Lajmet

Mes tensionesh, Kallas pret Kurtin e Vuçiqin për herë të parë

Published

on

Për herë të parë në cilësinë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, mirëpret sot në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Takimet, megjithatë, do të mbahen veç e veç dhe nuk do të jenë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e ndërmjetëson BE-ja.

Ato zhvillohen pak ditë pas një shpërthimi në kanalin kritik të Ibër-Lepencit – pjesa veriore e Kosovës – nga ku furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit.

Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm, por ajo e mohoi çdo përgjegjësi dhe e dënoi atë.

BE-ja, në anën tjetër, e cilësoi si “sulm terrorist” ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe i ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë për t’i zbuluar autorët përgjegjës.

Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, nisi mandatin pesëvjeçar të kryediplomates evropiane nga 1 dhjetori.

Në këtë detyrë, ajo do të ketë përgjegjësi edhe ndërmjetësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Procesi që nisi qysh në vitin 2011, kaloi përmes tre paraardhësve të saj – Catherine Ashton, Federica Mogherini dhe Josep Borrell – por dha pak rezultate drejt qëllimit përfundimtar.

Dhjetëra marrëveshje u arritën, por pak prej tyre u zbatuan në terren.

Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në shtator të vitit 2023.

Pak ditë pas atij takimi, ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë një polic.

Një përpjekje e ish-ndërmjetësuesit Borrell për t’i ulur bashkë dy udhëheqësit, në fund të qershorit, rezultoi pa sukses, pasi Kurti nxori disa kushte për takimin – mes tyre, dorëzimin e ish-politikanit serb nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

Se cila do të jetë qasja e Kallasit ndaj dialogut mes Kosovës dhe Serbisë tani, nuk dihet shumë.

Muajin e kaluar, ajo doli në një seancë dëgjimore para Parlamentit Evropian, por nuk tha asgjë konkrete për këtë proces.

Paraqitja e saj u përqendrua më shumë te lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.

Analistët me të cilët bisedoi më herët Radio Evropa e Lirë, u shprehën të befasuar nga mungesa e vëmendjes ndaj dialogut, duke thënë se “potenciali për destabilitet” në rajonin e Ballkanit Perëndimor “është mjaft i lartë”.

“BE-ja nuk e ka luksin ta lërë anash dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për kohë të gjatë”, tha Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS – Shkolla e Londrës për Ekonomi.

Në kohën e zhvillimeve të shpejta gjeopolitike, sipas tij, Kallas nuk bën të fokusohet në ruajtjen e status quo-së.

Për ta lëvizur përpara procesin, ai tha se Kallas mund t’i nxisë pesë vendet mosnjohëse të BE-së – Greqinë, Sllovakinë, Spanjën, Qipron dhe Rumaninë – që ta njohin Kosovën dhe, në këtë mënyrë, t’i bëjë trysni Serbisë për të hequr dorë nga refuzimi për njohjen e saj.

Në një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vitin 2021, kryeministrja e atëhershme estoneze theksoi nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

Atëkohë, ajo po ashtu tha se Estonia e mbështet Kosovën drejt integrimeve evropiane dhe se çelës për sukses janë “reformat, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe sigurimi i njohjeve të shtetësisë prej pesë vendeve të BE-së”.

Më 2022 dhe 2023, Kallas u takua edhe me Kurtin në Tallin të Estonisë.

Në ato takime, ajo e falënderoi Kurtin që Kosova është rreshtuar përkrah BE-së në sanksionimin e Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, ndërsa Kurti e falënderoi atë për mbështetjen dhënë Kosovës në shtetndërtim.

Nëse takimet e sotme në Bruksel do të japin ndonjë sinjal për kursin që do të ndjekë Kallas në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet të shihet.

Të dyja vendet e kanë të qartë prej kohësh se normalizimi i marrëdhënieve është kusht për to për të përparuar drejt integrimit në BE.

Lajmet

Irlanda e Veriut triumfon ndaj Maltës në kualifikuese të Botërorit 2026

Published

on

Një fitore miqësore 3-0 ndaj Maltës erdhi nga Irlanda e Veriut në kualifikuese të Kupës së Botës 2026, ku Jordan Jones, Gavin Whyte dhe Ali McCann shënuan në Austri.

Pjesa më e madhe e ndeshjes u zhvillua në një mënyrë tipike miqësore të fundsezonit dhe nuk pati lojtarë që të spikasnin gjatë gjithë 90 minutave.

Dallasi arriti një fitore si kapiten i Irlandës së Veriut në mungesë të Steven Davis dhe kjo është një përvojë jetësore për lojtarin në formë të mirë të Leeds.

Jones shfrytëzoi mbrojtjen e dobët për të shënuar një gol të hershëm përpara se Josh Magennis të shihte penalltinë e tij të pritej nga portieri i Maltës, Henry Bonello, në një pjesë të parë kryesisht të çrregullt.

Irlanda e Veriut u përmirësua në pjesën e dytë me dy gola në tre minuta.

Fitorja në 90 minuta më në fund erdhi për trajnerin e Irlandës së Veriut, por ishte e pakëndshme ta shikoje në pjesën e parë pavarësisht golit të hershëm.

Pasimi i gabuar i Ferdinando Apap i dha mundësinë Jones dhe anësori i Rangers e shfrytëzoi me një gjuajtje të ulët që e rrëzoi Bonellon përpara se të fluturonte drejt portës.

Bonello u ul për të pritur penalltinë e Magennis në minutën e 21-të – e akorduar për faullin e Kurt Shaw ndaj Whyte – dhe humbja e penalltisë përmblodhi një fillim të vështirë prej 45 minutash nga Irlanda e Veriut.

Malta hyri në ndeshje 127 vende poshtë kundërshtarëve të saj në renditjen botërore, por ata e kaluan pjesën e parë me Joseph Mbong dhe Luke Montebello që u afruan shumë.

Irlanda e Veriut kishte më shumë shpejtësi dhe vendosmëri në rifillimin e ndeshjes dhe Whyte shënoi me shpejtësi nga një pasim i Stuart Dallas për ta bërë rezultatin 2-0 pas 53 minutash.

Pastaj u pasua shpejt nga numri tre, pasi McCann u kap nga Paddy McNair dhe ai dha një gjuajtje të shkathët përtej Bonellos për ta çuar ndeshjen përtej një skuadre të Maltës që po shkatërrohej./S.K/BBC/

Continue Reading

Lajmet

​Sulm në parkingun e kopshtit në Vushtrri dhe arsenal armësh në shtëpi, një muaj paraburgim për dy persona

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, ndaj të dyshuarve K.M. dhe K.M., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer disa vepra penale.

Të dyshuarit ngarkohen me veprat penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa njëri prej tyre, K.M., dyshohet gjithashtu për veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 20 maj 2025, rreth orës 08:55, në parkingun e një kopshti fëmijësh në Vushtrri, ku i dyshuari K.M., së bashku me persona të tjerë, e kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarin L.O., në momentin që ai po zbriste nga automjeti për të shoqëruar vajzën në kopsht.

Sipa sprokurorisë, sulmi është kryer me një shufër metalike, duke i shkaktuar viktimës lëndime të rënda në kokë, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.

Pas sulmit, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me motoçikleta.

Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarve në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, janë sekuestruar elektroshokë, sprej, telefona mobil, si dhe një sasi e konsiderueshme armësh dhe municioni, përfshirë armë të gjata dhe të shkurtra, snajperë, pistoleta me silenciatorë. Në telefonat e të dyshuarve janë gjetur video dhe fotografi ku ata shihen duke përdorur armë, përfshirë edhe një imazh ku njëri prej tyre shihet duke shënjestruar një automjet të policisë me revole.

Gjykata Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve K.M. dhe K.M./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

​Lautaro tejkalon Maradonën me gola për Argjentinën

Published

on

Kapiteni i Interit, Lautaro Martinez, shënoi si zëvendësues për Argjentinën në fitoren 3-0 ndaj Venezuelës mbrëmë, duke tejkaluar Diego Armando Maradonën dhe duke u bërë golashënuesi i pestë më i mirë me ekipin kombëtar.

Lautaro Martinez kontribuoi në fitoren 3-0 të Argjentinës ndaj Venezuelës mbrëmë, duke shënuar vetëm dy minuta pas futjes së tij nga stoli në pjesën e dytë.

Kapiteni i Nerazzurrëve gjeti rrjetën me një gjuajtje me kokë, duke shënuar golin e tij të 33-të ndërkombëtar dhe duke tejkaluar legjendën e Argjentinës dhe Napolit , Maradonën, i cili kishte shënuar 32 gola.

Siç e vuri në dukje me krenari Interi në faqen e tyre të internetit, vetëm Lionel Messi (114 gola), Gabriel Omar Batistuta (55), Sergio Agüero (41) dhe Hernan Crespo (35) kanë shënuar më shumë gola për Argjentinën sesa Lautaro./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Kushtetuese vendos masë të përkohshme, s’ka mandatar për Qeverinë deri më 30 shtator

Published

on

By

Gjykata Kushtetuese ka nxjerrur aktgjykimin në lëndën e parashtuar nga deputetës e Listës Serbe për ‘masë të përkoheshme’ rreth veprimeve të mëtejme të Kuvendit të Kosovës.

Gjykata vlerëson se kjo ndërhyrje është e nevojshme për të shmangur “rreziqe ose pasoja të pariparueshme” dhe se miratimi i saj është në “interes publik”.

Po ashtu, Gjykata thekson se kjo masë nuk paragjykon përmbajtjen përfundimtare të çështjes që është ende në shqyrtim.

VENDIMI I GJYKATËS:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 116 (2) të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit dhe rregullat 44, 45, 46 (2) dhe 48 (1) (d) të Rregullores së punës, më 4 shtator 2025, njëzëri

VENDOS

I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë;

II. TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025;

III. T’U’A KUMTOJË këtë Vendim palëve;

IV. TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;

V. Ky Vendim hyn në fuqi më 5 shtator 2025./D.B/EO

Continue Reading

Të kërkuara