në garat evropiane.

Paraqitja e tij vjen në një moment të rëndësishëm, para angazhimeve të ardhshme të Përfaqësueses së Kosovës, ku Asllani pritet të jetë një nga pikat kryesore të repartit ofensiv.

D.L

Continue Reading

Sport

Kosova nis mirë, por mposhtet nga favoritja e grupit, Hungaria

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në hendboll është mposhtur nga Hungaria me rezultat 34:20, në ndeshjen e zhvilluar të dielën mbrëma në Ferizaj, në kuadër të xhiros së dytë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2028.

Përkundër humbjes, Dardanët e nisën mjaft mirë takimin, duke krijuar epërsi prej 6:3 në minutën e shtatë. Megjithatë, Hungaria, si favorite e grupit dhe njëra prej kombëtareve më të forta në Evropë, arriti të rikthehej në lojë dhe ta përmbyste rezultatin.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi 17:12 për mysafirët, ndërsa në pjesën e dytë hungarezët e thelluan edhe më shumë dallimin për ta siguruar fitoren me rezultat 34:20.

Në paraqitjen e Kosovës ndikuan edhe mungesat e shumta të lojtarëve të rëndësishëm, si Egzon Gjuka, Leonard Gegaj, Valon Dedaj dhe Kastriot Jupa. Vështirësitë u shtuan edhe me përjashtimin e Jon Muqollit në minutën e 11-të.

Drenit Tahirukaj dhe Shaban Zogaj ishin golashënuesit më të mirë te Kosova, me nga pesë gola, ndërsa Olsi Mulaj realizoi katër dhe Matej Thaqi tri. Portieri Haris Berisha regjistroi nëntë pritje.

Ndeshja u zhvillua në një atmosferë të jashtëzakonshme sportive, në praninë e rreth 2.500 shikuesve në Ferizaj.

Pavarësisht rezultatit, Kombëtarja e Kosovës tregoi angazhim dhe karakter përballë një kundërshtari të nivelit të lartë evropian.

D.L

Continue Reading

Sport

Zhegrova sërish nga stoli, Juventusi ndalet në barazim nga Fiorentina

Published

on

By

Edon Zhegrova vazhdon të mos e fitojë vendin në formacionin startues të Juventusit, duke u aktivizuar sërish si zëvendësues.

Juventusi barazoi 2:2 në udhëtim ndaj Fiorentinës, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 11-të të Serie A, të zhvilluar të dielën mbrëma.

Futbollisti kosovar u inkuadrua në lojë në minutën e 57-të, në një moment kur Juventusi ishte në disavantazh prej 2:1.

Golin e parë për Juventusin e shënoi Nick Woltemade, ndërsa Bremer realizoi golin e barazimit në minutën e 66-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 2:2.

Për vendasit shënuan Mateo Pellegrino në minutën e katërt dhe Alieu Njie në minutën e 54-të.

Edhe pse po aktivizohet rregullisht, Zhegrova vazhdon të luajë kryesisht si zëvendësues. Në nëntë paraqitje në Serie A, ai ka kontribuuar me dy gola dhe dy asistime.

Juventusi vazhdon të jetë larg objektivave të tij këtë sezon, duke u renditur në pozitën e shtatë me 18 pikë. Në anën tjetër, Fiorentina gjendet në vendin e 15-të me nëntë pikë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara