Bashkimi Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schubel si Përfaqësuesin e ri Special të BE-së për Kosovën. Vendimi është miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian, ndërsa Schubel do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me një mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar në këtë pozitë Aivo Oravin.
Mandati i Përfaqësuesit Special të BE-së për Kosovën është i përqendruar në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, si dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit përmes komunikimit publik dhe angazhimit me qytetarët.
Ndër detyrat kryesore të tij do të jenë monitorimi i progresit në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, forcimi i të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtja e komuniteteve pakicë. Ai do të punojë gjithashtu për koordinimin politik të Bashkimit Evropian, me synim një prani më të bashkërenduar dhe më të dukshme të BE-së në Kosovë.
Schubel është diplomat me përvojë të gjatë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Aktualisht ai shërben si shef i Divizionit për Rusinë në EEAS.
Më herët, ai ka qenë i Dërguar Special i BE-së për Partneritetin Lindor (2022–2024), shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi (2019–2022) dhe shef i Delegacionit të BE-së në Moldavi (2009–2013), ku ka kontribuar në avancimin e angazhimit të Bashkimit Evropian në fqinjësinë lindore.
Mandati i tij përfshin edhe ofrimin e udhëzimeve politike për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), si dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me synim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Përfaqësuesit Specialë të Bashkimit Evropian promovojnë politikat dhe interesat e BE-së në rajone dhe çështje me rëndësi strategjike, duke mbështetur reformat, stabilitetin dhe sundimin e ligjit. Aktualisht, 11 Përfaqësues Specialë të BE-së mbështesin punën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas./A.K/