Lajmet

Ministrat e jashtëm të BE-së takohen mes tensioneve për paketën e gjashtë të sanksioneve

Komisioni Evropian paraqiti dy javë më parë propozimin e tij për paketën e gjashtë.

Published

on

Takimi i ministrave të punëve të jashtme të BE-së filloi të hënën mes tensioneve rreth propozimit për një embargo të naftës si pjesë e paketës së gjashtë të sanksioneve të bllokut kundër Rusisë.

“Fatkeqësisht, i gjithë Bashkimi (Europian) mbahet peng nga një vend i cili nuk mund të na ndihmojë të gjejmë konsensus”, u tha gazetarëve kryediplomati i Lituanisë Gabrelius Landsbergis në rrugën e tij drejt takimit.

Ai iu referua Hungarisë, e cila ka kundërshtuar miratimin e paketës së re të sanksioneve.

“Vendimet, që Evropa ka marrë gjatë dy muajve e gjysmë të fundit dhe ato që do të marrim sot dhe në të ardhmen e afërt, do ta përcaktojnë Evropën për dekadat në vijim”, tha Landsbergis.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell theksoi rëndësinë e diskutimeve dhe të kuptuarit e arsyeve të secilës palë, por shprehu dyshimin nëse situata do të zhvillohet sepse pozicionet janë mjaft të forta.

“Është një situatë objektive që disa shtete anëtare të përballen me më shumë vështirësi sepse janë më të varura, pa dalje në det ose nuk kanë mundësi të marrin cisternat”, shpjegoi ai.

Në të njëjtën kohë, ai premtoi se do të bënte përpjekje për të paraqitur një front të bashkuar kundër Rusisë.

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto nuk foli me gazetarët përpara takimit, por ai kishte shpjeguar më herët se qeveria e tij nuk mund të lejojë rritjen e madhe të çmimeve të naftës dhe të përballojë koston e ndërtimit të infrastrukturës së re për të zëvendësuar naftën ruse pa mbështetjen financiare të BE-së.

BE-ja deri më tani ka miratuar pesë grupe sanksionesh për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi në shkurt. Dënimet synojnë individë, duke përfshirë presidentin rus Vladimir Putin, ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov, si dhe ndalojnë eksportin e mallrave luksoze dhe importet e qymyrit dhe përjashtojnë bankat ruse dhe bjelloruse nga përdorimi i sistemit të pagesave ndërkombëtare SWIFT.

Komisioni Evropian paraqiti dy javë më parë propozimin e tij për paketën e gjashtë. Përveç ndalimit të importeve të naftës ruse, ajo ka sugjeruar përjashtimin e Sberbank nga SWIFT, si dhe vendosjen e ngrirjes së aseteve dhe ndalimin e udhëtimit për më shumë individë, duke përfshirë Patriarkun e Kishës Ortodokse Ruse, Kirill.

Në mars, organi ekzekutiv i BE-së zbuloi gjithashtu planet për të ulur importet e gazit me dy të tretat deri në fund të këtij viti, duke përshpejtuar tranzicionin e gjelbër në burimet e rinovueshme dhe duke siguruar furnizimin me karburant fosile nga partnerë të rinj, duke përfshirë SHBA-në dhe Lindjen e Mesme./UBTNews/

Vendi

Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.

Në votimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, për Shiroka-Pulën kanë votuar 81 deputetë, ndërsa dy fletëvotime janë shpallur të pavlefshme. Një votë i është dhënë deputetes Eliza Hoxha.

Pas zgjedhjes në këtë pozitë, presidentja e re ka mbajtur fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit, duke thënë se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi.

“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.

Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh ajo.

Në fjalimin e saj, Shiroka-Pula theksoi edhe orientimin euroatlantik të Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët.

“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja e re./A.K/

Continue Reading

Vendi

Kurti propozon për presidente ish-ministren e PDK-së, Justina Shiroka-Pulën

Published

on

By

Në orët e fundit para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, Kryeministri Albin Kurti ka bërë një lëvizje të re drejt PDK-së.

Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të votojë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara – një kërkesë kjo e kahershme e PDK-së.  

Përmes kësaj oferte, Kurti i ka bërë thirrje PDK-së që të hyjë në seancë, duke propozuar si kandidate për presidente ish-deputeten dhe ish-ministren nga radhët e PDK-së, Justina Shiroka-Pula.  

Ky propozim vjen pasi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, refuzoi emrat e propozuar më parë, si Feride Rushiti dhe Glauk Konjufca. Kurti iu drejtua opozitës me thirrjen për bashkëpunim në Kuvend për të votuar së pari ligjin e kërkuar dhe më pas kandidaturën e Shiroka-Pulës për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Continue Reading

Vendi

Rritet numri i protestuesve, protesta vazhdon në sheshin “Skënderbeu”

Published

on

By

Është shtuar numri i qytetarëve që po marrin pjesë në protestën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në shesh, ndërsa protesta po vijon përpara institucioneve të vendit.

Protesta e sotme është thirrur lidhur me kërkesat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zhvillimet rreth Gjykatës Speciale në Hagë.

Continue Reading

Lajmet

Hamza e refuzon ofertën e dytë të Kurtit për presidentin dhe Specialen: Po tentohet të shndërrohet në pazar

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i është përgjigjur negativisht propozimit të kryeministrit Albin Kurti për votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit.

Në një konferencë për media, Hamza ka kritikuar qasjen e deritanishme, duke thënë se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është përgjegjësi vetëm e PDK-së.

Çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së, po flasim për historinë, për të tashmen dhe për të ardhmen”, është shprehur Hamza.

Ai ka thënë se kjo çështje, sipas tij, po tentohet të përdoret për pazare politike në momentet e fundit.

“Kjo temë po tentohet me u shndërru në pazare të minutave të fundit. Ju kam thënë dhe po e përsëris. Çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë që i takon vetëm PDK-së. Po flasim për historinë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, ka deklaruar ai.

Hamza ka theksuar se pjesëtarë të UÇK-së janë të lidhur me subjekte të ndryshme politike, ndërsa ka akuzuar për tentim të përdorimit të kësaj çështjeje për arritjen e qëllimeve politike.

“UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj teme është si ta përdorim ligjin për shantazh dhe për të mbërritur qëllimin politik. Qëllimi politik është që me pasë një president politik dhe me e përmbyllë njëqind për qind kapjen e institucioneve”, ka thënë Hamza.

Ai ka shtuar se ka marrë pjesë në takime për tejkalimin e situatës, por ka kritikuar ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve politike.

“Unë kam qenë në takim, po e shihni se sa shpesh ka ndryshime të qëndrimeve politike”, ka deklaruar Hamza.

Continue Reading

Të kërkuara