Lajmet

MINT nxjerr vendim për shfuqizimin e 5 certifikatave të bizneseve

Ajo ka thënë se mes 660 dosjeve të rishqyrtuara, 48 sosh kanë rezultuar me emërtime kundër kushtetuese.

Published

on

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari ka njoftuar se Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve ka nxjerrë vendime për shfuqizimin edhe të 5 bizneseve, të cilat sipas saj ishin me emërtime antikushtetuese.

Ministria Hajdari ka thënë se mes 660 dosjeve të rishqyrtuara, 48 sosh kanë rezultuar me emërtime kundër kushtetuese, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të Serbisë.

“Menjëherë pas pranimit të raportit të Komisionit, ARBK ka filluar sot hapat administrativ të parashikuar me ligj, duke nxjerrë vendime për shfuqizimin e certifikatave të 5 bizneseve, në mes të 48 prej tyre me emërtime antikushtetuese”, ka shkruar Hajdari në Facebook.

Sipas ministres Hajdari, këto 5 biznese, në dokumentacionin e pronarëve apo përfaqësuesve të autorizuar, kanë përmbajtje antikushtetuese si në vijim: “Gnjilane – Serbi”; “Pristina – Serbi”; “Djakovica – Serbi”; “Kosovska Mitrovica – Serbi”.

“Bizneset në fjalë kanë veprimtari përkatësisht në blerje dhe shitje të patundshmërisë personale, tregti me pakicë me porosi, ndërtim të objekteve banesore e jobanesore dhe telekomunikim kabllor”, shkruan ajo.

Po ashtu ajo bën të ditur se ditëve në vijim, pritet që ARBK të vazhdojë me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“E falënderoj Komisionin për riverifikim për punën e shpejtë dhe profesionale në shqyrtimin e qindra dosjeve gjatë javëve të fundit, si dhe ARBK për marrjen e menjëhershme të masave për zbatimin e ligjit. Edhe një herë, MINT mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”, shkruan ajo. 

Vendi

Dyshohet për mjet shpërthyes në Prishtinë, policia evakuon zonën

Published

on

Policia e Kosovës ka pranuar sot, rreth orës 09:00, një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën “Gucia” në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, bëri të ditur se menjëherë pas pranimit të informatës janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë. Policia ka siguruar perimetrin dhe ka evakuuar qytetarët nga zona për të garantuar sigurinë e tyre.

Në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, ndërsa kanë dalë edhe ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit.

“Rreth orës 09:00, Policia ka pranuar një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën ‘Gucia’ në Prishtinë. Menjëherë pas pranimit të informatës, policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, duke siguruar perimetrin dhe duke evakuuar qytetarët nga zona. Në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitet përkatëse policore, ndërsa kanë dalë edhe ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e tyre”, deklaroi Pllana.

Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë për natyrën e mjetit të dyshuar, ndërsa veprimet në terren po vazhdojnë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nga intervista te montazhi: në ditën e katërt të Akademisë Verore të Fakultetit Media dhe Komunikim, studentët prezantojnë projektet e tyre

Published

on

Në kuadër të Akademisë Verore të Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, sot u mbajt dita e katërt e aktiviteteve, e organizuar në dy sesione prezantuese, ku morën pjesë studentët e vitit të dytë dhe të tretë.

Sesioni i parë iu kushtua prezantimit të punimeve të realizuara në lëndën “Intervista në TV dhe Radio”, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Safet Zejnullahu. Studentët prezantuan intervistat e tyre, duke dëshmuar aftësitë e fituara në zhvillimin e intervistave profesionale, komunikimin me të ftuarit dhe zbatimin e standardeve të gazetarisë audiovizive.

Në sesionin e dytë, studentët prezantuan projektet e realizuara në lëndën “Montazhi në TV dhe Radio”, të udhëhequr nga Prof. Burim Haliti. Përmes punimeve të tyre, ata shfaqën njohuritë dhe aftësitë praktike në procesin e montazhit, duke demonstruar kreativitet, organizim të përmbajtjes dhe përdorim efektiv të teknikave bashkëkohore të post-produksionit.

Prezantimet krijuan një atmosferë bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë të ndajnë rezultatet e punës së tyre dhe të marrin komente profesionale nga profesorët dhe kolegët.

Akademia Verore e Fakultetit Media dhe Komunikim vazhdon të shërbejë si një platformë e rëndësishme për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve, duke promovuar mësimin praktik, kreativitetin dhe përgatitjen për sfidat e industrisë së medias dhe komunikimit.

Continue Reading

Vendi

Konjufca priti në takim zëvendësministrin e Jashtëm të Italisë: Diskutohet për integrimin dhe bashkëpunimin ekonomik

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në detyrë, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim zyrtar Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Edmondo Cirielli.

Gjatë këtij takimi, fokus i veçantë iu kushtua marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimit në NATO, si dhe zhvillimeve aktuale politike në vend, përfshirë këtu edhe procesin e formimit të qeverisë së re.

Në kuadër të partneritetit mes dy vendeve, palët diskutuan gjerësisht për bashkëpunimin ekonomik. U theksua nevoja e menjëhershme për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare, rritjen e ndërveprimit ekonomik dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta që do të thellonin më tej lidhjet mes Kosovës dhe Italisë.

Ministri në detyrë, Konjufca, shfrytëzoi rastin për ta falënderuar zëvendësministrin Cirielli për mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka dhënë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës, duke rikonfirmuar se Roma zyrtare mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm strategjikë të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Takimi, i cili rrodhi në një frymë plotësisht miqësore dhe konstruktive, dëshmoi edhe një herë marrëdhëniet e afërta mes dy popujve, me Kosovën që mbetet e përkushtuar për të fuqizuar bashkëpunimin në çdo fushë me interes të përbashkët. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë solli praktikën laboratorike në fokus të ditës së tretë

Published

on

By

Në kuadër të Global UBT Fest, Akademia Verore e Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë vazhdoi aktivitetet e saj me ditën e tretë, e cila u karakterizua nga puna praktike dhe përvoja e drejtpërdrejtë në mjedise moderne laboratorike dhe klinike.

Gjatë këtij aktiviteti, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me organizimin dhe funksionimin e laboratorëve klinikë, menaxhimin dhe ruajtjen e mostrave biologjike, përdorimin e analizatorëve bashkëkohorë, teknikat e pipetimit dhe mikroskopisë, si dhe proceset e diagnostikimit laboratorik dhe imazherik.

Përmes demonstrimeve praktike dhe punës në laborator, studentët dhe pjesëmarrësit zgjeruan njohuritë e tyre mbi standardet profesionale që udhëheqin praktikën laboratorike moderne. Vëmendje e veçantë iu kushtua saktësisë analitike, biosigurisë, kontrollit të cilësisë dhe etikës profesionale, si elemente kyçe për garantimin e rezultateve të besueshme dhe mbrojtjen e shëndetit të pacientëve.

Aktiviteti dëshmoi edhe një herë qasjen bashkëkohore të Fakultetit të Biokimisë Mjekësore dhe Bioteknologjisë, i cili ndërton një model arsimimi të bazuar në integrimin e mësimit teorik me praktikën profesionale, duke krijuar një ekosistem ku universiteti, laboratori dhe institucionet shëndetësore bashkëpunojnë për zhvillimin e dijes, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Përmes Akademisë Verore, UBT vazhdon të krijojë mundësi për zhvillimin profesional të studentëve dhe profesionistëve të rinj, duke i pajisur ata me kompetenca praktike dhe njohuri të avancuara, në përputhje me standardet bashkëkohore të diagnostikës laboratorike dhe shkencave biomjekësore.

Continue Reading

Të kërkuara